PERSONAZH / Niçe, kështu foli filozofi…

Me kalimin e kohës, ai vuri në diskutim pothuajse të gjithë siguritë e epokës së tij: besimi tek Zoti, besimi në progresin e shkencës dhe re...

Me kalimin e kohës, ai vuri në diskutim pothuajse të gjithë siguritë e epokës së tij: besimi tek Zoti, besimi në progresin e shkencës dhe respektin për vlerat e moralit. E gjithë kjo, thoshte, është një iluzion: bota ecën përpara pa kuptim, në mënyrë kontradiktore dhe irracionale. Vlerat e të mirës dhe të keqes janë një shpikje dhe nuk duhen respektuar. Përkundrazi, njeriut duhet të bëhet protagonist i jetës së tij, duke ushtruar vullnetin e tij të lindur, duke përfshirë dominimin mbi më të dobëtit
“Unë nuk jam një njeri, jam dinamit”. Ishte viti 1888 dhe Fridrih Niçe vetëquhej kështu në librin e tij “Ecce homo”. Dhe nuk gabohej: mendimi i tij ishte praktikisht shpërthyes. Një vit pas botimit të veprës së tij lindi Hitleri, i cili ishte një adhurues i madh i filozofit dhe që duke manipuluar disa prej ideve të tij, ndërtoi ideologjinë e Rajhut të Tretë. Por jo vetëm kaq: edhe shkrimtarë dhe muzikantë pa kurrfarë simpatie për nazizmin u magjepsën prej librave të filozofit gjerman. Një provë është fakti që shumë konsiderata të tijat janë aktuale edhe sot. Ndoshta edhe më shumë se sa në fundin e viteve 800, kur Niçe u paraqit si një “outsider” (i jashtëm) autentik, vizionar dhe profetik.
Me kalimin e kohës, ai vuri në diskutim pothuajse të gjithë siguritë e epokës së tij: besimi tek Zoti, besimi në progresin e shkencës dhe respektin për vlerat e moralit. E gjithë kjo, thoshte, është një iluzion: bota ecën përpara pa kuptim, në mënyrë kontradiktore dhe irracionale. Vlerat e të mirës dhe të keqes janë një shpikje dhe nuk duhen respektuar. Përkundrazi, njeriut duhet të bëhet protagonist i jetës së tij, duke ushtruar vullnetin e tij të lindur, duke përfshirë dominimin mbi më të dobëtit. “Niçe arriti të rrokë dhe të interpretojë një element thelbësor të epokës moderne: aspiratën kolektive për të qenë unikë dhe të jashtëzakonshëm, kërkimin për të spikatur dhe për të qenë superior me çdo kusht”, thotë Maurizio Ferraris, docent i filozofisë teorike në Universitetin e Torinos. “Ka nxjerrë pra paradoksin e supernjeriut në shoqërinë e masës”.
Për të janë thënë dhe shkruar nga të gjitha: që ishte me sifiliz, me sindromën bipolare (herë ekzaltohej, herë binte në dëshpërim), homoseksual. Që frymëzoi nazizmin, që vepra e tijmë e famshme, “Kështu foli Zarathustra” (1883) ishte në çantën e shpinës së çdo ushtari gjerman të Luftës së Parë Botërore: të gjithë pohime që duhet të merren me shumë rezerva. Por jo gjithmonë të pabazë.
E sigurtë është që ai shkroi pjesën më të madhe të librave të tij mes viteve 70 dhe 80 të Tetëqindës. Pas kësaj, në moshën 45 vjeç, mbeti viktimë e një krize të dhunshme psikologjike, që e çoi në çmenduri. Në ato ditë ndodhej në Torino, pasi kishte kaluar periudha të gjata në Itali. I vetëm, pa një familje dhe mbi të gjitha pa marrë mirënjohjen publike të dëshiruar, shkroi të ashtuquajturat “Letra të marrëzisë”. Më të famshmen ia dërgoi në janar 1889 një historiani të famshëm të kohës, ish koleg i tij në Universitetin e Bazelit në Zvicër, Jakob Burkhardtit: “I dashur profesor, në fund do të doja më shumë të isha profesor në Bazel se sa Perëndia; por nuk kam guxuar ta shtyj kaq larg egoizmin tim privat, sa të harroj, për shkak të tij, krijimin e botës”.
Legjenda thotë se në po të njëjtat ditë, pasi kish parë një karrocier të zemëruar që kishte marrë me shkelma kalin e tij, iu turr karrocierit dhe më pas nisi të përqafojë dhe puthë kalin: “Ti, masakrues çnjerëzor i këtij kali!” Ishin ditët e para të vitit dhe jo shumë kohë më vonë, miku i tij Fridrih Overbek e mori në Zvicër për ta kuruar: thuhet se filozofi u largua nga Torino, duke kënduar me zë të lartë në stacionin e trenit këngë napoletane, i bindur se ishte mbreti i Italisë.
Çrregullimet e tij psikologjikë ishin ndoshta të rënduar prej peshës së dështimit: pasi kishte arritur moshën e mesme, bilanci i rezultateve të arritur ishte negativ. Veprat e tij, të botuara shpesh herë me shpenzimet e veta, u bënë objekt kulti shumë vonë, pas vdekjes së tij.
Nëse fundi i asaj jete ishte një katastrofë, fillimi i saj kishte qenë premtues. I lindur në Rëken, në Saksoni në vitin 1844, bir i një pastori protestant që vdiq kur Fridrih ishte vetëm 4 vjeç, ai u rrit me një formim fetar solid, studioi letërsi klasike dhe teologji dhe në moshën 25 vjeç siguroi një vend në katedrën e filologjisë në Universitetin e Bazelit. Me shpërthimin e luftës franko-prusiane (1870-1871) mori pjesë në konflikt si infermier në transportin e të plagosurve. Por eksperienca ishte e shkurtër: pas vetëm një jave në front u sëmur me difteri dhe u kthye në shtëpi. Që atëherë, shëndeti i tij njohu vetëm përkeqësim: migrena e shpeshtë shoqërohej me dhimbje të syve, që e detyruan të braktisë mësimdhënien.
Kur hoqi dorë nga mësimdhënia ishte 34 vjeç. Filloi një periudhë vagabondazhi intelektual që e solli në Itali për të thelluar studimet e tij filozofikë, duke jetuar atë që sot e quajmë një “baby pension”. Megjithatë, ambiciet e tij ishin të pakufizuara. “Kishte një ndjeshmëri profetike për lidhjen mes filozofisë dhe komunikimit masiv”, shpjegon Ferraris. “Nëse lexojmë letrat e tij mund të shohim kujdesin me të cilin përgatiste aspektin grafik dhe lançimin e librave, apo si shpresonte për shitje të mëdha, përkthime në të gjitha gjuhët, tamam si për një bestseller të kohëve të sotme. Në autobiografinë “Ecce homo” (një titull që kujton fjalët e Pilatit, në çastin që sjell Jezusin para popullit tek Ungjilli i Gjonit) i shfaqet publikut me të njëjtin vetëmitizim dhe mungesë rezervimi që kërkon sot sistemi i spektaklit. Ironia është që e arriti famën që kërkonte vetëm kur nuk mund ta kuptonte, sepse tashmë ishte çmendur”.
Pyetje të mëdha
Fiksimi i tij ishte të gjente vendin e njeriut në shoqëri. Edhe në këtë pikë ishte modern. “Niçe lexonte shumë libra divulgimi, mbi të gjitha shkencorë, dhe merrte pak nga të gjitha idetë që qarkullonin atëherë, të cilat i ripërpunonte dhe i kritikonte”, thotë Ferraris. “U bë një kundërshtar i Iluminizmit dhe idesë që arsyeja dhe progresi sillnin virtute dhe lumturi. E konsideronte këtë ide banale dhe mbi të gjitha false. Dhe nuk e kishte krejt gabim, nëse konsiderojmë moralin borgjez të fundit të tetëqindës, për shembull atë sentimental dhe hipokrit të librit “Zemra” të De Amicis.
Niçe propozonte në fakt që të ktheheshin sërish sytë tek filozofët grekë që kishin jetuar para Sokratit. Pra, ata që ndiqnin ritet e Dionisit dhe pranonin anën instiktive, sensuale, kaotike dhe irracionale të njeriut. Kështu, thoshte Niçe, është në të vërtetë jeta. Një botë tragjike dhe pasionale, e përshkuar nga të njëjtat tragjedi greke që kishte lexuar dhe që kishin frymëzuar, në të njëjtën periudhë, kompozitorin Riçard Vagner, “revolucionar” i melodramës dhe për disa vite miku i tij.
Po përse e kishte kapur kaq shumë me kulturën racionaliste? Përse, sipas tij, përmes asaj mënyre të shpjegimit të botës, filozofët, nga Sokrati e më vonë (përfshirë kristianët) kishin fshehur sensin tragjik të jetës? “Ju bëj thirrje, vëllezër, t’i qëndroni besnikë tokës dhe të mos besoni ata që ju flasin për shpresa mbitokësore! Ata janë helmues, e dinë apo jo. Janë përçmues të jetës, edhe ata vetë të helmuar. Toka është e lodhur me ta: le të shkojnë”, shkruante tek “Kështu foli Zarathustra”. Pra, për të, Zoti ishte i vdekur e i varrosur. Por, shtonte ai, ky është një fat i madh: feja në fakt u jep njerëzve një moral humbësish, duke i bërë të kenë iluzione për një jetë të përtejme që nuk është: nuk ka parajsë që të presë ata që sillen mirë.
Megjithatë, ide kaq radikale nuk lindën nga hiçi. Zoti, në Francë, kishte “vdekur” tashmë me revolucionin në 1789, ndërkohë që në Gjermani u fol vetëm një shekull më vonë, edhe falë Niçes. Gjermanët, që me reformën protestante të Pesëqindës kishin pasur si trashëgimi një besim fetar më racional se sa katolicizmi, zbuluan atëherë se moderniteti i kish dhënë dije të reja njeriut në fushën teknike, mjekësore dhe shkencore, por e kishte privuar nga spiritualizmi.
Gjysma e dytë e Tetëqindës ishte një epokë zhvillimesh, që në Gjermani u përjetuan si tronditje të mëdha. Tradita aristokratike dhe monarkike – rikthyer pas luftërave napoleonike të 1815 – ishte në krizë të thellë: vlerat elitare me të cilat ishte edukuar edhe vetë Niçe (quhej Fridrih për nder të Frederik Vilhelmit të Prusisë) ishin duke perënduar. Si mund të dilej nga kjo rrugë pa krye? Duke besuar tek njerëz të rinj, ose më mirë, supernjerëz. Niçe nuk mund ta kishte imagjinuar që tridhjetë vjet më vonë, këto ide do të bëheshin “bibla” e Rajhut.
Pyetja është komplekse. Për një kohë të gjatë u tha që motra e Niçes, Elisabeta, simpatizuese e Hitlerit dhe ruajtëse e dorëshkrimeve të filozofit, kishte falsifikuar mendimet e vëllait. Në vitet e fundit Niçe u mbyll në fakt në një heshtje pothuajse absolute, për shkak të rëndimit të gjendjes mendore, duke iu besuar totalisht fillimisht nënës dhe më pas motrës, deri kur vdiq në 1900. “Por në të vërtetë nuk ishte kështu”, saktëson Ferraris. “Elisabeta manipuloi ndonjëherë korrespndencën për t’u shfaqur si interlokutore e besuar e Niçes, por pa e modifikuar mendimin e tij. Në fund të fundit, pohimet më të tmerrshëm për pabarazinë mes njerëzve dhe për domosdoshmërinë e dhunës, Niçe i shkruajti në vepra të cilat i botoi ai vetë, kur ishte ende i kthjellët. Por duhet theksuar se kjo kish ndodhur disa dekada para nazizmit, që nuk kish fare nevojë për Niçen për të vënë në praktikë doktrinat e tij të urryera”.
Nëse ndikimi i tij mbi nazizmin mbetet i diskutueshëm, ai mbi shkrimtarët, regjisorët teatralë dhe muzikantët që erdhën pas tij është një gjë e sigurtë, sidomos mes gjermanëve: që nga shkrimtari Thomas Mann tek kompozitori Richard Shtraus, i cili nga libri “Kështu foli Zarathustra” nxorri një poemë simfonike e cila më pas do të bëhej kolona e famshme zanore e filmit të Stanley Kubrik “2001: Odise në hapësirë”.
Pra duket se një fije e kuqe lidh Niçen me ditët tona. “Ishte një lexues i papërsëritshëm gazetash dhe nëse do të jetonte sot do të rrinte gjithë ditën në internet, pavarësisht problemeve me shikimin”, përfundon Ferraris. “Niçe e njihte shumë mirë botën e komunikimit. Miti i tij i supernjeriut nuk mbijetoi më kot për më shumë se një shekull për të mbërritur deri tek ne: mjafton të mendosh për personazhe të famshëm që fotografohen dhe shfaqen në kopertinat e të përjavshmeve. Në fund të fundit janë të gjitha mishërime të asaj ideje, të cilës megjithatë i zbulojnë anën komike dhe melankolike. Siç thoshte artisti amerikan Andi Uarhol në vitet gjashtëdhjetë: një ditë do të jemi të gjithë të famshëm për 15 minuta”. Dhe miti i supernjeriut, i përshtatur edhe nga spektakli e komunikimi masiv, ka shkuar dhe më tej, duke i dhënë jetë “supergruas”. E para ishte ndoshta Merilin Monro, e cila u bë e pavdekshme pikërisht prej një pikture të Uarhol.
Focus/bota.al

Related

Personazh 3071445305252392501

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item