ÇFARË SHQIPËRIE DUAM?

FATOS BAXHAKU “Një i huaj kur vjen nga Europa në Shqipëri, sheh një vend mjaft të bukur, me brigje deti, me limane të mira, me fusha pjellor...

FATOS BAXHAKU

“Një i huaj kur vjen nga Europa në Shqipëri, sheh një vend mjaft të bukur, me brigje deti, me limane të mira, me fusha pjellore, me ujëra të bulbërta e të shumta, me male të egra, por piktoreske, me liqene, me lumenj, në një kënd të Europës që përbën bregun e detit perëndimor të Ballkanit. Me gjithë këtë, sheh njerëz të zbehtë nga fytyra, të venitur nga sytë, të rreckosur nga rrobat, të palarë e të parruar, faqet të thelluara midis rreshtave të nofullave nga mungesa e ushqimit, qetë e lopët, kuajt e gjithë gjëja e trashë, të vegjël e të dobët. Nuk sheh asnjë vijë udhe të hekurt, asnjë liman të sistemuar, as fabrika, as pallate, as universitete, as spitale që të përfshijnë kushtet shëndetësore. Gjithashtu i huaji që na viziton nuk sheh as vepra arti, të vjetra ose të reja, me një fjalë, asgjë nga ato që shihen ndër vendet e qytetëruara. Vetvetiu këtij të huaji i vjen ndërmend pyetja: Pse ka mbetur kështu ky vend? Kjo çështje i ngjason asaj të mjekut kur i del përpara një njeri që ka të gjitha shenjat e sëmundjes ose të sëmundjeve mbi vete. Atëherë mjeku fillon të pyesë nga se i kanë vdekur prindërit, çfarë sëmundjeje kanë pasur, të ligët apo të fortë kanë qenë, në çfarë rrethi kanë jetuar, ç’profesion kanë pasur, më në fund i sheh pulsin të sëmurit, i analizon gjakun, i sheh pështymën, i merr radiografinë, i mat shtatin, i peshon trupin, edhe pastaj, mbi përfundimin e këtyre hetimeve, duke peshuar gjithë elementet, jep vendimin e diagnozës së të sëmurit…”. (Mehdi Frashëri, Problemet shqiptare, Plejad, Tiranë 2006).
Këto radhë, për fat, janë shkruar këtu e afër një shekull më parë, nga një prej politikanëve tanë më të shquar, nga Mehdi Frashëri (1874-1963), guvernator i përgjithshëm i Palestinës, zëvendëskomisioner i përgjithshëm i Egjiptit, prefekt i Beratit, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ministër i Brendshëm, i Jashtëm dhe i Ekonomisë, Kryeministër, anëtar i Këshillit të Regjencës më 1944-n. Janë shkruar pra nga një njeri që çoku merrte vesh nga ligjet dhe nga politika, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shqipëria që ai përshkruan me pezëm, sigurisht që nuk është më e para. Po kemi pallate, po kemi fabrika, po edhe ndonjë shenjë të hekurudhës së dikurshme. Sot mbase nuk janë aq shumë të dukshme nofullat e shtrënguara mbi portretet e të varfërve, mbase edhe delet e lopët i kemi ca më të shëndosha. Le të mos harrojmë, kemi edhe universitete, jo një po dhjetëra. Ca koha, ca puna e shqiptarëve kryeulur, ca globalizmi e kanë bërë të vetën, vendi ka ecur përpara. Vetëm se ai “mjeku” i Mehdi Frashërit vazhdon të vrasë mendjen e të pyesë për diagnozën e këtij vendi, i cili, sikurse thoshte françeskani i madh At Gjergj Fishta “asht i bekuem prej Zotit e i mallkuem prej robit”.
Me siguri që keni vënë re në këtë periudhë 20-vjeçare, të cilën këmbëngulim ta quajmë tranzicion, që në fjalorin e përditshëm dy janë gjërat që mbizotërojnë më tepër: një është pyetje dhe një tjetër një ofshamë e shprehur me shpatulla lëshuar. Pyetja më e përhapur është: Kur do të bëhet kjo Shqipëria jonë xhanëm? Ata më optimistët kësaj pyetje i përgjigjen: Po shumë gjëra janë bërë! Kemi ecur goxha përpara! Ata më pesimistët, krejt afër të parëve, përgjigjen: Po Shqipëria e bërë është, kaq e paskemi pasur takatin, të tjerat i di Perëndia! Ofshama më e përhapur është: Ah, po nuk bëhet ky vend more jo! Më e bukura është se këtë ofshamë e lëshojnë pikërisht më dembelët, ata që nuk para e kanë qejf jo vetëm ligjin, por as edhe rregullin më minimal, more po as radhën xhanëm.
Sa për të qeshur ca. Autori i këtyre radhëve, jo shumë vite më parë, atëherë kur nuk kishin dalë nenet që të dënojnë shoferët e pirë me burg, iu desh, për motive pune sigurisht, që të përballonte një darkë tipike kurveleshase, ku rituali i shëndeteve me fund është me të vërtetë i rrezikshëm për shëndetin. Si u ngritën shëndete, për të gjitha partitë, për kryetarët e tyre, për deputetin e zonës, për kryetarin e komunës, për miqtë e largët dhe për soj e sorollopin e secilit pjesëmarrës, puna erdhi te pika delikate: Kur do vijë dita që Shqipëria të bëhet? Me këtë kuptohej një lloj shteti gjerman në një mjedis superballkanik. Jo ka shtet, jo nuk ka shtet, jo bëhet, jo nuk bëhet… ky muhabet vazhdoi gjatë. Madje vazhdoi edhe në kthim teksa një nga miqtë tanë – i cili zakonisht është një njeri shumë i rregullt dhe punëtor i madh – që e kishte përballuar me sukses morinë e dollive, mori përsipër të na kthente me makinën e tij në Gjirokastër. Ishte dimër, bënte ftohtë dhe binte një shi i përzier me dëborë. Rrugës nuk kalonte askush. Miku ynë vazhdonte avazin e mëparshëm: Ah, po nuk ka shtet more, jo… Befas në një kthesë, një polic i bërë qull kërkon autostop. “Ja – tha miku – tani do ta shohim nëse ka shtet apo jo. O zoti polic do më vëç prangat mua mo? Unë jam tapë mo, jam dëndur me raki, jam i rrezikshëm për vete dhe për të tjerët. Përse nuk më arreston?” Polici i ngratë mblodhi supet dhe u mbështoll edhe më nën mushamanë e tij të bërë qull. “Hë! Ju thashë që nuk ka shtet këtu – u mburr shoku ynë – po nuk bëhet ky vend more jo! Dhe pikë!” Fati e desh, që me shtet apo pa shtet të ktheheshim shëndoshë e mirë në Gjirokastër.
Po le të kthehemi te gjërat serioze. Nëse vëmë re në historinë e shtetit shqiptar do të shohim se politikanët tanë drejtues, të gjithë kontradiktorë, po aq të glorifikuar sa edhe të sharë, kanë qenë të qartë, qoftë edhe në gabimet e tyre. Ahmet Zogu u mbështet më shumë të koncesionet. Enver Hoxha dhe njerëzit e tij bënë gomarllëkun më të qartë të mundshëm: ekonominë që bazohej vetëm mbi forcat tona! Pastaj erdhi ’90 dhe askush nuk e kishte të qartë se çfarë Shqipërie duhet të bëjmë, të gjithë bashkë, demokratë, socialistë, ballistë, republikanë, monarkistë, socialdemokratë, liberalë, të gjithë. Vetëm nga fundi i qeverisjes Berisha nisi të ngjizej ëndrra për një Shqipëri si superfuqi energjetike. Bash në këtë kohë u hodhën edhe idetë për ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri, të cilat, për fat të mirë, mbetën vetëm në planin e propagandës.
Në këta 20 e ca vjet janë harxhuar aq shumë energji, nerva, kohë, para duke sharë njëri-tjetrin, duke iu përgjigjur minutë pas minute çdo akuze, çdo qëndrimi, çdo deklarate, madje edhe çdo firme, saqë kemi harruar gjënë më kryesore: Ore po çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë? Vetëm disa ditë më parë, Kryeministri Rama më në fund foli shkoqur: Duhet të bëjmë një Shqipëri të bazuar te bujqësia, te turizmi dhe te industria e lehtë. Bukur fort, vetëm se kjo nuk është vetëm punë e Ramës dhe as vetëm e PS-së. Njerëzit shkojnë e vijnë. Jeta bën të vetën, Shqipëria mbetet. Nëse nuk angazhohemi të gjithë bashkë, majtas e djathtas, mazhorancë e opozitë, militantë e apolitikë, për të pasur në krye një qëllim të përcaktuar mirë, do të vazhdojmë të bëjmë eksperimente me veten, sikurse ka ndodhur shpesh, dhe ai mjeku i vjetër i Mehdi Frashërit do të kruajë kokën deri në pavdekësi, i pafuqishëm teksa do të mundohet të na gjejë diagnozën, të cilën nuk e dimë ende as vetë.

Related

Opinione 2240232951435449203

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item