Spiuni që erdhi nga Lindja, dhe që shkatërroi ëndrrën e Brandtit

40 vjet më parë kancelari gjerman jepte dorëheqjen: krahu i tij i djathtë ishte një spiun i Stasi-t Misionin e fundit shtetëror, Wil...

40 vjet më parë kancelari gjerman jepte dorëheqjen: krahu i tij i djathtë ishte një spiun i Stasi-t

Misionin e fundit shtetëror, Willi Brandti e kreu në fundin e prillit 1974, në Algjeri dhe në Egjipt, ku Sadati e përshëndeste si “njeriu që me aftësinë e tij të vizionit arriti që të sjellë paqen dhe prosperitetin, aty ku një herë e një kohë kishte urrejtje dhe kaos”. Por me t’u kthyer, sapo kancelari zbriti nga avioni i tij ushtarak, në Köln-Wahn e priste lajmi që pak më vonë do e detyronte të jepte dorëheqjen: Günter Guillaume, njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, ishte arrestuar. Dhe kur agjentët i kishin vënë prangat, kish qenë ai vetë që ishte identifikuar: “Jam një zyrtar i Stasi-t: më trajtoni me respektin që meritoj”. Ishte rasti më i rëndë i spiunazhit në historinë e Gjermanisë.
Për Brandtin, arkitekti gjenial i Ostpolitikës, që ishte gjunjëzuar para getos së Varshavës, nuk është vetëm një goditje shumë e rëndë personale – “monstruoze” do ta quante ai vetë. Ishte fundi i një karriere politike të jashtëzakonshme. Pasi kishte fituar Cmimin “Nobel për Paqen” në vitin 1971 dhe kish çuar një vit më vonë socialdemokratët drejt triumfit, që ishte edhe suksesi më imadh elektoral i të gjithë kohëve, kancelarit shumë të dashur iu desh të kapitullojë. Në 6 maj të 40 viteve më parë, Willy Brandti do të largohej. Por “çështja Guillaume” është vetëm shkaku më i dukshëm i largimit të tij. Një akt i detyruar, duke parë naivitetin e pabesueshëm të shfaqur jo vetëm prej shërbimeve të fshehtë gjermanë, por edhe të vetë Kancelarit, i cili e dinte që mbi bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë rëndonte një dyshim i vogël që nga viti 1973. Por Guillaume është një pretekst. Prej kohësh, Brandti ishte në një krizë të zezë.
Prej muajsh, interlokutorët kishin vënë re që pauzat e tij proverbiale ishin bërë shumë të gjata. Që ndonjëherë kancelari ngrihej në mes të një bisede, shkonte tek dritarja dhe shikonte përjashtë. Prej muajsh bashkëpunëtorët kishin vënë re që pinte shumë, që tendenca e tij drejt depresionit ishte rënduar. Dikush fliste për “atakë autizmi”. Edhe Günter Grass, që kish marrë pjesë në fushatën e tij elektorale, e sulmoi publikisht: “qeveria ka një hap prej somnambuli”. “Der Spiegel” i dedikonte një kopertinë të hidhur për ditëlindjen e 60-të: “Kancelari në krizë”. Rivalët e tij më të fortë në parti, Herbert Wehnert dhe kancelari i ardhshëm, Helmut Schmidt tashmë filluan ta sulmojnë hapur.
Megjithatë, kur ra qeveria Brandt, kjo ishte një goditje e madhe mbi të gjitha për dërguesit e Guillaume, për Gjermaninë Lindore që humbi një prej aleatëve të saj më të vlefshëm në Perëndim. Zbulimi që ai bashkëpunëtor që kish ardhur në mesin e viteve 50 nga Berlini Lindor, kishte ngjitur me shpejtësi shkallët e karrierës deri në zyrat e kancelarisë ishte tradhëtar, ishin një bumerang mbi të gjitha për vetë Honeckerin. Aq më shumë që pikërisht Stasi kishte korruptuar një vit më herët disa deputetë kristian-demokratë për të frenuar tentativën e një “mosbesimi konstruktiv” për të zëvendësuar Brandtin me Barzelin.
Guillaume nuk ishte as një spiun i domosdoshëm. Brandti, në verën para skandalit, ndonëse dinte hijet që binin mbi të, e mori për pushime në Norvegji. Ndoshta e nënvlerësonte. E konsideronte njeri të mërzitshëm dhe pak inteligjent. Guillaume ishte punëtor, i sistemonte gjërat e vogla: llogaritë, takimet, këpucët për pritjet. Por dinte çdo detaj të jetës së kancelarit, e shoqëronte kudo. Dhe kishte mundësinë të shihte edhe shkresat. Mes tyre, edhe dokumenta sekretë: një letër e Niksonit, dhe protokollet e bisedimeve në Uashington, shënimet e shërbimeve gjermanë. Detaje shkatërrimtarë, edhe pse për shkak të një rasti të çmendur, tekstet norvegjezë nuk mbërritën asnjëherë në destinacion: korrieri, i kapur, i hodhi në lumë. Por, agjenti Wolf shkruante vite më vonë në kujtimet e tij se e vlerësonte “inteligjencën politike” të Guillaume, aftësinë e tij për të kuptuar që më përpara lëvizjet e Brandtit.
Në ditët pas arrestimit, kur gazetat filluan të përzienin detajet mbi Guillaumen me ata për jetën private, duke rrëfyer aventurat me disa gazetare, gjërat u përkeqësuan. Ditën e dorëheqjes, disa të rinj militantë u mblodhën para shtëpisë së tij, në shenjë solidariteti. Në orën dy e gjysmë të natës, një mik i tij doli tek dera: “Djema, ju kuptoj fare mirë. Por tani ta lëmë të flerë”. Ishte fundi i kancelarit me tre milionë vota, më popullori i të gjithë kohëvve. Në vend të tij erdhi Schmidt. Dhe filloi një tjetër histori./bota.al

Related

Suplement 831667714210557303

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item