S’KA MAQEDONI STABILE KUNDËR VULLNETIT TË SHQIPTARËVE

  Xhelal Zejneli Pretendimi i VMRO-së për të marrë 62 deputetë dëshmon: për ideologjinë retrograde dhe anakronike të kësaj partie dhe për po...

  Xhelal Zejneli



Pretendimi i VMRO-së për të marrë 62 deputetë dëshmon: për ideologjinë retrograde dhe anakronike të kësaj partie dhe për politikën ultranacionaliste të saj.
Ky synim i VMRO-së bie ndesh: me realitetin etnik të Maqedonisë, me konceptin qytetar mbi shtetin, injoron faktorin shqiptar, synon të defaktorizojë faktorin politik shqiptar, është akt jodemokratik dhe kundërshqiptar. Si i tillë, ai është joreal dhe shpie në radikalizimin e situatës politike në Maqedoni. Një politikë që e shpërfill realitetin e brendshëm, është destabilizuese dhe gjeneron krizë. Një politikë serioze duhet të bazohet në opcionin racional.
Synimi i Gruevskit për të përfshirë në qeveri qoftë edhe partinë politike shqiptare humbëse, është akt kundërshqiptar. Një synim i tillë ka për qëllim të thellojë akoma më shumë përçarjet brendashqiptare.
Krijimi i qeverisë në Maqedoni s’ka të bëjë fare me numrin e deputetëve që e siguron VMRO-ja apo LSDM-ja. Edhe 70 deputetë t’i marrë Gruevski, ai duhet ta dijë se s’ka Maqedoni pa shqiptarët në qeveri. Stabiliteti i shtetit nuk arrihet duke nëpërkëmbur vullnetin e shumicës së elektoratit shqiptar, të shprehur në mënyrë demokratike. Shpërfillja e vullnetit të shumicës së popullit shqiptar, të shprehur në mënyrë demokratike, është akt jodemokratik i VMRO-së. Partitë politike shqiptare nuk ndeshen për t’i mundur partitë sllavo-maqedonase – VMRO-në dhe LSDM-në. Ato garojnë për ta mundur njëra-tjetrën. Po qe se mandatari sllavo-maqedonas nuk e përfill rezultatin e zgjedhjeve në spektrin politik shqiptar, atëherë shtrohet pyetja: Përse garojnë partitë politike shqiptare?! Përse zhvillojnë fushatë?! Me një fjalë, në bllokun shqiptar s’paska rëndësi se kush i fiton zgjedhjet dhe kush i humb ato!
Çështja e krijimit të qeverisë është dashur të parashikohet në mënyrë të prerë me Marrëveshjen e Ohrit. Në të duhej të thuhej: Pjesë e qeverisë mund të bëhet vetëm ajo parti politike shqiptare e cila e fiton shumicën e votave në elektoratin shqiptar. Një gjë e tillë duhet të parashikohet sot me Kushtetutën e Maqedonisë.   
Partitë politike shqiptare qëmoti është dashur të arrinin një marrëveshje, sipas së cilës  pjesë e qeverisë mund të bëhet vetëm ajo parti politike shqiptare e cila, në zgjedhjet demokratike, e fiton shumicën e votave të popullit shqiptar.
Sipas faktorit politik sllavo-maqedonas, pikëpamja e sipërthënë shpie në federalizimin e Maqedonisë. Por, të gjithë duhet ta dinë se federalizimi i Maqedonisë është condition sine qua non i stabilitetit të saj. Të rralla janë shtetet në Evropë që nuk kanë entitete, njësi federale, njësi autonome, kantone. Për shembull, Spanja përmban 17 bashkësi autonome.

*   *   *
Nuk duhet harruar se për partitë politike shqiptare, VMRO-ja nacionaliste nuk është e panjohur:
- Ajo është quajtur partner strategjik;
- Kanë qenë me të partnerë të bashkëqeverisjes;
 -Edhe në qeverinë e ardhshme synojnë të jenë partnerë të saj të bashkëqeverisjes.

Proceset politike në Maqedoni ngecin. Të drejtat e shqiptarëve nuk realizohen sa duhet, ndërsa integrimi i saj në familjen perëndimore- zvarritet. Partitë politike shqiptare kanë qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv që nga viti 1991 e deri më sot. Gjatë periudhës së sipërthënë, shqiptarët nuk e fituan statusin e popullit shtetformues. Maqedonia ndërkaq, nuk ia doli të integrohet në organizmat euro-atlantikë. Nga kjo rezulton se fajtor për këto dështime nuk është vetëm pala sllavo-maqedonase, VMRO-ja dhe Gruevski, por edhe vetë partitë politike shqiptare. Me fjalë të tjera, është gabim të fajësohet vetëm pala sllavo-maqedonase, VMRO-ja apo Gruevski. Për politikën restriktive të Gruevskit ndaj shqiptarëve, përgjegjësi mban edhe faktori politik shqiptar. Partitë politike shqiptare, përkundër moszgjidhjes së drejtë të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve dhe zvarritjes së integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE, asnjëherë nuk shkaktuan krizë politike.  
Shtrohet pyetja: A thua vallë, një shtet i udhëhequr nga një politikë retrograde dhe anakronike si kjo e VMRO-së, e ka vendin në strukturat euro-atlantike?!
Në hapësirën politike shqiptare kemi një paradoks: edhe pse VMRO-ja ndjek politikë destabilizuese që e radikalizonsituatën politike dhe që gjeneron krizë permanente, megjithëkëtë, partitë politike shqiptare, një Maqedoni të udhëhequr nga një ideologji nacionaliste dhe romantiketë tipit të shekullit XIX, d.m.th. një shtet skajshmërisht të nacifikuar, dëshirojnë ta integrojnë në NATO dhe në BE!!
Para se të angazhohet për anëtarësimin e Maqedonisë në organizmat euro-atlantikë, faktori politik shqiptar duhet t’i sugjerojë VMRO-së ta ripërkufizojë ideologjinë kombëtare të saj, të shkojë në hap me kohën dhe të demokratizohet. Këtë duhet ta kërkojnë prej saj edhe qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni  dhe Brukseli. Në familjen euro-atlantike duhet të hyjë një Maqedoni e denacifikuar dhe e demokratizuar, që i ka zgjidhur problemet ndëretnike.

*   *   *
Hapi i BDI-së për të shkaktuar njëfarë shqetësimi në skenën politike të Maqedonisë mbase është  vonuar. Një hap të këtillë faktori politik shqiptar, në veçanti BDI-ja, duhej ta ndërmerrte qysh në vitin 2006 dhe jo sot. VMRO-ja do të thoshte:  Synoni ta radikalizoni skenën politike, pasi ndejtët vite me radhë në kolltuqet e qeverisë! Përse këtë s’e bëtë në vitin 2008, d.m.th para se të hynit në qeveri?!
Politika e VMRO-së është populiste që synon të arrijë një shkallë të lartë të homogjenizimit ndër sllavo-maqedonas. Me një politikë të tillë nacionaliste, populiste dhe homogjenizuese, faktori politik shqiptar – i fragmentarizuar dhe i përçarë - nuk mund të ballafaqohet me sukses.  
Partitë politike shqiptare lëre që nuk bashkëveprojnë, nuk bashkëpunojnë ndër vete dhe për çështjet me rëndësi kombëtare kruciale nuk i bashkërendisin veprimet politike, përkundrazi, ato edhe fajësojnë njëra-tjetrën për tradhti. Nga kjo del se ato janë larg arritjes së një marrëveshjeje për veprim të përbashkët.
Më parë se t’i imponojnë VMRO-së një marrëveshje politike, partitë shqiptare me kohë është dashur të arrinin një marrëveshje brendashqiptare. Sado e shtrirë të jetë BDI-ja, kurrë nuk duhet ta shpërfillë opozitën shqiptare. Opozita shqiptare mbase nuk mund të ndreqë punë, por edhe pa të nuk mund të zgjidhen do punë.  Qëmoti është dashur të arrihej konsensusi brenda-shqiptar. Njëzëshmërisë me spektrin politik sllavo-maqedonas është dashur t’i prijë një konsensus brenda-shqiptar.  Po qe se një marrëveshje brenda-shqiptare do të ishte e pamundur, atëbotë penguesi i saj do të duhej të liqosej botërisht si element destruktiv dhe të fajësohej për tradhti të lartë.   
Një ditë, mbartësit e demagogjisë politike do të demaskohen, delegjitimohen, defaktorizohen, demisionohen, detronizohen dhe demontohen.


Related

Opinione 203134501649412831

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item