Lufta po vjen! (Përse nuk ka shanse që të zbutet mbreti i çmendur i Rusisë)

Mikheil Saakashvili Në fillim të marsit, Federata Ruse, pasi inskenoi një referendum nën grykën e kallashnikovëve në Krime, vijoi më tej me ...

Mikheil Saakashvili


Në fillim të marsit, Federata Ruse, pasi inskenoi një referendum nën grykën e kallashnikovëve në Krime, vijoi më tej me aneksimin e rajonit dhe hodhi themelet – sipas Moskës – për “realitete të rinj politikë dhe ligjorë”, që do të thotë një paradigmë të re ruse, për një botë pa ligje. Siç e tha kancelarja gjermane, Angela Merkel në Bundestag në 13 mars, Rusia po sjell në tryezë ligjin e xhunglës. Për ata prej nesh që kemi përjetuar përpjekjet e Vladimir Putinit për të zhbërë rezultatin e asaj që e quan “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20” – dmth shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – ajo që po ndodh në Ukrainë nuk është e papritur. As nuk shënon aktin e fundit të dramës.

Duhet të jetë boll e qartë tani se plani fillestar i Putinit për marrjen e Ukrainës lindore, përmes mobilizimit të popullsisë ruse atje, ka dështuar. Por kjo nuk do të thotë që ai po heq dorë. Strategët rusë po flasin për një “fundjavë zemërimi”, që mund të përfshijë edhe ndonjë lloj sulmi të armatosur ndaj ndërtesave qeveritare në Ukrainën jugore dhe lindore. Nëse këta provokatorë lokalë dhe “forca vetëmbrojtëse” arrijnë të marrin ndërtesat siç bënë në Krime, kjo mund të shërbejë si bazë për një ndërhyrje të mëtejshme ushtarake. Nuk duhet të habitemi më nga ky skenar cinik.

Historia mund të jetë një udhërrëfyes i mirë për politikanët: së pari, për të parandaluar fatkeqësitë e reja, dhe së dyti, për të ndihmuar në reagimin ndaj fatkeqësive që ndodhin gjithësesi, pavarësisht planeve më të mirë për t’i ndalur. E megjithatë, shumë politikanë po bëjnë të njëjtët gabime, prej të cilëve duhej të kishin mësuar dekada më parë. Këto kohë, nuk mund të mos kujtoj thënien e famshme të Yougi Berras: “Eshtë përsëri déjà vu”.

Në Ceçeni, dhjetëra mijëra vetë u vranë vetëm për të bërë Putinin president dhe për të konsoliduar pushtetin e tij. Më pas, kur Revolucionet me ngjyra – dhe reformat e tyre të suksesshme – u bënë rrezik ndaj sundimit të tij, ai pushtoi Gjeorgjinë, me qëllim që të vriste këtë model ngjitës dhe të rikonfirmonte pushtetin e tij. Tani, ashtu si dhe më parë, i gjendur përballë rënies së popullaritetit në Gjeorgji, një revolucioni në zbulimin e gazit në Amerikë, si dhe nevojës së vazhdueshme për akses në porte për të furnizuar aleatët e tij në Lindjen e Mesme, Putini sulmoi Ukrainën dhe pushtoi Krimenë.

E megjithatë, edhe para gjithë këtyre shembujve, Perëndimi vazhdon ta keqkuptojë apo ta justifikojë agresionin e Putinit. Këto kohë, shumë analistë janë përqëndruar tek një refren konstant: sipas tyre, Perëndimi e teproi me zgjerimin e NATO-s dhe BE-së, dhe se e provokoi më kot ariun rus. Konkluzioni i tyre është se një pjesë e arsyes për sjelljen e Rusisë qëndron në aktivizmin e Perëndimit. Eshtë një lloj vetëfshikullimi dhe, për Putinin, një reflektim i dobësisë Perëndimore që atë e trimëron.

Neville Chamberlaini, kur paraqiti argumentat e tij që fuqitë perëndimore të heshtnin përballë pushtimit të Sudetenland nga Hitleri, tha se europianët nuk kish pse e vrisnin mendjen për “një grindje në një tokë të largët, mes popujve për të cilët nuk dinim asgjë”. Sot, dëgjoj shumë analistë që flasin për “asimetrinë e interesave”, që do të thotë që Rusia ka të drejtë të aneksojë tokat e shteteve fqinjë, për arsyen e thjeshtë se ajo “e vret mendjen” më shumë se Perëndimi për këto toka. Të tjerë thonë se të gjithë ne duhet të mësohemi me idenë që Krimea ka ikur tashmë, dhe që Rusia nuk do e kthejë kurrë. Pikërisht këtë gjë më thanë dhe mua në verën e vitit 2008 – që duhet të mësohesha me idenë që një pjesë e territorit gjeorgjian, atëherë i pushtuar nga Rusia, ishte humbur një herë e mirë.

Por kjo logjikë ka vazhdimësinë e vet. Siç e dimë nga historia, ciklet e zbutjes zakonisht shkurtohen me progresion gjeometrik. Shumë shpejt, të njëjtët analistë mund të deklarojnë – me fytyrat e tyre prej pokeristësh – që tani Moldavia “ka humbur”, apo Letonia “është humbur”, apo edhe ndonjë provincë e Polonisë. Dhe vetëm sepse Rusisë “nuk ia ndjen” që ta rikthejë.

Viktima më e madhe për Perëndimin nuk do të jenë vendet që janë tashmë, apo që aspirojnë të jenë, aleatë të Perëndimit, por parimet mbi të cilët është ndërtuar bota perëndimore. E vërteta është që Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia po ndëshkohen prej Rusisë, për shkak të dëshirës së tyre për të jetuar në një shoqëri të lirë dhe demokratike – një shoqëri shumë e ndryshme nga modeli i Putinit.

Sigurisht, Moska nuk e vriste shumë mendjen për minoritetet rusë në “mëhallën” e saj – sa kohë që ata sundoheshin rehat prej njerëzve të korruptuar të mbështetur prej Kremlinit. Por gjatë dekadës që pasoi, Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia kanë mësuar të shohin nga Perëndimi, jo aq shumë për shkak të prioriteteve gjeopolitikë, se sa për shkak se popujt atje aspirojnë një stil jetese Perëndimor, që respekton të drejtat e njeriut dhe vlerat universale. Për këtë arsye, Perëndimi duhet t’i mbrojë këta vende jo thjeshtë për shkak të kalkulimeve pragmatistë, por për vetë parimet që i shndërruan demokracitë perëndimore, në shoqëritë më të suksesshme të historisë.

Faktet themelorë janë shumë të qartë. Rusia përbën sfidën më të madhe ndaj rendit dhe ligjit ndërkombëtar që nga koha e pushtimit të Afganistanit në vitin 1979. Dhe ndonëse Perëndimi ka shumë më tepër superioritet ndaj Rusisë – ekonomikisht dhe ushtarakisht – nga sa kishte ndaj Bashkimit Sovjetik, udhëheqësit e sotëm refuzojnë ta shfrytëzojnë këtë asimetri.

Problemi ndoshta qëndron në ambivalencën e shumicës së ekspertëve rajonalë, që shërbejnë si udhërrëfyes të mendimit të liderëve perëndimorë. Keqkuptimi i tyre kryesor mbi Rusinë bazohet në faktin që ata nuk e kuptojnë dallimin mes nomenklaturës sovjetike dhe elitës së korruptuar të Rusisë së sotme. Ata nënvlerësojnë shumë lidhjen mes elitave ruse dhe shtëpive, apo llogarive të tyre bankare në Perëndim. Po kështu, vendim-marrësit kryesorë në Moskë janë shumë më të varur financiarisht dhe psikologjikisht nga Perëndimi, se sa burokratët e epokës së Brezhnjevit. Sanksionet mund të ndajnë me sukses këtë grup, prej rrethit të ngushtë të Putinit, por ata duhet të shkojnë më tej dhe të shkaktojnë më shumë dhimbje.

E megjithatë, pavarësisht retorikës së presidentit Obama, Perëndimi – sidomos Europa – shfaqet hezitues për të vendosur sanksione më të fortë. Ndryshe nga sa ndodhte në Luftën e Ftohtë, kompanitë perëndimore kanë shumë më tepër fitime nga Rusia sot, kështu që ato do të duhet të paguajnë çmimin për sanksionet. Por pas raundit të parë të sanksioneve, aksionet e rimorën veten tekse tregjet kuptuan që masat e marra nuk shkonin shumë larg. Atëherë, si mund të presë Perëndimi që të merret seriozisht nga Putini, kur as edhe Wall Street-i nuk e ka “ngrënë” seriozitetin e qëllimeve të aleancës perëndimore? Dilema është e thjeshtë: A është gati Perëndimi ta paguajë këtë çmim tani, apo ta vonojë vendimin me një çmim shumë më të lartë në të ardhmen?

Kjo zgjedhje mund të përshkruhet më mirë në terma mjekësorë. Kanceri i agresionit rus u shfaq në fillim në Gjeorgji, por Perëndimi venosi ta neglizhojë diagnozën dhe preferoi ta trajtojë sëmundjen me aspirinë. Krimea është metastaza e asaj që ndodhi në Gjeorgji, dhe Perëndimi sërish e përjashton opsionin e kirurgjisë – domethënë ndërhyrjen ushtarake – pasi mendon që ka risk shumë të lartë. Por, të paktën të zbatojë kemioterapinë. Po, kjo nënkupton që Perëndimi do të ndjejë efektet e ilaçeve të tij, dhe sidomos kompanitë europiane në terma afatshkurtër. Por në terma afatgjatë, kjo dozë e dhimbshme është e vetmja mënyrë për të “vrarë” kancerin që është Putini.


Winston Churchilli ka deklaruar dikur në mënyrë profetike, kur iu drejtohej atyre që donin të zbuteshin me Hitlerin: “Juve patët zgjedhjen mes luftës dhe turpit. Zgjodhët turpin dhe do të keni luftën”. Sigurisht, nuk mund të presim që politikanët e kohëve moderne, të obsesionuar pas sondazheve dhe zgjedhjeve të mesit të mandateve, të jenë Churchillianë gjatë gjithë kohës. Por, të paktën nuk do të duan të hyjnë në histori si Chamberlainët e shekullit 21. (foreign policy)/bota.al

Related

Shtypi i huaj 2654286605419383968

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item