Gjermania dhe Rusia, midis romantizmit dhe luftës

Der Spiegel Shumë gjermanë ndiejnë se kanë një lidhje të veçantë me Rusinë. Kjo e bën krizën në Ukrainë shumë të rrezikshme për Berlinin, pa...

Der Spiegel

Shumë gjermanë ndiejnë se kanë një lidhje të veçantë me Rusinë. Kjo e bën krizën në Ukrainë shumë të rrezikshme për Berlinin, pasi ajo ngre pyetje të rëndësishme lidhur me natyrën e vërtetë të identitetit gjerman. A janë gjermanët aq të rrënjosur në Perëndim, sa besojnë shumica?
Deri në ditët e sotme, gjermanët dhe rusët ruajnë një lidhje të veçantë. Nuk ka vend tjetër dhe popuj të tjerë me të cilët marrëdhëniet e gjermanëve të jenë sa emocionuese, aq edhe kontradiktore. Kjo lidhje gjendet e rrënjosur në historinë e familjes gjermane, e krijuar nga dy luftërat botërore dhe nga ekzistenca 40-vjeçare e Gjermanisë Lindore. Familjet gjermane njohin historitë e rusëve të ashpër, por edhe të rusëve zemërmirë dhe bujarë. Gjermanët përçmojnë primitivitetin rus, por çmojnë kulturën dhe shpirtin e tyre. Marrëdhënia gjermano-ruse është aq ambivalente sa perceptimi që kanë gjermanët për karakterin e rusëve.
“Kur vjen fjala tek lidhjet midis gjermanëve dhe rusëve, ka një luhatje midis afeksionit të thellë dhe kundërshtimit të plotë”, thotë shkrimtari gjerman Ingo Schulze, autor i librit të kritikuar “Tregime të thjeshta”, një roman që trajton identitetin e Gjermanisë lindore dhe ribashkimit të vendit.
Ndonjëherë rusët perceptohen si “Ivani i tmerrshëm”, si entitete të huaja, si aziatikë. Rusët i trembin gjermanët, por këta të fundit i shohin edhe si njerëz mikpritës, pasi ata kanë një territor jashtëzakonisht të madh, një shpirt dhe kulturë të pasur dhe vendi i tyre ka lindur Çaikovsin dhe Tolstoin. Ndaj nuk është çudi që debati për rolin e Rusisë në Ukrainë është një çështje më e polarizuar sesa shqetësimet aktuale të politikës gjermane. Për Gjermaninë, kriza e Ukrainës nuk është një problem i largët, si Siria ose Iraku, pasi ajo shkon deri në thelb të çështjes së identitetit gjerman.
Ku qëndrojnë gjermanët në raport me Rusinë? Nga kërcënimi që vjen nga konflikti i ri Lindje-Perëndim, kjo pyetje ka fituar rëndësi në Gjermani dhe mund t’i detyrojë gjermanët të ripozicionohen, ose të paktën, të ripërcaktojnë pozicionin e tyre në Perëndim.
Në javët e fundit, një debat ka kapluar ata që simpatizojnë Rusinë dhe ata që e kundërshtojnë atë. Pozicionet kanë qenë ekstreme. Një nga masat kryesore është se BE-ja dhe NATO-ja e kanë ndëshkuar Moskën për ekspansionin e saj drejt lindjes.
“Romantizëm dhe luftë”
Ka disa shpjegime të mundshme për lidhjen midis gjermanëve dhe rusëve: interesat ekonomike dhe anti-amerikanizmi i rrënjosur thellë në të dyja vendet, në të dyja anët e spektrit politik. Por këto janë dy arsye sipërfaqësore, nëse gërmojmë më thellë, do të gjejmë dy shpjegime të tjera: romantizmi dhe lufta.
Shpjegimi i luftës lidhet thellësisht me fajin gjerman. Si një vend që ka bërë krime monstruoze ndaj rusëve, gjermanët ndiejnë nevojën për të qenë bujarë, madje edhe kur merren me shkeljet e të drejtave të njeriut nga Rusia. Ndaj, shumë gjermanë ndiejnë se Berlini duhet të ulë kritikat ndaj Rusisë dhe të marrë një pozicion të moderuar për krizën ukrainase. Ishte Gjermania ajo që vrau 25 milionë njerëz në emër të ruajtjes së racës. Një ekspert rus në Gjermani e përshkruan këtë si “rusofili” dhe thotë se ajo është një mënyrë për të kompensuar të shkuarën naziste të Gjermanisë.
Mirëpo, edhe sot, lufta vazhdon ende të jetë një urë lidhëse midis gjermanëve dhe rusëve. Lidhja e tyre karakterizohet nga “intimiteti i marrëdhënies që u krijua pas dy luftërave”, thotë një profesor i teorisë politike në Universitetin Humboldt. Ai e përshkruan lulftën si një pervojë të ndarë nga të dyja kombet dhe argumenton se konflikti krijon një dinamikë më të fortë në komunitet, sesa paqja. Si rezultat i luftës, gjermanët mësuan diçka: të mos e sulmojnë kurrë Rusinë.
Mirëpo gjermanët kanë edhe ide “romantike” për Rusinë, pasi ajo është idealizuar gjithmonë nga gjermanët.
“Lindja ka qenë një vend i dëshiruar për gjermanët”, shpjegon profesori. Zgjerimi dhe hapësira e pafundme e tokës ruse ka qenë gjithmonë një subjekt i fiksimit gjerman për një jetë më të thjeshtë, pranë natyrës dhe të lirë nga pengesat e qytetërimit. Miliona gjermanët e përjashtuar nga Europa Lindore dhe të detyruar për të shkuar në Perëndim pas vitit 1945 e kanë intensifikuar këtë ndjesi.

Related

Shtypi i huaj 6348498543086243484

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item