Visar Zhiti: Edi Rama, pas daljes nga burgu, më dha Kafkën e ndaluar

PYETESORI I LIBRIT / Një takim me shkrimtarë dhe lexues përmes pyetje-përgjigjesh që zbulojnë ‘të fshehta’ të lehta të procesit të leximit...

PYETESORI I LIBRIT / Një takim me shkrimtarë dhe lexues përmes pyetje-përgjigjesh që zbulojnë ‘të fshehta’ të lehta të procesit të leximit. Si dhe përse lexojmë ? Cilat janë huqet tona në lexim? Cilët janë librat tanë ‘të shenjtë’?
-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…
Libri më i vjetër në bibliotekën time të re, se jam shkëputur nga shtëpia prindërore, është një botim i shek. XIX i Naim Frashërit, «Bagëti e Bujqësija», botim i Bukureshtit, i vitit 1886, me alfabetin e para-Kongresit të Manastirit. Më emocionon shumë, më duket sikur e ka prekur vetë Naimi. Kam dhe ca të tjerë të këtyre viteve, të trashëguara natyrisht.
 -Librat i zgjidhni nga autori, apo zhanri?
Nga përmbajtja shkohet tek vlerat dhe tek autori më pas, zhanri s’ka rëndësi më duket.
 -I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo, por i di të gjithë ç’kanë. Janë dhe enciklopeditë e fjalorë, që i hap vetëm kur duhet…
-Libri i parë që keni lexuar…
Kam dëgjuar «Konti i Monte Kristos», kur e lexonte me zë im atë e të gjithë mblidheshim rreth tij, ishim familje e madhe atëherë, të varfër e të përndjekur. E ndjej si të lexuar atë roman. Kujtoj që leximet e para të miat kanë qenë përralla, por cilat, s’e di, se s’më dukej se kishin rëndësi autorët dhe titujt e librave atëherë. Mjaftonte të treguarit. I ndërgjegjshëm në rrugën e leximit, në fillesat e mia kam Shekspirin, «Hamletin» me atë fantazmën, që, sa mirë, del shumë shpejt, që në faqet e para, një lloj tjetër përrallë kjo, për të rritur, ndjellëse dhe ankthkallëse. Po kështu dhe Hamletin e fëmijëve, «Pinoku» e kam lexuar po në atë kohë. Në fakt jam pa libër të parë, i kam të shkrira brenda vetes.
 -Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Ka qenë «Revizori» i Gogolit, më kishin dhënë lekë për t’i prishur si të doja. Im atë ishte aktor në atë kohë, isha i ndikuar nga skena.
 -Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
Së pari me vëllezërit e mi, më të mëdhenj se unë. Gjimnazistë në Lushnjë na janë gjendur me libra dhe miku i tim eti, regjisori Tahsim Demiri dhe mësuesi im, poeti Faslli Haliti. Me shokët e klasës, me shoqet më shumë, i përcillnim libra njëri-tjetrit, me rrethin letrar. Atëherë s’kishte televizor, për internet s’bëhet fjalë. Kurse student lidhja me poetin Rudolf Marku, Lezha e tij, ka ndikuar marramendshëm në lexime tek unë. Me studentët e tjerë shkëmbenim libra e flisnim për sidomos me poetët e ardhshëm Agim Spahiu, Skënder Rusi, Simon Vrusho, pedagogun dhe studiuesin Rahim Ombashi etj.
 -A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Gjimnazist në Lushnjë dhe student në Shkodër mund të kem shkuar dhe dy herë në javë e më shpesh. Sot shkoj rrallë, kur dua atë që më duhet e s’e gjej dot përveçse në Bibliotekë.
 -I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse? 
Nuk di t’i kem mbajtur libër ndokujt me qëllimin që të mos ia kthej, s’më është dukur e drejtë e trimëri, ka që mburren me të kundërtën. Libri më shumë se në çdo raft e ka vendin në mendje e zemër, thosha. Më kanë dhuruar libra, po, edhe botime të çmuara. Di që më kanë mbajtur libra, harronin të m’i jepnin edhe kur ua kujtoja, ishin më të mëdhenj se unë. Tani janë më të vegjël…
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
-Po. Burgu, shpërnguljet ishin shkaku. I shoh mungesat e tyre me dhimbje. Madje ribotimi i mëvonshëm i ndonjë libri të tillë më duket si ngushëllim i paplotë. Është rastin të tregoj se tim eti i ka marrë shteti i porsadalë nga lufta libra nga biblioteka e tij, erdhën me një karrocë me dy kuaj, kur ai nuk ishte në shtëpi, para se ta arrestonin. Dhe s’e dinte ku i çuan. Kur interesohej, i thoshin: eh, ruaj kokën tani !…
 -A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Po, kam lexuar libra të ndaluar, kishin mjaft rëndësi për ne e mbase ka interes për të rinjtë sot të dinë diçka si u edukua dhe u vetëduka fshehurazi një rini tjetër para tyre, nën diktaturë. Pra, mund të zgjatem disi, jam i falur, ndërkohë është dhe mirënjohje të kujtosh. I kërkonim librat e ndaluar, jo thjesht si kërshëri, por si domosdoshmëri, megjithëse mundësitë ishin të pakta për mua dhe të dënueshme për shumëkënd. Çdo emër ka një rëndësi të veçantë, se janë si treguesit e një rruge, që tregonin dhe humnerat e ti duhej të zgjidhje se nga po shkoje.
Për ne ishin të ndaluar pabesueshmërisht Konica e Fishta e Koliqi e Haxhiademi, Musine Kokalari etj, ndërkohë ndaloheshin, pasi botoheshin dhe përkthime të autorëve si Gi Dë Mopasan apo Esenini, Hemingueji e Remarku, Shollohovi apo Gollsuorthi apo nxirreshin nga qarkullimi libra shqiptarë si romani «Tuneli» i Xhuvanit apo poezia e Bilal Xhaferrit etj, etj. I gjenim libra të tillë, ia kalonim njërit-tjetrit me mirëbesim, mes shokësh të ngushtë, shumë të paktë. Për atë që duhej letërsi e verdhë, por e ndaluar, nuk kam patur shumë interes. Ndërkaq gjenim libra të ndaluar dhe në fabrikë të letrës, ku i sillnin për t’i bërë karton, të ricikloheshin në harresë të bardhë, në mosqenie, thoshim mes nesh, na i jepnin miqtë që punonin atje, s’besoj se ishin provokime, kam pas siguruar p.sh, revista të vjetra të paraçlirimit, ku ishte dhe një poemë pacifiste e tim eti, partizanët kishin urdhër ta digjnin, po ta gjenin, më ka treguar xhaxhai im partizan, por dhe botime bashkëkohore vinin në fabrikë të letrës, që kritikoheshin ashpër pas plenumeve të partisë-shtet, p.sh, romane të Petro Markos e kemi poezi të Fatos Arapit, «Më jepni një emër».
Më pas na u bë, si të thuash, mjeshtëri jona të kërkonim libra të ndaluar dhe kaluam në një fazë më të lartë, të atyre të pabotuar në Shqipëri, autorë të famshëm, por të ndaluar rreptësisht si emra, po i them pa rend të caktuar; Dostojevski, Tomas Eliot, Niçe, Frojd, Jevtueshenko, Xhem Xhojs,antologji të  poetëve anglezë, italianë, francezë, «Lulet e së keqes», Jonesku, Apdajk, por dhe socialiste si Brehti e Pol Eluar etj, etj.
I siguronim me miq të ngushtë, fshehurazi dhe në mirëbesim, shpesh dhe me shqetësime. Në Lushnjë Ivo Andriqin p.sh. dhe Zhak Preverin  m’i ka dhënë poeti Faslli Haliti, nga Dostojevski e Niçe prozatori Halil Jaçellari, kurse një shoqe klase, me babanë në burg, Eva, më ka dhënë Cvajgun etj, etj, i kam rrëfyer dhe  në librat e mi, që i kam quajtur «burgologji», kurse student e më vonë, ishte poeti dhe romancieri Rudolf Marku, që e bëri  Lezhën e tij «Jerusalem të leximeve të ndaluara», të shkrimeve dhe përkthimeve të dënueshme, pa të cilat do të kisha një rini më të vobektë për sa u përket letrave. Aty mora Oscar Wilde, Joneskun, Jevtueshenkon e rrezikshëm, me poezi kundër Enverit, Heminguejin, Xhojsin, aty mësova që ishte dhe argjentinasi Borges etj, etj. Po vazhdoj, në Shkodër na ka dhënë libra të ndaluar prof. Hasan Leka, «Toka e shkretë» të Eliotit, p.sh, kurse dramaturgu Fadil Kraja «Kanunin e Lek Dukagjinit» të Gjeçovit me parathënie të Fishtës dhe Konicës, poetë të Kosovës, botime të Prishtinës, Shkreli, Podrimja etj, me poetin Frederik Reshpja shkëmbenim «letërsi subversive», më pas në Kukës, ku më caktuan mësues në një fshat të largët me poetin Agim Saphiu e shkrimtarin Zija Çela e skulptorin Ilmi Hoxha etj, por më shumë u jepja ç’merrja në Lezhë. Kur kam dalë nga burgu dhe ishte ende diktaturë e unë isha pa asnjë të drejtë, punëtor krahu, skllav né fabrikën e tullave, shkëmbenim letërsi të ndaluar me mikun tim atëherë, poetin Bujar Xhaferri, ndërsa Edi Rama, kryeministri i sotshëm, më dha italisht Franc Kafkën, që ishte ëndërr dhe torturë për mua. Ma solli në shtëpi, në Lushnjë, kur pakkush guxonin të trokisnin tek unë. ‘E ke për 5 ditë, – më tha, – se duhet ta kthej’. Im vëlla la punën në fermë dhe e kopjoi me dorë në ca fletore shkolle. I kemi dhe tani. Kafka më trondit aty më shumë sesa në botimet e tij luksoze… Libri i ndaluar ishte personazh jete, si ata që duhej t’u ruheshe se kishin qenë në burg apo të arratisur, më misteriozë e më tërheqës për ne.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Librat zgjidhen vetë, por dhe dhurohen, mbi të gjitha ndjeja nevojën e përvojës së leximit të të tjerëve që u besoja. Sot në bibliotekën tënde s’ke pse sjell libra qé nuk do t’i lexosh.
 -Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
I kam provuar të gjitha llojet që thoni ju, madje në burg kam lexuar dhe në këmbë, në rresht, pas kurrizit të tjetrit, por kur dua të lexoj seriozisht tani, si punë, e bëj vetëm mbi skrivani, me stilolaps në dorë.
 -Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Italisht më shumë, përkthej dhe poetë, edhe anglisht, por librin e poetit japonez Isikava Takuboku e kam përthyer dikur nga rusishtja, ishte nga librat e ndaluar…
 -Çfarë po lexoni këto ditë?
Nobelistin hebre Elias Canetti, vazhdoj poetin e njohur Adonis. Kam një «Iliadë» të re ndër duar, një përkthim të Ilia V. Ballaurit, mbushur me shpjegime, komente e ese që sjellin një univers të paparë homerik. Lexoj disa libra njëkohësisht, pata dhe poezitë e Azem Qazimit. Këto kohë lexova mjaft letërsi shqipe bashkëkohore, isha në jurinë e konkursit kombëtar të letërsisë, forcova bindjen se letërsia jonë e pas ’90 është më e mirë se para ’90.
 -Mbani shënime kur lexoni?
Nënvizoj, rrallë edhe shënoj.
 -Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?
Letërsia e vërtetë, ajo që na duhet, çfarëdo qoftë, më tërheq, e kërkoj dhe mundohem ta gjej. Poezia dhe romani më joshin si dikur. Autorët që dua, dua t’i lexoj me gjithsej, nëse është e mundur.
 -Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Nuk guxoj të rekomandoj. Nëse do t’u thosha të rinjve të shohin dhe nga letërsia e munguar jona, eposi i Fishtës, nuk është aq i vështirë sa ç’thonë, proza magjike e Kutelit me atë Koliqit…ah, sa të begatë janë në gjuhë. Është 200-vjetori i De Radës, lexohet bukur “Milosao”… Do të thosha se duhen patjetër dhe Tolstoi, dhe Servantesi, dhe Shekspiri, dhe Dante, tragjedianët grekë, ja, nga emrat që kujtuam më lart, të ndaluarit e mëdhenj, por patjetër Borgesi, Kafka, Markezi… o Zot, janë shumë e shumë të domosdoshëm. Nga letërsia e Ballkanit, gadishullit tonë, më poetiku në botë, duhet të dinë patjetër, fillohet me veten, me fqinjët…
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?  
Nuk e di, mbase Bibla, Kurani, Torah-u… kjo trini universale. Eh, prandaj ka letërsi se asnjë libër i vetëm nuk e përballon “libërnajën”e botës. Një nga mrekullitë e letërsisë mbase është, sipas meje, dhe mungesa e totalitarizmit të një libri.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?    
Prapë e kam të vështirë të përgjigjem. E kush mund të ishin? Tre, vetëm tre?! Sa mizore! Tani po them, një: eposin homerik, Iliadën dhe Uliksin (por të Xhojsit), dy: Shekspirin, mbyll sytë dhe kap “Hamletin”, tre: Uollt Uitman “Fije bari”, por si shqiptar që jam, brenda tij do të fusja kontrabandë ca fletë nga Naimi, nja 10-15 poezi. Ditë tjetër do të zgjidhja libra të tjerë, sa herë të më ofrohet apokalips.
-Na thoni një maksimë për librat, që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…                        Kujtohem që kam bërë të dielave faqen letrare në RD, ishte gazetë opozite dhe atëherë, kishte kaluar viti ’97, por jo traumat e tij dhe vazhdimisht si moto a kredo vija në krye të faqeve të mia sentencën “Sa më shumë libra, aq më pak armë, deri sa të arrijmë vetëm tek arma e librit”. Dhe befas, pas ca kohe u mbyll faqja letrare, s’e di pse.
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Di poezi përmendësh, më janë gjendur dhe në raste të vështira, të rënda. Ndodh t’i them me zë dhe tani, s’e di pse më vijnë, p.sh: Dhe vrasës dhe buzëqeshur!… Shekspiri e thotë. Ja prapë ai: Këtu çdo buzëqeshje është një kamë/, më i afërti në gjak, më afër ta pi gjakun…Dikur përsërisja vargun e një poeti rus: Çdo gjë në këtë jetë ndodh/, të dashurojnë nuk dinë të gjithë. Një poet francez: Dhe nga puthjet bëjmë njerëz. Unë ende besoj se poezia na bën më njerëz. Ditë tjetër, besoj, do të thosha vargje të tjerë. Një libri kam dashur t’i vë titullin: Që loti yt të rrjedhë në faqen time. Është fjala për lot dashurie njerëzore. Të gjitha orët na mashtrojnë, thotë Lorka.
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Vetë romani i mirë në vetvete bëhet personazh për ty, janë shumë, më pengon njëshi, nuk më ndihmon dot ta gjej.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
I çmoj gjersa i kam, do të thosha. Dhe secili përçon tek mua diçka, një emocion të veçantë. Në fillim kam patur autografe nga shkrimtarët e Lushnjës, isha nxënës dhe pastaj  nga shokët e mi që botonin libra, më gëzonin, ma bënin më të afërt të shkruarin. Më i rëndësishmi m’u bë autografi i parë nga Kadarea në një roman të tij, ia mora kur isha student. Tani kam autografe dhe nga nobelistë, nga Derek Walcott, Wole Soyinka, Tomas Tranströmer, por ai i Jevtushenkos më jep emocionin e një sfide njerëzore, se ai ishte poeti që e kam patur në akt-akuzë, kur jam dënuar. Dhe ta takosh i lirë nëpër botë…Kam nga Koliqi, por s’është për mua, ma kanë dhuruar ashtu romanin e tij. Të gjithë librat e poetit Ali Podrimja i kam me autograf. I fundmi është ai i romanit më të ri të Teodor Laços, u promovua para disa ditësh në panair. I çuditshëm ka qenë ai i Kasëm Trebeshinës “Kujtim nga kjo pasdite e mërzitshme shqiptare”, por më i çuditshëm, të kuptohemi, këto kanë vlerë vetëm për mua, është autografi i një poeti amerikan John Borling, s’jemi takuar dhe nuk njihemi, por një lexues nga Kosova në SHBA, as atë nuk e njoh, në promovimin e librit të amerikanit, poezitë e të cilit janë shkruar kur ai ishte në burg në Vietnam, i jep atij librin tim me poezi anglisht, janë shkruar në burg dhe këto, i thotë dhe i merr për mua me autograf librin e tij e ma nis nëpërmjet njerëzve të tij, që vijnë nga Kosova në panairin e librit në Tiranë. Më prek më shumë rruga e këtij autografi për tek unë. Buzëqesh kur shoh autografet e shkrimtarit Jashar Qemal, që nuk i kuptoj në libra që s’i kuptoj, janë turqisht, të Jevrem Bërkoviçit apo Martinoviçit nga Mali i Zi dhe ca më pak të Adonisit në arabisht etj, etj. Autografet në fund të fundit kështu janë, jo për t’i kuptuar, por që t’i gëzohesh asaj dore që shkruajti veprën.

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item