Çfarë lexojnë fëmijët tanë?

AGIM BAÇI Fëmija i mikes sime është gati nëntë vjeç. Është në klasë të tretë në një nga  shkollat në qendër të Tiranës. Fytyra e tij është e...

AGIM BAÇI

Fëmija i mikes sime është gati nëntë vjeç. Është në klasë të tretë në një nga  shkollat në qendër të Tiranës. Fytyra e tij është e habitur dhe kërkon ndihmë për të kuptuar një vjershë që e ka për mësim.  Nuk arrin dot të lidhë gomat e biçikletës, qenin e komshiut dhe shoqen e bankës që ka ikur në një qytet tjetër. I duhet shumë kohë ta shohë gjuhësisht, sepse mendja tani i vrapon diku tjetër. Edhe për mamanë, që është goxha e lexuar, poezia shkakton një shtangie. Pa dyshim që mendimi i parë është se djali ka bërë ndonjë shaka, duke u marrë me ndonjë tekst kuturu, e cila në rastin më të mirë është një shaka 20-vjeçarësh që një shok i bën shoqes së bankës. Mirëpo faqet e librit e rrëzojnë dyshimin se i biri t’i ketë punuar ndonjë rreng. Lexon me zë të lartë vjershën:
Titulli është: “Për shoqen që ndërroi qytet” 

Gomat e biçikletës kanë rënë përtokë,
qielli është gri dhe plot me re,
çdo gjë që bëj tani më duket kot,
që kur ti ike dhe më le.

Lulet nuk mbajnë më erë të mirë,
dhe bari më ngjan si kashtë,
qeni i komshiut më duket egërsirë,
që kur nuk jemi bashkë.

Tani asgjë nuk më bën për të qeshur,
dhe asnjë lodër s’më tërheq,
gjithë shoqet e tjera i kam braktisur,
prandaj të lutem kthehu se jam keq.

E duket sikur për t’u ndier se është vërtet përballë një realiteti e jo një iluzioni, mamaja e bashkëndan poezinë me ne miqtë e saj, të cilët thuajse të gjithë nisim të ndiejmë bashkëfajësinë se nuk kemi mundur të parandalojmë diçka të tillë në një libër të klasës së tretë. Afërmendsh që çaste të tilla sjellin një lumë pyetjesh: Çfarë lexojnë sot fëmijët tanë në shkolla? Çfarë u sugjerohet atyre? A është e rëndësishme të monitorojmë tekstet letrare në librat e tyre shkollorë, apo qoftë edhe edukativë e në çdo fushë shoqërore? 
Personalisht, edhe pse jam i fushës së studimit të letërsisë, nuk do të mund të gjeja dot fjalë për t’u dhënë një shpjegim vargjeve. Si për ironi, bashkëbisedimi për këtë tekst bëhej pikërisht dy ditë më parë, në Ditën Botërore të Letërsisë për Fëmijë. Por përveç Wake UP, te Eno, askush tjetër nuk hapi debat. Madje në diskutim ishte pikërisht një nga autorët që shitet nëpër shkolla më shpesh se sa simitet.
Pa dyshim që jemi në një botë të lirë ku kushdo mund të shkruajë, të botojë e të pretendojë që të lexohet. Por kjo nuk nënkupton se çdokush e ka privilegjin të jetë i sugjeruar për studim apo lexim, e aq më shumë pjesë e detyruar në atë moshë kur nis edhe edukimi etik dhe estetik. Ndaj, ata që paguhen për të sugjeruar e që lejojnë të tilla tekste që studiohen, meritojnë një diskreditim publik.
Sidomos sot, kur edhe prindër të shkolluar nuk gjejnë gjithë kohën e duhur për t’u marrë me fëmijët e tyre, për shkak të punëve apo ngarkesave të ndryshme, përgjegjësia e institucioneve që përzgjedh tekste është e një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi përndryshe mund t’u japim fëmijëve idenë se letërsia është humbje kohe. Aq më shumë duhet ky përkujdes po të kemi parasysh se jo të gjithë prindërit mund të jenë lehtësisht komentues për fëmijët e tyre. Por ama gjithkush prej tyre paguan taksa, nga ku më pas paguhen disa komisione që hartojnë dhe sugjerojnë tekste. Pikërisht mbi ta duhet medoemos të kërkohet një vëmendje tjetër, një përgjegjësi tjetër, sepse pjesë të tilla letrare mund të dëmtojnë fëmijët më shumë se sa një shok i keq. 
Ndaj, nëse shumica jonë është shqetësuar se me çfarë ndjenje i edukojmë fëmijët tanë, duhet medoemos që një pjesë të këtij shqetësimi duhet ta zërë letërsia që lexojnë. Ata që merren me hartime duhet të kalojnë përmes një aprovimi profesional, duke përfshirë edhe standardet psikologjike të moshës. 
Si fillim, le t’u themi fëmijëve që ndaj miqve që na mungojnë mund të shkruajmë letër ku shprehim rëndësinë e madhe që kanë në jetën tonë çastet që kalojmë me ta…

Related

Kultura 5180918818717010079

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item