Epidemia e ngacmimeve seksuale të Lindjes së Mesme prek edhe Egjiptin

Teksa një studente vrapon për t’u shpëtuar ngacmuesve të saj, askush nuk i del në mbrojtje, pasi ngacmimet seksuale janë praktikë e përditsh...

Teksa një studente vrapon për t’u shpëtuar ngacmuesve të saj, askush nuk i del në mbrojtje, pasi ngacmimet seksuale janë praktikë e përditshme në Egjipt dhe vendet e Lindjes së Mesme
Problemi madhor

Një studente universiteti fshihet në një farmaci pasi një turmë jashtë e kërcënon me dhunë seksuale. Një studente juridiku ndiqet nga shokët e klasës, dekani fajëson veshjen e saj të papërshtatshme. Ky është një realitet i përditshëm i grave në Kajro.
Habiba është një studente kolegji. Ajo kujton ditën kur një grup burrash e ndiqnin nëpër rrugë. Vajza arrin të strehohet në një farmaci por nuk gjeti mbështetje atje. “Askush në farmaci nuk më ndihmoi, pavarësisht lutjeve të mia, ata thjesht më kërkuan të largohesha”, – tregon Habiba. Ajo thotë se burrat nuk po largoheshin, por pas dy orësh, në të njëjtën pozitë, ajo u lodh së prituri. Ndaj ajo vrapoi. Shpejt. “Kisha shumë frikë se ndonjë prej tyre do të më prekte… nuk mund ta harrosh diçka të tillë”, – thotë ajo. Është e pamundur të besohet, por Habiba thotë se këto gjëra i ndodhin përditë. Dhe ajo nuk është e vetme.
Një raport i vitit 2013 i Kombeve të Bashkuara zbuloi se 99.3 për qind e femrave egjiptiane kishin përjetuar një formë të ngacmimit seksual. Statistika tregon sesa i përhapur është problemi, historitë tmerrojnë këto femra. Muajin e shkuar, një grup studentësh ndoqën njërën prej kolegeve të tyre. Duke qarë, ajo u mbyll në banjo. Vetëm pasi djemtë u larguan nga ambienti i banjos, roja i universitetit e shoqëroi vajzën jashtë kampusit, tregojnë dëshmitarët.
Dekani i universitetit, Gaber Nasasr, fajësoi vajzën për veshjen e papërshtatshme në një intervistë të dhënë për median vendase muajin e shkuar. Ai tha se ajo kishte veshur një pelerinë të zezë që e hoqi kur hyri në universitet. Një video në YouTube tregon se ajo kishte veshur një këmishë të gjatë rozë, pantallona të zeza dhe kishte flokë biond. Më vonë dekani kërkoi falje për keqkuptimin duke e mohuar deklaratën se viktima ishte fajtore. Habiba shprehet se nuk ka rëndësi se çfarë veshin femrat. “Edhe vajzat e mbuluara me perçe përjetojnë ngacmime seksuale. Është prej mungesës së etikës dhe kulturës”, – sqaron Habiba.
Por disa thonë se vetë femrat duhet të bëjnë diçka për të ndryshuar kulturën. Kolonelja Manal Atef, një anëtare femër e task-forcës së Ministrisë së Brendshme egjiptiane, shprehet se dhuna ndaj femrave po ndodh jo prej shtetit apo prej ligjeve, por sepse femrat nuk ndërmarrin veprime. Për shembull, thotë ajo, studentja e juridikut nuk plotësoi një kallëzim tek autoritetet.
Naglla Al-Adly, që drejton Departamentin Kërkimor në Këshillin Kombëtar për Femrat, thotë se problemi është shumë i vështirë për shkak se femrat nuk ndërmarrin veprime ndaj këtyre sulmeve. Ato ndihen të turpëruara.
Disa të tjera, përfshirë edhe Lyla El-Gueretly, po flasin. Vitin e shkuar, ajo është ngacmuar nga një 37-vjeçar në Kajro. Ai i kishte bërë gjeste të turpshme. El-Gueretly i ishte përgjigjur “Turp për mjekrën tënde”, duke iu referuar mjekrës si një shenjë e përkushtimit ndaj islamit. Më pas, ai e kishte ndjekur dhe qëlluar përse i kishte kthyer fjalën. Vajza shprehet se ai mendonte se ishte e drejta e tij ta ngacmonte seksualisht atë. El-Gueretly e kishte çuar sulmuesin e saj në stacionin më të afërt të policisë me ndihmën e kalimtarëve. Këta ishin përpjekur ta bindnin se ishte humbje kohe dhe se ai e kishte marrë mësimin. Sulmuesi u arrestua dhe u akuzua për ngacmim seksual. Por prokurori e kishte liruar me kusht. Ai u dënua në mungesë dhe sot e kësaj dite endet i lirë.
El-Gueretly është shumë e irrituar prej këtij fakti. “Autoritetet po u thonë femrave shumë hapur se jeni të vetme dhe pa ndihmë dhe po u thonë atyre që ngacmojnë se nuk do t’i dënojnë”, – thotë vajza.
Ndërkohë femrat egjiptiane si Habiba vazhdojnë të përpiqen në stresin e përditshëm të ngacmimeve seksuale pa u ndier të sigurta dhe pa një vend ku të shkojnë.

Related

Botë 6783293065730845673

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item