Ukraina: A është ky fundi i luftës kundër terrorizmit?

Rivaliteti mes fuqive të mëdha ka qenë tipari afatgjatë i marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe duket se ky rivalitet po rikthehet, njësoj si në ...

Rivaliteti mes fuqive të mëdha ka qenë tipari afatgjatë i marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe duket se ky rivalitet po rikthehet, njësoj si në shekullin e 19, mes fuqive europiane
PETER BEINARTMAR, The Atlantic

Që kur mori mandatin e tij të dytë, Presidenti Obama ka sinjalizuar dëshirën e tij për të mbyllur një epokë në politikën e jashtme, që ai beson se ka tharë burimet ekonomike të Amerikës dhe ka minuar idealet e saj demokratike. Por nuk ka qenë e lehtë.
Pjesërisht, Obama mbetet i lidhur me disa nga luftërat kundër terrorizmit dhe në mjetet ligjërisht të dyshimta, veçanërisht sulmet me avionë dronë dhe me përgjimet masive. Dhe po kaq e rëndësishme është që Obama nuk ka asgjë për të zëvendësuar luftën kundër terrorizmit. Është e vështirë t’i japësh fund një epoke në politikën e jashtme, pa përkufizuar një epokë të re. Epoka e pas Luftës së Ftohtë, për shembull, u tërhoq zvarrë deri sa sulmet e 11 shtatorit 2001 papritur ndryshuan hartën mendore të botës për amerikanët.
Tashmë Rusia mund ta ketë zgjidhur problemin e Obamës. Ndërhyrja ushtarake e Vladimir Putinit në Ukrainë nuk përfaqëson një ndarje të papritur historike, siç ishte 11 shtatori, por ajo ofron argumentin më të qartë deri tani të asaj se si mund të jetë epoka post luftës kundër terrorizmit. Për të cituar sekretarin e Shtetit, Xhon Kerri (John Kerry), ajo që vjen pas luftës kundër terrorizmit është “shekulli i 19”.
Shpjegimi i kësaj kërkon të bëjmë ca histori. Për një shekull pas fundit të luftërave napoleonike më 1815-n, pesë fuqitë e mëdha – Britania, Rusia, Franca, Austria dhe Prusia (më vonë Gjermania) – konkurruan për ndikim në Europë. Pastaj, Lufta e Parë Botërore i shkatërroi tre prej tyre: Rusinë, Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë. Dhe pastaj Lufta e Dytë Botërore shkatërroi Gjermaninë sërish, ndërsa falimentoi Britaninë dhe Francën. Papritur, bota e gjeti veten të dominuar nga dy superfuqi, SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik. Secila prej tyre ishte më e udhëhequr nga ideologjia dhe më e aftë për të projektuar pushtet nëpër të gjithë globin sesa qenë fuqitë e mëdha që patën paraprirë luftërat botërore.
Dhe kështu vijoi për pothuajse gjysmëshekulli, deri sa perandoria sovjetike u rrënua. Menjëherë më pas, disa studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare parashikuan një rikthim te rivaliteti i stilit të vjetër mes fuqive të mëdha. Më 1990-n, Xhon Mersheimer (John Mearsheimer) i Universitetit të Çikagos publikoi një ese të titulluar “Kthim tek e ardhmja”, ku parashikoi një konkurrencë të re “multipolare” që i ngjan asaj që ishte tema e ditës në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kjo konkurrencë, parashikoi Mersheimer, do të ishte më pak ideologjike sesa Lufta e Ftohtë, por më e paqëndrueshme dhe mund ta zhysë Europën në luftë.
Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, NATO – pasi fitoi Luftën e Ftohtë – u zgjerua, dhe asnjë kundërshtar nuk u ngrit për ta sfiduar atë. Kjo mungesë përplasjesh fuqish të mëdha mundësoi një shkëmbim të madh parash, njerëzish, kulture dhe idesh të përmbledhura në një emër, “globalizim”. Edhe pas 11 shtatorit, epoka e një harmonie relative mes fuqive të mëdha rezistoi, pasi vendet më të fuqishme të botës në përgjithësi bashkëpunuan kundër terrorizmit.
“Ne kemi një mundësi historike për të thyer sjelljen shkatërrimtare të rivalitetit mes fuqive të mëdha që ka ngatërruar botën, që nga ngritja e shtetit komb në shekullin e 17”, deklaroi sekretarja e Shtetit, Kondoleza Rajs (Condoleezza Rice), më 2002-shin. “Sot, qendrat e mëdha të pushtetit në botë janë të bashkuara nga interesi i përbashkët, rreziqet e përbashkëta dhe vlerat gjithnjë e më të përbashkëta.”
Megjithëse amerikanët nuk menduan shumë për këtë gjë në atë kohë, kjo mungesë tensioni mes fuqive të mëdha bëri të mundur shumicën e asaj që SHBA-ja bëri gjatë luftës kundër terrorit. Në rast se Bashkimi Sovjetik nuk do të kishte tërhequr trupat e veta nga Afganistani apo të linte jetim ish–shtetin klient të vetin, Irakun, SHBA-ja nuk do t’i kishte sulmuar dhe pushtuar kurrë këto vende. Në rast se Kina do ta kishte sfiduar seriozisht pushtetin e amerikanëve në Paqësor, SHBA-ja nuk do ta kishte kurrë luksin të përqendronte vëmendjen dhe burimet në mënyrë kaq masive në Lindjen e Mesme. Rrjetet e terrorit, si Al-Kaeda apo shtete të vogla “batakçinjsh” si Iraku, dominuan ndërgjegjen e amerikanëve, për shkak se fuqitë e mëdha si Rusia apo Kina qëndruan gjerësisht jashtë skene.
Kjo tashmë ka ndryshuar. Rreziku i terrorit xhihadist mbetet; Irani është ende duke kërkuar kapacitetet për ndërtimin e një bombe atomike. Por këto kërcënime duken krahasimisht të vogla kur flitet për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, apo, siç ndodhi nëntorin e kaluar, Kina krijon një zonë mbrojtjeje ajrore mbi shumicën e detit të Kinës Lindore. Vetëm shikoni se si veprimet e Putinit e hoqën vizitën e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu në Uashington nga titujt e parë të lajmeve, ndërsa vizita ishte përqendruar rreth Iranit.
Kur ka tension serioz mes Amerikës dhe fuqive të tjera madhore, ky tension bëhet realitet dominues në politikën e jashtme të SHBA-së. Dhe ka gjasa që ky tension të vijojë. Vladimir Putini tashmë dy herë ka pushtuar fqinjët në përpjekje për të ndaluar apo ndoshta për të kthyer mbrapsht afrimin e Perëndimit në ish-Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, sa më kërcënues bëhet ai, aq më të dëshpëruar bëhen njerëzit në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi e ndoshta në Republikat e tjera ish-Sovjetike, në kërkim të lidhjeve ekonomike dhe ushtarake me Europën dhe SHBA-në. Pjesë të mëdha të ish-Bashkimit Sovjetik tashmë përbëjnë një zonë gri, ku konkurrenca mes Rusisë dhe Perëndimit mund të brumojë përplasje diplomatike, sanksione ekonomike, madje edhe luftëra të tërthorta.
Në mënyrë të ngjashme, ndërsa Kina vijon të rritet ekonomikisht, ajo do të vijojë të ripërkufizojë kontrollin mbi ishuj, hapësira ajrore dhe shtigje detare të pretenduara nga fqinjët e vet më të vegjël. Dhe kjo do të bëjë që këta fqinjë më të vegjël do të kërkojnë më shumë ndihmë nga SHBA-ja, gjë që do të acarojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës, diplomatikisht apo më keq. Kina është gjeopolitikisht në ngjitje, ndërsa Rusia nuk është, por që të dyja udhëhiqen nga regjime në mënyrë intensive nacionaliste, të gatshme për të rrezikuar konflikte me Perëndimin, për të përkufizuar sferën e ndikimit mbi fqinjët e tyre. Duke parë presionin politik mbi Barak Obamën – dhe ndoshta çdo presidenti të ardhshëm amerikan – për të shmangur shfaqjen e SHBA-së si një fuqi botërore në tërheqje, kjo është një recetë për mosmarrëveshje. Dhe është ky tension mes fuqive të mëdha që do të përcaktojë gjithnjë e më shumë epokën e postluftës kundër terrorit në marrëdhëniet e Amerikës me botën.
Nuk do të jetë një luftë tjetër e ftohtë. Lufta e Ftohtë ishte gara mes dy superfuqive (megjithëse gjërat u bënë më të komplikuara pas ndarjes kino-sovjetike). Kjo epokë e re tensionesh fuqish të mëdha ka së paku tre. Lufta e Ftohtë ishte në mënyrë intensive ideologjike, me SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik, duke promovuar secila modelet e tyre të sistemeve politike dhe ekonomike për botën. Sot, as Rusia dhe as Kina nuk kanë kredenciale revolucionare.
Ka edhe dallime të dukshme mes shekullit të 21 dhe shekullit të 19, demokracia, nacionalizmi, ndërvarësia ekonomike dhe të drejtat e njeriut janë forca më të fuqishme në botën e sotme. Kjo e bën agresionin e hapur më të vështirë; ajo e bën edhe diplomacinë e qetë më të vështirë gjithashtu.
Por kjo epokë e re do të jetë më shumë si shekulli i 19 sesa bota bipolare ideologjike e Luftës së Ftohtë apo epoka relativisht e qetë e post Luftës së Ftohtë, ajo e globalizimit të viteve 1990 apo ajo e luftës kundër terrorit, në të cilën politikëbërësit amerikanë u përqendruan shumë te rrjetet e terrorit dhe shtetet e vogla të batakçinjve.
Gjëja më e mirë që dikush mund të thotë mbi politikën e jashtme të Obamës është, se duke lëvizur drejt fundit të luftërave financiarisht shkatërruese në Irak dhe Afganistan dhe, deri tani, duke shmangur një tjetër të tillë në Iran, ai e ka lënë SHBA-në më të mirëpërgatitur për këtë epokë të re sesa ishte kur ai mori detyrën. Kjo është gjë e mirë, për shkak se epoka e re ka gjasa të jetë më e rrezikshme, si për Amerikën ashtu edhe për botën, sesa epoka e mëparshme.

Related

Shtypi i huaj 6866286456517425033

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item