PROFIL/30 fakte nga jeta e Beut të fundit, Eqrem bej Vlora

Dritëhijet e aristokratit, nga Pavarësia e deri tek largimi në Vjenë Të dielën, në ditën e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta, eshtrat e Eqrem ...

Dritëhijet e aristokratit, nga Pavarësia e deri tek largimi në Vjenë
Të dielën, në ditën e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta, eshtrat e Eqrem Bej Vlorës u prehën në Kaninë të Vlorës, pas sjelljes së tyre pak ditë më parë nga Vjena, me interesim të qeverisë shqiptare dhe kontributin e të afërmes së Beut të fundit, Hana Këlcyra. Me këtë rast, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora në arkivolin me eshtrat e tij, në mjediset e shtëpisë së familjes në qytetin e Vlorës, atje ku ai u largua 70 vite më parë drejt Austrisë. Ceremonia vazhdoi më pas në fshatin Kaninë, në përmbushje të amanetit të tij. “Ishte krejt normale që të bëhej në Kaninë, sepse familja e tij vjen nga këtu. Gjë kryesore për mua ishte se edhe Islmail Beu, xhaxhai i tij, pas vdekjes në Itali u varros atje dhe vetëm më vonë është sjellë nga Mbreti Zog këtu. Kjo është arsyeja që po e shpie në Këlcyrë. Janë 15 personalitete që kanë kontribuar për historinë e Shqipërisë, që mjerisht prehen jashtë shtetit”, tha Hana Këlcyra, e afërme e Beut. Kurorën në emër të kryeministrit Edi Rama e vendosi Këshilltari për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane, Fate Velaj, i cili vlerësoi figurën e Eqrem bej Vlorës, si një personalitet i kulturës dhe i letrave shqipe. “Eqrem Bej Vlora është një figurë e jashtëzakonshme e letrave shqiptare, e kulturës shqiptare. Rikthimi i tij në atdhe është shumë i rëndësishëm, sepse nuk nderohen thjesht Eqrem Bej Vlora, por nderohet një nga familjet, e cila për 500 vjet ka bërë historinë e Shqipërisë dhe të Vlorës, me të mirat dhe të këqijat e saj”, u shpreh Auron Tare, nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore. Ndërsa kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, në një prononcim për mediat e cilësoi Eqrem Bej Vlorën, personalitet të kulturës dhe një figurë poliedrike që, pavarësisht se e diskutueshme, ka lënë gjurmë dhe kontributin e vet në historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë, një nga pinjollët e familjes Vlora. Por cila ishte jeta e beut të fundit shqiptar? Gazeta “Tirana Observer” boton sot 30 fakte nga jeta e diplomatit të shquar.
1. Eqrem bej Vlora u lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885 si bir i Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit dhe vdiq në Vjenë në vitin 1964. Ai ishte një politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar.
2. Ai është i cilësuar si Beu i fundit, mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi.
3. Eqrem bej Vlora njihej si një konservator i palëkundur, kritik i madh, por edhe ndaj vetes, por që dinte t’u njihte meritat edhe kundërshtarëve.
4. Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të jugut të Shqipërisë, që falë zotësisë, në ekonomi e administrim, së të atit pasuria e familjes së tij në 25 vjet u gjashtëfishua.
5. Ai që i vogël merr mësime nga një djalosh italian, inxhinier Luigji Bekali (Luigi Beçali) nga Mesina, tjetri një shqiptar, Mehmet efendi Lusi, hoxhë i Kaninës që më vonë do zëvendësohej nga prof. Jusuf Riza efendiu, dhe gjermanisht nga zoti Fajgenvinter (Feigenëinter) nga Baseli.
6. Në vitet 1900-1906, Eqrem bej Vlora kryen studimet liceale dhe universitare K.U.K. Theresianum, Akademia Orientale Vjenë. Studioi për drejtësi dhe teologji në Stamboll në 1904.
7. Në vitin 1906, emërohet Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Stamboll. Në vitin 1907, emërohet Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Otomane në Shën Petërburg për tre muaj. Në vitin 1909, emërohet Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane-Stamboll.
8. Pas disa viteve udhëtimesh nëpër Europë, Shqipëri dhe Orient, Eqrem Bej Vlora iu bashkua xhaxhait të tij Ismail Qemal Vlorës në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë.
9. Për prejardhjen e flamurit që ngriti Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 në Vlorë në shpalljen e Pavarësisë ka shumë variante, por varianti i sjellë nga Eqrem bej Vlora, cilësohet nga historianët si varianti më i vërtetë. Në librin “Kujtime” Eqrem bej Vlorës shkruan se flamurin, ia dha ai Ismail Qemalit dhe se flamurin ia kishte falur don Aleadro Kastriota, burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
10. Gjatë luftërave ballkanike, ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën “Major në rezervë”. Pas disa luftimesh të suksesshme me forcat greke në zonë, ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai.
11. Në 1912 u bë zëvendës president i senatit. Më vonë, ai u dërgua në Neuwied për të takuar Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. Pastaj ai shërbeu në Ministrinë e Jashtme gjatë mbretërimit të Princit.
12. Eqrem bej Vlora ishte austrofil dhe mbështetës i njohur i fuqive qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali, për pjesën më të madhe Luftës së Parë Botërore, por më pas u bë një nxitës i marrëdhënieve të ngushta mes Italisë dhe Shqipërisë.
13. Në vitin 1921, Eqrem bej Vlora ishte Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë. Ndërsa në vitin 1923, Deputet i Asamblesë Kushtetuese, duke përfaqësuar krahun konservator dhe në 1925 u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe.
14. Në vitin 1925, emërohet Ministër i Shqipërisë në Londër, ndërsa në vitin 1929, Ministër i Shqipërisë në Athinë.

15. Në vitin 1932, emërohet Drejtor i Punëve Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme Tiranë. 1934, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, grada Ministër (i plotfuqishëm). 1937 -1939, Deputet i Vlorës. 1939, Këshilltar Shteti. 1940, Kryetar i Zyrës së Punëve Civile, Kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.
16. Marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun ishin të rralla, megjithëse ai shërbeu më vonë në misione të ndryshme diplomatike jashtë vendit.
17. Pas Luftës së Dytë Botërore, Eqrem bej Vlora u shpall “kolaboracionist” nga qeveria komuniste, sepse ishte ministër i qeverisë së Rexhep Mitrovicës gjatë pushtimit gjerman.
18. Në 7 maj 1942, Mustafa Kruja e emëroi Eqrem bej Vlorëm ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë që iu bashkuan Shqipërisë “së vjetër”.
19. Në verë të 1944, Eqerem bej Vlora emërohet ministër i Jashtëm dhe ministër i Drejtësisë. Me mbarimin e luftës dhe ardhjen e komunistëve në pushtet ai largohet në Itali dhe më pas në Vjenë.
20. Eqrem bej Vlora dhe pse ishte ministër në pushtimin nazist, radhitet mes njerëzve që kanë kontribuar për shpëtimin e hebrenjve nga kërkesat e gjermanëve.
21. Vajza e tij, Ajnisha, në një intervistë botuar në media ka thënë se pas largimit nga Shqipëria “babai kishte shkuar në Itali, ku vazhdoi të qëndrojë për 10 vite, duke punuar si gazetar në Raiuno. Në kohët e para nuk dinim asgjë, përveçse që ishte gjallë, sepse të gjitha letrat a pakot që niste ktheheshin mbrapsht”.
22. Ai ishte një mik i ngushtë i baroneshës bavareze Marie Amelie Freiin von Godin, me të cilën ai përktheu Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjermanisht.
23. Eqrem bej Vlora nuk ishte vetëm diplomat dhe politikan, por kishte pasion edhe gjuhët e huaja. Beu i Vlorës dinte të shkruante dhe të fliste rrjedhshëm 11 gjuhë të huaja.
24. Më 1925 i dha fund beqarisë, u martua me Hadijen – të bijën e Salih pashë Vrionit. “Ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri”, shkruan në kapitullin e librit “Kujtime”, ‘Beu i fundit’, por e quan “zgjedhje të qëlluar dhe fatlume”.
25. Eqrem bej Vlora me Hadijen pati dy vajza, Shehzaden dhe Ajnisha. Gruaja dhe vajza e madhe (Shehzade) vdiqën në Kavajë ku ishin internuar nga regjimi komunist.
26. Eqrem bej Vlora ka pasur një sërë titujsh aristokratikë, ndërçta mund të përmendim: 1907—Kalorës i Urdhërit të Leopoldit Belgjikë;ç1908—Medalje e fushatës Edzekaz; 1927—Oficer i Kurorës së Italisë; 1934—Oficer i Urdhrit Karagjergjoviç; 1935—Oficer i Yllit të Rumanisë. 1942—Kordon i madh i Urdhërit të Skënderbeut.
27. Gjithashtu Vlora ka pasur edhe një sërë titujsh shkencorë, ndër ta mund të përmendim: 1935—Anëtar i Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold. 1935—Medalje Ari e Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold. 1936—Anëtar i Akademisë Diplomatike–Paris. 1941—Anëtar i Institutit të Shkencave –Tiranë. 1954—Anëtar i Institutit të Shkencave–Romë.
28. Mes pasurive të Eqrem Bej Vlorës ishteçbiblioteka e famshme, e cila u dëmtua pas vitit 1944. Në vitin 1914, në bibliotekën e Eqrem Bej Vlorës ndodhej një fond prej 14640 vëllime në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip. Në të kishte dorëshkrime të rralla arabe, libra fetarë si Kurani, Bibla etj. Çlirimi i qytetit të Vlorës në 15 tetor të vitit 1944, shënoi edhe fillimin e procesit të dëmtimit pa kthim të bibliotekës së njohur të familjes Vlora
29. Eqrem bej Vlora ka shkruar kujtimet e tij në dy vëllime në gjuhën gjermane, botuar pas vdekjes si “Lebenserinnerungen” (“Kujtime”), Mynih 1968, 1973, të cilat japin pasqyrë interesante në botën e një fisniku shqiptar të fillim shekullit të 20-të. Ky libër është vlerësuar jashtë mase për stilin e tregimit, vetëkritikës, por që jep më së miri historinë e Shqipërisë në ato vite.
30. Studiuesi Misha nënvizon në parathënien e librit se kujtimet e Eqrem Bej Vlorës janë dëshmi dramatike e shembjes së një bote të tërë, dhe në këtë kontekst citon Eqrem Bej Vlorën që shkruante “një botë merr me vete teposhtë ata, që deri atëherë qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë, duke i “humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë”, që kupton pashmangshmërinë e ndryshimeve, dhe i përjeton ato si një dramë personale…
*****
Përse unë nuk desha?
Nga Eqrem bej Vlora

Por përse nuk desha unë? Këtë nuk e dinte askush, madje as unë vetë. Sot, pas gjithë këtyre viteve më duket se e kuptoj dhe më vjen të qesh, sesi një njeri i përkëdhelur nga natyra dhe nga rrethanat, e që mund të kishte arritur në jetë ç’të donte, në fund dështon, sepse duke i ardhur të gjitha vetiu në prehër atij i ka humbur çdo ambicie. Ndonëse sot futen në gjykimin tim edhe të vërteta të tjera, të hidhura, për një njeri, që i ishte dhënë me aq shpirt Shqipërisë (një vendi të idealizuar, prodhim i fantazisë), realiteti i këtij vendi ishte krejtësisht i huaj. Nuk më pëlqente tanimë asgjë të tij, as natyra, njerëzit, as zakonet e reja dhe as mendësia e re. Unë mund të entuziazmohesha ende për dukuri të veçuara e në agoni të kohës kur Shqipëria ishte park kombëtar i Europës, ndërsa me Shqipërinë e viteve njëzetë nuk e ndjeja më veten të lidhur; për shqiptarët e gjallë unë kisha veçse mospëlqim dhe kritikë.
E pra, kjo ishte pikërisht edhe tragjikja e periudhës kalimtare ku jetoja dhe pasoja e zhgënjimit, që heshturazi duhej ta mbaja përbrenda vetes. Sepse askush nuk do të më kishte kuptuar, askush nuk do të më kishte dhënë të drejtë. Sot, midis shqiptarëve të brezit të ri, unë njoh shumë njerëz që më kuptojnë, sepse dalëngadalë ata janë bërë shokët e mi të vuajtjes, por asokohe unë isha i vetëm! Unë isha shumë i ndjeshëm, priresha shumë për fantazi dhe
arsyetime teorike, mua më mungonte energjia për të vepruar. Ndaj edhe me gjestet dhe fjalët e një eremiti, shtiresha si apostull i pakuptuar dhe moralizues.
Cilët ishin njerëzit, të cilëve unë rrekesha t’u predikoja? Ajo që ndeshej në shoqërinë shqiptare pas 1912-ës, ishte trashëgim i reformës administrative osmane të Tanzimatit (1839). Kjo reformë solli me vete jo vetëm ndryshimin e sistemit administrativ, por edhe të gjithë shoqërisë shqiptare dhe të mënyrës së saj të jetesës. Nga një administrim feudal, rajonal dhe i decentralizuar, në dhjetë vjet u krijua një shtet zyrtarësh, rreptësisht i centralizuar. Pa folur për ndryshimet politike që përcollën këtë përmbysje, shumë njerëzve ai u solli edhe humbje shoqërore dhe ekonomike. Sanxhakbeu, jahjabeu, dizdari, zaimi, spahiu e shumë e shumë të tjerë në sistemin administrative të kohës feudale, jetonin me të ardhurat e fundit që i ishin dhënë atij vetë apo ofiqit të tij. Një ditë të bukur këta njerëz e panë veten të zhveshur nga çdo e ardhur që ata për shekuj me radhë e kishin parë si të tyret dhe të familjes së tyre. Këto feude kishin qenë shpesh edhe arsyeja se përse këta drejtues administrative apo ushtarakë nuk kishin siguruar ndonjë pronë të madhe apo edhe të vogël qoftë. Ishte e natyrshme pra, që këta të dëmtuar do t’i kundërviheshin reformës.
Por nuk ishin vetëm ata të prekur, edhe masa e gjerë e popullit i kishte lidhur shumë interesa të saj jetësore me sistemin feudal të administrimit; ajo nuk paguante taksa, ishte e liruar nga detyrimi ushtarak, mijëra, mijëra të rinj jetonin me mercenarizëm dhe familje të shumta vunë pasuri me fitimet nga luftërat e bijve të tyre nëpër vende të huaja. Dhe ata shërbenin si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij në Perandorinë e madhe Osmane, në Afrikën e Veriut, në Rumani, në Venecia, madje gjer në Rajhun gjerman apo në Spanjë (Labëria, fjala vjen, një krahinë e varfër malore me 50.000 banorë kishte vazhdimisht 2.500 djem të saj, myslimanë apo te krishterë, që shërbenin diku si mercenarë). Vetëm më 1850 përfundoi zbatimi me dhunë i reformës. Një varfëri tronditëse mbuloi tani gjithë atë popullsi që pati jetuar në sajë të mercenarizmit (kryesisht në viset si Çamëria, Labëria, Mallakastra, Skrapari, Dangëllia, Kolonja, Bilishti, Dibër-Mati, Mirdita, Luma, Metohia, Kosova) saj iu hoq mundësia e vetme e ekzistencës; nga bujqësia ose tregtia nuk merrte vesh askush dhe kështu njerëzit vegjetonin në një gjendje të mjerueshme.
Bashkë me popullin mori të tatëpjetën edhe klasa e mëparshme drejtuese. Dolën elemente të rinj, të cilët, duke u afruar me zyrtarët qendrorë, tashmë fitimtarë, dhe, duke iu shërbyer atyre fituan poste dhe pasuri, edhe kështu, edhe mkundëistë për t’u matur me ish shtresën drejtuese. Mirëpo, duke qenë në Shqipëri shprehia dhe tradita shumë të fuqishme, ata nuk mundën ta zëvendësojnë këtë shtresë të mëparshme drejtuese, të mbështetur edhe nga populli, por vetëm sa e ndanë me të ndikimin në vend. Por edhe ish shtresa e lartë e dëmtuar, por edne e gjallë, iu përshtat pak e nga pak kushteve të reja. Në vend ajo kishte përparësinë e traditës, në shtet dhe në oborr, epërsinë e padiskutueshme të paraqitjes së fisme, të arsimit dhe të sojit. Si për inat të rishtarëve të mëdhenj e të vegjël, shteti dhe njeriu turk, sado që pas Tanzimatit ata mundoheshin shumë të dukeshin demokratikë dhe të përparuar, e kishin ruajtur nderimin për aristokracinë. Kështu ndodhi që në Shqipëri, gjatë 20-30 vjetëve pas Tanzimatit u vu re zhvillim paralel me atë shndërrim shoqëror dhe politik tejet të centralizuar që ndodhi në Francë nen Luigjin XIII dhe ministrin e tij Risheljë.
Sidoqoftë, duhet thënë se lidhjet e ngushta të shtresës drejtuese e te popullit me autoritetet turke pas Tanzimatit ndikuan dhe, në një farë mase, edhe i prishën parimet dhe mendësitë e vjetra morale dhe shoqërore të popullit shqiptar. Me ketë nuk do të thotë aspak se ai po i afrohej popullit turk. Vetitë e karakterit të këtij të fundit e bënin atë njërin nga popujt më të mahnitshëm të botës. Por në Perandorinë Osmane, Sulltani dhe qeveria vetëm gjuhën kishin të përbashkët me popullin turk. Po të studiosh me vëmendje historinë osmane mund të thuhet se edhe në periudhën e shkëlqimit të tyre ata nuk kanë shërbyer kurrë si shëmbëlltyra të dëlirësisë morale dhe shoqërore, pa folur më për periudhën e rënies së madhe të Perandorisë Osmane. E pra, me këta zyrtarë kishte të bënte shtresa drejtuese dhe populli shqiptar i periudhës pas Tanzimatit. Për pasojë koncepti moral i popullit pësoi tronditje të thella.
Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë engjëll të pafajshëm: dhuna, kapardisja, etja për grabitje, padurimi kanë qenë prej kohësh tipare të spikatura të karakterit të tij, por nga ana tjetër ai është shquar edhe për tipare fisnike:
shqiptari është trim, kokëkrisur, besnik, shpirtmadh, bujar, i vetësigurtë dhe i zgjuar. Ai i përvetëson njëlloj shpejt si vetitë e mira, ashtu edhe ato të këqija. Në këtë truall pjellor dhe mikpritës, administrimi turk i periudhës së rënies s’mbolli aspak bimë të dobishme, por kryesisht shumë gram. Dhe ky i fundit, siç ndodh edhe në natyrë, u shtua dhe u harlis. Ky trashëgim i Perandorisë Osmane përbënte pra, thelbin e asaj shoqërie në Tiranë, prej së cilës unë, me zemër, largohesha gjithnjë e më shumë.
Shkëputur nga libri “Kujtime”

Related

Profil 3925305521763543726

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item