Ukraina mund të jetë fillimi i fundit për Putinin

ADAM MICHNIK * Admirimi dhe zemërimi po na shoqërojnë në këto orë të zymta dhe plot tension. E admirojmë vetëpërmbajtjen e mencur, vendosmër...

ADAM MICHNIK *

Admirimi dhe zemërimi po na shoqërojnë në këto orë të zymta dhe plot tension. E admirojmë vetëpërmbajtjen e mencur, vendosmërinë, dhe ndjenjën e përgjegjësisë që po shfaq shoqëria dhe qeveria ukrainase. Dhe jemi të mbushur me zemërim kur shikojmë agresionin imperial të politikës prej superfuqie, që po ndjek Rusia ndaj Ukrainës. Jemi të indinjuar dhe të neveritur nga retorika mashtruese, hipokrite dhe arrogante e politikanëve, diplomatëve, propagandistëve rusë. Në kujtesën e polakëve, po rikthehen pamje historike. Ministri ynë i Jashtëm, Radoslav Sikorski ka thënë se “Rusia në fakt nuk e ka pushtuar asnjëherë Poloninë – ajo në fakt ka ardhur gjithmonë “që të ndihmojë” minoritetet kombëtarë dhe fetarë”.
Pikërisht kështu ka ndodhur gjatë mbretërimit të Katerinës së Madhe, e cila ofroi mbrojtjen e saj për pakicat fetare në komonuelthin polako-lituanez, në thelb për të realizuar Copëtimet e mëdha. Kështu ndodhi në vitet 1920 dhe 1939, kur Rusia mori nën “sqetull” masat punëtore urbane dhe rurale, si dhe pakicat fetare, për t’i mbrojtur nga regjimi fashist dhe imperialist në Poloni. Në vitin 1940, Kremlini nxitoi të ofrojë “ndihmë vëllazërore” për Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë – ekzaktësisht me të njëjtin objektiv. Dhe pas luftës, ata nxituan në Budapest në vitin 1956 dhe në Pragë në vitin 1968. Më vonë, “ndihma vëllazërore” iu ofrua edhe popullit të Afganistanit…
Sot, teksa shohim Krimenë, të dominuar nga ushtarë rusë dhe separatistë të armatosur vendas, është e vështirë të mos kujtojmë një tjetër politikan, i cili ka qenë njësoj i shqetësuar për mirëqenien e bashkatdhetarëve të tij, që ndodheshin nën “thundrën” e një qeverie të huaj. Në vitin 1939, Adolf Hitleri deklaroi se Rajhu i Tretë duhej të mbronte “dhjetë milionë gjermanët që jetonin në shtetet fqinjë”. Kështu, ai shkaktoi ngazëllim mes Sudetëve dhe hapi dritën jeshile për një fushatë propagande kundër Cekosllovakisë. Në fund, Hitleri kërkoi një plebishit mes Sudetëve, gjë që i hapi rrugë ndarjes së Cekosllovakisë dhe nënshtrimit të saj ndaj Rajhut të Tretë. Një vit më vonë, një strategji e ngjashme u përdor kundër Polonisë.
Kremlini ka bërë një studim të kujdesshëm të historisë së pushtimit të Cekosllovakisë nga Hitleri – ose të paktën kështu duket, po të shohësh manovrat në Krime. Megjithatë, nuk jam i sigurtë nëse burokratët caristë të Putinit e mbajnë mend rezultatin përfundimtar të politikës së Hitlerit, për mbrojtjen e gjermanëve dhe popujve gjermanisht-folës në shtetet e tjerë.
Vladimir Putini ka rigjallëruar doktrinën e Brezhnjevit të “sovranitetit të kufizuar”. Ai e kish zbatuar tashmë në Gjeorgji, dhe po e përdor në Moldavi. Të vjen të pyesësh, se ku do të nxitojë tashmë për të ofruar “ndihmë vëllazërore”? Në shtetet balltikë? Apo ndoshta Afganistan?
Lenini – një autor, shkrimet e të cilit Putini me siguri i ka lexuar në kurset e KGB-së – thoshte se politika e jashtme është rezultat i politikës së brendshme. Me fjalë të tjera: Vladimir Putini është duke zgjidhur problemet e Rusisë, duke krijuar tensione të jashtëm. Kështu ndodhi kur ai erdhi në pushtet, në mesin e luftës së Cecenisë. Kështu ndodhi gjatë luftës në Gjeorgji. Kështu po ndodh edhe tani. Fantazmat e Majdanit po faniten nëpër zyrat e zyrtarëve caristë të Kremlinit – prandaj edhe ka patur reagime kaq të fuqishëm ndaj protestave antiluftë në Moskë dhe Shën Petërsburg.
Sigurisht, në Rusi ka njerëz të mencur – edhe pranë Kremlinit – që tallen me Putinin dhe përsërisin: Kush nuk e do Krimenë nuk ka zemër, por kush dëshiron të shkëpusë Krimenë nga Ukraina, nuk ka tru. Fatkeqësisht, atje dominon ksenofobia shoviniste ruse – shumëkush në Kremlin po sillet sikur nuk ka tru – për të mos folur për dinjitetin. Unanimiteti politik dhe moral i Parlamentit rus, në lidhje me përdorimin e forcës ushtarake në Ukrainë, të kujton epokën e manifestimeve triumfalistë që organizonte Stalini. Dhe pamja e Ambasadorit të Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, një ditë do të përdoret në tekstet shkollorë si shembull i shkollës Putiniane të gënjeshtarëve.
Ukraina demokratike dhe e pavarur ka miq besnikë dhe jo-oportunistë në Poloni. Qeveria polake me të drejtë po vë theksin në nevojën për solidaritet ndërkombëtar – dhe po bën përpjekje për ta siguruar atë. Opinioni publik polak duhet të ruajë qetësinë dhe të mos rrëmbehet prej emocioneve. Duhet të jemi të ashpër, por racionalë. Sepse, ne nuk duhet të harrojmë: Arroganca e superfuqisë ruse që shfaqte Brezhnjevi shkaktoi sulmin ndaj Afganistanit, por ajo është përgjegjëse edhe për faktin që, pikërisht në Afganistan gjatë asaj lufte të turpshme, Perandorisë Sovjetike nisën t’i thyhen dhëmbët.
Ukraina mund të jetë fillimi i fundit për Putinin.
Dhe sot, ne mund të themi atë që thonë shumë demokratë rusë: “Какой позор для России…” – Cfarë turpi për Rusinë.
* Adam Michnik, udhëheqës i opozitës antikomuniste në Poloni në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, është Kryeredaktor i Gazeta Wyborcza, ku është botuar fillimisht ky shkrim./bota.al

Related

Shtypi i huaj 7421890899695947670

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item