Katar 2022, botërori “i pasur” me 400 viktima

Skllevër në vitin 2014 mund të shihen edhe në ndërtimet e një kompeticoni si Kupa e Botës. Një eveniment që zhvillohet për të forcuar kombet...

Skllevër në vitin 2014 mund të shihen edhe në ndërtimet e një kompeticoni si Kupa e Botës. Një eveniment që zhvillohet për të forcuar kombet, dhe jo për t’i ndarë



Probleme të mëdha në një botëror që është i kripur në para. Kështu, historia e suksesshme e vendeve arabe duket se nuk është aq e bukur sa kujtojmë. “Për atë që po ndodh në Katar në ndërtimin e stadiumeve për Botërorin e futbollit të vitit 2022 po përgatisim së bashku me FIFA-n një dokument për të përmirësuar një situatë që ka shifra lufte. Shpresojmë që të mos bëhet fjalë vetëm për premtime, sepse qindra punëtorë, pjesa më e madhe nga Nepali, kanë vdekur gjatë ngritjeve të stadiumeve”. Këto janë fjalët e zëvendëspresidentit të Federatës Botërore të Ndërtimit, Pierre Cuppens, në kuadër të fushatës “Karton i kuq për FIFA-n”, duke i thënë “jo” një botërori pa të drejtat e punëtorëve. Sipas disa përllogaritjeve të fundit, numri i personave që kanë humbur deri tani jetën në Katar është 400, por me ritmin aktual kjo shifër mund të arrijë në 4000 në vitin 2022. Cuppens zbulon se nga Katari drejt Nepalit nisen avionë me punëtorë të vdekur, për t’u kthyer të mbushur plot me punëtorë të tjerë që i pret i njëjti fund. Ata trajtohen si kafshë, me pagë minimale, në kushte të mjerueshme dhe pa siguri në punë, madje është rritur numri i punëtorëve në moshë të re që vdesin nga infarkti, për shkak të qëndrimit me orë të tëra në diell në temperatura shumë të larta. Për situatën e krijuar palët ia hedhin topin njëra-tjetrës. Autoritetet në Katar thonë se përgjegjësitë janë të firmave të ndërtimit, që nga ana e tyre mbrohen me faktin që është administrata qendrore në Katar që u ka lënë dorë të lirë në organizimin e punës. Ndërsa FIFA është shfajësuar që në krye të herës, duke deklaruar se nuk ka kompetenca për të kontrolluar atë që ndodh në këtë vend. Situata është përmirësuar disi javët e fundit, me presidentin e FIFA-s, Sep Blater, i cili ka pritur në Zyrih një delegacion të sindikatës, që është ankuar për këtë problematikë serioze. Takimi i radhës me FIFA-n, sipas Pierre Cuppens, do të mbahet javën e ardhshme në Moskë.

Kampionati që do të mbahet në dimër
Kampionati Botëror i futbollit “Katar 2022” nuk do të mbahet në verë, por në dimër. Derisa jemi në vitin kur mbahet botërori “Brazili 2014” kanë ardhur lajme se botërori tjetër, pas tetë viteve, që është caktuar të mbahet në Katar, nuk do të zhvillohet në muajt e zakonshëm qershor-korrik, por do të mbahet në mes të datave 15 dhjetor e 15 janar. “Këtë vendim duhet që përfundimisht ta miratojë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s”, – ka thënë sekretari i FIFA-s Valke. Në vitin 2022 në program janë edhe Lojërat Olimpike Dimërore. Presidenti i FIFA-së, Blatter nga respekti për Lojrat Olimpike, ka deklaruar se botërori do të ishte mirë të organizohet në fund të vitit 2022 në mënyrë që të mbetet kohë për Lojrat Olimpike”. “Ky vendim do të ishte pozitiv për faktin se lojtarët dhe shikuesit do të kurseheshin nga temperaturat tropikale të verës që në Katar arrijnë deri në 40 gradë celsius. Ndërsa në muajt e dimrit temperaturat në Katar janë rreth 25 gradë që do të ishte e përkryer për të zhvilluar futboll”, – ka thënë Valke.


Punëtorët në kushte shumë të vështira
Sikur të mos mjaftonin polemikat për zhvillimin e botërorit në verë apo në dimër, del në pah edhe një akuzë jashtëzakonisht e rëndë për shfrytëzimin e emigrantëve nepalezë që janë impenjuar në ndërtimin e infrastrukturës, një projekt prej 100 miliardë dollarësh që përfshin dhe ndërtimin e stadiumit 90 mijë vendesh për finalen, rrugë të reja e rrjete hekurudhore, që komplikon përgatitjet për botërorin e vitit 2022 në Katar. Skandali nxirret në dritë nga një raport i “The Guardian”, që flet për emigrantë të cilët trajtohen si skllevër dhe të shndërruar në klandestinë duke u marrë pasaportat dhe pa i paguar e mbi të gjitha të jenë pa ujë në mes të shkretëtirës pavarësisht temperaturave që arrijnë 50 gradë celsius në hije. Ndërsa punëtoret tregojnë se duan të largohen, por shoqëria për të cilën punojnë nuk i lejon dhe i detyron të punojnë me barkun bosh dhe të flenë nga 12 persona në një dhomë. Komiteti organizativ i botërorit komunikoi se është thellësisht i shqetësuar për akuzat, duke lajmëruar se autoritetet qeveritare po bëjnë një hetim në lidhje me çështjen. Kompania që ka përfunduar në shënjestër ia hodhi fajin personelit të saj drejtues, duke këmbëngulur se do t’i marrë të gjitha masat për të ndëshkuar ata që do të gjykohen fajtorë se kanë shkelur ligjin dhe kontratat e punës. Por ndërkohë, makina e botërorit vazhdon të ecë dhe, edhe pse të vetmet polemika që u jepet hapësirë mediatike janë ato për zhvillimin e eventit në dimër apo verë, injorohet fakti se për të ndërtuar stadiumet shumë emigrantë punojnë në turne që zgjasin tetë herë më tepër se një ndeshje futbolli.

Ish drejtuesi i FIFA-s: Gabim zgjedhja e Katarit
Ish-drejtuesi i FIFA-s, kiliani Harold Mayne-Nicholls, pranoi për “Daily Telegraph” se zgjedhja e Katarit si vend pritës të botërorit të vitit 2022 ishte një gabim i rëndë dhe një bast “shumë i rrezikshëm” i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit. Sipas tij, është bërë e domosdoshme që të rishikohen edhe një ofertë ofertat, për të caktuar një vend tjetër organizator, nëse emirati i vogël i Gjirit Persik nuk do të plotësojë kushtet për pritjen e këtij aktiviteti. “Duhet të ndryshojmë mënyrën se si votohet dhe përzgjidhet një vend fitues”, – deklaroi ish-drejtuesi i FIFA-s. “Ky sistem ka shumë probleme dhe nuk është më i pranueshëm”. Sipas Mayne-Nicholls, “përzgjedhja e Katarit tregon fuqinë e parave. Ata ishin shumë ambiciozë dhe investuan shumë për këtë. Megjithatë, Katari aplikoi këtë metodë edhe për Lojërat Olimpike, ata studiuan ofertën teknike dhe i thanë jo. Këtë duhet të kishte bërë FIFA”. I pyetur direkt për spekulimet se drejtues të FIFA-s pranuan ryshfete të majme për të votuar në favor të Katarit, Mayne-Nicholls nuk deshi të përfshihej në spekulime, duke thënë se “nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar këtë”./standard

Related

Sport 2675781208389294881

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item