Sukses i Filatelisë Shqiptare në BALLKANFILA 2014

Filatelistët shqiptarë marrin pjesë dhe fitojnë çmim në Ekspozitën e Filatelisë Ballkanike në Bullgari. Thimi Nika fiton vlerësimin më të la...

Filatelistët shqiptarë marrin pjesë dhe fitojnë çmim në Ekspozitën e Filatelisë Ballkanike në Bullgari. Thimi Nika fiton vlerësimin më të lartë, Medalje të Artë në klasën “Literaturë”, me librin “Historia e Filatelisë Shqiptare”

Nikolla Xharo

Një larmi veprimtarish ndërkombëtare të filatelisë, të organizuara nën patronazhin e FIP e FEPA, në të cilat koleksionistët e shoqatës tonë morën pjesë aktive me koleksionet e tyre të pullës postare, janë zhvilluar në këto dy vjetët e fundit. Mes tyre spikati Ekspozita Ballkanike e Filatelisë, e zhvilluar në vitin 2012 në Maribor, që përbënte një veprimtari të rëndësishme të FEPA (Federata Europiane e Filatelisë).  Në  vijim, kjo veprimtari ballkanike e filatelisë, që zhvillohet një herë në dy vjet, për vitin 2014 u zhvillua në qytetin Vidin të Bullgarisë. Shqipëria, me Shoqatën e saj të Koleksionistëve, mori pjesë në tri klasa. Ekspozita përfshinte pjesëmarrës në pesë klasa konkurrimi. Komisari për Shqipërinë, z. Muharem Gimjani, paraqiti në konkurrim tre koleksione me nga 80 eksponatë A4: në klasën “Histori Postare”, Muharrem Gimjani u paraqit me pesë stenda; në klasën “Filateli Tradicionale”, Jovan Basho me pesë stenda dhe në klasën “Literaturë”, Thimi Nika u paraqit me botimin, “Histori e Filatelisë Shqiptare”.

“Ekspozita Filatelike Ndërkombëtare BALKANFILA 2014” u zhvillua në datat 5 deri 7 prill 2014 me rastin e 135-vjetorit të Parlamentit bullgar dhe formimit të shtetit bullgar. Ajo u zhvillua nën patronazhin e Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, zotit Mihal Mikov. Në organizimin e kësaj ngjarjeje morën pjesë anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë; Ministria e Transportit, Informacionit, Teknologjisë dhe Komunikacionit të Bullgarisë; Posta Bullgare; Unioni i Filatelistëve të Bullgarisë dhe bashkia e qytetit pritës, Vidin. Ekspozita pati konkurrentë ekspozues nga 12 vende: Bullgaria, Greqia, Qiproja, Mali i Zi, Maqedonia (Fyrom), Moldavia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Turqia, Shqipëria dhe Rusia si e ftuar.
Juria, e përbërë nga shtatë anëtarë, specialistë të kualifikuar nga FIP dhe FEPA (Federata Botërore dhe Europiane) kishte si kryetar zotin Spas Panchev. Vlerësimi i jurisë për koleksionet konkurruese të pjesëmarrësve nga Shqipëria ishin:
Thimi Nika mori vlerësimin më të lartë, Medalje të Artë në klasën “Literaturë”, me librin “Historia e Filatelisë Shqiptare”; Muharrem Gimjani, u vlerësua me Medalje Vermej në klasën “Histori Postare”, me koleksionin “Historia Postare e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928-1939”; Jovan Basho u vlerësua me Medalje Argjendi në klasën “Filateli tradicionale”, me paraqitjen e pesë stendave të tematikës “Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në emisionet postare të viteve 1913-1918”. Medalja e Artë e marrë nga Thimi Nika në klasën Literaturë, shënon vlerësimin më të lartë të marrë ndonjëherë nga Shqipëria në veprimtari ndërkombëtare.
Gjatë ditëve të zhvillimit të ekspozitës, u zhvillua edhe mbledhja e përfaqësuesve të Federatave Filatelike Ballkanike. Vendi ynë u përfaqësua nga kryetari i shoqatës, zoti Nikolla Xharo. Mbledhja e përfaqësive ballkanike diskutoi dhe mori vendime për disa çështje të rregullores së organizimit të ekspozitave filatelike të Ballkanit si bëri zgjedhjet e reja për kryetarin e këtij forumi. Kryetar i ri i saj u zgjodh Spas Panchev i Bullgarisë. Sipas procedurës së çdo dy vjetëve, në përfundim forumi i përfaqësive vendosi zhvillimin e ekspozitës së radhës. U vendos që ekspozita e ardhshme e vitit 2016 të zhvillohet në Tiranë. Ky vendim ishte një sukses i shoqatës tonë, sepse do bëjë të mundur që kjo ngjarje të zhvillohet për herë të parë në vendin tonë.
“Balkanphila” ka një traditë shumë të gjatë. Ajo ka nisur në vitet ’60, zhvillohet rregullisht në çdo dy vjet. Shqipëria u bë pjesë e saj vetëm në vitin 1991, kur në vendin tonë u vendos sistemi demokratik. Vendi organizator përcaktohet dy vjet përpara. Organizatore të saj kanë qenë të gjitha shtetet ballkanike (nga tre, katër ose më shumë herë) me përjashtim të Shqipërisë, e cila, për një varg faktorësh, si mbyllja hermetike në periudhën komuniste, paaftësia në mjete financiare në këto 20 vitet e fundit dhe shpesh indiferentizmi e padituria, kanë ndikuar që ajo të mos ketë qenë asnjëherë organizatore. Të gjitha përçapjet e deritanishme të shoqatës për të organizuar në Shqipëri një Ballkanphila kanë dështuar, sa për mungesë të stendave aq dhe për shumën simbolike që i duhet shoqatës si mbështetje financiare për akomodim të pjesëmarrësve dhe organizimin. Është momenti më i përshtatshëm që për vitin 2014 vendi ynë i caktuar si organizator i “Balkanphila”, të ketë mbështetjen e duhur nga Posta Shqiptare dhe Ministria e Kulturës. Kryesia e shoqatës sonë, e motivuar nga vlerat që mbart propozimi, me trashëgiminë e pasur kulturore e shpirtërore që shfaqin pullat postare e rolin që ato luajnë në kultivimin e kulturës, shpreh bindjen e shpresën se vendimi për organizimin e Ballkanphila-s do ketë vëmendjen e duhur.
*Autori është kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë

Related

Kultura 3141189966249717863

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item