Spiunazh, terrorizëm apo fatalitet / Misteri i Boeingut po bëhet intrigë ndërkombëtare

Terrorizëm i ri global, trafik fëmijësh, dokumenta, armë dhe drogë, rrëmbim dhe luftë spiunësh, apo problem në strukturën e njërit prej avio...


Terrorizëm i ri global, trafik fëmijësh, dokumenta, armë dhe drogë, rrëmbim dhe luftë spiunësh, apo problem në strukturën e njërit prej avionëve më të sigurtë në botë. Katër ditë pas zhdukjes së Boeing 777 të Malaysia Airlines, që udhëtonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin me 239 pasagjerë në bord, misteri i avionit të zhdukur mbi Detin kinez shndërrohet në intrigën më shqetësuese ndërkombëtare të viteve të fundit. Me kalimin e orëve, një task force e paprecedentë që po merret me kërkime dhe hetime, me 34 avionë dhe 40 anije të dhjetë shteteve, në vend që të sigurojë përgjigje, i shumëfishon pyetjet. Shërbimet e fshehtë të të gjithë botës, që kanë nisur edhe hetimet për terrorizëm, janë të shqetësuar pikësëpari prej dy gjërave që ndodhin për herë të parë: nuk kishte ndodhur asnjëherë që një avion të ndërpriste pa asnjë sinjal komunikimin në mbi dhjetë mijë metra lartësi. Dhe është hera e parë që, 72 orë pas zhdukjes nuk janë gjetur gjurmë të një gjigandi të ajrit, që tashmë po kërkohet në një hapësirë detare të pakufi, mes Malajzisë, Vietnamit, Gjirit të Tailandës dhe Jugut të Kinës.
Pikëpyetja që trazon qeveritë e planetit vërtitet tashmë përreth përqëndrimit mbresëlënës të spiunëve dhe forcave ushtarake në një hetim që privilegjon pistën e atentatit, por që nuk përjashton avarinë, apo gabimin njerëzor. Përse pak orë pas kontaktit të fundit, shërbimet e fshehtë dhe ushtritë e gjysmës së botës, duke filluar nga FBI, niseshin me urgjencë maksimale dhe totalisht të rezervuar, drejt atyre pjesëve të oqeanit në juglindje të Azisë, që është një prej më të kontestuarave? Madhësia e fatkeqësisë, me praninë e pasagjerëve nga 13 shtete të ndryshëm të botës, nuk mjafton për të justifikuar një dërgim të tillë forcash. Atëherë, përse avioni i zhdukur i Malaysia Airlines monopolizon vëmendjen e aparateve më të sofistikuar të sigurisë, të angazhuar në një konkurrencë, ku fitues del ai që vë i pari duart tek mbetjet e avionit dhe kutia e zezë? Dhe cili është sekreti i parrëfyeshëm që fluturimi MH370 mori me vete në thellësitë e Paqësorit?
Deri tani, në një kaos të cuditshëm kontradiktash, vonesash dhe mosveprimi, ka dy pika të këtij misteri që nuk ndryshojnë: në epokën e teknologjisë së lartë dhe skedimit global, ku cdokush është nën kontroll, gjithmonë dhe kudo, është e mundur që një Boeing me 239 persona në bord të rezultojë i pagjurmueshëm. Brenda sistemit më gjigand të kontrollit të masës, me baza të dhënash, viza, radarë, rreze X dhe kontrolle truporë në cdo aeroport, është e mundur që pasagjerë me pasaporta false të hipin të pashqetësuar në një linjë ndërkombëtare për të shkuar në drejtim të Kinës së superblinduar?
Alarmin rritet edhe më shumë prej pranisë së klandestinëve në bord. Mundet që të mos jenë të lidhura, sic sugjerojnë shërbimet e fshehtë të SHBA, me “shpërbërjen në ajër” të Boeingut. Hetimet për këtë kanë marrë nga dje një rol qendror. Autoritetet malajziane kanë deklaruar se kanë zbuluar identitetin e vërtetë të njërit prej tyre, brenda një grupi që shkon nga dy në katër individë. Për të dytin, falë telekamerave të aeroportit të Kuala Lumpurit, njohin vetëm fytyrën. Edhe një herë, zbulimi është shoqëruar me një mister dhe një gafë të pafalshme.
Fillimisht, Ministria e Brendshme komunikoi se bëhej fjalë për dy persona me tipare somatikë aziatikë, duke kritikuar policinë e saj kufitare që i kishte lejuar të kalonin me dokumenta të paguar nga dy europianë, italiani Luigi Maraldi nga Cesena dhe austriaku Christian Kezel. Në pasditen e djeshme ka ardhur edhe gafa e kreut të aviacionit malajzian. “A njihni një futbollist italian – pyeti ai gazetarët, që nuk u besonin veshëve – që quhet Baloteli? E keni parasysh fytyrën e tij?” Dikush korrigjoi emrin dhe pyeti: klandestinët ishin me ngjyrë? Përgjigja: “Po, nuk janë aziatikë dhe as uigurë”. Një saktësim i domosdoshëm, pas zërave që vinin nga Kina për një atentat nga ana e terroristëve të Xinjiangut. Gjithësesi, tronditja mbizotëroi ndaj ilaritetit të momentit.
E vërtetë, false, ekzaminim i studiuar, kurth për bashkëpunëtorët e terroristëve? Emrat dhe prejardhja e “Mister X” mbeten sekretë dhe i shtohen një tjetër mali versionesh kontradiktorë: që nga gjetja e gjurmëve të Boeingut dhe benzolit mbi det, rezultate të pabazë, deri tek shpërthimi në ajër e tek rrëmbimi, që satelitët e Pentagonit nuk e kanë rregjistruar. Që nga thashethemnaja në Taivan për atentate të afërt në Pekin, e deri tek një hetim ndërkombëtar mbi trafikun e pasaportave në Tailandë, baza e re e grupeve të terrorizmit botëror. Vetëm një siguri: Në Boeingun 777 që u zhduk kishte persona që nuk donin të zbulonin identitetin e tyre, që zyrtarisht ishin nisur për Frankfurt dhe Kopenhagë, dhe pesë individë që, pasi kishin futur bagazhet, nuk kishin hipur në avion. Dy klandestinët jo vetëm kishin blerë biletat me numra serialë të njëpasnjëshëm, në të njëjtën orë dhe në të njëjtën agjenci, por të dy kishin përdorur të njëjtin ndërmjetës – një iranian me emrin Ali – që i kishte prenotuar në kompaninë China Southern Airlines në Bangkok, përmes një zyre të Patajas, gjithmonë në Tailandë. Procedurë shqetësuese, që nxjerr zbuluar lehtësinë me të cilën në Azinë juglindore zhvillohen sot veprimtari të parrëfyeshme, si përshembull ajo e lëndëve bërthamore, apo lojërat e spiunëve. Nuk është rastësi që dje Pekini kritikoi Kuala Lumpurin duke kërkuar “thellim dhe bërje transparente të hetimeve”. Pas tre ditësh nga zhdukja e Boeingut 777, enigma sot është shumë e gjatë dhe e mbushur me kontradikta.
Marre me shkurtime nga La Repubblica/bota.al

Related

Speciale 419933633427116089

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item