Kuba eksperimenton kapitalizmin përmes kooperativave

Ndërmarrjet shtetërore të vogla po privatizohen në formën e kooperativave nën pronësinë e punonjësve. Disa po dalin shumë të suksesshme, të ...

Ndërmarrjet shtetërore të vogla po privatizohen në formën e kooperativave nën pronësinë e punonjësve. Disa po dalin shumë të suksesshme, të tjerat po vuajnë nga të njëjtat probleme si ndërmarrjet shtetërore
Reformat

Reformat e ngadalta dhe të kujdesshme të Kubës për të rigjallëruar ekonominë e vet të kontrolluar nga qeveria papritur shpërtheu në jetë në biznese si Karabali, një klub nate në Havana nën pronësinë e një kooperative me 21 anëtarë.
Qeveria komuniste filloi t’ua japë klubin Karabali me qira punëmarrësve vetëm gjashtë muaj më parë dhe tashmë, ai që dikur qe një klub i përgjumur sot është përplot me më shumë se 1000 klientë nga mesnata deri në agim, pavarësisht konkurrencës nga dhjetëra klube nate qoftë private, qoftë shtetërore që gjenden në këtë qytet.
I gjendur në rrugën plot gjallëri 23 në lagjen Vedado, dritat shumëngjyrëshe dhe të ndezura joshin një turmë pothuajse tërësisht kubaneze në klubin Karabali për të dëgjuar muzikë “live” përgjatë fundjavës.
Edhe në ditë të mërkurë, kur luhet vetëm muzikë e regjistruar, vendi është i mbushur ndërsa njerëzit kërcejnë në skenë rumba.
Një ndjesi pronësie ka zëvendësuar apatinë që karakterizon shumë sipërmarrje shtetërore dhe anëtarët e kooperativës janë optimistë. Njerëzit po flasin nëpër qytet për këtë lokal, pagat e tyre janë trefishuar dhe ata marrin një pjesë nga fitimet.

“Ne kemi më shumë një ndjesi se kjo gjë na përket ne”, thotë Hejdell Allom, i cili ka kaluar 11 nga 38 vitet e jetës së tij si banakier në klub. “Këtu askush nuk vjedh. Ky vend u përket të gjithëve. Ne fitojmë në varësi të asaj që mund të bëjmë pa pasur asnjë problem nga qeveria”.
Autoritetet kubaneze po kthejnë gjithnjë e më shumë bizneset shtetërore në kooperativa dhe po ofrojnë incentiva për kompanitë e vogla private që të ndjekin të njëjtin model. Rreth 450 kooperativa janë krijuar përgjatë vitit të fundit dhe ka plane për krijimin e mijëra të tjerave.
Kjo iniciativë është një nga reformat e orientuara nga tregu të urdhëruara nga Presidenti Raul Kastro (Castro), që kur ai mori pushtetin nga vëllai i sëmurë Fidel në vitin 2008.
Megjithëse Raul Kastro thotë se reformat e tij synojnë fuqizimin e socializmit kuban, ato kanë sjellë krijimin e mijëra bizneseve private që nga viti 2010, duke filluar nga restorantet te dyqanet e riparimit të elektronikës apo te dyqanet familjare.
Më pak të njohura dhe më të pazakonshme janë kooperativat, por ato janë edhe pjesë e një akti balancimi politik nga qeveria, e cila ka nevojë të zhvendosë qindra mijëra punëtorë jashtë sektorit publik, por dëshiron gjithashtu një rritje të ngadaltë të kapitalizmit.
Në shumë mënyra ai parapëlqen kooperativat, ku secili punonjës ka një pjesë të biznesit, kundrejt bizneseve private, ku pronarët realizojnë fitime në bazë të punës së të punësuarve të tyre.
Siç është tipike me reformat e Kubës, nxitja për të themeluar më shumë kooperativa ka nisur si një eksperiment që do të zgjerohet nëse konsiderohet i suksesshëm.
Mbështetësit e shohin atë si një mënyrë për të lejuar sipërmarrjen e lirë, njësoj siç kanë bërë qeveri të tjera komuniste në të shkuarën, ndërsa kufizohet rritja e pashmangshme në pabarazinë e të ardhurave.
“Modeli është i ndryshëm nga ai i Kinës dhe Vietnamit”, thotë një ekonomist kubanez që është specializuar për kooperativat. “Ne kemi avantazhin e të mësuarit nga eksperienca e tyre”.
Asnjë vend tjetër nuk është përpjekur të konvertojë kompanitë shtetërore në kooperativa në një shkallë të tillë, thotë ekonomisti, i cili kërkoi ruajtjen e anonimatit për shkak të një urdhërese ndalimi për të folurit me gazetarët pa leje në këtë vend.
Kooperativat përfshijnë restorante, kafene, shitje me shumicë e pakicë, kompani ndërtimi, prodhimin e veshjeve dhe mobilieve, kompani autobusësh apo lavazhe, operacione riciklimi, shërbime kompjuterësh apo kontabiliteti, sallone bukurie, klube nate, madje edhe tregtarë zogjsh ekzotikë.
Ato operojnë në mënyrë të pavarur nga entet dhe bizneset shtetërore dhe i përcaktojnë çmimet sipas tregut në shumicën e rasteve.
Disa kanë lulëzuar. Të tjerë janë ende në nevojë për të mësuar se çfarë do të thotë të konkurrosh në treg të hapur.
Më pak se hyjnore
Restoranti Divina Pastora ka një pozicion të shkëlqyer poshtë kështjellës historike Moro, një vend tërheqës turistik me pamje spektakolare nga kryeqyteti përtej Gjirit të Havanës.
Megjithëse ky restorant është plot me klientë turistë gjatë kohës së drekës që janë duke vizituar kështjellën, darkat janë një situatë krejt tjetër. Një mbrëmje të shtune tani vonë, restoranti qe pothuajse bosh pavarësisht motit perfekt.
Askush nga kooperativa nuk ka menduar për ndonjë plan për të tërhequr klientë për darkë apo për natën vonë në mënyrë që të përmirësohen fitimet, sipas një anëtareje të kooperativës, një vajzë e re që po shërbente në tavolina.
Restoranti është një ish-ndërmarrje shtetërore që u mbyll vitin e kaluar dhe u rihap si kooperativë, megjithatë stafit të ri nuk iu dha kurrë shansi të zgjedhin një udhëheqës.
“E si mund të zgjedhim ne administratorin kur ai qe njeriu që na punësoi ne?”, tha gruaja, e cila gjithashtu refuzon të japë emrin e vet dhe duket se nuk e di nëse ajo apo pjesa tjetër e stafit janë në formën e kooperativës apo vijojnë të jenë punonjës të një ndërmarrjeje shtetërore.
Karabali, i cili gjendet përtej Gjirit të Havanës, është një sukses i dukshëm.
Klubi është në një zonë shumë të mirë, një rrugë ku mijëra të rinj shkojnë për qejf nga mbrëmja deri në agim, duke shëtitur Rrugën 23 nga dyqani i famshëm i akulloreve Copelia dhe ish-hoteli Hilton deri te bregu i detit.
Të 21 anëtarët e kooperativës kanë në plan ta rimodelojnë Karabalin, duke filluar nga kafeteria, e cila është lënë në gjendje të mjerueshme nga shteti.
“Pasi të përfundojmë me kafeterinë ne kemi në plan të investojmë paratë tona për të bërë përmirësime të tjera”, thotë Alom, banakieri.
Secili anëtar i kooperativës fiton 750 pesos në muaj (31 dollarë), tri herë më shumë nga 250 pesos që fitonin kur lokali qe nën pronësi shtetërore. Ata ndajnë me njëri-tjetrin edhe fitimet një herë në tre muaj.
“Ne jemi të çliruar nga rregullat për bizneset shtetërore”, thotë llogaritari i kooperativës Ariel Rodriguez.
“Ne të gjithë ndiejmë se ky vend është i yni. Asnjë jashtëtokësor nuk mund të na thotë se çfarë është e mirë apo e keqe apo kur e si të paguajmë rrogat, çfarë artisti të punësojmë apo cili duhet të bëjë riparimet dhe rimodelimet e klubit”.
Rezultat i përzier
Shumica e kooperativave të vizituara nga Reuters bien diku në mes të ekstremeve tëDivina Pastora dhe Karabalit.
Kooperativa Bella Bella 2 de Belleza, dikur një sallon bukurie i mirënjohur dhe ndërmarrje shtetërore në Vedado, ka rilindur si kooperativë dhe konkurron me biznese private duke tërhequr klientelë më pak të pasur sesa privatët.
“Ne kemi vendosur çmime më të larta nga sa i kishim kur ishim kompani shtetërore, por më të ulëta nga çmimet e rrugës (te bizneset private)”, thotë parukierja Sandra Menendez, e cila tashmë fiton 7 mijë pesos në muaj (292 dollarë) si anëtare kooperative, në krahasim me 400 pesos, (17 dollarë) plus bakshishet që fitonte kur punonte për shtetin.
Por të tjerët nga kooperativa me 27 anëtarë janë të zemëruar nga dominimi i ish-administratores që është bërë presidente apo mbi pagesat e tyre.
“Ne kemi disa përfitime, por rroga ime është pak a shumë sa qe kur ndërmarrja nuk qe kooperativë”, thotë Danislej Napoles, një manikyrist puna e të cilit është më pak e specializuar sesa ajo e stilistes së flokëve dhe sjell më pak të ardhura.
Ligji që qeveris kooperativat lejon për një numër të pakufizuar anëtarësh dhe për përdorimin e punonjësve me kontrata tremujore. Anëtarët i zgjedhin udhëheqësit e tyre dhe gjithashtu marrin pjesë në vendime të ndryshme, duke filluar nga shkallët e pagave tek investimet.
“Kooperativat kanë prioritet mbi bizneset e vogla private për shkak se ato janë një formë më shoqërore e prodhimit dhe shpërndarjes”, deklaroi Marino Murillo, i cili drejton komisionin e Partisë Komuniste që ka për detyrë të reformojë ekonominë e stilit sovjetik, para Asamblesë Kombëtare dhjetorin e kaluar.
Murillo tha se ata paguajnë më pak taksa dhe kanë akses te sistemi shtetëror i shitjeve me shumicë, ndërsa bizneset private duhet të blejnë furnizime nga tregu i shitjeve me pakicë apo dyqanet.
Megjithatë, është qeveria ajo që merr vendimin nëse një ndërmarrje shtetërore kthehet në kooperativë dhe në këtë vendim punonjësve nuk u jepet e drejta e fjalës. Ata ose duhet ta pranojnë vendimin ose pushohen nga puna.
Kjo përqasje e rëndë nga lart, si dhe mungesa e trajnimeve të përshtatshme apo mjedisi i keq për biznes në Kubë rëndojnë të gjitha mbi kooperativat dhe suksesi apo dështimi i tyre varet gjerësisht se sa mirë janë të përgatitur udhëheqësit dhe anëtarët e tyre.
Një program në televizionin shtetëror i quajtur “Kultura e Kooperativave” transmetohet për ditë të diel dhe është përqendruar në historinë e tyre, ligjin dhe menaxhimin. Ekonomisti kubanez tha se spektakli është një nismë e mirë për t’u dhënë kooperativave trajnim të nevojshëm, por qeveria ka nevojë të bëjë më shumë për t’i ndihmuar të kenë sukses më shumë sesa të nxitojnë për krijimin e kooperativave pa mbështetjen e duhur.
“Ata duhet të vendosin frena disi, të lëvizin më ngadalë dhe të theksojnë më shumë cilësinë mbi sasinë”, tha ai. “Dhe mbi të gjitha, të përmirësojnë trajnimin”.

Kuba
Ekonomia e fundit komuniste
Sipërfaqja: 110 mijë kilometra katrorë
Popullsia: 11.1 milionë, në rënie
Densiteti: 102 banorë për kilometër katror
PBB: 71 miliardë dollarë
PBB për frymë: 6300 dollarë
Indeksi i Zhvillimit Njerëzor: 0.78, i lart, i 58 në botë
Monedhat: Peso dhe peso e konvertueshme

Related

Reportazhe 2887944812167322967

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item