Çudia: Si u bë Nigeria ekonomia më e madhe e Afrikës brenda natës

E ricilësuar si ekonomia më e madhe e Afrikës, Nigeria po përballet me dy kontraste të mëdha: varfërinë reale dhe pasurinë statistikore Uri ...

E ricilësuar si ekonomia më e madhe e Afrikës, Nigeria po përballet me dy kontraste të mëdha: varfërinë reale dhe pasurinë statistikore
Uri Friedman

Diçka e pazakontë ndodhi në Nigeri të dielën: ekonomia gati u dyfishua, rritje që u përkthye në qindra miliardë dollarë, duke marrë masën e ekonomive si ajo e Polonisë dhe Belgjikës dhe duke e bërë shtetin nigerian ekonominë më të madhe të Afrikës. Në fakt, ishte një mrekulli statistikash: kishin kaluar 24 vjet që kur autoritetet nigeriane përditësuan për herë të fundit llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), një proces i njohur si “rinivelim” që shtetet e pasura zakonisht e bëjnë çdo pesë vjet.
Kur qeveria nigeriane më në fund e bëri këtë javë, PBB-ja e vendit shkoi në 510 miliardë dollarë. Për të festuar rastin, Byroja Kombëtare e Statistikave të Nigerisë nxori një prezantim në PowerPoint, një përzierje e prodhimit ekonomik me klip arte.
Transformimi brenda nate i Nigerisë ngriti dy pyetje të ndryshme. Së pari, çfarë nuk dimë për shtetet kur nuk kemi të dhëna të sakta ekonomike rreth tyre dhe cilat janë ndikimet praktike të këtij verbimi?
Në llogaritjen e PBB-së së saj gjatë gjithë këtyre viteve, Nigeria, në mënyrë të pabesueshme, nuk po llogariste sektorë të lulëzuar si filmi dhe telekomunikimi. Industria nigeriane e filmit, Nollywood, nxjerr afërsisht 600 milionë dollarë të ardhura dhe punëson më shumë se një milion njerëz, duke e bërë punëdhënësin e dytë më të fuqishëm në vend pas bujqësisë.
Për sa i përket industrisë së telekomit, duhet konsideruar se janë 120 milionë përdorues telefoni në Nigeri nga një popullsi prej 170 milionë njerëz.
Nigeria dhe Afrika e Jugut janë tregjet më të mëdha celulare në Afrikën Nënsahariane, dhe përdorimi i celularëve ka shpërthyer në vend.
Përfshirja e industrisë së filmit dhe telekomit në PBB-në nigeriane bëri një diferencë të madhe në sektorin e shërbimeve, që nuk e klasifikoi ekonominë e vendit në pak më të madhe, por në më të madhen.
“Raste si Nigeria tregojnë se Afrika si një e tërë ndoshta nuk është aq e varfër sa ne kemi menduar për kaq kohë”, u shpreh ekonomistja Diana Kojl (Diane Coyle) në librin e saj më të fundit.
Në shumë ekonomi afrikane, aziatike dhe amerikano-latine, përllogaritjet e PBB-së nuk bëjnë pjesë në fenomene si globalizimi apo revolucioni telefonik i botës së zhvilluar. Ekzistojnë pika të dobëta shumë thelbësore në koleksionin e statistikave bazë, si çfarë biznesesh ka, çfarë shesin ato apo në çfarë shërbimesh i shpenzojnë të ardhurat kryefamiljarët.
Kërkimet e duhura për të zbuluar informacione të tilla mbahen shumë rrallë. Një vlerësim sugjeron se për 20 vjet ekonomitë Nënsahariane të Afrikës janë rritur tri herë më shpejt sesa tregojnë të dhënat zyrtare.
Dhe këta tregues ekonomikë nuk janë abstraksione, ato kanë pasoja reale në botë. Ekonomistja Kojl vëren se kur Gana bëri “rinivelimin” në vitin 2010, PBB-ja e saj u rrit me 60 për qind, duke e shndërruar nga një vend me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura të mesme.
Organizata ndihmëse përdorin këto kategori për të përcaktuar nivelet e asistencës financiare. Xhon Kempëll (John Campbell), nga Këshilli i Marrëdhënieve të Huaja, vë në dukje se shtete të “riniveluara” si Nigeria mund të kërkojnë tani anëtarësim në grupe politike si G-20, Këshilli i Sigurisë së OKB-së apo BRICS.
Por të gjitha këto na çojnë në pyetjen e dytë: A jemi shumë të fiksuar pas PBB-së si një matës i fuqisë ekonomike dhe pasurisë së një shteti? Ashtu si ekonomistja Kojl shkruan, rishikimi i PBB-së së Nigerisë do t’i bëjë investitorët në vend më të sigurt. Dhe akoma, “asgjë nuk ka ndryshuar në të vërtetë, problemet ekonomike si varfëria dhe pabarazia apo funksionimi i dobët i shtetit, mbeten ende”.
Kembëll futet akoma më thellë në problemet ekonomike që përballin individët në Nigeri, të cilat “rinivelimi” i bërë, nuk mund t’i zgjidhë.
Shifrat e PBB-së së Afrikës së Jugut janë tri herë më të mëdha se të Nigerisë për kokë. Afrika e Jugut ka një ekonomi moderne të ndryshme, ndërsa Nigeria mbetet akoma e varur mbi naftën.
Për më tepër, presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, e përfshiu Nigerinë ndër shtete si India, Kina, Bangladeshi dhe Republika Demokratike e Kongos, në listën e vendeve me numrin më të madh të njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme, me më pak se 1.25 dollarë në ditë.
Ai vazhdoi të thotë se nëse u shtohen këtyre vendeve edhe pesë shtete të tjera si Indonezia, Pakistani, Tanzania, Etiopia dhe Kenia, këto të dhjeta përbëjnë 80 për qind të varfërisë ekstreme në botë.
Në kuadër të kësaj, ekonomia 510 miliardë dollarëshe e Nigerisë nuk tregon asgjë për mirëqenien e shtetasve të saj.

Related

Botë 336288711976587311

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item