Diplomacia: Dilema e Japonisë përballë Rusisë

Japonia është vendi i vetëm i G-7 që ka mosmarrëveshje territoriale me Rusinë. Jo vetëm kaq, por precedenti i pushtimit të Krimesë nga Rusia...

Japonia është vendi i vetëm i G-7 që ka mosmarrëveshje territoriale me Rusinë. Jo vetëm kaq, por precedenti i pushtimit të Krimesë nga Rusia duket se ka hapur mundësinë që edhe Kina të ndjekë taktika të tilla. Kërcënimet janë tashmë reale
YURIKO KOIKE

Tokio – Për udhëheqësit japonezë dhe vetë japonezët, aneksimi brutal i Krimesë nga Presidenti Vladimir Putin i Rusisë ishte një rikthim josurprizues te paradigma e zakonshme e historisë së Rusisë. Në të vërtetë, shumica e japonezëve e shohin këtë lëvizje si diçka të lidhur me një gjen ekspansionist në ADN-në e politikës së Rusisë më shumë sesa si veprim personal i Putinit apo specifikave të krizës së Ukrainës.
Japonia është veçanërisht e shqetësuar me ekspansionizmin e Rusisë, për shkak se është vendi i vetëm anëtar i G-7 që ka një mosmarrëveshje territoriale aktualisht me Rusinë. Rusia pushtoi territoret e Veriut në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ky pushtim filloi mes 28 gushtit dhe 5 shtatorit 1945, kur Bashkimi Sovjetik injoroi me nxitim Traktatin e Neutralitetit mes dy vendeve dhe sulmoi jo vetëm Mançurinë e pushtuar më herët nga Japonia, por edhe ishujt jugorë Sakhalin dhe territoret e lashta japoneze të ishujve Etorogu, ishujt Kunashiro, ishullin Shikotan dhe ishullin Habomai.
I shqetësuar nga fakti që SHBA-ja zhvilloi dhe përdori kundër Japonisë bombat atomike, gjë që mund të mos lejonte që Bashkimi Sovjetik të realizonte ndonjë përfitim territorial në Lindje, Stalini urdhëroi Ushtrinë e Kuqe të pushtojë. Por Japonia, pasi pati vuajtur bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit, pati pranuar Deklaratën e Potsdamit më 13 gusht, gjë që nënkuptonte se lufta sakaq pati përfunduar para se Ushtria e Kuqe të marshonte.
Që nga ajo kohë, këta ishuj janë kontrolluar ose nga Bashkimi Sovjetik ose nga shteti pasardhës, Rusia. Dhe, si gjithkund tjetër në Rusi, banorët e ishujve janë varfëruar në mënyrë të vazhdueshme nga qeveri të paafta dhe të korruptuara, qofshin ato komuniste të dikurshme apo ato kapitaliste oligarke të ditëve tona.
Në një koincidencë të çuditshme historike me aneksimin e sotëm të Krimesë, pasi banorët vendas japonezë në territoret e Veriut u vranë apo u përzunë, shumë ukrainas u sollën në këta ishuj gjatë periudhës sovjetike dhe vijojnë të jetojnë atje. Nëse një referendum për pavarësi do të mbahej në ishullin Etorofu, ku rreth 60 për qind e banorëve kanë rrënjë nga Ukraina, vras mendjen nëse Putini do ta pranonte rezultatin me aq lehtësi sa pranoi rezultatin në Krime, të marrë me anë të armëve.
Pasi erdhi në pushtet në fund të vitit 2012, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u përpoq të përmirësojë marrëdhëniet me Putinin, me shpresë se mund të fillonte bisedime serioze mbi territoret e Veriut. Por tashmë që Putini ka bërë të qartë projektin e tij për restaurim të perandorisë, këto shpresa kanë lindur të vdekura.
Duke pranuar këtë fakt, Abe e dënoi aneksimin e Krimesë, duke e quajtur atë “dhunim të integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës”. Abe shtoi se “përpjekjet për të ndryshuar statuskuonë me forcë nuk mund të mos vihen re”, dhe se Japonia do të mendojë për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë në bashkëpunim me G-7.
Nuk ka nevojë të themi se këto komente nënvijëzuan faktin se territori i Japonisë dhe ujërat territoriale të Japonisë po kërcënohen “me forcë” në detin e Kinës Lindore, nga ana e Kinës. Leksioni që po përfitohet është se aty ku bëhet fjalë për mosmarrëveshje territoriale, Japonia nuk mund të përulet nga “përpjekjet për të ndryshuar statuskuonë me anë të forcës”.
Përgjigjja e Kinës ndaj krizës në Ukrainë ishte veçanërisht informues. Për tri dekada, Kina ka deklaruar “mosndërhyrjen” në punët e brendshme të një shteti sovran si rregulli më i rëndësishëm në qeverisjen e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Por kur Putini sulmoi Ukrainën, Kina tregoi gatishmëri për të shkelur këtë parim. Në vend që të dënonte sulmimin dhe aneksimin e Krimesë nga Rusia, ajo abstenoi në Këshillin e Sigurisë të OKB-së dhe ka ofruar disa kritika për qeverinë e re popullore të Ukrainës, kritika më të shumta nga sa ka bërë për sjelljen prej gangsteri të Putinit.
Çdo vend në Azi është i prirur të nxjerrë vetëm një konkluzion nga miratimi i heshtur i Kinës për pushtimin e Krimesë nga Putini: Edhe Kina, mendon se mund të ketë të drejtë të bëjë diçka të tillë dhe nëse ajo beson se mund të shpëtojë mirë në rast se pushton territore të diskutuara, qofshin ato në detin e Kinës së Jugut apo në Himalajat indiane, ajo do ta bëjë këtë.
Për rrjedhojë, parandalimi efektiv do t’u kërkojë vendeve të Azisë të fuqizojnë mbrojtjet e veta dhe të bashkohen në kërkesën për të respektuar ligjin ndërkombëtar, në mënyrë që Kina të kuptojë se çdo grabitje toke, sipas stilit të Putinit, do t’i kushtojë rëndë ekonomisë së saj.

Në të ardhmen e afërt, Japonia do të punojë me G-7 që të sigurojë që ambiciet e nxituara të Putinit të mos rrezikojnë pjesë të tjera të Ukrainës. Sakaq, Japonia ka vendosur të ofrojë 1.5 miliardë dollarë ndihma ekonomike për Ukrainën, premtimi më i madh nga një vend i vetëm deri tani.
Para pushtimit të Krimesë, bisedimet territoriale mes Japonisë dhe Rusisë treguan shenja për progres. Për më tepër, përpjekjet për bashkëpunim ekonomik dypalësh, të tilla si projekte për gaz natyror të lëngshëm, po ecnin përpara.
Por tashmë është e qartë jo vetëm se Putini po e kthen Rusinë në stanjacionin e epokës së vonë sovjetike, por edhe se ai po abonohet te thënia e ish-udhëheqësit sovjetik Leonid Brezhnjev, se “atë që e kemi, ne e mbajmë.”
Pra fjalët e Putinit mbi arritjen e një marrëveshjeje me Japoninë për territoret e Veriut ka gjasa që të jenë po aq të rreme sa edhe pretendimet e tij se rusët në Krime qenë në rrezik dhe rrjedhimisht kishin nevojë për mbrojtje nga trupat e Rusisë.
Më e rëndësishmja, Japonia kupton se biznesi si zakonisht me një Rusi agresive që minon rendin ndërkombëtar mund të nxisë të tjerë më pranë shtëpisë të ndjekin taktikat e paligjshme të Putinit.
Ditët e Japonisë që sheh nga brenda tashmë kanë përfunduar. Japonia sheh kërcënime gjithkund në botë në kontekstin e sigurisë së vet dhe duket se do të veprojë në mënyrë të përshtatshme.

Related

Shtypi i huaj 8578259974618171470

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item