Përse gënjehen njerëzit nga politika

Nga  Prof. Dr. Ylli Pango   Mjaft gënjeshtra të politikanëve dëgjohen, besohen, më pas vërtetohen si të tilla e përfundimisht kalojnë pa asn...

Nga Prof. Dr. Ylli Pango 


Mjaft gënjeshtra të politikanëve dëgjohen, besohen, më pas vërtetohen si të tilla e përfundimisht kalojnë pa asnjë pasojë për ta. Nuk flitet për ndëshkim, as për ekzekutim politik, madje as edhe vetëm për mosbesim a humbje besueshmërie për ta. Nuk flitet për këto, madje edhe kur vetë ata pohojnë nganjëherë që fjalimi a premtimi i tyre (i thënë publikisht) nuk ishte as i vërtetë e as i bazuar në fakte. Flitet minimalisht, qoftë edhe për një rënie a dëmtim imazhi që do të kishte njëfarë ndikimi në karrierën politike të politikanit. E megjithatë nuk ndodh kështu. Njerëzit vazhdojnë të besojnë te politika e politikanët, edhe kur gënjejnë a provohet se gënjejnë, t’i votojnë ata, të udhëhiqen prej tyre. Në këtë aspekt është interesant të studiohet si dhe pse gënjehet njeriu i thjeshtë, a së paku si mësohet ai me gënjeshtrën e politikanit, dhe ky mbi bazën e kësaj vazhdon me të njëjtin stil. Përse gjithnjë kalohet situata dhe politikanët mësohen, edhe kur nuk e kanë nisur karrierën politike me gënjeshtra, ta bëjnë këtë kaq shpesh më vonë. Cilat janë çështjet etike që heshturazi, nuk janë pjesë e strategjive të përdorura nga liderët politikë e politikanët në përgjithësi duke ia lënë vendin mashtrimit e që i bëjnë njerëzit të besojnë? Pra, si arrijnë shumë prej tyre të gënjejnë, nganjëherë edhe rëndshëm fare, e të vazhdojnë pas kësaj, pa pasoja karrierën politike, ndonëse vazhdojnë të gënjejnë?                                                             
Së pari duhet pasur parasysh se vetë njerëzit janë të prirur të besojnë shumë. Madje njerëzit janë shpesh të paaftë të kuptojnë a zbulojnë gënjeshtrën e më pas qoftë edhe thellë në vetvete zhgënjimin soje. Shumica e njerëzve nuk arrin t’i  kuptojë a zbulojë gënjeshtrat e përditshme, e sidomos ato mediatike të servirura nga politika, veçse po të qëllojë, pra jo shpesh, rastësisht që të shpërthejë ndonjë skandal i madh politik si pasojë a të ketë një denoncim të guximshëm prej njerëzish që rrallë shfaqen, sidomos në demokracitë ende në shpërgënj si jona. Dhe sado që të gjitha sa thamë, lidhur me paaftësinë e njerëzve për të kapur gënjeshtrën, janë të vërtetuara edhe nëpërmjet testimesh, në të vërtetë shumica e njerëzve mendojnë se munden ta pikasin gënjeshtrën dhe madje mburren se atyre nuk jua hedh dot njeri. Kjo vjen edhe për arsyen e thjeshtë të vështirësisë së identifikimit “në vend”, a menjëherë të gënjeshtrës, sidomos asaj të madhe politike, e cila madje, kur kalon mjaft kohë, harrohet si e tillë, si premtim, si mosrealizim a mashtrim elektoral. Në një aspekt tjetër thjesht psikologjik, që ka të bëjë me psikologjinë njerëzore, shumica e njerëzve janë të prirur, “by default”, të jenë besues ndaj “dredhive, njëanshmërive”. Kjo sepse njerëzit përgjithësisht besojnë atë që thonë të tjerët. E para, sepse njeriu priret të bëjë më të lehtën, ndërkohë që verifikimi, mosbesimi, të menduarit kritik për atë që të thuhet a premtohet janë më të komplikuar, më të vështirë, a të kërkojnë edhe të jesh më “kreativ” nëse mund të thuhet kështu; kurse besimi e sidomos ai i verbër e pa mundim, është më i thjeshtë e më pak lodhës.
Së dyti, edhe sepse të verifikosh, edhe nëse je i prirur a ke njëfarë aftësie ta bësh një gjë të tillë, kërkon prova, kohë, fakte, pra punë, gjë që njeriu i thjeshtë, sidomos në fushë të politikës, pra të inteligjencës spekulative, që e karakterizon politikën e politikanin, është më pak, a thuaj aspak i talentuar, sidomos në raport me politikanin që e ka këtë prirje, dhunti, a aftësi të fituar. Është kjo arsyeja që artistët e politikës, ashtu si artistët e kinematografisë janë aq të suksesshëm. Njeriu i thjeshtë veç këtyre, tenton të besojë spekulantin, të aftin në fjalë e gojëtari, të shkathëtin, atë që tenton t’i ngjajë, por nuk e arrin dot. Hollywood-i quhet me ironi nga amerikanët e thjeshtë, “industria e ëndrrave” por megjithëkëtë, të gjithë e pëlqejnë dhe e admirojnë filmin, lënë kokën për të dhe celebrities e filmit, janë ndër më të adhuruarit. Paralelizmi me politikanin e suksesshëm, sado gënjeshtar, këtu është më se i qartë.
Por ka edhe një besim a “ngrënie të gënjeshtrës”, që lidhet me dëshirën për t’u pëlqyer nga politikani, për t’u bërë i afërt me të e për të përfituar nga favoret e tij. Në këtë rast, të gënjyerit e vetes, është i vullnetshëm, madje “i gënjyeri” mund të bëhet pjesë e strategjisë gënjyese të politikanit apo e stafit të tij të fabrikimit të rrenave dhe ndjekës i tij me besim herë të plotë e herë të pjesshëm në ato që thotë politikani.
Ndonëse gënjeshtra konsiderohet pothuaj në të gjitha shoqëritë e globit, si ves jo aq i rëndë, megjithëse jashtë normave morale, njerëzit e falin më lehtë atë se mjaft vese të tjera ndonëse prej saj mund të derivojnë mjaft vese e pasoja të tjera negative për njerëzit e gënjyer. Megjithëkëtë e megjithë përvojën e gjatë të gënjeshtrës në politikë, njerëzit janë ende më shumë besues se sa mosbesues ndaj liderëve a politikanëve të krahut që besojnë a mbështesin. Kjo edhe për arsye interesash, por edhe sepse njeriu beson atë që i pëlqen të besojë. Këtu natyrisht bëjnë përjashtim vetëm njerëzit që kanë një formim më solid në politikë, por edhe në lëmë të kulturës së përgjithshme, e sidomos, nëse zhvillojmë një mosbesim të mësuar, a mbi bazë përvoje karshi politikanëve. Ka pra edhe njerëz që nuk i besojnë politikanët, por shumica akoma i beson. Mbi bazën e kësaj politikanët mësojnë se mund të gënjejnë pa pasoja, iu bëhet kjo zakon a për më së shumti domosdoshmëri funksionimi, modus vivendi, dhe gënjeshtra bëhet pjesë e pandarë e jetës së tyre politike e më tej edhe asaj të përditshme.                                                                                                                             Ka ndër të tjera dhe kushte të caktuara në të cilat gënjeshtra e politikanit mund të besohet më lehtë apo më me vështirësi. Dihet për shembull, sado paradoksale të duket në pamje të pare, se kur gënjeshtra është e madhe e guximshme, e pacipë, ajo besohet më lehtë. Njerëzit në këso rastesh mendojnë se “do të ishte e pamundur të gënjehej kaq shumë, dhe sigurisht këtu ka një të vërtetë apo së paku një pjesë të saj”. Dhe përsëri del në pah natyra besuese njerëzore. Hitleri e njihte këtë psikologji njerëzore, dhe e kishte këtë lloj gënjeshtre të madhe moto të politikës së vet. Ai ishte i bindur se gënjeshtra e madhe besohet më lehtë. Ai e përdorte këtë lloj gënjeshtre sidomos për asgjësimin e kundërshtarit politik (kujtoni sajimin për djegien e Reichshtagut), Natën e thikave të gjata kundër Ernst Remit, por edhe në premtimet fantazmagorike për të ardhmen, fitoren, supremacinë botërore, që i bënte popullit gjerman, aq sa arriti t’i ekzaltonte njerëzit deri aty sa të hidheshin me besim të verbër në aventura që së fundmi u morën edhe jetën milionave.                                                                                                                        Përtacia konjitive është fenomeni që shfaqet kur njerëzit dëgjojnë një premtim, në dukje gënjeshtër, një diçka nga një politikan dhe e besojnë pa e verifikuar atë, edhe sepse shpesh nuk duan të angazhohen në përpjekje mendore ose fizike për të kontrolluar vërtetësinë e fakteve lidhur me atë që iu thuhet, apo u duket mundim të fillojnë të vrasin mendjen për të vënë në diskutim pohimin. Ekziston edhe një lloj shprehje apo të menduar i pashprehur apatik i tipit “Nëse politikanët i kemi zgjedhur të na udhëheqin, le ta ngasin ata makinën, ata e dinë më mirë ku po na çojnë”.                                                                                                                                Shpesh gënjeshtra justifikohet me mungesën e etikës së politikanit apo me disa slogane etike të tipit “Qëllimi justifikon mjetin” që vënë në dukje problemet etike të politikës. Në këtë aspekt mund të thuhet se në përgjithësi, politikanët, shpesh kanë një kod të varfër etik që sigurisht e përfshin gënjeshtrën brenda tij, mjafton që ajo të ndihmojë për arritjen e qëllimit, pushtetit, zgjedhjes në parlament, fitimit. Kjo është sidomos tipike për politikën e quajtur ‘politika e pisët’. Këtu gënjeshtra fillon e përpunohet a hidhet në tregun mediatik e politik, së pari për kundërshtarin, për të cilin, a kundër të cilit mund të përdoret çdo gjë, çdo mjet, gënjeshtër a mashtrim deri në shpifje a sajesë nga hiçi. Nëse trukohet një gënjeshtër për kundërshtarin, kjo konsiderohet e natyrshme, e zakonshme, me vlerë, sepse nëse ai do të zgjidhet a do të jetë në pushtet, kjo do të jetë humbje, disfatë, pra mënxyrë për ekipin politik ku politikani bën pjesë.
Për të gjithë arsyet e mësipërme, e për të tjera, në demokracitë qofshin ato të konsoliduara, por sidomos në ato në zhvillim, autoriteti, pushteti, politika,duhen kontrolluar gjithnjë. Demokracia është reale e funksionale e rreziku i pushteteve korruptive, mashtruese e në ekstrem i diktaturave mund të mënjanohet vetëm nëse qytetari është e kupton se duhet të jetë i informuar. Duhet të kontrollojë faktet. Kurrë nuk duhet të besojë çfarë thotë politikani a lideri pa e verifikuar, sidomos për faktin se politikani është në pozicionin e autoritetit e të pushtetit dhe i intereson të mbetet atje sa më gjatë për interesat e veta e për privilegjet që gëzon. Por, edhe pasuesit vetë, në politikë, nëse janë të një niveli më të lartë moral, mund e duhet ta kontrollojnë gjithnjë liderin politik, i cili ndër politikanët e të gjithë niveleve është i prirur të gënjejë më shumë, a të organizojë gënjeshtrën e madhe, për vetë pozicionin më suprem, më të privilegjuar e më të pakontrolluar që zotëron, dhe përgjegjësinë që ka për t’i dhënë fitoren ekipit që drejton e për ta mbajtur atë sa më gjatë në pushtet.
Bindja në jetën e përditshme. Një faktor tjetër që ndikon për së shumti në faktin që njerëzit gënjehen nga politika, është edhe bindja si koncept i psikologjisë sociale. Bindja i shoqëron njerëzit në jetën e përditshme në çdo hap e në çdo raport social. Që nga relacionet a marrëdhëniet me ata që duan të na shesin mallin, ata që duan të na bëjnë të shohim këtë a atë film, ata që na mësojnë a mbushin mendjen e deri tek politikanët. Kështu veç prirjeve të brendshme që i analizuam më sipër, njerëzit ndikohen dhe nga këto burime të jashtme të panumërta që influencojnë në krijimin e një lloj bindshmërie të qenies njerëzore si qenie sociale në tërësi, duke e bërë bindjen kësisoj të jetë një komponent organik i jetës sonë. Teknikat e bindjes i studion gjithashtu psikologjia sociale dhe duke filluar nga vitet e hershme të shekullit 20 janë ndërtuar teori të tëra mbi bindjen. Qëllimi i bindjes është ta bëjë objektivin (njeriun që do bindim) të brendësojë dhe të adaptojë argumentin bindës, të krijojë një qëndrim a bindje të re e ta adaptojë këtë qëndrim të ri si pjesë e sistemit të tij bazë të besimeve.
Ja disa teknika të bindjes. Përdorimi i shpërblimeve, ndëshkimeve, të cilat dihet krijojnë a në disa raste sforcojnë, bindje të cilat në radhë të parë i shërbejnë politikës, qoftë edhe si të tilla (të sforcuara). Ekspertiza pozitive e negative, nëpërmjet të cilave politikani shpreh aftësitë e kompetencat e veta, shpalos njohuritë, krijon besimin që ato që thotë janë të vërteta, flet e shpjegon me tonin e bindjen, sigurinë e njeriut që njeh gjithçka mirë (në disa raste kjo natyrisht edhe qëndron), çdo gjë që thotë është flori i kulluar etj. Apeli moral (që në mjaft raste nuk i përgjigjet atij që politikani duhet a mund t’i bëjë vetes) e që shpesh mbetet predikim moral i rremë kryesisht i tipit dajak për atë që gabon e tolerancë për veten në një rast të tillë, etj. Politikanët i përdorin këto metoda shpesh sidomos për stafet më të afërta, por edhe për njerëzit që duan t’i bindin e t’i kenë në shërbim në rast nevoje.
Krijimi a stimulimi i nevojave. Një metodë bindjeje përfshin krijimin e stimulimin e nevojave sidomos të atyre që janë jetike për njeriun (por edhe nevojave të luksit) ose ringjalljen a nxitjen e nevojave tashmë ekzistuese, por të paplotësuara. Ky tip bindjeje mbështetet në nevoja fondamentale të njerëzve si ato për strehë, dashuri, vetëvlerësim, vetaktualizim, por dhe në nevoja ekstra të cilat në jetët njerëzore rriten në mënyrë progresive, në varësi të faktit sa janë të plotësuara nevojat bazale. Politikani që premton plotësimin e këtyre nevojave, e që herë-herë edhe i plotëson ato edhe në mënyrë minimale, siguron dhe bindjen e njerëzve. Njerëzit e nevojave minimale të paplotësuara, në vendet si i yni, arrijnë të futen në brazdën e gënjeshtrës edhe me një sasi të vogël të hollash, me ndonjë plotësim nevoje materiale minimale apo edhe me të tjera qesharake a poshtëruese për këdo tjetër në vendet a demokracitë më të zhvilluara. Në këso rastesh gënjeshtra pi ujë më lehtë e njeriu tenton të besojë a të mbështesë gënjeshtrën më me lehtësi.
Apelimi i nevojave sociale. Një metodë bindjeje efektive është ajo që mbështetet te nevoja e njeriut, sado i thjeshtë, për t’u bërë popullor, prestigjioz ose i ngjashëm me të tjerët e suksesshëm, artistët e mëdhenj, politikanët me emër, etj. Reklamat tregtare në tv janë shembulli më tipik i kësaj, me ndikimin e tyre tek njerëzit e nxitjen që ata të blejnë e përdorin ato mallra që përdorin vetëm personat e njohur, të suksesshmit, VIP-at. Në rastin e politikanit, njeriu mëson të bindet a të besojë në gënjeshtrën e politikanit edhe nga sugjestionimi prej figurës së tij të amplifikuar nga media, por edhe nga dëshira për t’i ngjarë atij.
Sipas disa statistikave një njeri mesatar sheh 1500 deri 2000 orë programe televizive në vit e kjo tregon se çfarë burim i madh e i fuqishëm bindjeje është televizioni, media në përgjithësi. Për shqiptarët kjo mesatare shikueshmërie, për vetë mungesën e mjeteve të tjera rekreative a të kalimit të kohës, e ndikimi i saj, janë akoma më të larta. Kjo siç e thamë edhe për faktin se burimet e tjera të informacionit a të ngritjes së nivelit të kulturës së përgjithshme, mungojnë, nuk përdoren a përdoren rrallë.
Përdorimi i fjalëve a fjalorit të ngarkuar, sugjestiv, i imazheve të gjalla sugjestive, ka gjithashtu ndikimin e vet në sugjestionimin dhe besueshmërinë më të madhe të njerëzve në gënjeshtrën politike. Njeriu i thjeshtë sidomos, bie më lehtë pre e kësaj luzme fjalësh të bukura të mashtrimit elektoral dhe nuk ka mundësi as të kuptojë e jo më të verifikojë vërtetësinë e gënjeshtrës politike. Edhe këto, të gjitha lidhen me bindjen sociale, ndikimin social, i cili nga ana e tij lidhet me politikanin, liderin, tiparet e tyre dhe superioritetin mbi inteligjencën, vullnetin, kulturën e mjaft njerëzve të thjeshtë. Përdorimi i këtyre mjeteve ekstra ka gjithashtu efekte të mëdha dhe politikanët, ashtu si reklamuesit e mallrave, e dinë mirë këtë. Që të dyja palët, duan në një aspekt, të shesin (fjalë) për të fituar, pushtet, para, privilegj. Pushteti i fjalëve pozitive, nxitëse dhe sugjestionimi a përpunimi mes tyre i psikologjisë njerëzore është i paimagjinueshëm dhe paralelizmi shkon deri në konvergjencë të plotë. Vëreni fjalët që përdoren në mjaft biznese, në tregti, kudo ku ka fitim, ku kërkohet të shitet diçka, dhe merrni përgjigjen se cila është pse-ja që mjaft reklamues përdorin fraza të tipit “E re dhe e përmirësuar”, “Origjinale” “E gjitha natyrale”. Hidhuni në politikë dhe ngjashmëria është më e madhe se ajo mes dy bizneseve në sensin e reklamimit: “Koha për ndryshim”, “Rilindje”, “E reja rrëzon të vjetrën”.
Dhe këto janë vetëm një pjesë e teknikave apo e reklamave të bindjes. Në jetën e përditshme mund të gjejmë mjaft të tjera, madje me një peshë specifike të jashtëzakonshme. Ndiqni me vëmendje një program në media dhe do të vini re se vetëm në gjysmë ore transmetim televiziv përmbahen një volum i pabesueshëm për nga madhësia, teknikash bindjeje, sugjestionimi, mes tyre mjaft mashtrimi, dhe të gjitha në një kohë kaq të shkurtër. Ndiqni me vëmendje a analizoni më vonë të incizuar a të shkruar një fjalim elektoral, një fjalim gjatë një takimi të një qeveritari a politikani me popullin, një vizitë e një logo të tij atje mes atyre që viziton, e do të gjeni po atë densitet teknikash bindjeje, sugjestionimesh, mashtrimesh.
Një arsye tjetër përse njerëzit gënjehen do të ishte edhe sepse të gjithë gënjejnë në politikë por edhe kudo në fusha të tjera, e gënjeshtra mbulon gënjeshtrën duke bërë të harrohet paraardhësja. Kësisoj njerëzit pranojnë se kjo është bota, këta janë njerëzit e bashkë me të këta janë politikanët. Në një plan më të gjerë, edhe për njerëzit e thjeshtë, shpesh në nënvetëdije, zgjidhja politike, drejtimi i vendit nga politika e politikanët, janë të vetmet lojëra e rregulla loje të zbuluara deri më sot dhe pa to do të kishte kaos e anarki. Pa to nuk do të kishte asnjë zgjidhje të halleve e problemeve, sado dobët të zgjidhen këto, deri më sot. Ka mjaft fakte që e ilustrojnë a e përforcojnë këtë edhe tek ne. Njerëzit shqiptarë dilnin në rrugë në ditët e fundit të anarkisë së 1997 dhe kërkonin gati me lutje që politikanët të vinin në krye të vendit, të shkonin në zyra, të merrnin shtetin në dorë, t’u jepnin përsëri sadopak qetësi e siguri. Anarkia e krimi kishte kohë që bllokuar çdo gjë dhe njerëzit mbylleshin në shtëpia që në orën 1 të drekës. Kësisoj jeta ishte bërë kaq e padurueshme dhe e rrezikshme saqë cilido politikan që do t’i kthente disi në normalitetin sado jo të përshtatshëm të dikurshëm, do të ishte më i mirë se anarkia që po i mbyste. Në trazirat e Los Angeles të viteve ‘90 të shekullit të shkuar, njerëzit e thjeshtë amerikanë pritën me padurim e kërkonin gjithashtu me insistim kthimin e shtetit e marrjen në dorë të situatës në dorë nga politika, pasi rrëmuja e kaosi po ju zinin frymën. Kishin mjaftuar disa ditë, ashtu si dhe në New Orleans pas cunamit Katrina, vite më vonë, që anarkia ta merrte situatën në dorë e njerëzit të kuptonin se edhe në vendin më demokratik të botës, e me shtetin më të fuqishëm, se pa rend e pa politikën që e vinte në vend atë, nuk kishte jetë normale, funksionim normal a së paku jetë sipas forcës së zakonit e mbarëvajtjes së deriatëhershme të gjërave.
A është vallë e habitshme pas këtyre të kuptojmë, apo a mbetet ende pa përgjigje a një çudi pyetja: “Përse gënjehen njerëzit nga politikanët, përse sugjestionohen ata? Dhe përse politikanët vazhdojnë të gënjejnë me sukses e pa pasoja?”.

Related

Opinione 4122781375514277967

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item