10 ndeshjet më spektakolare në histori të Kampionateve Botërore

Përballjet që hynë në histori, nga Itali-Brazil e viti 1982 e deri tek Angli-Gjermania, 1986 Duke qenë se Kampionati Botëror po afrohet, rev...

Përballjet që hynë në histori, nga Itali-Brazil e viti 1982 e deri tek Angli-Gjermania, 1986
Duke qenë se Kampionati Botëror po afrohet, revista “TIME” ka stiluar dhjetë ndeshjet që kanë bërë historinë. Specialistët e revistës prestigjioze kanë cilësuar se ndeshjen më të bukur në histori përballjen spektakolare mes Italisë dhe Brazilit në vitin 1982, ku axurrët fituan 3-2.

1) Itali 3-2 Brazil, 1982
Jo vetëm që konsiderohet si takimi me i bukur në historinë e kampionateve botërorë, por cilësohet si ndeshja më emocionuese që është luajtur ndonjëherë. Bëhet fjalë për përballjen midis Italisë dhe Brazilit në vitin 1982. Kombëtarja e “sambas” vinte në këtë takim me emra të mëdhenj në anën ofensive si Ziko, Falkao, Eder, Sokratis etj. Nga ana tjetër, “axurrët” njiheshin për mbrojtjen e tyre solide dhe mjaft të vështirë për t’u kaluar. Ndeshja filloi me ritme të shpejta dhe është Paolo Rosi ai që u jep rezultatin italianëve, pas një goditjeje me kokë. Gjithsesi, një kombëtare si ajo e Brazilit nuk dorëzohet kaq lehtë. Këta të fundit barazojnë shifrat me anë të Sokratis. Avantazhi i tyre nuk zgjati shumë. Një gabim i mbrojtësit Çezero i “fal” Rosit golin e dytë. “Seleçao” barazon sërish, por në minutat e fundit të takimit, goli i tretë i Rosit i “thyen” zemrat të gjithë brazilianëve, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-2. Legjendari, Ziko, u shpreh i pakënaqur pas ndeshjes: “Ne luajtëm një futboll të bukur dhe tentuam të shënojmë gola. Italia ishte krejtësisht e kundërta jonë. Ekipi më i mirë nuk fitoi sonte.” Nga ana tjetër, protagonisti, Paolo Rosi e konsideroi këtë takim si ndeshjen më të bukur të jetës së tij. Aspektet që e bëjnë këtë ndeshje të mbahet mend gjatë janë sulmi brazilian dhe mbrojtja italiane, të cilat i përkisnin një niveli mjaft të lartë.
22) Itali 4-3 Gjermania Perëndimore, 1970
Është konsideruar si ndeshja më spektakolare e shekullit, por nëse duhet të jemi realistë, duhet ta pagëzojmë me emrin “ndeshja me kohë shtesë më spektakolare e shekullit”. Një shifër e pabesueshme prej pesë golash u shënua në harkun kohor të 30 minutave. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1. Gjermania ishte me fat, pasi një gol i Shnellinger (goli i vetëm në 47 ndeshje për të) e dërgoi përballjen në “extra-time”. Franc Bekenbauer bëri një sakrificë të madhe, duke luajtur me një krah të fashuar një pjesë të madhe të takimit. Gjermanët e morën vetëm njëherë në dorë avantazhin falë “bomberit” Gerd Myler, por ishin Tarçizio Burgnish dhe Luigji Riva ata të cilët i “ndërprenë” gëzimin “pancerave”. Myler barazon sërish duke shënuar golin e dhjetë personal në pjesëmarrjet e “Kupës së Botës”. Rezultati ishte 3-3 kur mbeteshin edhe pak minuta nga “bilbili i fundit”. Kur dukej se çdo gjë kishte përfunduar, është Xhani Rivera ai që shënon duke dërguar Italinë në raundin tjetër. “Axurrët” treguan burrëri pasi të gjithë e dinë forcën që ka Gjermania në takime të tilla.
33) Belgjikë 4-3 Bashkimi Sovjetik, 1986
Meksika nuk pritej që të ishte organizatorja e Botërorit të vitit 1986, por një tërmet në Kolumbi bëri që planet të ndryshonin. Megjithëse mbahet mend për triumfin e Argjentinës, kompeticioni ofroi shumë takime të cilat ishin për t’u admiruar. Një skuadër e cila premtonte ishte Bashkimi Sovjetik. E gjitha vinte falë trajnerit Valeri Lobanovski dhe lojtarëve të cilët aktivizoheshin me Dinamon e Kievit (shtatë lojtarë të 11-shes titullare). BRSS-ja u përball me Belgjikën në raundin e një të 16-ave. Koha e rregullt përfundoi me shifrat e barabarta 2-2. Me fillimin e “extra-time”, belgët shënojnë dy herë me anë të Stefan Demol dhe Niko Klaesen. Sovjetikët kundërpërgjigjen me Belanov( shënoi tripletë duke përfshirë dy golat e kohës së rregullt), pas një konvertimi në gol të një penalltie nga ky i fundit. Kjo gjë, fatkeqësisht, ishte e pamjaftueshme për të kaluar në fazën tjetër. Belgjika fitoi me rezultatin e përgjithshëm 4-3, madje arriti deri në gjysmë-finale, por dështoi kundër skuadrës së Argjentinës, e cila udhëhiqej nga Diego Armando Maradona.
44) Brazil 3-2 Holandë, 1994
Ky takim mori “jetë” në pjesën e dytë të ndeshjes. Pas një pasimi të gabuar të Frenk Rajkard, është Romario që përfiton duke kaluar në avantazh Brazilin. Dhjetë minuta më vonë është Bebeto që dyfishon rezultatin. Megjithatë, ky avantazh nuk vazhdoi shumë gjatë, pasi Bergkamp përgjysmon deficitin vetëm një minutë pas golit të dytë. Holanda do të barazojë shifrat në minutën e 76-të me anë të Uinter. Ndeshja vijon e qetë deri në një farë pike. Kur dukej se takimi po i drejtohej barazimit, ishte mbrojtësi Branko ai që mendoi për Brazilin duke i dhuruar golin e fitores. Bëhej fjalë për një goditje dënimi prej 22 metrash largësi. Branko ishte futur në lojë si zëvendësues i Leonardos, pas ndëshkimit me karton të kuq të këtij të fundit në ndeshjen paraardhëse që “Seleçao” e zhvilloi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
55) Gjermania Perëndimore 3-2 Hungari, 1954
Botërori i vitit 1954 njihet ndryshe edhe si “Das Wunder von Berne” (mrekullia e Bernit). Hungaria erdhi në kompeticion si favoritja për ngritjen lart të trofeut, pas suksesit në Lojërat Olimpike. Pjesë e skuadrës ishte edhe ylli i Realit të Madridit, Ferenc Pushkash, i cili i kishte dhënë ekipit titullin “skuadra më e mirë në botë”. Ata nuk njihnin humbje prej 31 takimesh dhe mposhtën Anglinë duke u shkaktuar humbjen e parë këtyre të fundit në Uembli me rezultatin 6-3. Hungaria në finale u përball me Gjermaninë, skuadër të cilët e mposhtën në fazën e grupeve me shifrat e pabesueshme 8-3. Megjithatë, në ndeshjen vendimtare, “pancerat” treguan një fytyrë tjetër. Takimi filloi i vrullshëm. Hungaria shënoi dy herë në minutën e gjashtë (Ferenc Pushkash) dhe në minutën e tetë (Czibor). Gjermanët u kundërpërgjigjën në minutën e dhjetë me anë të Morlok dhe në minutën e 18-të me anë të Rahn. Ndeshja vazhdoi në një barazim total deri në minutat e fundit të lojës. Kur dukej se ndeshja do të përfundonte me barazim, është Rahn ai që shënon sërish duke kaluar në avantazh skuadrën e Sep Herberger. Megjithatë, Ferenc Pushkash nuk u dorëzua dhe shënoi një gol që fatkeqësisht u akordua si pozicion jashtë loje nga arbitri anësor. Mbi këtë vendim të gjyqtarit ai nuk u shpreh aspak i lumtur në një libër biografik të Xhonatan Uillson: “Ai e ngriti flamurin një minutë më vonë pas shënimit të golit. Mund ta kisha vrarë arbitrin. Të humbësh finalen e Kupës së Botës në këtë mënyrë nuk është aspak e drejtë”. Dhe për t’ia vënë përfundimisht fajin arbitrimit, hungarezëve iu mohua edhe një penallti. Ndoshta nuk ishte dita e tyre.
66) Portugali 5-3 Koreja e Veriut, 1966
Ndeshja çerekfinale e botërorit të vitit 1966 filloi me bujë për skuadrën koreane. Deri në minutën e 25-të, ata kishin krijuar avantazhin 3-0, ku kishin shënuar Pak Seung-Zin në minutën e parë, Li Dong-Uoon në minutën e 22-të dhe Jand Seoung-Kook në të 25-ën. Dukej sikur çdo gjë përfundoi për Portugalinë, por jo. Ishte Eusebio ai që mendoi për luzitanët. “Pantera” realizoi plot katër herë (në minutat 27’,43’,56’,59’). Për të vënë qershinë mbi tortë shënon edhe Jose Augusto në minutën e 80-të të takimit. Mediat e përshkruan përballjen si “Eusebio kundër Koresë”, duke thurur elozhe të panumërta për sulmuesin që u nda nga jeta pak muaj më parë. Ai u shpall edhe shënuesi më i mirë i kompeticionit me nëntë gola të shënuar në total.
77) Gjermania Perëndimore 3-3 Francë (5-4 me penallti) 1982
Padyshim, një nga ndeshjet më emocionuese në historinë e Kupave të Botës është edhe përplasja gjysmë-finale e vitit 1982 midis Gjermanisë Perëndimore dhe Francës. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1, ku shënuan Litbarski dhe Platini. Koha shtesë filloi mirë për “gjelat”, pasi shënuan dy herë me anë të Tresor dhe Girese. Dukej se ishte fundi për “panterat”, por Rumenige dhe Fisher dërgojnë topin në rrjetë për ta çuar rezultatin në 3-3. Skuadrën që do të shkonte në finale do ta përcaktonin penalltitë. Pas pesë goditjeve të para skuadrat ishin në baraspeshën 4-4, por në goditjen e gjashtë ëshët Bosis ai që gabon nga rradhët e Francës, duke i dhuruar Gjermanisë fitoren. I pakënaqur u shfaq Mishel Platini, i cili pas takimit tha: “E gjithë bota e di që skuadra më e mirë humbi”.
88) Francë 1-1 Brazil (4-3 me penallti), 1986
Franca vinte në kompeticion pas fitimit të “Euro 1984”. Ata ishin favoritë në ndeshjen kundër kombëtares së Seleçaos. Megjithatë, me fillimin e takimit, ndeshja doli jashtë parashikimeve për një moment. Është Brazili që kalon në avantazh në minutën e 17-të me anë të Careca. Kundërpërgjigja franceze vjen pak përpara përfundimit të pjesës së parë me anë të Mishel Platini që e tund rrjetën në minutën 41’. Pjesa e dytë nuk ka shumë histori dhe takimi shkon drejt penalltive. Për Francën, nga pika e bardhë, gabon vetëm Platini, por për Brazilin nuk shënon Julio Sesar dhe Sokratis. Penalltitë përfundojnë me rezultatin përfundimtar 4-3 dhe shohin si fitues të takimit Francën.
99) Angli 4-2 Gjermania Perëndimore, 1986
Anglia vinte në këtë finale të vitit 1986 si favorite pasi nuk kishte humbur asnjë ndeshje më parë kundër Gjermanisë. Takimi fillon shpejt, ku Haller shënon në të dymbëdhjetën minutë për Gjermaninë, por është Hurst ai që barazon shifrat gjashtë minuta më vonë. Anglia e merr sërish kryesimin në minutën e 78-të. Për “tre luanët” mendon Peters. Gjithsesi, gëzimi nuk zgjati shumë, pasi Ueber barazon shifrat në 2-2, një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt. Kështu, për herë të parë, një finale botërori shkon në minuta shtesë. Protagonist bëhet sërish Hurst që shënon dy gola për t’i dhënë Anglisë triumfin e parë dhe të vetëm në Kupën e Botës. Ndeshja u kontestua shumë, për shkak të një goli të Hurst. Anglezi goditi pas një pasimi të Alan Ball dhe topi u përplas me traversën e më pas me tokën. Filmimet tregojnë se topi nuk e kaloi vijën fatale, por u quajt si gol i rregullt nga arbitri zviceran, Gotfried Dienst.
1010) Brazil 4-1 Itali, 1970
Të dyja skuadrat e kishin fituar nga dy herë trofeun e lavdishëm. Ishte sërish dueli midis mbrojtjes më të mirë dhe sulmit më të fortë. Serinë e golave e hap lojtari legjendar, Pele. Italia kundërpërgjigjet në minutën e 37-të me anë të Bonisenjas. Takimi vijon i qetë deri kur kishin mbetur edhe 25 minuta nga fundi. Gjatë kësaj kohe, kombëtarja e “Seleçaos” prodhon një nga ndeshjet me më shumë spektakël në aspektin sulmues. Brazili shënon tre herë me anë të Gerson, Jaizinjo dhe Karlos Alberto. Edhe pse nuk shënoi në tre golat e fundit, Pele i dhuroi pasimin vendimtar të golit të fundit kapitenit, Karlos Alberto. Trajneri Mario Zagallo u bë njeriu i vetëm që fitonte “Kupën e Botës” si lojtar dhe trajner, ndërsa Brazili u bë skuadra që numëronte tre “Kupa Bote” në raftin e trofeve.
Përgatiti: Xhoi Malësia

Related

Sport 4016702232044401588

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item