Skënder Kamberi, bota dhe shpirti i artit të tij

Nga Ndini R. Bardhi* Piktori Skënder Kamberi “Piktor i Popullit”, në gjithëkohësinë e tij krijuese artistike për 55 vjet krijimtari, ka tërh...

Nga Ndini R. Bardhi*


Piktori Skënder Kamberi “Piktor i Popullit”, në gjithëkohësinë e tij krijuese artistike për 55 vjet krijimtari, ka tërhequr vëmendjen e publikut artdashës shqiptar dhe të huaj, kritikës dhe studiuesve të shumtë, për idetë, tematikën dhe mesazhet e larmishme në pikturën e tij ndër vitet 1960, 1970 e deri më sot në moshën 75 vjeçare. Veprat e Kamberit janë vlerësuar për gjetjet historike, patriotike, poetike e lirike, koloritin e pasur tipik mesdhetar, për origjinalitetin dhe freskinë e tyre, qofshin ato të ngrohta e të ftohta në interpretimin piktorik. Për arritjet e tij të suksesshme krijuese artistike është vlerësuar me disa çmime të para (1969, 1971, 1973, 1974) dhe me tituj si “Piktor i merituar” dhe “Piktor i Popullit”.

Krijimtaria artistike e piktorit Skënder Kamberi gjatë 50 vjetëve krijuese ka ecur në dy periudha kohore, sistemi politik dhe ekonomik. Periudha e viteve 1963 deri në vitin 1990 dhe më pas, ajo e viteve 1990 e deri më sot në vitin 2014. Në tablotë e tij të dukshme të realizmit socialist, zë një vend të rëndësishëm në fondin e vlerave shoqërore dhe kombëtare, tablotë kompozicionale me tema historike, Luftës Nacionalçlirimtare, nga jeta dhe dinamika e kohës. Të kësaj periudhe janë tablotë “Ndihma e shokut”, 1966, “Natë me hënë në Kallarat”, 1970, “Te pusi”, (1966), “Demonstrata e bukës më 1942”, (1971), “Kapedan Sali Vranishti”, (1972), “Portret gruaje”, (19740, “Dimër në Llogara”, (1994), “Buka e duarve tona”, (1976), “Vjeshtë në bregdet”, (1976), “Vrana Konti dhe rrethimi i Krujës”, (1968), “Nëndetëset kthehen në bazë”, (1968).

Piktori Kamberi përveç kompozimeve ka edhe shumë vizatime, portrete dhe peizazhe në teknika të ndryshme si në vaj, akuarel, pastel, karbon etj. E veçantw, tipike dhe identike në veprat e Kamberit gjatë periudhës së parë të krijimtarisë së tij ishin zgjedhjet dhe zgjidhjet interesante artistike, të momenteve më tipike dhe karakteristike të kohës, qofshin ato historike, politike, ideologjike e deri në bukuritë natyrore të trevës së Vlorës e gjithë Shqipërisë, të interpretuara me nivel të lartë artistik, koloristik dhe tipik të tij. Krijimtaria e piktorit Skënder Kamberi në vepër është në trajtën dhe rrymën e një impresionizmi dhe ekspresionizmi elegant, të ndjeshëm, të kultivuar me profesionalizëm shpirtëror dhe emocional, me dashuri dhe kërkesë ndaj vetes si artist, për të bërë art, që duan njerëzit, shoqëria dhe kombi. Gjithçka e ka arritur me punë mjaft këmbëngulëse dhe sistematike, duke trajtuar shumë tema të karakterit social, politik, dramatik si ato të Otrantos, tranzicionit në Shqipëri, dhunës dhe luftës në Kosovë, të eksodit dhe emigracionit të shqiptarëve.

Artisti Kamberi si njeri dhe shqiptar me shpirt e zemër të dhimbshme, përjeton traumën që ndien duke i sintetizuar në vepër (vepra) me kolorit të ftohtë, në gri e në blu të thellë të detit e të qiellit të trazuar. Edhe në ngjyrë, manifeston dramë dhe tragjedi njerëzore, që të dhemb shpirti dhe të godet zemrën. Krahas kompozimeve, piktori Kamberi është tërhequr edhe mbas bukurisë së natyrës shqiptare, peizazhit, ku theksohet mjeshtëria dhe profesionalizmi i ngjyrës së tij, me efektet dritë-hije dhe kontrastet koloristike të saj.

Në koleksionin e punimeve kompozicionale të këtyre viteve të fundit qëndrojnë vlera artistike të gjithëkohshme emocionale për njerëzit si “Ciceroni”, “Doruntina”, “Kleopatra”, “Fausti”, etj. Shumë vepra të piktorit Skënder Kamberi janë ekspozuar në ekspozita kolektive në Shqipëri dhe në disa vende të botës si në Vjenë, Austri, 1971, Bukuresht (Rumani), Hanxhou, Pekin (1973) Kinë, Athinë, (Greqi) 1982, Kajro, (Egjipt), 1986, Hamburg (Gjermani), 1994, etj. Koleksionistë shqiptarë dhe dashamirës të artit të tij kanë shumë vite që koleksionojnë veprat e  piktorit Skënder Kamberi, si vlera artistike në fondin e galerisë së tyre private. Edhe në koleksionet e personaliteteve të politikës, kulturës, diplomacisë, biznesmenëve në mjaft shtete europiane, SHBA e Australisë.

Vazhdojmë më tej. Duke marrë shkas nga ekspozita personale retrospektive e piktorit Skënder Kamberi, e hapur në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, më datën 3-8 shkurt 2014, me 45 vepra në kompozime, portrete e peizazhe, dëshiroj të jap disa opinione artistike e profesionale për këtë artist të afirmuar e të njohur shqiptar e botëror.

Për kompozimin. Në kompozimin “Ndihma e shokut”, “Natë me hënë në Kallarat”, “Demonstrata e bukës më 1942”, “Kapedan Sali Vranishti”, “Buka e duarve tona”, “Vrana Konti dhe rrethimi i Krujës”, “Nëndetëset kthehen në bazë”, etj., piktori Skënder Kamberi shfaqet si një studiues i thellë me konceptimin njerëzor e material të figurës së njeriut me mënyrat e veta të ndërtimit dhe të krijimit të efekteve, tematike dhe atmosferike të kohës. Ai, në tablo, i trajton figurat me një ndjenjë të thellë njerëzore, u jep pamje krenarie dhe dinjitoze shqiptare, i pikturon me botë e psikologji aktive të veçantë, duke krijuar një ndërgjegje të tyre dhe nëpërmjet secilit ndërton subjektin krijues artistik dhe ngjarjen reale  ekzistuese fenomenale, qoftë ajo historike, politike, heroike, patriotike, etj. Me këtë shpirt, Kamberi thellon artistikisht prirjen e tij si krijues vlerash, i ndërgjegjshëm në rolin e tij për vëzhgimin, konceptimin e dukurive dhe ngjarjeve përreth realitetit.

Te vepra kompozicionale “Ndihma e shokut”, figurat krejt njerëzore rrezatojnë qëndrime të ndryshme shpirtërore dhe personalitetin e vet. Artisti Kamberi thellon prirjen njerëzore për t’i përqasur personazhet e vizatuar në vepër me ato të jetës së përditshme, duke zgjedhur si modele për figurat e tij veten dhe, njerëzit përqark, pavarësisht nga tema e veprës. Figurat, në këtë kompozim e në të tjerët, të Skënder Kamberit, plot jetë e gjallëri të brendshme, përpiqen e rezistojnë në hapësirë, frymëzohen nga një liri e dëshiruar për ekzistencë dhe dalin në vlerë shpirtërore dhe emocionale përmes lojës mjeshtërore të ngjyrës, dritës e hijes, që i modelojnë si subjekte të veprës kompozicionale artistike.

Në kompozimet e veta, Kamberi, si karakteristikë e tij krijuese artistike, figurat e zgjedhura si model i grupon sipas ngjarjes që zhvillohet në kuadër dhe i ndërfut ato lirshëm në peizazh. Ndonëse modelet i zgjedh midis njerëzve të thjeshtë e të zakonshëm, figurat i trajton me një frymë monumentale, me vëllim e peshë dhe i pikturon në qëndrime e me gjeste të tilla, që fuqizojnë ngarkesën dramatike, historike, jetësore e njerëzore të ngjarjes. Janë shumë interesante veprat kompozicionale “Buka e duarve tona”, “Te pusi”,  “Demonstrata e bukës më 1942” që, kur i shikon me vëmendje format dimensionale artistike të njeriut (njerëzve), perspektivën lineare, organizimin hapësinor, elementët e gjuhës pikturore, ruajnë karakterin tregimtar, duke sugjestionuar shikuesin artdashës dhe ta bëjë për vete para veprës, aty ku synon piktori Kamberi. Gjuha figurative e tij nis me hapësirën pikturore duke i shpërndarë format në mënyrë korrekte, të logjikshme, në përputhje me rregullat e perspektivës lineare e kompozicionale. Piktori Kamberi, duke qenë një artist me eksperiencë të gjatë krijuese, e zotëron mjeshtërisht si të vetën efektin (efektet) e dritës alegorike, që vjen nga një burim i caktuar dhe që shpreh emocionet e personazheve dhe kuptimin simbolik të tablosë. Gjithçka në vepër lexohet e qartë në hapësirën pikturore dhe çdo shikues futet menjëherë në përmbajtjen e veprës.

Piktori Skënder Kamberi, nëpërmjet veprës së tij të krijuar për 55 vjet, krijoi një koncept të vetin pikturor, një stil të thjeshtë e artistikisht të një niveli elitar, me ngarkesa të jetës dramatike, njerëzore e historike të popullit shqiptar. Ky art dhe stil i tij përbën një vlerë shpirtërore e artistike në themelet e artit shqiptar. Si artist i vërtetë, në vepër trupëzon raportet intuitive të njeriut me hapësirën, krijon hapësira të reja me një strukturë më të fortë se ajo që perceptohet në natyrë e në jetën e përditshme shqiptare.

Ndryshimet politike, shoqërore dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare janë shoqëruar artistikisht në vepër nga Kamberi dhe, si shqiptar i qytetëruar, i ka ruajtur këto raporte deri më sot në moshën 75-vjeçare. Pasqyrë e shpirtit praktik të kësaj krijimtarie 55-vjeçare, gjuha figurative e tij, kërkoi si përpjekje njerëzore të futë hapësirën e jetuar në këtë jetë, universin e jetës së përditshme shqiptare, në atë të legjendës, botën e ndjenjave, aspiratave, idealeve për liri, ekzistencë, pavarësi, dinjitet e identitet të popullit shqiptar në shekuj e mbi të gjitha, botën e sakrificave dhe të njohjes së realitetit të gjithëkohshëm popullor. Në krijimtarinë e Skënder Kamberit buron konceptimi hapësinor i tij, mprehtësia e thellë e vëzhgimit ndërmjet dy sistemeve politike dhe ekonomike në Shqipëri, fryma realiste dhe impresioniste e paletës që hedh në tablo, figurat e sendet, pa lënë pas dore paraqitjen e hollësishme të tyre. Së bashku me këto cilësi shpirtërore e artistike, me sensin e zhvilluar  të ngjyrës dhe materien e shkëlqyer si një sipërfaqe vezulluese koloristike, formojnë stilin e veçantë pikturor të Skënder Kamberit. Njëherësh, Skënder Kamberi nëpërmjet veprës së tij 55-vjeçare ka hedhur themelet dhe ka përcaktuar natyrën e artit të vërtetë, karakterin, përmbajtjen e pikturës realiste shqiptare e të një stili pikturor të gjithëkohshëm e bashkëkohor të këtij shekulli, që jetojmë.

Piktori Skënder Kamberi, me mjeshtëri artistike në veprën e krijuar deri më sot, ka lëvruar portretin, tablonë e zhanrit, peizazhet, vizatimet dhe gravurat, të cilat janë plot figura njerëzish; marrëdhëniet midis tyre rrjedhin prej botëkuptimit filozofik të tij si njeri dhe artist i ngopur shpirtërisht.

Arti i Skënder Kamberit është i madhërishëm edhe në peizazhet shqiptare, në stilin e kultivuar dhe në sensin grafik me prirje të theksuara natyrore realiste.

Këto cilësi mjeshtri Kamberi i ka shkrirë natyrshëm me përshkrimet e holla, poetike të natyrës së trevës së tij vlonjate e mbarëshqiptare që nga Veriu e deri në Jug të Shqipërisë, e të veçantave, tipike të traditës që ekzistojnë në realitet. Kamberi krijoi në veprën e tij sintezën e peizazhit të shkollës vlonjate, hodhi themelet e peizazhit realist të kombit shqiptar dhe është përpjekur me çdo sakrificë t’i paraprijë pikturës peizazhiste në këtë gjini.

Ai, si artist, deri më sot ka trashëguar artin e vërtetë për njerëzit dhe brezat e ardhshëm, frymën kombëtare dhe patriotike të popullit shqiptar. Me të gjitha, së bashku, duke iu dhënë trajta krejtësisht vetjake, ai krijoi dhe ruan edhe sot në jetën që jeton, një gjuhë pikturore të veçantë, në të cilën spikatin fryma e thellë realiste, figuracioni origjinal dhe ngjyrat tingëlluese e emocionale.

Piktori Skënder Kamberi deri më sot, në krijimtarinë 55 vjeçare, e shpirtëzuar në 75-vjetorin e jetës së tij si njeri dhe krijues vlerash artistike, është shquar veçanërisht për stilin origjinal e të guximshëm të portretit të njeriut. Portreti i Kamberit si vepër arti është pikturuar me ndjenjë, njolla të gjëra, të hedhura gjithë shkathtësi në telajo dhe me ngjyra shpërthyese; të kuqërremta në të verdhë e të bardhë të pastër, të ftohta, pas të cilave ndihet materia, jeta, drita.

Pikturimi plot jetë e vërtetësi, së bashku me teknikën e shkathët pikturore, i portretit “Eda”, “Studentja”, “Vajza nga Bodrishta”, etj. të piktorit Skënder Kamberi kthehet në një stil me fuqi të madhe emocionuese dhe artistike. Duke depërtuar në shpirtin e njeriut, arti i tij i portretit shpërthen dashuri dhe adhurim për bukurinë fizike dhe botën e tij (njeriut). Përvoja e pasur e jetës si njeri dhe artist, fantazia e gjallë krijuese e piktorit Skënder Kamberi, e bëjnë atë dhe artin e tij një krijues universal, vetjak, që ruajti dhe kultivoi gjatë gjithë jetës e deri më sot, një gjuhë pikturore të veçantë, në të cilën spikatin fryma e thellë realiste, figuracioni origjinal dhe ngjyrat tingëlluese tipike mesdhetare shqiptare.

*Piktor, studiues arti

Related

Kultura 4390744738384554364

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item