IDE / “Vdekja” e individualitetit

Alex Pentland The New Scientist Për pjesën më të madhe të historisë së Perëndimit, e vërteta dhe morali buronin prej Zotit dhe mbretit, dhe ...

Alex Pentland
The New Scientist

Për pjesën më të madhe të historisë së Perëndimit, e vërteta dhe morali buronin prej Zotit dhe mbretit, dhe vullneti i lirë ishte një cështje teologjike. Kjo gjë filloi të ndryshojë në vitet 1700, dhe ideja që qeniet njerëzore ishin individë që kishin lirinë e zgjedhjes racionale shumë shpejt zuri vend në sistemet e besimit të niveleve të lartë të shoqërisë.
Me kalimin e kohës, konceptet e racionalitetit dhe individualizmit formësuan që në themel qeveritë dhe kulturën e Perëndimit.
Po deri në cfarë mase jemi ne individë që mendojmë lirshëm? Pyetja ka rëndësi sepse, ekonomia dhe shumica e shkencave konjitive, kanë në themel të tyre konceptin e një individi të pavarur. Ndoshta është ky supozim që ka shkaktuar vështirësitë e hasura nga këto disiplina, në llogaritjen e fenomeneve si fluskat financiare, lëvizjet politike, panikun në masë dhe trillet e teknologjisë.
Studimet e kohëve të fundit po fillojnë të zbulojnë se deri në cfarë mase ne veprojmë si individë të pavarur. Duke kombinuar të dhëna nga telefonët celularë, kartat e kreditit, mediat sociale dhe burime të tjerë, tani mund të vëzhgojmë qeniet njerëzore, në po të njëjtën mënyrë si biologët vëzhgojnë kafshët në habitatet e tyre natyrorë, duke përdorur kamerat apo tingujt. Prej këtyre sjelljeve të njerëzve, ne mund të prodhojmë rregulla matematikorë të sjelljes – një “fizikë sociale”, e cila ofron një kuptim të besueshëm të mënyrës se si informacioni dhe idetë rrjedhin nga njëri person tek tjetri. Kjo fizikë sociale na tregon se si rrjedha e ideve formëson kulturën, produktivitetin dhe prodhimet krijues të kompanive, qyteteve dhe shoqërive.
Për të zhvilluar këtë shkencë, studentët e mi dhe unë kemi studiuar laboratorë të gjallë. Duke shpërndarë telefonë celularë për të gjithë banorët e disa komuniteteve të vegjël, ne mund të gjurmonim ndërveprimet e tyre shoqërorë me njerëzit – të afërm, miq dhe të njohur – dhe në të njëjtën kohë të ngrinim pyetje për shëndetin e tyre, prirjet politike dhe shpenzimet. Për shembull, kur shikonim shtimin e peshës, zbuluam që njerëzit fitojnë zakone të tjerë nga ekspozimi ndaj zakoneve të miqve, dhe jo vetëm përmes ndërveprimit me ta. Kjo do të thotë që, kur të gjithë të tjerët në zyrë marrin një petull, edhe ti ndoshta do ta bësh këtë gjë. Në fakt, ky lloj ekspozimi rezultoi më i rëndësishëm se sa të gjithë faktorët e tjerë të marrë së bashku, duke nxjerrë në pah rëndësinë e madhe të mësimit automatik social në jetët tona. Zbuluam që po ky model ishte i vërtetë edhe për votimet dhe konsumin.
Faktori më i madh që nxit adoptimin e sjelljeve të reja ishte sjellja e të ngjashmëve. Thënë ndryshe, efektet e këtij lloj mësimi social ishin pothuajse të barabartë me ndikimin e gjeneve në sjelljen e njeriut, apo të IQ në performancën akademike.
Logjika është e drejtpërdrejtë. Nëse dikush tjetër ka investuar për të mësuar një lloj sjelljeje të dobishme, atëherë është më e lehtë ta kopjosh atë se sa të mësosh vetë që nga fillimi. Nëse të duhet të mësosh një sistem të ri kompjuteri, përse të lexosh manualin, kur mund të shohësh dikë tjetër, i cili e ka përdorur tashmë sistemin? Njerëzit gjithmonë e më shumë mbështeten tek mësimi social dhe janë më eficientë për shkak të tij. Eksperimente si ata të grupit tim kërkimor, na tregojnë se me kalimin e kohës ne zhvillojmë një seri të përbashkët zakonesh, për mënyrën si të reagojmë në situata të ndryshme, dhe këta zakone kryesisht automatikë zënë pjesën më të madhe të sjelljes sonë të përditshme. Në këtë këndvështrim, ndoshta duhet që të pyesim se sa të rëndësishme janë zgjedhjet individuale, krahasuar me këta zakone të përbashkët.
Edhe një herë, fuqia e ndarjes së ideve, përkundrejt mendimit individual, është e qartë. Kur studiojmë vendim-marrjen në grupe të vegjël, zbulojmë që modeli i komunikimit – kush i foli kujt, dhe sa shumë folën – është shumë më i rëndësishëm se sa karakteristikat e individëve. Në studime të vendeve të punës, që variojnë nga qendrat e telefonatave, e deri tek grupet e zbulimit të ilaceve të rinj, modelet e komunikimit janë zakonisht faktori i vetëm më i rëndësishëm si në produktivitet, ashtu edhe për produktet krijues. Dhe në studimin tonë, të kryer në 300 qytete në SHBA dhe në Europë, variacionet në modelet e komunikimit ishin faktori themelor në ndryshimin e fitimeve të kompanive të ndryshme – shumë më të rëndësishëm se sa variacionet në arsimim apo strukturën klasore. Të ardhurat për person rriten në mënyrë eksponenciale teksa gjithnjë e më shumë njerëz ndajnë idetë e tyre, kështu që është ndarja e ideve që shkakton rritjen ekonomike, dhe jo fakti që janë më shumë individë që kontribuojnë.
Në vend të racionalitetit individual, shoqëria jonë duket se udhëhiqet nga një inteligjencë kolektive që vjen prej prurjeve të ideve dhe shembujve. Ne mësojmë nga të tjerët në mjedisin tonë, dhe ata mësojnë prej nesh. Një komunitet me anëtarë që angazhohen në mënyrë aktive me njëri-tjetrin krijon një grup me zakone dhe besime të përbashkët dhe të integruar. Ajo që fizika sociale tregon është se, kur prurja e ideve përfshin edhe një rrjedhë konstante idesh që vijnë nga jashtë, atëherë individët në komunitet marrin vendime më të mirë, se sa në rast se do të arsyetonin në mënyrë të izoluar.
Eshtë koha që të hedhim poshtë “fiksionin” e individit si njësi e racionalitetit, dhe të pranojmë që racionaliteti ynë përcaktohet prej “materialit” shoqëror që na rrethon. Në vend të jemi aktorë në tregje, ne jemi bashkëpunëtorë në përcaktimin e të mirës publike. Në të vërtetë, kërkimi ynë ka demonstruar se njerëzit janë shumë më të ndikuar prej rrjeteve të tyre socialë, se sa prej stimujve individualë. Për shembull, në një eksperiment që synonte nxitjen e sjelljes së shëndetshme ne krahasuam strategjinë ku u jepnim individëve para të thata në dorë për përmirësimin e sjelljeve të tyre, me strategjinë e dhënies së këtyre parave tek miqtë e pjesëmarrësve. Zbuluam se shpërblimi i miqve ishte katër herë më efektiv se sa shpërblimi në dorë i pjesëmarrësve.
Stimuj të ngjashëm të rrjeteve socialë kanë sjellë rezultate më të mirë kur janë përdorur për të nxitur kursimin e energjisë apo votimin.
Kjo fuqi e “materialit” shoqëror në vendim-marrjen individuale është në fakt arsyeja e vërtetë përse privatësia është kaq e rëndësishme. Fuqia e ndikimit social mund të shtyjë njerëzit drejt sjelljeve të mira ose të këqia, dhe mund ta transformojë sjelljen tonë në një masë pothuajse të pabesueshme.
Pa privatësinë, fuqia e korporatave apo qeverive për të manipuluar sjelljen tonë bëhet praktikisht e pakufishme. Përgjigja ndaj problemit të privatësisë është të përdoren rrjete të besueshëm – ata lloje kompjuterësh që përdorin bankat për të transferuar paratë, pa zbuluar informacione të panevojshëm. Rrjete të tillë ju lejojnë të kontrolloni informacionin mbi ju, e si pasojë të kufizoni aftësinë e të tjerëve për t’ju manipuluar. Por kjo është një tjetër histori.

Related

Psikologji 4034015869666744672

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item