Studimet në Itali, hapat nga regjistrimi deri në marrjen e vizës së studimeve

Kanë nisur tashmë procedurat e para-regjistrimeve për të gjithë maturantët apo kandidatët e tjerë shqiptarë që duan të vijojnë studimet e la...


Kanë nisur tashmë procedurat e para-regjistrimeve për të gjithë maturantët apo kandidatët e tjerë shqiptarë që duan të vijojnë studimet e larta në një nga universitetet italiane gjatë vitit të ri akademik 2014-2015. Për të kryer procedurat e aplikimit tërësisht falas, maturantët mund t’i drejtohen “Patronatit Inas Albania”, zyrë e cila prej më se një viti ofron ndihmë për të gjithë personat që vendosin të shkojnë për studime, apo për të jetuar në shtetin italian, si dhe në rastin e përfitimeve të pensionit. Përfaqësuesi i kësaj zyre Naim Balluku shpjegon për gazetën “Dita”, të gjithë procedurën që do të ndiqet për para-regjistrimet, që duhet të bëjnë maturantët shqiptarë që dëshirojnë të studiojnë në universitetet italiane. “Patronati Inas Albania, vepron në këtë fushë, duke dhënë kontributin e tij pa pagesë, ndihmon konkretisht, çdo student apo nxënës që është i interesuar për të studiuar në universitetet apo shkollat italiane. Sa më sipër, nxënësit dhe studentët, duhet të kenë parasysh, udhëzimin e nxjerrë nga Ambasada Italiane lidhur me procedurën e aplikimit”, sqaron Balluku. Në këto kushte studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane duhet të ndjekin këto udhëzime: Deri në 30 qershor duhet të dorëzojnë personalisht dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit pranë Ambasadës Italiane. Për të paraqitur dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit “Prenoto online” të faqes internet të ambasadës. Më pas nga data 2 qershor deri në 31 korrik 2014, do të dërgohet përmes “Postës Shqiptare”, “Dëftesa e Pjekurisë” (ose Diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim në universitetin përkatës. Më pas nga data 1 korrik deri në 25 gusht 2014, Ambasada Italiane do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të përfundojë vlerësimi i dokumentacionit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes Postës Shqiptare) pasaportën me vizë dhe dokumentet e legalizuar. Autoritetet e arsimit në vendin tonë sqarojnë se çdo vit janë me mijëra maturantët dhe kandidatët e tjerë që aplikojnë për të vijuar studimet e larta të ciklit tre vjeçar, apo master në një nga universitetet italiane. Në vijim të shkrimit, gjeni të detajuar nga eksperti Naim Balluku dhe Beskida Aliaj, të gjithë procedurën që do të ndiqet që nga faza e aplikimit deri në marrjen e vizës së studimit.
Somarjo
“Patronati Inas Albania, jep të gjithë ndihmën e nevojshme, që nga fillimi i procedurave dhe deri në mbylljen e tyre, për të gjithë studentët që paraqiten pranë zyrave tona. Të gjitha shërbimet tona janë falas, pa asnjë lloj pagese. Edhe mbas fitimit të së drejtës për studime në Itali, zyra ndihmon studentët shqiptarë, nëpërmjet strukturave që ka në të gjithë Italinë, deri në akomodimin e plotë të tyre”, sqaron Balluku rreth ndihmës që do t’u ofrohet maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që aplikojnë.

Tre fazat e aplikimit që nga regjistrimi paraprak e deri në marrjen e vizës studimore
1 Paraqitja e kërkesës për para-regjistrim deri më 30 qershor 2014.
Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit “Prenoto online”, të kësaj faqeje internet, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimet mund të caktohen deri në datën 30 qershor 2014. Studentët duhet të paraqitën personalisht në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm: “Formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur. Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare. Lista e të gjithë degëve mund të konsultohet në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/. Brenda dosjes duhet dorëzuar edhe formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur. Dëftesa e Pjekurisë dhe Certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose kopje e njëjtë me origjinalin). Studentët që nuk zotërojnë më dëftesën origjinale, do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve, bashkë me ato të maturës. Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme, që do të marrin Diplomën në verën e 2014-ës, do të paraqesin një fotokopje të pa legalizuar të formularit A-1, me të cilin janë regjistruar online për provimet e maturës. Këta nxënës duhet të dorëzojnë në Ambasadë dëftesën origjinale përpara lëshimit të vizës”.
Kurset e ciklit të dytë (kryesisht specializime) 
Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si për shembull specializim ose kurs të shkurtuar duhet të dorëzojnë përveç dëftesës së maturës shtetërore, edhe Diplomën Universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar të studimeve. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin Diplomën brenda verës së vitit 2014, duhet të dorëzojnë një vërtetim, me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në ambasadë përpara lëshimit të vizës. Duhet bërë kujdes pasi dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës, ose nga njëri prej përkthyesve të betuar. Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen dhe të përkthehen sipas procedurës më lart. Më tej kërkohet edhe fotokopje e Certifikatës së Gjuhës Italiane të nivelit B2, të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), ai i Siena-s (CILS), Romës, ose nga Shoqata “Dante Alighieri”, dhe nga Instituti Italian i Kulturës. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim (këta studentë do të pranohen me rezervë në para-regjistrim. Procedura e lëshimit të vizës do të përfundojë me sukses nëse kalohet provimi). Dokumente të tjera që duhen dorëzuar janë fotokopje e pasaportës, fotografi për dokument.
Kujdes!
Kandidatët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit. Studentët duhet të plotësojnë të dhënat personale mbi zarf dhe formularët me shkronja kapitale dhe me grafi të lexueshme.
2 Dërgimi i dokumentacionit për kërkesën e vizës  
Nga data 2 qershor deri në datën 31 korrik 2014, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Postës Shqiptare dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë. Të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës postare më të afërt. Konkretisht në dokumentet që duhen dorëzuar janë: “Nëse nuk është dorëzuar gjatë para-regjistrimit Dëftesa e Pjekurisë, (bashkë me Diplomën universitare, me listën e notave dhe me programin e detajuar të studimeve në rastin e regjistrimit në master), origjinal ose kopjen e noterizuar, të apostiluar në Ministrinë e Jashtme dhe të përkthyer. Formulari për kërkesën e vizës, tërësisht i plotësuar dhe firmosur, me 2 fotografi të bashkëngjitura. Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë. Pasaporta e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar, kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale. Gjithahstu kërkohet edhe një deklaratë për vendbanimin në Itali, e cila duhet të ndjekë një sërë kushtesh. Nuk duhet të mungojë sigurimi shëndetësor për udhëtim: mund të bëhet pranë shoqërive të sigurimit si shqiptare ashtu dhe italiane, por që në asnjë rast nuk duhet të përmbaje kufizime ose përjashtime të asnjë lloji (as për sëmundjet e mbuluara nga siguracioni sa i takon tarifave të përcaktuara për një shtrim spitalor urgjent), i vlefshëm nga data e fillimit të vizës deri më 31 janar të vitit pasardhës. Duhet edhe një vërtetim bankar për të paktën 5.818,93 euro. Këto burime financiare duhet të jenë të përdorshme direkt nga studenti (llogari bankare personale) dhe nuk mund të provohen me garanci bankare nga të tjerë. Kërkohet edhe një zarf bosh (i domosdoshëm për kthimin e dokumentacionit), sipër zarfit duhet të shënohen detyrimisht të dhënat në vijim “Emër, mbiemër; emri i universitetit, kursi i studimit, adresa e email-it, numrat e kontaktit, zyrës postare që mbulon territorin e banimit të studentit“.
 3 Dorëzimi i dokumenteve dhe pasaportës me vizë (nga data 1 korrik deri më 25 gusht 2014)
Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studim në universitetin përkatës. Lëshimi i vizës nuk nënkupton pranimin automatik në universitetin e përzgjedhur. Për t’u informuar mbi pranimin, studentët duhet t’i drejtohen direkt universiteteve. Për dorëzimin dhe kthimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë Postës një tarifë prej 200 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 300 lekësh (përfshirë TVSH) të vlefshme për të gjitha qytetet e Shqipërisë. Procesi i ri-dorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht dhe vizat për studim do të jenë të vlefshme nga data e fillimit të udhëtimit deri më datën 31 janar 2015. Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme: Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Tropojë, Pukë, Mirditë, Has, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë.
Si duhet të veprojnë konkretisht studentët në përzgjedhjen e universitetit, ku do të aplikojnë për studime ?
Hapi i parë : Futuni te kjo adresë interneti : http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/.
Hapi i dytë : Në anën e majtë të faqes, do të klikoni sipër aty ku shkruhet “nelle Universita italiane”.
Hapi i tretë. Pasi të klikoni aty do të hapet një faqe ku shkruhet “Universita” dhe poshtë kësaj fjale duhet të përzgjidhni universitetin e atij qyteti që keni menduar të ndiqni për shembull “Universita Politecnico di Bari” dhe klikoni “Invia”.
Hapi  i katërt. Do ju shfaqet një tabelë me disa kolona ku përmenden në kolonën e parë: “Facolta” (këtu janë paraqitur të gjitha fakultetet që ofron ky universitet). Në kolonën e dytë: “Classe delle Lauree”, (paraqiten disa shkronja si për shembull L = Laurea trienale (pra cikli Bachelor – 3 vjeçar nga fillimi i studimeve universitare), LM = Laurea Magistrale (cikli 5 vjeçar, i pashkëputur në 3+2 ), LMG = (e sigurt që është 5 vjeçare, pra 5 vjet rresht ). Ju nëse jeni maturant që doni të filloni universitetin për herë të parë në ciklin 3 vjeçar fokusohuni tek shkronja L. Studentët që e kanë përfunduar ciklin 3-vjeçar ose janë në përfundim të tij duhet të fokusoheni te shkronja LM ose LMG. Në kolonën “Posti previsti per studenti stranieri” do vëreni një numër që tregon numrin e vendeve vakante që universiteti ofron për studentët e huaj. Por, duhet të keni kujdes sepse në kolonën e fundit “Di dui dett”, do shikoni një lupë ngjyrë blu. Klikoni mbi lupën dhe do ju shfaqet një shpjegim. Shpjegimi ka të bëjë me numrin e përgjithshëm të vendeve vakante të rezervuara që do të jetë e barabartë me numrat e shpallura sipas kësaj kolone duke zbritur numrin e vendeve që janë rezervuar nga projekti.

Related

Speciale 401418435193387039

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item