TEKNOLOGJI / Arrati nga WhatsApp prej privatësisë. Populli i internetit emigron në Rusi

Milion pas milioni, vazhdon hemorragjia e ngadaltë e përdoruesve të shërbimeve të mesazheve që lënë WhatsAppin – aplikacionin që krejt papri...

Milion pas milioni, vazhdon hemorragjia e ngadaltë e përdoruesve të shërbimeve të mesazheve që lënë WhatsAppin – aplikacionin që krejt papritur, themeluesi Jan Koum ia shiti Facebookut, pak më shumë se dy javë më parë – për të kaluar në platforma alternative. Të rinj dhe të rritur që druhen se mos e gjejnë veten të kontrolluar, për të gjitha zgjedhjet e tyre të jetës dhe konsumit, nga syri pushtues i kompanisë së Zuckerbergut, kalojnë tek Snapchat, tek Line, por mbi të gjitha tek Telegram: një klonim i vërtetë rus i WhatsAppit, i cili në ditët e fundit ka fituar disa milionë përdorues.

Pesë milionë i ka fituar në një ditë të vetme, në 22 shkurt, kur, 48 orë pas daljes së lajmit për blerjen nga ana e kompanisë së Mark Zuckerbergut, shërbimi i WhatsAppit mbeti i bllokuar për 210 minuta për shkak të një gabimi në server.

Po përse nga kjo hemorragji (sidoqoftë e kufizuar: Whatsappi ka 450 milionë përdorues) ka përfituar një i sapofutur në treg, si Telegram, domethënë një kompani që mbahet në këmbë falë donacioneve të biznesmenit të pasur rus, Pavel Durov, dhe jo shërbime të tjerë mesazhesh më të njohur, si WeChat, Kik, Line, Viber, Snapchat? Dhe përse tani, në këtë biznes fillon punë edhe platforma Wickr, duke paralajmëruar një investim të madh për të garantuar sigurinë e mesazheve (të kriptuar dhe të pajisur me një mekanizëm vetëshkatërrimi), e financuar nga shumë investitorë, mes të cilëve spikasin ish shefi i antiterrorizmit, Richard Clark si dhe Gilman Louie, ish shefi i fondit të “venture capital” të CIA-s?

Një përgjigje të saktë për këto pyetje, ende nuk e ka askush. Ose më mirë, një përgjigje mund ta kërkosh nëse mendon për “sigurinë”: shumë i ngjashëm me WhatsAppin, Telegram ofron megjithatë komunikim më të sigurtë për përdoruesit e trembur nga spiunazhi i NSA, agjencia federale e shërbimit të fshehtë që përgjin vazhdimisht internetin. Durov, një biznesmen libertar që sillet si filantrop, thotë se e ka lancuar Telegramin për arsye se donte të krijonte një sistem komunikimi të pa-aksesueshëm nga autoritetet ruse. Megjithatë, për pastërtinë e tij filantropike, është e drejtë të hidhet ndonjë dyshim, mbi të gjitha pasi sipërmarrësi i ka shitur një pjesë të madhe të aksioneve të tij tek Vkontakte, rrjeti i tij social, një lloj Facebooku rus me 200 milionë përdorues, tek miliarderi Alisher Usmanov, një njeri shumë pranë presidentit Putin.

Ndërkohë që Telegram synon tek siguria, Line, që ka 360 milionë përdorues në botë dhe rritet me shpejtësi në Spanjë, në botën arabe dhe në Amerikën Latine, ka mbetur pas në SHBA (vetëm 10 milionë përdorues) pavarësisht se ka pasuruar mesazherinë e vet me shërbime shtesë: lojëra, fotografi, “sticker”-a dixhitalë. Edhe platformat e tjera amerikane po sforcohen të përmirësojnë ofertën e shërbimeve dhe mbrojtjen e komunikimeve.

Eshtë e qartë se pas pothuajse një viti pas zbulimeve që Snoudeni bëri për spiunazhin informatik të shërbimeve të fshehtë amerikanë, përdoruesit janë të shqetësuar: dhe garancia për ta është pjesë e biznesit të shërbimeve të mesazheve. Por nuk shtë vetëm NSA që spiunon: sot të gjithë, qeveri dhe privatë, shfrytëzojnë pasurinë e pafundme të informacioneve që përdoruesit hedhin cdo ditë në internet. Kush për interesa tregtarë, kush duke menduar për luftën kundër terrorizmit, kush për qëllime të spiunazhit ndërkombëtar. Dhe rolet e protagonistëve të kësaj beteje, edhe në nivel industrial, nuk janë gjithmonë të qartë./bota.al

Related

Teknologji 5900714137794187979

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item