Vitalij Kliçko / Sfida finale e gjigandit ukrainas

Si boksier ka pasur një karrierë marramendëse. Bashkë me ambiciet pë postin e presidentit, janë shfaqur edhe skandalet dhe kritikat e para P...

Si boksier ka pasur një karrierë marramendëse. Bashkë me ambiciet pë postin e presidentit, janë shfaqur edhe skandalet dhe kritikat e para

Për Vitalij Kliçkon, lider i partisë opozitare ukrainase UDAR, kanë dëgjuar të flasin të gjithë, përfshi ata që nuk i kanë ndjekur me vëmendje të veçantë ngjarjet e fundit politike të vendit. Fama e fituar si kampion bote i peshave të rënda në boks, ka qenë një trampolinë për betejat e tij politike. Sipas disa sondazheve, Kliçko ka mbështetjen e 17 përqind të ukrainasve (një konsensus i krahasueshëm me atë të Presidentit Viktor Janukoviç). Një e dhënë ngushëlluese për këtë politikan ambicioz, që në muajt e ardhshëm do t’i duhet të bëjë një ndeshje tjetër, në kategorinë e peshave të rënda. Mbështetësit e tij janë të bindur se është vetëm fillimi i një karriere politike të madhe. Por ka akoma një pyetje të cilës Kliçko do të duhet t’i përgjigjet: në çfarë drejtimi do t’i tërheqë sheshet ukrainase? Pasi që vëllai i vogël, Vladimiri ka fituar titullin botëror WBA kundër boksierit rus Aleksandr Povetkin, në Ukrainë kanë filluar të qarkullojnë shumë anekdota. Më popullorja në internet ishte kjo: “Zoti u thotë ukrainasve: “Do t’ju jap Kliçkon”. “Po ne çfarë të bëjmë me të?”. “Do të mundë amerikanët dhe rusët”. “Atëhere na jep dy””.
Vitalij Kliçko ka lindur me 19 korrik 1971 në Republikën Socialiste Sovjetike Kirgize. I jati ka bërë karrierë në ushtri deri në gradën e Gjeneral Majorit të Aviacionit dhe më pas ka punuar pranë ambasadës sovjetike në Gjermani. E ëma ishte mësuese filloreje. Të vegjël, vëllezërit Kliçko kanë shëtitur pothuajse të gjithë Bashkimin Sovjetik, sëbashku me prindërit. Të dy i janë përkushtuar sportit qysh fëmijë. Në vitin 1995 lideri i ardhshëm i UDAR-it ka mbaruar studimet pranë Institutit Pedagogjik Dragomanov në Perejaslav-Chmelnjicki, me një specializim në mësimin e edukatës fizike. Pastaj ka vazhduar studimet e me një doktoratë pranë Universitetit Kombëtar të edukimit Fizik dhe Sportit të Ukrainës. Në atë kohë kishte qenë 6 herë kampion bote në kickboxing (fillimisht si amator dhe pastaj si profesionist), kishte qenë 3 herë kampion kombëtar boksi dhe kishte fituar titullin botëror WBO. Ndërkohë, vëllai i vogël i tij demonstronte se nuk ishte më i pakët. Pas fitoreve të para, vëllezërit Kliçko kanë filluar të marrin oferta nga promotorë boksi të vendeve të ndryshme dhe nga klubet më të mira ndërkombëtare. Në fund, ka zgjedhur Universum Box-Promotion, me të cilin kanë arritur një marrëveshje në vitin 1996 dhe janë vënë në duart e trajnerit  Fric Zdunek.

Miqësi të rrezikshme
Në fakt, disa dashakeqë tregojnë se suksesi marramendës i vëllezërve Kliçko është meritë sidomos i Igor Bakajit, ish menaxher i Neftegaz-it, kompanisë kombëtare të naftës, dhe i Viktor Rybalkos, i quajtur Rybka, shok i Bakajit dhe eksponent i njohur i botës kriminale. Ryska, me të cilin Kliçkot ishin miq të mëdhenj, ishte një personazh plot me atë sharm romantik, tipik të disa personazheve të botës kriminale të viteve Nëntëdhjetë. Thuhet se Bakaj dhe Rybka janë përkushtuar për të sponsorizuar karrierën boksieristike të Kliçkove. Në shkëmbim, të dy vëllezërit do të impenjoheshin për t’ua demonstruar mirënjohjen e tyre, duke ua dhuruar të dy mentorëve gjysmën e të gjithë fitimeve të ardhshme. Lëvizja e parë e Bakajit dhe e Rybkas ka qenë kërkimi për t’ua shitur të dy vëllezërit njeriut që në atë moment përfaqësonte autoritetin më të madh botëror në fushën e boksit, promotorit amerikan Don King. Rybka i ka çuar në Nju Jork për të organizuar ndeshje, por afera nuk ka përfunduar prej një mosmarrëveshjeje lidhur me ndarjen e fitimeve. Kështu ka ndodhur hyrja e Kliçkove në botën e boksit profesionist, gjithmonë me ndërmjetësimin e Rybalkos, falë Klaus-Peter Kohlit, promotor i Universum. Disa theksojnë se në fund të 2002, kur tashmë qenë në apogjeun e famës së tyre, Kliçkot kanë vendosur të ndahen nga mbrojtësit e tyre. Në atë kohë Rybka tashmë po fshihej nga policia dhe nga armiqtë e krimit të organizuar. Në pranverën e 2005 ka fluturuar drejt Kievit. U kishte treguar disa miqve se objektivi i udhëtimit të tij ishte që të arrinte në një marrëveshje me boksierët, lidhur me paratë. Por pas disa ditëve është vrarë. Autorët e kësaj vrasjeje nuk janë gjetur kurrë.
Kliçkot e kanë mohuar gjithmonë faktin që Rybalko ka pasur një rol në karrierën sportive të tyre. Për sa i përket Bakajit, theksojnë se i kanë ndërprerë raportet me të në 2004, kur ai ka lënë Ukrainën pasi është inkriminuar për përvetësim parash, dhe pse kanë bërë investime të paligjshme. Megjithatë, të apasionuarit pas boksit në të dyja anët e Atlantikut vazhdojnë t’i adhurojnë të dy vëllezërit. Në Gjermani, ku Vitalij është i njohur si mbreti i nokautëve, spektatorët ngrihen në këmbë kur njëri prej të dyve ngjitet në ring.
Në shkurt të 2001, Vitalij ka mbajtur në universitetin e Bundesverit në Mynih, një konferencë me temën “Metoda për përkufizimin e aftësisë së boksierëve në një sistem përzgjedhjeje sportive në shumë faza”. Pas prezantimit u është përgjigjur për 1 orë pyetjeve të vështira, për shembull ato, sesi ia kishte dalë një sportist si puna e tij që të gjente kohë për të siguruar një nivel arsimor kaq të lartë. Në atë kohë asgjë nuk të linte të mendoje se Vitalij donte të hynte në politikë. Por në dhjetorin e 2004, pasi ka mundur Danny Williams në ringun e kazinosë Mandalay Bay në Las Vegas, nga tavani i sallës sportive kanë rënë copa letre me ngjyrë portokalli, dhe prapa shpatullave të fitimtarit është shpalosur një poster me mbishkrimin “Kjo është për ty, Jushçenko!”. Boksieri kishte dalë në ring duke veshur çorape me një rrip portokalli, ngjyra e lëvizjes properëndimore, e zbritur në sheshe në atë periudhë. Kush ishte regjisori i kësaj skene? Ishte vetë Kliçko që kishte vendosur t’i tregonte botës solidaritetin e tij ndaj shesheve ukrainase? Apo në Las Vegas ishin vënë në lëvizje mekanizma të tjerë?
Ka shumë të ngjarë që prapa të ishte i zakonshmi Igor Bakaj: në marsin e 2002, kur ishte kandidat për deputet, biznesmeni ishte parë me të dy vëllezërit dhe disa badigardë në një xhip luksoz në Rovno, në perëndim të vendit. Vitalij ka deklaruar se kishte shkuar në Rovno me vëllain e tij për të prezantuar skuadrën e Bakajit. Dhe atyre që e akuzonin se i ishin shitur oligarkut, i përgjigjej: “Nuk bëhet fjalë për para, thjesht miku Bakaj është një njeri zemërmirë, që kujdeset për mirëqenien e popullit”. Edhe Jushçenko duhet të ketë pasur zemër të mirë, duke qenë se pasi është zgjedhur President, e ka emëruar Vitalijn si këshilltarin e tij. Në 2006, Kliçko ka filluar karrierën politike si kreu i bllokut elektoral Pora-Prp, duke u kandiduar në parlament, në këshillin bashkiak të Kievit dhe për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit. Por ka arritur të fitojë vetëm vendin si këshilltar bashkiak. Në 2008 e ka humbur sërish sfidën si kryebashkiak dhe është rizgjedhur këshilltar bashkiak. Humbja e tij ka befasuar shumë njerëz, pasi Kliçko u ishte besuar këshilltarëve politikë të rëndësishëm si ish kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, dhe ish kryebashkiaku i Berlinit, Klaur Vovereit. Impenjimi politik në rritje e ka shtyrë që të tërhiqet gradualisht nga boksi (dhe, për pasojë, të heqë dorë edhe nga shifrat marramendëse të fitimit).

Lider i hutuar
Në 2010 ka vendosur t’i kushtohet me kohë të plotë politikës, duke marrë drejtimin e partisë UDAR (që është akronimi i Aleancës Demokratike Ukrainase për Reformat, por në ukrainçe do të thotë edhe “goditje”). Në zgjedhjet e 2012 partia ka arritur të futet në parlament si forca e tretë politike e vendit. Klicko dhe ekipi i tij janë bërë fytyrat e reja e politikës ukrainase. Një alternativë për ata që qenë zhgënjyer nga Julia Timoshenko dhe nga Arsenij Jatseniuk, të dy liderët e opozitës. Por në 2012 UDAR ka bërë të flitet për të, sidomos prej akuzave të bashkëpunimit me oligarkët Sergej Levoçkin dhe Dmitrij Firtash, dhe prej mungesës së Vitalij Kliçkos në parlament ditën kur votohej mosbesimi ndaj qeverisë. Votimi ishte kërkuar pikërisht nga UDAR-i. Në atë moment Kliçko ndodhej në Gjermani për të dorëzuar çmimin e një llotarie të organizuar nga një kompani prodhuese e birrës. Në pranverën e atij viti, kur Jatseniuk kishte organizuar manifestime për të kërkuar dorëheqjen e Janukoviçit, Kliçko ndodhej sërish jashtë vendit. Në praktikë, UDAR-i dhe lideri i saj nuk kanë shumë veprime konkrete për të cilat të mburren.
Por skandalet gëlojnë. Më i bujshmi ka shpërthyer pikërisht pas lindjes së lëvizjes Euromaidan, që protestonte kundër vendimit të Kievit për të mos e nënshkruar një marrëveshje asociimi midis Ukrainës dhe Bashkimit Europian. Sikur të vepronin me porosi, hakersat e seksionit ukrainas të grupit Anonymous kanë hyrë në jetën private të ish boksierit dhe tashmë, peshës së rëndë të politikës. Deri më atëhere nuk qenë interesuar kurrë për jetën e tij, por papritmas janë kujtuar për të. Ndoshta pse, siç shpjegojnë shumë vëzhgues, në realitet nuk bëhet fjalë për “anonimë”, por për subjekte që ndjekin urdhërat e shërbimeve sekrete. Ka dalë se kandidati potencial i opozitës për presidencën e Ukrainës praktikon një sport të cilit i kushtohen shumë njerëz: Kliçko, baba i 3 fëmijëve, e tradhëton rregullisht gruan e tij, ama jo me një, por me dy dashnore. Bën një jetë të shthurur, frekuenton vende pushimesh të kushtueshme, i jepet jetës së bukur nëpër lokale. Sikur të mos mjaftonte, kanë dalë informacione lidhur me një hotel që i përket atij dhe të vëllait (dhe që në të vërtetë zyrtarisht është ekskluzivisht pronë e Vladimir Kliçkos) në qendër të Kievit, dhe deri për një fëmijë, i lindur jashtë martesës me bashkëshorten Natalja, ish atlete dhe fotomodele.

Patriot ngurrues
Krahasuar me dy dënimet e pësuara në rini nga presidenti aktual Viktor Janukoviç, akuzat ndaj Kliçkos nuk duken aq të rënda. Hakersat janë vënë në dijeni duke “thyer” adresën e postës elektronike dhe llogaritë e tij – Kontakte e Facebook. Kliçko nuk ka hedhur poshtë asgjë dhe vështirë se do ta bëjë, pasi në fund të fundit bëhet fjalë vetëm për një mal me pisllëqe. Të akuzosh një yll të show business për jetën që bën, është qesharake. Vitalij është një yll Hollivudi: bashkë me të vëllain dhe Silvester Stalonen ka prodhuar një muzikal lidhur me Rroki Balboan. Këtu mund të falet gjithçka. Edhe pse me hyrjen në politike do t’i vinte për mbarë që të kërkonte ta reduktonte pak shkëlqimin e yllit të tij. Gjëja e vetme pas së cilës mund të kapeshin kundërshtarët e tij, me shpresa më të mëdha suksesi është fakti që Kliçko është qytetar bote. Një politikan që do të ketë përballë vetes një të ardhme të gjatë dhe synon deri kolltukun e Presidentit, nuk mund të jetë kaq pak patriotik. Në tetor të 2013, është mësuar për vullnetin e tij që të kandidojë për presidencën. Pak kohë më pas është miratuar një modifikim në kodin e taksave.
Midis gjërave të tjera, norma parashikon se një qytetar që jeton jashtë vendit për pjesën më të madhe të vitit nuk mund të konsiderohet rezident në Ukrainë. Dhe sipas ligjit elektoral, vetëm kush banon në mënyrë permanente në të mund të kandidojë për presidencën. Projektligji është miratuar në lexim të parë me 8 tetor. Sipas Kliçkos bëhet fjalë për një lëvizje të studiuar kinse për ta goditur si konkurrent politik i Viktor Janukoviçit. Komisioni Elektoral është ngutur të saktësojë se kodi kufizohet që të rregullojë raportet midis shtetit e kontribuesve dhe nuk ka të bëjë me kandidaturën e Kliçkos. Por sipas shumë ekspertëve dhe juristëve, rreziqet për kandidaturën e tij janë realë.
Lidhja e Vitalij Kliçkos me vendin e tij praktikisht është shumë e dobët. Nëqoftëse do të bëhet kryetar shteti, do të bënte mirë të kalonte një vit e gjysmë të ardhshëm në Ukrainë dhe jo, siç bën zakonisht, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian. Gjatë këtyre 14 viteve të fundit ka jetuar kryesisht në Gjermani. Nga emaili i tij kanë dalë skanime të lejes së tij të banimit në Gjermani dhe dokumentacioni për rinovimin e lejës së banimit në Shtetet e Bashkuara. Siç është e njohur, ligjet e të dyja vendeve u kërkojnë bartësve të këtyre dokumentave që të banojnë në territoret respektive për jo më pak se 183 ditë në vit.
Në Gjermani, Kliçko është një prej sportistëve më të famshëm. Në prill të 2013 është botuar deklarata e të dhënave për një vit më parë: në Ukrainë ka fituar vetëm 11204 hryvnie (rreth 1000 euro), ndërsa në Gjermani të ardhurat e tij kanë qenë disa miliona eurove. Të gjitha paratë e fituara në atdhe ia ka dhuruar jetimores “Romashka”. Klicko nënvizon se nuk merret me biznes, edhe pse është i përfshirë në disa projekte në fushim e ndërtimeve. “Sipas thashethemeve jam pronar i shumë klubeve të natës, restoranteve dhe kazinove. Nuk kam ndërmend t’i komentoj këto zëra”, ka thënë kohë më parë. Por pavarësisht deklarimeve të tij, vazhdojnë të qarkullojnë shumë legjenda lidhur me perandorinë biznesore që menaxhon sëbashku me të vëllain. Thuhet se kanë interesa në sektorin e ndërtimit, të lojrave të fatit, të lokaleve dhe të prodhimit të pijeve alkoolike.
Shumë në Ukrainë besojnë se Vitalij Kliçko mund të bëhet vërtet konkurrenti kryesor në presidencialet e ardhshme. Kurse skeptikët besojnë se për momentin elektorati i Vitalijt është akoma një masë amorfe dhe konfuze. Deri më sot Kliçko nuk ka arritur ta stabilizojë bazën e tij elektorale, pasi për t’ia arritur i duhet që të ndërmarrë masa politike konkrete. Veç kësaj, një e treta e votuesve potencialë të tij është e formuar sidomos nga të rinj, një kategori veçanërisht refraktare për të dalë në zgjedhje. Por Vitalij nuk e humbet optimizmin. Ka emëruar tashmë krerët e komiteteve elektorale rajonale të tij dhe ka punësuar disa këshilltarë të huaj. Bëhet fjalë për një pjesë specialistësh amerikanë, ekspertë fushatash elektorale, të drejtuar nga Miron Vasilik. Ka kontaktuar edhe Xhejms Karvilin, strategun kryesor të fushatës presidenciale të Bill Klintonit në 1992, ish këshilltar i Kryeministrit britanik Toni Bler, i Presidentit jugafrikan Nelson Mandela, i Kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhe i Kryeministrit izraelian Ehud Barak. Përveç famës së tij, Kliçko disponon edhe një avantazh që as kundërshtarët, as mbështetësit e tij nuk mund ta injorojnë: është një personazh i huaj, për natyrën e një sistemi politik gjithnjë e më të irrituar dhe aspak transparent. Dhe për sytë e pjesës më të madhe të Ukrainës, bëhet fjalë për një cilësi shumë të vlerësuar.
(nga Itogi)

Përgatiti per www.bota.al: ARMIN TIRANA

Biografia e Klickos:
◆ 19 korrik 1971 Lind në Belovodskoye, në Republikën Socialiste Sovjetike Kirigize.
◆ 1996 Pasi ka qenë kampion bote në kickboxing, debuton si boksier profesionist.
◆ 1999 Fiton titullin botëror në kategorinë WBO. Do ta mbyllë karrierën me 45 fitore dhe 2 humbje.
◆ 2006 Zgjidhet në Këshillin Bashkiak të Kievit me një koalicion liberal.
◆ 2010 Bëhet lider i partisë opozitare UDAR.
◆ 24 tetor 2013 Shpall se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të 2015.

Related

Shtypi i huaj 626053898245902378

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item