Analiza: Pse vendet e pasura janë demokratike

Decentralizimi i pushtetit është çelësi për vetërregullimin e “tregut” të produkteve që ofrohen nga sektori publik në ekonomitë moderne dhe ...

Decentralizimi i pushtetit është çelësi për vetërregullimin e “tregut” të produkteve që ofrohen nga sektori publik në ekonomitë moderne dhe kjo është arsyeja se pse vendet e pasura janë edhe demokratike
Ricardo Hausmann, Project Syndicate

Kembrixh – Kur Adam Smith ishte 22 vjeç, ai në mënyrë të famshme proklamoi se “asgjë tjetër nuk është më e domosdoshme për t’u ngritur në nivelin më të lartë të pasurisë nga niveli më i ulët i barbarizmit, se sa paqja, taksat e lehta dhe një administrim i tolerueshëm i drejtësisë: të gjitha të tjerat sillen në rrjedhën natyrore të gjërave”. Sot, pothuajse 260 vjet më vonë, ne e dimë se asgjë nuk është më e vërtetë se sa kaq.
Zhdukja e fluturimit 370 të Malaysia Airlines tregon se sa gabim ishte Smith, me theksimin e rëndësisë për ndërveprimin e komplikuar mes prodhimit modern dhe shtetit. Për ta bërë fluturimin ajror të mundshëm dhe të sigurt, shtetet duhet të sigurohen se pilotët dinë se si të fluturojnë dhe që avionët të kalojnë teste sigurie shumë të ashpra. Shtetet ndërtojnë aeroporte dhe ofrojnë radarë e satelitë që mund të gjurmojnë avionët, kontrollorë të trafikut ajror për të shmangur përplasjet mes avionëve dhe shërbime sigurie për t’i mbajtur terroristët në tokë. Dhe, kur diçka shkon gabim, nuk është paqja, taksat e lehta dhe drejtësia që thirren në ndihmë; janë agjencitë shtetërore profesionale dhe shumë mirë të pajisura me burime.

Të gjitha ekonomitë e avancuara të sotme duket se kanë nevojë për shumë më tepër nga sa rekomandonte Smithi i ri. Dhe qeveritë e tyre nuk janë vetëm të mëdha dhe komplekse, të përbëra nga mijëra agjenci që administrojnë miliona faqe ligje dhe rregulla; ato janë gjithashtu demokratike – dhe jo thjesht për shkak se mbajnë zgjedhje herë pas here. Pse?
Në kohën kur ai publikoi Pasurinë e Kombeve, në moshën 43-vjeçare, Smith u bë i pari nga shkencëtarët e kompleksitetit. Ai kuptoi se ekonomia ishte një sistem kompleks që kërkonte koordinimin e punës së mijëra njerëzve vetëm për prodhimin e mallrave fare të thjeshtë si një vakt dreke apo një veshje.
Por Smithi kuptoi gjithashtu se megjithëse ekonomia ishte tepër e komplikuar për t’u organizuar nga ndokush, ajo ka kapacitetin për t’u vetorganizuar. Ajo posedon “një dorë të padukshme” e cila vepron përmes çmimeve të tregut për të siguruar një sistem informacioni që mund të përdoret për të llogaritur nëse përdorimi i burimeve për një qëllim të caktuar ia vlen apo jo, a është fitimprurëse apo jo.
Fitimi është një sistem incentivash që i çon firmat dhe individët t’i përgjigjen informacionit të ofruar nga çmimet. Dhe tregjet kapitale janë një sistem i mobilizimit të burimeve – që do të thotë, se i përgjigjen në mënyrë të përshtatshme çmimeve të tregut.
Por prodhimi modern kërkon shumë inpute që tregjet nuk i sigurojnë. Dhe në rastin e avionëve, këto inpute – rregulla, standarde, certifikime, infrastrukturë, qendra shkollash dhe trajnimesh, laboratorë shkencorë, shërbime sigurie e shumë të tjera – janë thellësisht komplementare ndaj atyre që mund të ofrohen nga tregu i lirë. Ata ndërveprojnë në mënyrat më të komplikuara të mundshme me aktivitetet që organizojnë tregjet.
Pra ja ku është pyetja: kush i kontrollon provizionimet e inputeve të siguruara nga sektori publik? Kryeministri? Legjislativi? Në këtë vend gjykatësit më të lartë lexojnë miliona faqe ligj apo vlerësojnë se si këto ligje plotësojnë apo kundërshtojnë njëri-tjetrin, apo aq më pak ia aplikojnë këto ligje një morie aktivitetesh të ndryshme që përbëjnë ekonominë? Edhe një president ekzekutiv nuk mund të jetë tërësisht i ndërgjegjshëm për gjërat që bëhen apo nuk bëhen nga mijëra agjenci qeveritare dhe se si ato prekin jetën e pjesëve të ndryshme të shoqërisë.
Ky është një problem i pasurisë së informacionit, dhe, njësoj si sfida e koordinimit shoqëror që e sigurojnë tregjet, ajo nuk e lejon mundësinë e një kontrolli të centralizuar. Ajo që është e nevojshme në këtë rast është e ngjashme me dorën e padukshme të tregut: një mekanizëm për vetorganizim. Zgjedhjet dukshëm nuk janë të mjaftueshme për shkak se ato zakonisht ndodhin një herë në dy ose katër vjet dhe mbledhin shumë pak informacion për votues.
Në vend të kësaj, sistemet e suksesshme politike duhet të krijojnë një dorë të padukshme alternative, – një sistem që decentralizon pushtetin për të identifikuar problemet, për të propozuar zgjidhje dhe për të monitoruar performancën, në mënyrë që vendimet të ndërmerren pas analizimit të sa më shumë informacioneve të jetë e mundshme.
Thjesht të marrim një shembull, qeveria federale e Shteteve të Bashkuara zë vetëm 537 vende nga afërsisht 500 mijë pozicione që zgjidhen me votë, dukshëm, shumë gjëra ndodhin gjetkë.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka 100 senatorë me 40 ndihmës secili dhe 435 përfaqësues me 25 ndihmës secili. Ato janë organizuar në 42 komitete dhe 182 nënkomitete, gjë që do të thotë se janë 224 biseda që zhvillohen paralelisht. Dhe ky grup prej më shumë se 15 mijë njerëzish nuk është vetëm. Përballë tyre janë rreth 22 mijë lobues të regjistruar, misioni i të cilëve (mes qëllimeve të tjera) është që të ulen me ligjvënësit dhe të hartojnë ligje.
Kjo, bashkë me median e lirë, është pjesë e një strukture që lexon miliona faqe ligje dhe monitoron agjencitë qeveritare për çfarë bëjnë dhe çfarë nuk bëjnë. Ajo gjeneron informacionin dhe incentivat për t’iu përgjigjur problemeve. Kjo përcakton ndarjen e burimeve buxhetore. Është një sistem i hapur në të cilin çdokush mund të krijojë një lajm apo të gjejë një lobist për të prezantuar kauzën e vet, qoftë ajo për të shpëtuar balenat apo për t’i ngrënë balenat.
Pa një mekanizëm të tillë, sistemi politik nuk mund të ofrojë atë lloj mjedisi që kanë nevojë ekonomitë moderne.
Kjo është arsyeja se pse të gjitha vendet e pasura janë demokraci dhe pse disa vende, si vendi im (Venezuela), po bëhen më të varfra. Megjithëse disa nga këto vende zhvillojnë zgjedhje, ato kanë tendencën të ngecin para problemeve edhe më të thjeshta të koordinimit. Mbajtja e radhës për të votuar nuk përbën garanci që njerëzit nuk do të mbajnë radhë gjithashtu për letër higjienike.

Autori është ish-ministri i planifikimit të Venezuelës dhe ish-kryeekonomist në Bankën Ndëramerikane të Zhvillimit. Ai është profesor i ekonomiksit në Universitetin e Harvardit ku drejton Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar

Related

Shtypi i huaj 3344763637346589245

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item