INTERVISTA / Helmut Schmidt: Përse nuk do e “rekomandoja” demokracinë

Kohët e fundit, akademiku kinez, Wang Hui u ul për një bisedë me Helmut Schmidtin, politikanin e madh gjerman. Deri në vitin 2007, Wang Hui ...



Kohët e fundit, akademiku kinez, Wang Hui u ul për një bisedë me Helmut Schmidtin, politikanin e madh gjerman. Deri në vitin 2007, Wang Hui ka qenë botues i gazetës me ndikim, Dushu, si dhe autor i studimit në katër vëllime: “Ngritja e mendimit modern kinez”. Helmut Schmidt ka qenë kancelar i Gjermanisë nga 1974 deri në 1982 dhe e ka vizituar disa herë Kinën, për t’u takuar me Maon dhe Ten Hsiaopinin.

WANG HUI: Më duhet urtësia juaj për këtë cështje. Debati për reformën politike po zien jo vetëm mes intelektualëve, por edhe brenda Partisë Komuniste. Të gjithë e dinë që nevojiten reforma politike. Po si mund të realizohen? Cili do të ishte sugjerimi juaj për reforma politike në Kinë?

HELMUT SCHMIDT: (Duke bërë shaka) Falë Zotit nuk jam në vendin e Xi Jinping! Ka shumë probleme në të njëjtën kohë. Nga njëra anë mendoj që është mbresëlënëse dhe inkurajuese që ju kërkohet ta ndryshoni lidershipin cdo dhjetë vite, dhe që i zëvendësoni liderët e vjetër me më të rinj. Askush nuk qëndron më në pushtet aq gjatë sa Mao apo Teni. Nga ana tjetër si i huaj, si europian që jam, nuk kam vërtetë njohuri të thellë për Xi Jinpingun, dhe nuk e di me cfarë lloj njerëzish rrethohet.

Po për sistemin politik të partisë?

Mendoj që Teni nuk ka qenë i qartë sa duhet kur tha: “Po, ne duam një vend demokratik, por me tipare kineze”. Ishte i paqartë kuptimi i kësaj. Cilët janë tiparet kinezë? Mendoj se ju duhet të gjeni rrugën tuaj, dhe ju jeni tashmë një faktor i rëndësishëm në ekonominë botërore, doni apo nuk doni. Ky është fakt dhe ju nuk mund të ndalni reformat dhe hapjen, gjë që tani ndodh prej faktit që rritjen ekonomike do e keni prej eksporteve. Nëse provoni, do të krijoni dhjetëra miliona të papunë. Ajo që po bëni gabim ndaj ekonomisë botërore me surplus-in tuaj të tregtisë është vetëm pak më pak gabim se sa ajo që po bën Gjermania. Ne kemi një surplus më të madh në bilancin tonë tregtar se sa ju. Eshtë qesharake.

Ju thatë që është shumë e vështirë për Xi Jinping, për arsye se ai ndodhet në një situatë shumë të vështirë, me kaq shumë gjëra për të bërë në të njëjtën kohë. Disa njerëz në Kinë kanë pikëpamje të ndryshme për reformën politike. Disa duan të kopjojnë sistemin shumëpartiak të Perëndimit. Të tjerë argumentojnë se Kina ka nevojë për demokraci në nivel lokal si dhe disa mekanizma në krye, por jo domosdoshmërisht zgjedhje në nivel kombëtar. Cili është sugjerimi juaj?

Demokracia nuk është pika e fundme e njerëzimit. Në shekujt që do të vijnë mund të ketë zhvillime në shumë drejtime të ndryshëm. Demokracia ka ekzistuar vetëm për afro 200 vite. Ajo nisi me Deklaratën e Pavarësisë në Amerikë. Amerikanët i morën idetë e tyre prej europianëve, kryesisht nga francezët, holandezët dhe britanikët. Por demokracia ka një numër të metash serioze. Për shembull, duhet të zgjidhesh cdo katër vite dhe duhet të rizgjidhesh pas katër vitesh të tjerë. Kështu që, ti përpiqesh t’u thuash njerëzve atë që duan të dëgjojnë. Sistemi shumëpartiak nuk është kurorëzimi i progresit, por është më i miri që kemi për momentin. Do të luftoja për ta mbajtur, por nuk do t’ua shisja kinezëve. Britanikët ia shitën indianëve dhe pakistanezëve. Holandezët u përpoqën t’jua shesin indonezianëve. Demokracia në fakt nuk po funksionon në Indi. Unë nuk do u thoja egjiptianëve të fusnin demokracinë. As nuk do “ua jepja” vendeve të tjerë myslimanë, si Malajzia, Irani dhe Pakistani. Eshtë një shpikje perëndimore. Nuk u shpik nga Konfuci. U shpik nga Monteskjë dhe nga francezë të tjerë. U shpik nga Xhon Lok dhe nga holandezë të tjerë.

Shumë pak liderë të tjerë perëndimorë flasin kështu si ju për këto cështje.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që unë gabohem. Gjëja më kritike për demokracinë perëndimore, është fakti që zakonisht ka tranzicion pushteti pa gjakderdhje. Ky është një avantazh shumë i madh. Por gjithësesi, demokracia ashtu si ne e njohim u bë vetëm kohët e fundit në perëndim. Nuk është se funksionoi në Romën e lashtë. Funksionoi për më pak se 200 vite në Athinën e lashtë. Dhe më pas, nuk kishte funksionuar në asnjë vend tjetër të botës, përpara se amerikanët të shpallnin pavarësinë nga monarkia britanike. Edhe në kohën e Perikliut në Athinën e lashtë, kishte skllevër. Duhej të ishe qytetar i Athinës, dhe për cdo qytetar të Athinës kishte të paktën tre njerëz që s’kishin të drejtë të votonin dhe të paktën një e treta ishin skllevër. Edhe në Amerikë, skllavëria u pranua zyrtarisht në mesin e shekullit 19. Lufta Civile në demokracinë amerikane u zhvillua për skllavërinë. Këtë mos e harroni. Dhe deri në mesin e këtij shekulli, do të shihni që meksikanët dhe fëmijët e tyre, afro-amerikanët dhe fëmijët e tyre, së bashku do të përbëjnë gjysmën e elektoratit amerikan. Dhe kushdo që të zgjidhet president do të duhet të luajë atë që pëlqejnë veshët e këtyre zgjedhësve. Amerika do të ndryshojë, nga një fuqi botërore, në dicka të ndryshme. Edhe Kina do të ndryshojë. Dhe a do të mbetet demokraci apo jo, kjo është për t’u parë. Ndjesia ime është që ju nuk do të bëheni demokraci.

Si në sistemin shumëpartiak në Perëndim, ashtu dhe në sistemin e bashkëpunimit shumëpalësh nën udhëheqjen e një partie të vetme në Kinë, përfaqësimi i partive politike ka ardhur në rënie. Shumica e partive sot duken si parti-shtet, ku “placka” shpërndahet për interesat e organizuar që kanë kapur shtetin. Partitë nuk janë më organizata politike që përfaqësojnë forca të ndryshme shoqërore. Partia Komuniste kineze, për shembull, nuk është më Partia Komuniste në kuptimin e shekullit 20. Eshtë një parti shtet në kuptimin që është integruar pothuajse tërësisht në kuadrin e shtetit, dhe funksionon si e tillë, dhe jo si organizatë politike. Kjo gjë ka ndodhur edhe nëpër botë. Ajo që po vërejmë është sistemi politik që shkëputet prej shoqërisë. Duhet të mendojmë për një tjetër lloj politike. Demokracia është një vlerë shumë pozitive, por nuk është për të gjithë. Në këtë kuptim, unë nuk reshtohem me liberal demokratët, as edhe me socializmin tradicional. Shumëkush mund të mendojë se Partia Komuniste ende e pranon socializmin si pozitiv, dhe që mund të konvertohet në traditën e dikurshme. Kjo është e pamundur, sepse ka kaq shumë grupe të ndryshëm interesi brenda partisë. Kur partia nuk është më përfaqësuese e popullit, kemi nevojë për organizata autonome punëtorësh dhe fshatarësh si dhe organziata të tjera shoqërore për të shprehur zërin e tyre në politikëbërjen në sferën publike. Unë i quaj “post-parti”. Dhe të gjithë kemi nevojë që politikën ta bëjë jo partia, por edhe kongresi që përfaqëson interesa më të gjerë. A mendoni që mund të shohim shfaqjen e një sistemi “post partiak”?

Ju jeni me siguri në një sistem postkomunist, por nuk keni hyrë në epokën e re. Gjithashtu kam dyshime që do të mbeteni një sistem njëpartiak. Mund të ndodhë gjithmonë një ngjarje e madhe. Në historinë e Kinës, keni patur shumë ndryshme të mëdhenj dhe jam i sigurtë që do të keni edhe në të ardhmen.

Cili është komenti juaj për fuqinë e medias në botën e sotme?

Për momentin, janë shumë të fuqishme. Unë besoj në demokracinë e përfaqësimit. Mediat po e dëmtojnë këtë lloj demokracie. Sidomos që nga kompjuterizimi i botës, impakti i medias është rritur shumë. Librat e printuar dhe mediat e printuara janë bërë më pak të rëndësishme. Përse dikush duhet të lexojë Laozin apo Konfucin, kur mund ta kërkojë në Google?

Zhvillimet në media duket se e kanë bërë politikën gjithnjë e më të vështirë. Me internetin ke një reagim të menjëhershëm për atë që ke bërë. Kjo është një sfidë e madhe edhe për politikanët kinezë. ka një paradoks. Nga njëra anë, për shkak të krizës së Weibo-s, qeveria kineze mund të duket kokëfortë dhe joreaguese. Por ndonjëherë qeveria ka bërë shumë kompromise, rezultatet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht të mirë, me qëllim që të kënaqë opinionin publik.

Epo, edhe në Kinë qeverisë i duhet të kënaqë popullin.

Kina është sot ekonomia e dytë më e madhe në botë. Shumë ekonomistë argumentojnë se në 2030-ën, Kina do të jetë ekonomia numër një.

Kjo do të ndodhë, në 2030 apo në 2040, nuk e di. Eshtë një ndryshim i madh në historinë globale.

Në të njëjtën kohë, situata në Azinë Lindore është përkeqësuar. Që nga Dinastia Qing, Japonia ka qenë vendi më i fuqishëm në të gjithë rajonin, dhe nuk ka qenë e përgatitur të shohë rigjallërimin e Kinës. Shumë prej miqve të mi japonezë më thonë që mënyra më e mirë për të ecur përpara, për Japoninë, është integrimi në Azi, me qëllim që të mos izolohet në rajonin e vet.


Eshtë fakt që Japonia nuk ka miq në rajon – as filipinasit, as koreanët, as rusët, as kinezët, as indonezianët. I kanë pushtuar të gjithë këta vende. Ata nuk e kuptojnë që të gjithë fqinjët i urrejnë, pavarësisht faktit që japonezët e sotëm nuk kanë kryer asnjë krim. Gjermania, sigurisht kreu më shumë krime lufte se kushdo tjetër. Por ndryshe nga Japonia, ne kemi patur fatin e madh që kemi patur fqinjë, të cilët na kanë ndihmuar të lëmë pas të kaluarën. Ne kemi shprehur hapur keqardhjen për atë që kanë bërë etërit tanë. Kështu që sot, gjermanët kanë mundur të integrohen sot në një projekt të madh europian që, pavarësisht problemeve, e bën të pamundur luftën mes shteteve europianë. Në Azi, një konflikt ushtarak mes japonezëve dhe të tjerëve në rajon nuk mund të përjashtohet tërësisht. Po të isha politikan kinez, do të prisja i qetë që demografia të bënte punën e vet. Do të vazhdoja politikën e perandorëve kinezë. Do ia lija kohës, teksa ngjarjet do të hynin në rrugën e pashmangshme. Në 2050, Kina do të ketë 1.5 miliardë banorë. Japonia do të ketë vetëm 120 milionë, ose më pak. Po të isha kinez, do të prisja dhe shihja sa kohë do të duhej deri kur japonezët do të vinin të sillnin dhurata. Thjeshtë jepuni kohë, e mos luftoni me ta për këta ishujt qesharakë Diaoyu./bota.al

Related

Intervista 6868293390952701275

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item