HISTORI / Napoleon Bonaparti, Perandori i paradokseve

Një prej miteve më të qëndrueshëm që rrethon një prej Të Mëdhenjve të historisë, dhe si ai dominoi imagjinatën e shekullit nënt...

Një prej miteve më të qëndrueshëm që rrethon një prej Të Mëdhenjve të historisë, dhe si ai dominoi imagjinatën e shekullit nëntëmbëdhjetë jashtë Francës

A.D. Harvey
Historian



Napoleon Bonaparti ka dominuar imagjinatën e shekullit 21, më shumë se sa cdo figurë historike ka dominuar imagjinatën e ndonjë shekulli. “A nuk është ai i pakrahasueshëm në historinë e botës, si ushtarak dhe një burrë shteti?” pyeste George Ponsonby, lider i opozitës liberale në parlamentin britanik 5 vjet përpara betejës së Vaterlosë: “Unë them se është njeriu më i madh që është shfaqur ndonjëherë mbi Tokë. Nuk e kam fjalën për karakterin apo moralin e tij. Flas për forcën e aftësive të tij, si dhe energjitë e mendjes”.

Në vitin 1817, juristi dhe politikani danez, Tage Algreen Ussing, më vonë kryetar i bashkisë së Ko- penhagenit ka shkruajtur: “Për aq kohë sa do të zgjasë bota, do të ketë vetëm një Napoleon mbi Tokë”. Ndërsa për Gëten, “jeta e tij ishte rendja me hapa gjigantë e një gjysmë-perëndie”.

Thuhet se gjatë periudhës kur ushtria e Napoleonit ishte në Boulogne, në përgatitje për të pushtuar Anglinë, nënat angleze i qetësonin fëmijët e tyre të pabindur duke u thënë se “Boney” do të vinte t’i merrte nëse nuk silleshin mirë; por në kulmin e fuqisë së tij, Napoleoni shihej si një forcë e të mirës, edhe për shumë prej atyre që luftuan fort kundër politikave të ndjekura prej tij. Publicisti gjerman, Friedrich Gentz, për shembull, e ka përshkruar Bonapartin në vitin 1798 si “krijuesin e republikave italiane”, por shumë shpejt ai nisi të ngrejë pyetjen, se ai mund të mos jetë njeriu që do t’i japë Francës qeverinë e qëndrueshme që i nevojitet. Në vitin 1813, Gentz kishte arritur në përfundimin se Napoleoni duhej të qëndronte në fronin e tij, nëse qe e mundur, si një kundërpeshë e domosdoshme ndaj ambicieve hegjemoniste të Prusisë dhe Ru- sisë.

Edhe ata më zëlartët në denoncimet e tyre ndaj Napoleonit, ia pranonin meritat e jashtëzakonshme. Për poetin Robert Southey, ai ishte “një i keq, që spikaste mes më të këqinjve”: por edhe vetë Soothey, kur shkruante për “ato krime që e kanë njollosur shpirtin e tij me një bojë edhe më të thellë se sa ngjyra vjollcë për të cilën i kreu – ato akte pabesie, vrasjesh në mesnatë, uzurpimi dhe tiranie të pamëshirshme që e kanë shkruajtur emrin e tij në urrejtjen universale tani dhe përgjithmonë” – pranonte lirshëm se përpara vitit 1798 “karriera e tij kishte qenë e lavdishme… dhe ajo ishte shquar për një seri suksesesh, të pashembullt në kohërat moderne”.

Sir Walter Scott, pothuajse po aq armiqësor ndaj Napoleonit sa edhe Southey shkruajti pas vdekjes së Perandorit se fajet e tij “ishin më shumë ato të një sovrani dhe politikani, se sa të një individi”.

Ishte forca e pazakontë e ambicies që e shndërruan Napoleonin në “kamzhik” të Evropës; ishin përpjekjet e tij për të fshehur ato parime egoiste që e bënin të kombinonte hilenë me forcën, si dhe të krijonte një sistem të rregullt për të mashtruar ata të cilë nuk i nënshtronte dot. Nëse ai do të kish qenë nga natyra një mizor i ftohtë, si për shembull natyra e Oktavianit, apo nëse do t’i kish lënë rrugë të lirë nxehtësisë së tempera- mentit, ashtu si despotët e tjerë, historia e tij private ashtu si edhe ajo e fushatave të tij do të ishte shkruajtur me shkronja gjaku… është e rrallë brenda kapacitetit të atyre, hapat e të cilëve i kanë bërë të ecin përtej rrugës së mesme të jetës, që të vlerësojnë ose forcën, ose tundimet të cilëve ai iu dha, apo forcën e mendjes me të cilën iu kundërvu atyre që mundi t’u rezistonte.

Historia zyrtare e shkollës gadishullore, urdhëruar nga Mbreti i Spanjës shfaqi në mënyrë elokuente tiparet kontradiktore të karrierës së “një njeriu që kish qenë dikur pasionant për lavdinë, dhe një tiran, një rojalist, një republikan dhe një perandor, i cili në mënyrë të padallueshme mund të mbante veshur tyrbe të mysli- manëve, kapela të jakobinëve, kurorën e Charlemagne si dhe diademën e Cezarëve”.

Por një herë që ai ishte mposhtur dhe dëbuar përfundimisht në Shën Helenë – “me oqeanin e gjerë si burg dhe të gjithë mbretërit si rojtarë”, sic e ka përshkruar një poet italian – Napoleoni ishte natyrshëm shumë pak interesant për zëdhënësit zyrtarë; nga ana tjetër, atëherë kur ai nuk përfaqësonte më autoritarizmin energjik, u shndërrua në një hero për ata që kundërshtonin rendin politik, që u rivendos pas Vaterlosë.

Shkrimtari venecian Ugo Foscolo e përshkruante Napoleonin në vitin 1814 “si një tiran të pandreqshëm… me ide sublime e megjithatë një shpirt vulgar; një gënjeshtar pa motive për të gënjyer… një sharlatan edhe kur ishte i gjithëpushtethëm në fuqinë e tij”. Megjithatë, edhe Foscolo kishte shpresuar se veprimet e tij “mund të hapin rrugën, në mos për pavarësinë e Italisë, të paktën për përpjekje të tilla mendjehapura, për të bërë veprime që nderojnë italianët”.

Polakët i ishin përjetësisht mirënjohës Napoleonit për shkak se ai krijoi Dukatin e Madh të Varshavës, pavarësisht se bëhej fjalë për një shtet kukull e të cunguar. Në një broshurë të botuar atje me rastin e njëqind vjetorit të vdekjes së tij thuhej: “pas copëtimit të Republikës tonë (ndarjet e Polonisë në 1772- 1795), Napoleoni ishte i pari që lëshoi vetëtimat e tij kundër pushtuesve tanë, që theu dyert e burgut tonë, që na hapi dyert e lirisë”.

Adam Mickiewicz, poeti më i madh i Polonisë e konsideronte si krijuesin e një epoke të re dhe si një model për të gjithë ata që ishin të përgatitur për të luftuar dhe për të vuajtur për lirinë. Shoqëruesi i tij, mistiku Andrzej Tovianski, që besonte se shumë shpejt një burrë me forcë unike dhe pastërti shpirtërore të paprecedentë do të shfaqej mes sllavëve, për t’i shpëtuar ata dhe përmes tyre të gjithë njerëzimin, e shihte Napoleonin si një lloj pararendësi të një shpëtimtari të tillë.

Në Angli, William Hazlitt, i zemëruar nga spektakli i monarkive të trashëgueshme të Evropës që konsolidonin pushtetin e tyre pas humbjes së Napoleonit, e shihte atë si njeri që u rezistonte sulmeve të kësaj makinerie gjigande shtypëse. Në librin e tij “Jeta e Napoleon Bonapartit” (1828), ai shkruajti se si Napoleoni “vendosi këmbën e tij në qafën e mbretërve, të cilët nga ana e tyre do të kishin vendosur zgjedhën e tyre mbi qafën e popujve”. Hazlitt nuk mohonte se Napoleoni ishte një tiran, por pretendonte se kish një lloj virtyti në tiraninë e tij: “Nëse ai ishte ambicioz, madhështia e tij nuk e kish bazën në dorëzimin e pakusht dhe të shpallur hapur të të drejtave të natyrës njerëzore. Por me të, u ngjit në lartësi të reja edhe gjendja e njeriut. Nëse ai ishte arbitrar dhe tiran… ai nuk ishte dhe as nuk do të bëhej ndonjëherë një tiran me të drejtë hyjnore. Tirania brenda tij nuk ishte e shenjtë; nuk ishte e përjetshme; nuk ishte e lidhur instiktivisht në miqësinë me tirani të tjera; nuk ishte e sanksionuar nga të gjithë ligjet e fesë dhe moralit”.

Sipas këndvështrimit të Hazlitt, Napoleoni mendonte se nuk përbënte grabitje fakti që të ishte i barabartë me Mbretër dhe Cezarë: “… ai u ngjit në atë lartësi që nga niveli i njerëzve, dhe kështu vërtetoi se nuk ekziston një inferioritet natyror në një kauzë, dhe nuk ka superioritet natyror në një kauzë tjetër”. Sir William Napier, i cili luftoi kundër ushtrive të Napoleonit në Luftën Gadishullore dhe më vonë shkruajti atë që shërbeu për një shekull si rëfimi klasik i fushatave në Spanjë dhe Portugali, thoshte se: “ndërkohë që ai sakrifikoi lirinë politike, e cila në pjesën më të madhe të njerëzimit nuk kish qenë asnjëherë më shumë se sa thjeshtë një tingull i kënaqshëm, ai ushqente me një kujdes shumë të madh parimin e barazisë, një e mirë e ndjeshme e cila prodhonte rritje të kënaqësisë, teksa buron nga shkalla e shoqërisë. Ky, parimi i vërtetë i qeverisë së tij dhe sekreti i popullaritetit të tij, e shndërruan atë në monarkun e popullit, dhe jo sovran të aristokracisë”.

Po kështu, eseisti amerikan Uilliam Emerson mendonte se “instikti i njerëzve të guximshëm dhe të aftë në të gjithë klasën e mesme, kudo e ka nxjerrë Napoleonin si personifikim të një demokrati”.

Spas Sir Walter Scott “Napoleoni u bë kundërshtar i pushteteve të krijuar dhe vendosur tashmë, jo sepse ai vinte në diskutim karakterin e qeverisjes së tyre, por sepse ata nuk do ta pranonin atë në rrethin e tyre të ngushtë”, dhe një numër jo i vogël vëzhguesish mbështesnin idenë se ana pozitive e arritjeve politike të Napoleonit ishte thjeshtë një nënprodukt aksidental i ambicieve të tij destruktive. Eduard John Trelauny, një mik i Shelley dhe Byron shkruante në vitin 1831 se “në fakt ai ka shkundur fuqishëm disa prej matufëve të paralizuar të së shkuarës, që nga fronet e tyre që po thërrmoheshin për shkak të krimbave… e megjith- atë, duke bërë këtë gjë, ai mendoi më kot që të përjetësonte tiraninë duke zëvendësuar despotët ushtarakë… ne nuk i jemi atij boxh për asgjë, pasi ai nuk projektoi asgjë tjetër përvec të keqes”.

Shkrimtari gjerman, Gustav Graf von Schlabrendorf e krahasonte Napoleonin me perandorin romak, Tiberius i cili teksa hynte në Senat thërriste: ‘O hom- ines ad servitum paratos!’ ‘O njerëz të bërë për të qenë skllevër”. Pra, ai që nuk dëshironte lirinë publike ishte i indinjuar prej durimit të përbuzshëm të skllevërve.

Më shumë se dy shekuj pas fitoreve të tij të para kundër ushtrisë austriake në Itali, e vetmja gjë që cdokush kujton në lidhje me Napoleonin është se ai ishte një gjeneral i madh; e megjithatë, sic e demonstrojnë edhe të gjithë citimet e mësipërm, ishte Napoleoni si figurë politike, dhe jo Napoleoni si gjeni ushtarak që mbërtheu imagjinatën e bashkëkohësve të tij.

Thomas Jefferson, i cili ishte President i Shteteve të Bashkuara në kohën kur Napoleoni u bë perandor, mendonte atëherë se ky ishte në tërësi një këndvështrim shumë i gabuar: “Bonaparti ishte një luan vetëm në fushëbetejë. Në jetën e tij civile, ai ishte një uzurpator gjakftohtë, përllogartës, i paprinciptë, pa pikë virtyti. Ai nuk ishte aspak një burrë shteti, nuk dinte asgjë për tregtinë, ekonominë politike, apo qeverisjen civile, dhe ai ofronte injorancë me një guxim të tepruar”.

Ky lloj verdikti nuk është tërësisht i pajustifikuar. Sipas burrit të madh të shtetit austriak, Metternich, i cili kishte shërbyer si ambasador në oborrin e Napoleonit, “ai u shndërrua në një ligjvënës dhe administrator, ashtu sikurse u bë edhe ushtar duke ndjekur instiktin e tij… atij nuk i pëlqenin idetë e paqarta, dhe urrente në po të njëjtën mënyrë ëndrrat e vizionarëve si dhe abstraksionet e idealistëve, dhe e konsideronte si marrëzi cdo gjë që nuk i paraqitej atij në mënyrë sa më të qartë dhe praktike”.

Një rezultat i kësaj ishte se politikat e tij, për shembull, në lidhje me financat publike dhe ekonominë ishin reaksionare dhe vetëmbrojtëse, dhe dy arritjet e tij më të qëndrueshme në qeverisjen civile, sistemi metrik dhe Kodi Napoleonist ishin vepër e të tjerëve, dhe që kishin nisur në një kohë kur ai kish qenë ende as një vartës artelier. Dhe meqë ra fjala, ndonëse ishte një gjeneral i jashtëzakonshëm, ai nuk ishte gjenerali më i madh i kohës së tij. Wellingtoni nuk u mposht asnjëherë, megjithëse ky nuk luftoi asnjëherë kundër një ushtrie e cila nuk ishte më e fortë se sa e tija; Napoleoni u mposht në tri beteja të mëdha (në Aspern në vitin 1809, në Leipzin në vitin 1813 dhe nga Wellingtoni në Vaterlo në vitin 1815) dhe dy prej fitoreve të tij ishin praktikisht barazime (në Eilau në vitin 1807 dhe në Uagram në vitin 1809).

Edhe ngjitja e tij në fronin e diktatorit të Francës nuk i dedikohej tërësisht suksesit në fushë-betejë. Ndonëse Sir William Napier shkruante në vitin 1828 se Republika Franceze po shpëtohej nga kolapsi ushtarak “nga gjenia i mrekullueshëm i Napoleonit, duke hedhur poshtë të gjithë përllogaritjet e arsyeshme”, dy prej fitoreve më dërrmuese që arritën ushtritë franceze gjatë gjysmës së parë të karrierës së tij aktive ishin fitorja e Massenas ndaj rusëve në Zyrih në vitin 1799 dhe triumfi i Moreau ndaj austri- akëve në Hohenlinden në 1800. Megjithatë, Napoleoni kishte aftësi politike si dhe një oreks për pushtet politik, të cilat u mungonin Massenas dhe Moreaut.

Megjithatë, përgjithësisht sot nuk kuptohet në tërësinë e saj rëndësia që kishte Napoleoni për bashkëkohësit e tij, sidomos atëherë kur qëndrimi i tij politik shihet si një lloj transferimi prej famës ushtarake. Napoleoni ishte një lloj i ri udhëheqësi. (Cromwelli e kishte provuar të gjithë këtë por ai kish qenë shumë më pak i vetëdijshëm dhe e kish gëzuar shumë më pak rolin e tij). Ai bënte që gjërat të ndodhnin. Ai bëri që jeta publike si dhe mundësitë e veprimeve të përbashkët të dukeshin të ndryshme: Gëte ekzagjeronte vetëm shumë pak kur thoshte në vitin 1824 se “cdokush që ka punuar nën Napoleonin e ka shkundur botën, asgjë nuk duket më e pamundur”.


Në retrospektivë, mund të thuhet se suksesi në fushëbetejë ishte një mënyrë për të arritur këtë lloj push- teti: por nuk ishte i vetmi. Në shekullin e njëzetë, Ataturku dhe Mao u ngjitën në rolet e liderëve kombëtarë (dhe në një status pothuajse Napoleonik) si rezultat i sukseseve të tyre në luftë, por Hitleri dhe Musolini e morën pushtetin duke shfrytëzuar dështimet në kohë paqeje. Triumfi i Napoleonit si gjeneral mund të ketë qenë tipari më mbresëlënës dhe më i mirënjohur i karrierës së tij, por nëse dëshiron të kuptosh historinë e diktaturave moderne, duhet që ta shohësh atë jo si një gjeneral që u bë diktator, por si një diktator i cili ishte edhe gjeneral. Por është e vërtetë që për bashkëkohësit e tij, gjenia e tij në fushën ushtarake ishte cilësia më mbresëlënëse e Napoleonit./bota.al

Related

Histori 9141934527699767625

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item