SPIUNAZHI INDUSTRIAL / Lufta ekonomike, nga Parisi, në Berlin e Washington

Shërbimet e fshehtë nuk vënë në shënjestër vetëm politikanët, por edhe kompanitë. Në Francë ekziston prej vitesh një institut që formon eksp...


Shërbimet e fshehtë nuk vënë në shënjestër vetëm politikanët, por edhe kompanitë. Në Francë ekziston prej vitesh një institut që formon ekspertë të spiunazhit industrial. Kjo zgjedhje pasqyron një ekonomi globale që, në vitin 1998 presidenti François Mitterrand e përshkruante si një “fushëbetejë” në të cilën “sipërmarrjet dhe kompanitë luftojnë në një luftë të pamëshirshme”. Një luftë në të cilën Mitterrand mori pjesë me vrull, duke dërguar disa agjentë të Dgse në kompani amerikane si IBM dhe Texas Instruments. Më vonë u zbulua se shërbimet e fshehtë kishin mbushur me “çimka” sedilet e klasit të parë të Air France
Claus Hecking
Die Zeit
“Shtetet e Bashkuara janë një makinë lufte”, thotë Peer de Jong, në ajrin mbytës të një salle të “École de guerre économique” (Ege). “Janë kundërshtarët kryesorë të ekonomisë sonë”. Ish gjenerali i marinës franceze bën rrathë në ajër me duar, ndërkohë që u drejtohet 50 studentëve të tij. “Që nga vitet nëntëdhjetë, SHBA investojnë miliarda dollarë në survejimin e internetit dhe tani kontrollojnë të gjithë sistemin. Prioriteti i tyre është ekonomia”. Dhe mes objektivave kryesorë mendohet të jenë grupet e mëdhenj industrialë francezë.
Simoni pohon me kokë i kënaqur. Duket se për këtë djalë 23-vjecar, ia ka vlejtur pagesa e dhjetë mijë eurove për kursin nëntë mujor që do ta transformojë në një luftëtar të ekonomisë. Pas cdo zbulimi të ish bashkëpunëtorit të shërbimeve të fshehtë të SHBA, Eduard Snouden, vlera e tregut e Simonit rritet. Qoftë kur bëhet fjalë për siguri informatike, të mbledhjes sistematike të informacioneve apo të mbrojtjes së të dhënave delikate, sot në kompanitë europiane, aftësitë që po fiton Simoni tek EGE janë shumë të kërkuara. Në fakt, është gjithmonë e më e qartë se shërbimet e fshehtë amerikanë dhe britanikë nuk spiunojnë vetëm armiqtë e shtetit. “Qeveria amerikane bën gjithcka për të furnizuar kompanitë amerikane me informacione strategjikë mbi konkurrencën e huaj”, thotë Simoni. “Nëse nuk mbrohemi, do të na shkatërrojnë. Shërbimet tanë të fshehtë duhet të mbrojnë atdheun”.
Reagimet e Francës dhe Gjermanisë ndaj skandalit Snouden kanë qenë shumë të ndryshëm. Ndërkohë që Berlini preferon ta shmangë argumentin e mprehtë të spiunazhit industrial, Parisi flet hapur dhe me një shpirt luftarak. “Eshtë në interes të kombit mbrojtja e kompanive tona”, ka thënë për të përditshmen Le Figaro Bernard Squarcini, drejtori i shërbimit të fshehtë të brendshëm. Dhe Nicole Bricq, ministrja për tregtinë, ka deklaruar në televizion se “qarravitjet” për survejimin e përgjithësuar janë pa vend: e rëndësishme është që t’i përballim SHBA-të me “armë të barabarta”. Më tej ka shtuar: “Duhet të jemi më të mirë se sa anglezët, amerikanët dhe gjermanët”. Fraza të tilla të risjellin në mendje idenë e Kombit të madh. PO a janë shërbimet e fshehtë francezë vërtetë kaq të fuqishëm, sa duan të shfaqen para mbështetësve të tyre?
Fushëbeteja
Nryshe nga fqinjët gjermanë, francezët nuk e kanë dënuar asnjëherë anën e errët të ekonomisë. Pak vjet më parë, “Direction générale de la sécurité extérieure” (Dgse), shërbimi i fshehtë i jashtëm, ka krijuar madje një departament të dedikuar spiunazhit industrial. Kjo zgjedhje pasqyron një ekonomi globale që, në vitin 1998 presidenti François Mitterrand e përshkruante si një “fushëbetejë” në të cilën “sipërmarrjet dhe kompanitë luftojnë në një luftë të pamëshirshme”. Një luftë në të cilën Mitterrand mori pjesë me vrull, duke dërguar disa agjentë të Dgse në kompani amerikane si IBM dhe Texas Instruments. Më vonë u zbulua se shërbimet e fshehtë kishin mbushur me “çimka” sedilet e klasit të parë të Air France. “Nuk do të ishte normale nëse do të spiunonim SHBA-të për cështje politike”, thoshte në vitin 1991 ish drejtori i shërbimit të fshehtë, Pierre Marion. “Por në ekonomi jemi kundërshtarë, jo aleatë”.
Në këtë kontekst futet një raport i Bashkimit Europian, që në vitin 2001 zgjoi vëmendje të madhe në Berlin. Në këtë tekst pohohej që Dgse mund të kishte survejuar, për llogari të grupit Alstom, kompaninë gjermane Siemens në kuadrin e një gare për kontratën e një hekurudhe të shpejtësisë së lartë në Korenë e Jugut. Këta dyshime nuk u konfirmuan asnjëherë, por si kompensim, në fund të vitit 2010 disa agjentë të fshehtë francezë u kapën në flagrancë në Tuluzë, teksa zhbironin në dhomën e hotelit të drejtorit të kompanisë ajrore, China Eastern.  Edhe vitin që kaloi, Dgse përfundoi në faqet e para të gazetave. Sipas Le Monde, kishte mbledhur të dhëna mbi miliona lidhje telefonike dhe dixhitale si në francë, edhe jashtë saj. Thuhet se një funksionar i Dgse është mburrur duke thënë që serverat e shërbimit janë kaq të mëdhenj, saqë ata ngrohin ndërtesat e zyrave qendrore në Paris. Disa dokumenta të publikuar në Uikileaks tregojnë se sa shumë vendet e tjerë ndihen të kërcënuar prej spiunëve francezë. Për shembull, në një shënim të Ambasadës së SHBA në Berlin thuhej: “Spiunazhi i Francës është kaq i degëzuar, saqë shkakton më shumë dëme për ekonominë gjermane, se sa kinezët apo rusët”.
Më shumë se sa nga fama e keqe e shërbimeve të fshehtë francezë, Chirstian Harbulot, drejtori i EGE, shqetësohet për rezultatet e tyre të dobët. “Dgse intercepton shumë komunikime. Por me sa duket nuk gërrmon sa duhet për ekonominë tonë”. Harbulot e ka themeluar shkollën në vitin 1997, bashkë me gjeneralin Jean Pichot-Duclos, ish drejtor i akademisë së shërbimeve të fshehtë. Selia ndodhet në një rrugë dytësore, prapa një porte anonime ku gjithësesi shihet sigla e Ege. Sallat hapen në një labirint korridorësh pa dritare. Salla e konferencave ndodhet poshtë shkallëve. Nëpër mure ka citime të dy mijë viteve më parë. Për shembull, frazat e Sun Tzu, strategu i madh ushtarak kinez: “Nëse njeh armikun dhe njeh vetveten, atëherë nuk ka asnjë dyshim për fitoren tënde”, është shkruajtur në gërma me sfond të florinjtë.
Një portë e rëndë celiku ngjyrë e zezë, të con tek komanda, ose zyra e drejtorit. “Amerikanët kanë vënë në shënjestër të dhënat e rezervuara të kompanive tona”, thotë Harbulot. Në industrinë aerohapësinore, në sektorin e energjisë dhe atë të armatimeve, francezët janë ndër konkurrentët më agresivë të SHBA, dhe kjo situatë nuk konsiderohet e tolerueshme. Harbulot është i bindur se veprimtaria e Dsge nuk mjafton. Mbi të gjitha në fushën e teknologjive të përparuara të survejimit, shërbimet e fshehtë francezë janë shumë larg atyre amerikanë. “Mendoni se sa prokurime të rëndësishëm janë humbur në dhjetë vitet e fundit nga industria luftarake dhe bërthamore franceze”, thotë drejtori. “Nëse shërbimet tanë të fshehtë do të shkëlqenin vërtetë në spiunazhin industrial, rezultatet do të ishin më të mirë”.
Për Eric Denece shërbimet e informacionit të jashtëm në Francë janë një Big Brother “i vockël”. NSA-ja amerikane ka 50 mijë të punësuar në shërbimet e interceptimit, Dgse jo më shumë se 2500, thotë Drejtori i Qendrës së kërkimeve mbi shërbimet e fshehtë në Paris. Dhe nga këta, vetëm një pjesë e vogël merret me spiunazh indusutrial. “Në këtë sektor, shërbimet tanë janë më aktivë se ata të vendeve të tjerë të Europës”, thotë Denece. “Por arsyeja është se kompanitë franceze nuk merren shumë dhe preferojnë t’i besojnë shtetit”. Edhe kompanitë e mëdha gjermane, vazhdon Denece, merren sistematikisht me informacione për konkurrencën “por ato merren vetë, ose pajtojnë shërbime privatë të sigurisë”, që shpesh herë drejtohen nga ish agjentë të fshehtë. Deri tani, kjo zgjedhje ka rezultuar më efikase, se sa ajo, ku i kërkohet aparateve të ngathët shtetërorë që të vihen në lëvizje. “Sidoqoftë, me rastin Snouden disa kompani janë vetëdijësuar se duhet të angazhohen më shumë”, thotë Denece.
Pra, në të ardhmen diplomatët e EGE mund të jenë edhe më të kërkuar për aftësitë e fituara në kurse me titull “Konflikti dhe fuqia ekonomike”, “Teknika investigimi”, apo “Manipulim psikologjik”. Gjatë seminarëve, luftëtarët modernë të ekonomisë mësojnë edhe si të organizojnë fushata kundër organizatave jofitimprurëse apo kundër zinxhirëve të huaj të prodhimit të fast food-ëve.Një manifest i varur në murin pranë sallës së konferencave është dëshmi e një ushtrimi të kryer më herët: në fotografi duken disa fëmijë aziatikë me maska dhe me këshië të bardhë, që prekin sisët e një lope. Mu ngjitur duket slogani: “Të mos lejojmë kinezët që të mjelin ekonominë franceze”.
EGE thotë se u mëson studentëve të vet teknika për mbledhjen e informacioneve në mënyrë të ligjshme. “Profesorët tanë pohojnë se 90 përqind e informacioneve që lidhen me kompanitë gjendet gjithësesi në internet. Duhet vetëm të dish ku të kërkosh”, thotë Simoni. Se si merret 10 përqindëshi tjetër, këtë studentët e mësojnë pasi marrin diplomën. Në fund, shërbimet e fshehtë francezë rekrutojnë vazhdimisht studentë që kanë studiuar në EGE. Dhe kjo është arsyeja përse Simoni nuk do që ta zbulojë mbiemrin: edhe atij do i pëlqente të bëhej një mbrojtës i atdheut./bota.al

Related

Shtypi i huaj 7141982123624791756

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item