Markez, dëbimi nga SHBA dhe si arriti të bënte për vete Klintonin

Gabriel Garsia Markez, të gjithë në Makondo “Kam vetë një peng në jetë, që nuk pata një vajzë” Gianni Riotta, La Stampa U shua në shtëpinë e...

Gabriel Garsia Markez, të gjithë në Makondo
“Kam vetë një peng në jetë, që nuk pata një vajzë”
Gianni Riotta, La Stampa

U shua në shtëpinë e tij në Meksiko Siti, me gruan e tij Mercedez dhe dy fëmijët, Gonzalo dhe Rodrigo, pranë tij. Romancieri kolumbian Gabriel Garsia Markez, fituesi i çmimit Nobel në vitin 1982, ishte i sëmurë me kohë. 12 vjet pas betejës me tumorin linfatik, kanceri kishte pushtuar trupin e tij dhe 3 prillin e shkuar e mori veten nga një pneunomi dhe një infeksion, por të hënën iu lejua të kthehej në shtëpinë e tij. Autori i “Njëqind vjet vetmi” ishte 87 vjeç. Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, u shpreh në Twitter “një mijë vjet vetmi dhe dëshpërim për vdekjen e kolumbianit më të madh të të gjitha kohrave. Ngushëllime Gabos dhe familjes së tij”. “Gjithmonë me ne, Gabriel” – kështu titullohej e gjithë faqja e parë e të përditshmes El Espectador. 

Centralistja në hyrje të gazetës së përditshme “Manifesti” (Itali) u rikthye e hutuar nga gazetari i ri që po kalonte aty pranë, në një mëngjes pranvere: “Dëgjo, ky zotëria thotë që është Gabriel Garsia Markez”. Djaloshi, i shushatur edhe ai, e njohu autorin e “100 vjet vetmi”, vëllimi klasik i një brezi të tërë në botë, me bëmat e kolonel Aurelio Buendias, që nxit revolucione duke i humbur të gjithë dhe përfundon duke krijuar peshq të florinjtë, i qetë dhe heroik si Garibaldi në Caprera. Një libër që, nga viti 1967 ka shitur 50 milionë kopje në 25 gjuhë, duke i dhënë shkrimtarit kolumbian Çmimin “Nobel” për Letërsinë në vitin 1982, dhe duke krijuar bumin e letërsisë amerikano-latine të viteve ’60 dhe ’70.
Garsia Markez tha ngadalë: “Erdha këtu për të parë Rossana Rossanda-n”, atëherë drejtore e gazetës të së majtës. Djali u fut në dhomën e Rossanda-s, i pafrymë dhe tepër i emocionuar, duke thirrur “Rossana, Rossana, ka ardhur Markezi”. Themeluesja e gazetës thotë plot qetësi: “Thuaji, që i lutem të presë 5 minuta”. Autori më i famshëm në botë, miku personal i Fidel Kastros, për vite i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara për kritikat kundër politikave të Shtëpisë së Bardhë kundrejt vendit të tij të lindjes, Kolumbia, i dyshuar nga regjimi për trafik armësh, i detyruar të jetonte në emigrim vullnetar në Meksikë, duhet të priste 5 minuta.
Gabo, siç miqtë e thërrisnin Garsia Markezin, profesioni që ai donte më shumë, bile edhe përpara letërsisë, ishte gazetaria. “Të dëgjoja historitë e njerëzve dhe t’i ritregoja ato nëpër faqet e gazetës. Nëse do më pyesnin se çfarë profesioni do të dëshiroje në jetë, një mijë herë do t’i përgjigjesha se dua të bëhem gazetar”, thoshte ai. Në një intervistë për Paris Review, një revistë e sofistikuar letrare, Markezi përsëriti: “E dua gazetarinë më shumë se gjithçka”, duke kujtuar reportazhin e tij të jashtëzakonshëm të viti 1955 “Tregimi i një të fundosjeje”, kronika e përmbysjes së marinarit kolumbian Luis Velasco, që u hodh nga një anije tregtare dhe arriti të mbijetonte. Markezi është një shembull i letërsisë fantastike, i ‘realizmit magjik’. “Unë nuk i dëgjoj kritikët, – vazhdon Markez,- nuk i lexoj kurrë reçensionet, as të mirat e as të këqijat. Kritikët kanë idetë e tyre për atë që duhet të jetë letërsi e mirë. Ndërsa kam respekt për përkthyesit, por u rekomandoj atyre të mos përdorin shënime në fund të faqes.”
Duke qeshur, Gabriel Garsia Markezi i hedh krahun mbi sup djaloshit e i thotë: “Shkojmë të pimë një kafe. Kur doja të studioja për kinema në Romë në Qendrën Kinematografike, kafeja romane është një moment unik. A e di se Rossana është gruaja më inteligjente që un kam njohur dhe që ty do të ndodhë të njohësh në botë, kështu që le ta lëmë të punojë”. Disa vjet më vonë do ta përsëriste këtë gjykim.
Lindi në vitin 1927 në fshatin kolumbian të quajtur Aracataca, ku era sjell me vete ajrin e Karaibeve, shembull për Makondon e “Njëqind vjet vetmi”. Gjyshi i tij kujdesej dhe e edukonte atë, sepse i ati, Gabriel Elijio Garsia kishte 11 fëmijë me gruan Luisa Santiaga Markez dhe 4 të tjerë jashtë martese. Ai (i ati) ishte një telegrafist, homeopat dhe farmacist i dështuar. “Gjyshja ime tregonte historitë më të bukura dhe njëherë më mësoi që nëse thosha që “një elefant fluturon, askush nuk të beson, por nëse thua 425 elefantë fluturojnë, të gjithë të besojnë. Kjo është teknika gazetareske që funksionon nëpër romane”. Gjyshi i Gabos kishte luftuar në Luftën e Njëmijë Ditëve, ai ishte një burrë i fortë e i ashpër, model për ‘Kolonelin’ në romanin më të bukur të Markezit “Askush nuk i shkruan Kolonelit”, heroit të luftrave të humbura, të ndodhur në një regjim të korruptuar, me birin e tij të vrarë, i cili vë bast për një ndeshje gjelash. Dhe kur gruaja e tij i bërtet duke i thënë “Po nëse gjeli nuk fiton? Çfarë do të hamë?, ai i kthehet me një përgjigje stoike : “Do të hamë mut”.
Aventurat e Makondos janë kronikat ku gjeniu Markez na sjell teknikën gazetareske të viteve 900, një gjë të cilën Heminguei nuk diti ta bëjë. Nëse kompania amerikane USA United Fruit ishte simbol i shtypjes për fshatarët, në veprën “Njëqind vjet vetmi” janë varfëria, murtaja, ashpërsia. Politika e Markezit nuk del nga skema e revoltës latino-amerikane, as kur presidenti Bill Klinton e bën mik Gabon. “Lexoja Njëqind vjet vetmi në universitet, në Jurisprudencë, nuk arrija ta hiqja nga dora edhe gjatë leksioneve”, thotë Bill. Elozhe për Kastron dhe Kubën, më vonë për Çavezin e Venezuelës. Edhe kur demokracia është në fund të saj në Amerikën Latine, dhe romancieri rival Mario Vargas Llosa e fton atë të denoncojnë diktaturat, Markezi nuk ndryshon regjistër. Natyra e tij e përulur edhe pas fitimit të çmimit Nobel, i bën me dije Mario Vargasit se në politikë mbase jo, por si shkrimtar Gabo është gjigand.
Pa Markezin nuk do të arrinim të lexonim kurrë kryevepra si Pedro Paramo e Juan Rulfos. Pas trazirave, luftërave, murtajës, Nobelit, librave, dashurive, Garsia Markez gjithmonë buzëqeshte : “Kam vetë një peng në jetë, që nuk pata një vajzë”. Qajnë për të gruaja, të dy djemtë, liderët në të gjithë botën, kritikët që nuk i lexonte dhe miliona lexues.
Përgatiti: Endri Farka
Një karrierë që filloi me pyetjen e së ëmës

“Çfarë t’i them tani babait tënd?” – “Thuaj se dua vetëm një gjë në jetë, dua të bëhem shkrimtar dhe kam për t’u bërë.” Në shkurt 1950, para se të mbushte 23 vjeç, Gabriel García Márquez vendosi t’i ndërpriste studimet në drejtësi, kundër dëshirës së prindërve. Pasioni më i madh i Gabrielit nuk është drejtësia, por bota e historisë. Kështu e përshkruan ai në vitin 2002 në autobiografinë e tij “Të jetosh për të treguar”. Në vitin 1982 Gabriel Garcia Marquez merr çmimin Nobel në letërsi. “Për romanet e tij dhe tregimet e shkurtra, në të cilat fantastikja dhe realja shkrihen në një botë të larmishme të imagjinatës duke pasqyruar jetën dhe konfliktet e një kontinenti”, është vlerësimi i komisionit. Krahas autores kiliane Isabel Allende ai ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm i këtij “realizmi magjik” në Amerikën Latine. Tani tregimtari i madh kolumbian ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Meksiko Siti. “Dua të bëhem shkrimtar dhe do të bëhem.” Premtimin e ka mbajtur.
Fëmijëria në Karaibe

Gabriel Garsia Markez u lind me 6 mars 1927 në Arakataka, në një fshat të Karaibeve kolumbiane, në mesin e plantazheve të bananeve, që në verë dëmtoheshin nga thatësira dhe në dimër nga rrebeshet tropikale. Me një kokëfortësi të ngjashme me atë të të birit më vonë, edhe e ëma këmbënguli dhe në vitin 1926 u martua me një telegrafist, i cili ia kishte fituar zemrën me serenata me violinë natën poshtë dritares. Se si janë bashkuar prindërit e tij, Gabriel Garsia Markez e tregon në romanin e tij “Dashuri në kohët e kolerës”. Shumë nga veprat e tij i kanë rrënjët në vërtetësi. Edhe tregimi i njohur “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar” tematizon ngjarje nga mjedisi i tij. Gabrieli, më i madhi i fëmijëve, rritet te gjyshërit. Gjyshi i jep libra, Gabrieli përpin autorët kolumbianë dhe spanjollë, më vonë edhe Heminguei, Faulkner dhe Kafkën. Gjyshja një pastiçiere dhe rrëfimtare e talentuar, e edukon atë me histori fantastike, i tregon dhoma të ndaluara, ku thotë se jetojnë të afërmit e vdekur. Ushqim për fantazinë e Gabrielit, por edhe burim i maktheve dhjetëravjeçare. Një fëmijë i vetmuar mes grave: gjyshes, hallave dhe shërbëtoreve indiane. “Prej andej”, shkruan Garsia Markez në kujtimet t e tij, “vjen me sa duket bindja ime, se gratë e mbajnë botën, ndërsa ne burrat me brutalitetin tonë historik, sjellin vetëm çrregullim.”

Një botë në ndryshim

Rregull nuk ka as në atdheun e tij. E pavarur nga Spanja që prej fillimit të shekullit të 19-të, Kolumbia në vitin 1886 u bë demokracia e parë në Amerikën Latine. Por vazhdimisht ka luftëra civile të përgjakshme. Kur lind Gabrieli në vitin 1927, merr fund një periudhë e bumit ekonomik, na i cili kanë përfituar qytetet dhe investitorët e huaj. Popullsia e fshatit punon shumë dhe mbetet e varfër. Shkak për protesta sociale, që në vitin 1928 përfundojnë në një masakër. Mbledhësit e bananeve, të cilët demonstrojnë para kompanisë amerikane United Fruit për pagat e papaguara, qëllohen me armë nga trupat qeveritare, ka shumë të vdekur. Edhe këtë ai e përshkruan në librin e tij, bestsellerin e botuar në 1967, “Njëqind vjet vetmi”. Një tjetër ngjarje, që e shoqëron deri sot Kolumbinë, Gabo, siç e quajnë admiruesit e tij, e përjeton fare nga afër si student në Bogota. Vrasjen e kandidatit për president, liberalit të majtë Jorge Eliecer Gaitan, në vitin 1948. Gjë që ndjehet deri sot në aksionet e organizatës guerrilase FARC dhe të dhunës të karteleve të drogës.
Me të ardhura shumë të pakta

Gabriel Garsia Markez i ndërpret studimet dhe mundohet të punojë si gazetar. “Garsia Markez jetonte me të ardhura shumë të pakta”, tregon përkthyesja e tij gjermane Dagmar Ploetz. Në vitin 1958 ai martohet me dashurinë e tij të rinisë Mercedes Barcha, atyre u lindin dy djem. Gati gjithmonë mungojnë paratë. Përvojën e urisë, varfërisë dhe dhunës ai nuk e harron kurrë. Gjithë jetën e tij ai angazhohet për të dobëtit, në vitet 60-të mbështet lëvizjet e Amerikës Latine për pavarësi. Nga kjo periudhë daton miqësia e tij e kritikuar shpesh me Fidel Kastron. Në vitet 90-të dhe 2000 ai lufton kundër krimit dhe trafikut të drogës dhe ndërmjetëson në mes qeverisë dhe guerilasve.
Përralla magjike për të rritur

Suksesi i tij si shkrimtar nis në vitin 1967 me “Njëqind vjet vetmi”. Libri tregon historinë e një familjeje në fshatin fiktiv Makondo, i cili brenda një shekulli kthehet nga një copë tokë me kasolle bambuje në një qytet të lulëzuar. Realiteti dhe fantazia përzihen, libri është plot personalitete të çuditshme dhe ngjarje, që lidhen me historinë e Kolumbisë dhe të familjes së autorit. Për shumëkënd romani është një epos nacional i Amerikës Latine, historinë e së cilës ai pasqyron në mënyrë letrare. Për shkrimtarin libri “Njëqind vjet vetmi” ka qenë si një terapi. Kritiku kolumbian i artit Karlos Rinkon kujton në një intervistë: “Garsia Markez thoshte, se ëndrrat e tij nga shtëpia e gjyshërve deri në shkrimin e romanit kishin qenë makthe. Kur ai i ktheu jetën dhe kujtimet në fiksion, ai shpëtoi prej tyre.”

Related

Shtypi i huaj 1487373056264217456

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item