Sa shtete e kanë njohur në të vërtetë Kosovën?

Kastriot Myftaraj https://www.facebook.com/kastriotmyftaraj1966 Kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt 2008, SHBA, si sponsori kryesor ndër...

Kastriot Myftaraj

https://www.facebook.com/kastriotmyftaraj1966

Kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt 2008, SHBA, si sponsori kryesor ndërkombëtar i njohjes së Kosovës, kishte përpunuar një strategji për njohjen e Kosovës, e cila tashmë në paskqyrje, kuptohet qartë sesi ka qenë. SHBA kishte dy opsione strategjike për sponsorimin e pavarësisë së Kosovës, të cilat mund të quhen si ai i “lokomotivës” dhe ai i “shefit të stacionit” hekurudhor. Pra, opsioni i parë ishte që SHBA të bënte “lokomotivën”, duke qenë në radhën e vendeve të para që do ta njihnin Kosovën, dhe duke u përpjekur kështu që të krijonte “trenin” e njohjeve, për të tërhequr pas sa më shumë vende të tjera si “vagona”. Ky opsion kishte rrezikun se do të shndërrohej në një lloj plebishiti mbi qëndrimin e vendeve të NATO-s, mbi luftën e aleancës kundër Serbisë nëntë vite më parë. Nëse SHBA nuk arrinte t’ i tërhiqte që me “trenin” e parë të njohjeve të gjitha vendet e NATO-s, ose së paku pjesën më të madhe të tyre, kjo do të kushtëzonte shumë sjelljen e shumë shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, ndaj të cilëve SHBA kishte lobuar paraprakisht që ta njihnin pavarësinë e Kosovës.
Opsioni i dytë, ai i “shefit të stacionit hekurudhor” ishte që SHBA të deklaronte se e mirëpriste pavarësinë e Kosovës, por të mos e ishte ndër vendet e para që e njihnin atë dhe të lobonte fuqishëm në prapaskenë që sa më shumë vende ta njihnin Kosovën. Kjo do të sillte që shumë vende, të cilët nguronin që ta njihnin Kosovën, të akomodoheshin duke e indeksuar qëndrimin e tyre me atë amerikan dhe t’ i bënin me dije Washingtonit se do ta njihnin Kosovën kur këtë gjë ta bënin SHBA. Dhe kur SHBA ta njihte Kosovën, këto vende do ta kishin të vështirë që të mos bënin të njëjtën gjë.
Dallimi midis dy opsioneve ishte thjesht taktik. Opsioni i parë ishte agresiv, opsioni i dytë ishte i moderuar. SHBA zgjodhi opsionin e parë, atë agresiv dhe dështimi u bë evident që në ditën e parë. SHBA e njohu Kosovën që në ditën e parë të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, të nesërmen e shpalljes së pavarësisë, në 18 shkurt. Në këtë ditë Kosovën e njohën tetë vende, një prej të cilëve ishte SHBA. Por vetëm tre vende të NATO-s e ndoqën pas SHBA, duke e njohur Kosovën në 18 shkurt: Franca, Turqia dhe Britania e Madhe. Prania e aleatit më të afërt historik të SHBA, Britanisë së Madhe, në tetëshen e parë të vendeve që e njohën Kosovën të nesërmen e shpalljes së pavarësisë, tregon se SHBA kërkonte që të tërhiqte sa më shumë vende, në rradhë të parë të NATO-s, për ta njohur Kosovën pikërisht në këtë ditë. Kjo strategji dështoi. Madje edhe Franca iu bashkua grupit të vendeve të para që njohën Kosovën, vetëm falë Presidentit Sarkozy, i cili kishte vendosur një afërsi të tillë me SHBA, që nuk është qëndrimi normal ndërkombëtar i Francës.
Një vend shumë i rëndësishëm i NATO-s, Gjermania, u distancua qartësisht nga SHBA, duke e njohur Kosovën në 20 shkurt. Është interesante se i pari tre nga shtetet balltike anëtare të NATO-s, të cilët kanë qenë republika sovjetike dhe që e njohën Kosovën, Latvia (Letonia) parapëlqeu që t’ i bashkohej Gjermanisë dhe jo SHBA, duke e njohur Kosovën në 20 shkurt. Ish-republika tjetër sovjetike balltike, tashmë anëtare e NATO-s, Estonia, parapëlqeu që ta njohë Kosovën një ditë më vonë se fqinja e saj, në 21 shkurt, duke iu bashkëngjitur tre vendeve të tjera të NATO-s Italisë, Danimarkës dhe Luksemburgut. Madje vendi tjetër balltik, anëtar i NATO-s, Lithuania, do ta njihte Kosovën vetëm në 6 maj 2008, dy javë pas shtetit të vogël të Oqeanit Paqësor, Naurusë. Qëndrimi i tre shteteve anëtare të NATO-s, ish-republika sovjetike, të cilët qenë të vetëdijshëm se për sigurinë e tyre partneriteti me SHBA kishte një rëndësi shumë më të madhe se për shumë vende të tjera të NATO-s, është treguesi më i qartë i dështimit të strategjisë së SHBA për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Një tjetër vend anëtar i NATO-s, madje ai ku është selia politike dhe ushtarake e NATO-s, Belgjika, e njohu Kosovën gjashtë ditë pas SHBA, në 24 shkurt. Një vend tjetër anëtar i NATO-s, Polonia, për sigurinë e së cilës ka shumë rëndësi partneriteti me SHBA, e njohu Kosovën në 26 shkurt, duke qenë vendi i tetëmbëdhjetë që e bëri këtë gjë. Një tjetër vend anëtar i NATO-s, Hollanda (Netherlands) e njohu Kosovën në 4 mars 2008, duke u bërë vendi i njëzetetretë që e njihte atë. Dy vende të tjera anëtarë të NATO-s, Islanda dhe Sllovenia, e njohën Kosovën në 5 mars 2008, duke u bërë vendi i njëzetekatërt dhe i njëzetepestë që e njihnin atë. Një tjetër vend i NATO-s, që për më tepër është vend fqinj me SHBA, e njohu Kosovën në 18 mars 2008, duke u bërë vendi i njëzetetetë që e njihte atë. Dy vende anëtare të NATO-s, fqinje të Serbisë, Hungaria dhe Kroacia, e njohën Kosovën në të njëjtën ditë në 19 mars 2008, duke u bërë vendi i tridhjetë dhe i tridhjetëenjëtë që e njihnin atë. Një tjetër vend anëtar i NATO-s, fqinj me Serbinë, Bullgaria, e njohu Kosovën në 20 mars 2008, duke u bërë vendi i tridhjetëedytë që e bënte këtë gjë. Një tjetër vend anëtar i NATO-s, Norvegjia, e njohu Kosovën në 28 mars 2008, duke u bërë vendi i tridhjetëepestë që e njihte atë. Një tjetër vend anëtar i NATO-s, Republika Çeke, e njohu Kosovën në 21 maj 2008, duke u bërë vendi i dyzetenjëtë që e njihte atë, pas Burkina Fasos, Ishujve Marshall, Naurusë etj. Një tjetër vend anëtar i NATO-s, Portugalia, e njohu Kosovën në 7 tetor 2008, duke u bërë vendi i dyzetetetë që e bënte këtë gjë.
Me Portugalinë mbyllet lista e njohjeve të Kosovës nga ana e vendeve të NATO-s. Katër vende anëtare të NATO-s, nuk e kanë njohur ende Kosovën: Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja. Dështimi evident i SHBA në sfidën e “lokomotivës” që zgjodhi për të tërhequr vendet e tjera, e një rradhë të parë ato të NATO-s, për ta njohur Kosovën sa më shpejt bëri që procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës të ngadalësohet shumë. Por aspekti më i keq i dështimit amerikan është se lista e vendeve që kanë njohur Kosovën është në mospërkim të thellë me listën e vendeve që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën.
Njohja e një shteti të ri nga një shtet që tashmë është anëtar i bashkësisë ndërkombëtare (OKB), si një proces i dyanshëm, vetëm sa nis me deklaratën e njohjes nga qeveria e shtetit njohës, në adresë të shtetit të njohur dhe të bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi. Me këtë deklaratë, shteti njohës, vetëm sa shpreh vullnetin për të njohur shtetin e ri. Në shumë raste deklarata e njohjes së një vendi shpesh është një hap që bëhet nga qeveria e një shteti si kompromis për t’ i ikur presionit që i bëhet nga vende të tjera të fuqishme për të njohur një shtet të ri. Pasi ka bërë deklaratën e njohjes qeveria e shtetit njohës fiton kohë, dhe pastaj mund ta shtyjë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duke e bërë praktikisht të pavlerë deklaratën e njohjes.
Se njohja diplomatike si proces i dyanshëm përmbyllet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ka rëndësi të madhe edhe për faktin se, ndryshe nga njohja që deklarohet thjesht nga qeveria e shtetit njohës, dhe mund të formalizohet me një notë verbale, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është marrëveshja fillestare mes dy shteteve, shtetit njohës dhe shtetit të njohur. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike është një lëvizje që implikon edhe kryetarin e shtetit, i cili duhet të pajtohet me qeverinë në këtë rast, pasiqë është kryetari i shtetit ai që do të dërgojë ose pranojë përfaqësues diplomatikë të vendit të tij ose të vendit tjetër, pavarësisht nëse do të jenë rezidentë ose jo.
Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike i hapet rruga shkëmbimit të përfaqësuesve diplomatikë, gjë që mund të bëhet me përfaqësues diplomatikë rezidentë, ose jo, gjë që nga pikëpmja e njohjes nuk ka rëndësi të madhe. Natyrisht se është shteti i ri i cili i kërkon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike shtetit qeveria e të cilit ka deklaruar njohjen e shtetit të ri. Kuptohet se shteti i ri është i interesuar që deklarata e njohjes të formalizohet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Kur një shtet i ri llogarit pas një periudhe të gjatë kohe numrin e shteteve që e kanë njohur atë, ai duhet ta bëjë këtë gjë duke llogaritur se sa vende, qeveritë e të cilëve kanë bërë deklaratë njohjeje, kanë pranuar të vendosin marrëdhënie diplomatike me të. Ndryshe deklarata e njohjes bëhet fiktive. Se kur Kosova të kërkojë anëtarësim në OKB, ajo duhet të paraqesë një dosje ku të provojë se dy të tretat e vendeve anëtarë të OKB kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri, jo që qeveritë e këtyre vendeve kanë bërë thjesht deklarata njohjeje ndaj Kosovës.
Sot Kosova pretendon zyrtarisht se e kanë njohur 107 (njëqindeshtatë shtete) nga 193 shtete anëtarë të OKB. Në të vërtetë Kosovën e kanë njohur 104 shtete se tre shtete (Nigeria, Uganda, Sao Tome dhe Principe) mohojnë që ta kenë njohur Kosovën. Pavarësisht se Kosova pretendon se e kanë njohur edhe këto tre vende, fakti që asnjë prej tyre nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, flet kundër pretendimit të Prishtinës. Gjithsesi nga këto 104 apo 107 shtete, të cilët e kanë njohur, Kosova ka arritur që të vendosë marrëdhënie diplomatike vetëm me 67 shtete.
Sot OKB ka 193 vende anëtare, cka do të thotë se që Kosova të mund të bëjë kërkesë për anëtarësim në OKB Kosova duhet të arrijë kuorumin prej 129 vende që ta kenë njohur atë. Por ndryshe nga ç’ gënjen qeveria e Kosovës (veten apo popullin e vet pak rëndësi ka), nuk duhet që Kosova të sigurojë një dosje me 129 deklarata të qeverive të vendeve anëtare të OKB-së, ku të thuhet se ato e kanë njohur Kosovën, por 129 marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këto vende. Kjo konsiderohet njohje formale në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Kosovës nuk i duhet edhe që ta njohin 32 vende për të arritur kuorumin prej dy të tretave, por i duhet që ta njohin edhe 62 vende, do të thotë që të vendosë marrëdhënie diplomatike me 62 vende të tjera. Është një çështje tjetër pastaj që kjo dosje i shkon Këshillit të Sigurimit të OKB, i cili duhet të votojë që t’ i rekomandohet Asamblesë së Përgjithshme që të votohet për anëtarësimin e Kosovës, dhe ku Kosova duhet të marrë dy të tretën e votave. Por më parë duhet që Kosova të kalojë pengesën e pakapërcyeshme që asnjë nga vendet anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje të mos votojë kundër Kosovës. Kur dihet se dy vota kundër të tilla janë të sigurta, e Rusisë dhe e Kinës.
Vendet që përveçse kanë deklaruar njohjen e Kosovës kanë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike me të janë: 1)Afganistani; 2)Andorra; 3)Australia; 4)Austria; 5)Bahrain; 6)Belgjika; 7)Bullgaria; 8)Burkina Faso; 9)Kanada; 10)Kosta Rika; 11)Kroacia; 12)Republika Çeke; 13)Danimarka; 14)Xhibuti; 15)Dominika; 16)Estonia; 17)Fixhi; 18)Finlanda; 19)Franca; 20)Gaboni; 21)Gjermania; 22)Gana; 23)Grenada; 24)Guajana; 25)Hondurasi; 26)Hungaria; 27)Irlanda; 28)Islanda; 29)Itali; 30)Japoni; 31)Jordani; 32)Kuvajt; 33)Latvia (Letonia); 34)Lihtenshtaini ;35)Lithuania; 36)Luksemburg; 37)Maqedonia; 38)Malajzia; 39)Maldives; 40)Malta; 41)Ishujt Marshall; 42)Mikronezia; 43)Monako; 44)Mali i Zi; 45)Nauru; 46) Netherlands (Holandë); 47)Zelanda e Re; 48)Niger; 49)Norvegji; 50)Oman; 51)Pakistan; 52)Panama; 53)Portugali; 54)Katar; 55)San Marino; 56)Arabia Saudite; 57)Senegal; 58)Sllovenia; 59)Suedi; 61)Shqipëri; 61)Zvicër; 62)Tailandë; 63)Turqia; 64)Emiratet e Bashkuara Arabe; 65)Britania e Madhe; 66)Shtetet e Bashkuara të Amerikës; 67)Vanuatu
Sipas kontinenteve, me Kosovën kanë vendosur marrëdhënie diplomatike:
-33 vende nga Europa (Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Islanda, Italia, Latvia, Lihtenshtaini, Lithuania, Luksemburgu, Maqedonia, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Shqipëria, Zvicra, Turqia, Britania e Madhe)
-8 vende nga dy kontinentet amerikane (Kanada, Kosta Rika, Dominika, Grenada, Guajana, Hondurasi, Panama, SHBA)
-6 vende nga Afrika (Burkina Faso, Xhibuti, Gaboni, Gana, Niger, Senegal)
-12 vende nga Azia (Afganistani, Arabia Saudite, Bahraini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani, Katari, Kuvajti, Malajzia, Maldives, Oman, Pakistani, Thailanda)
-7 vende nga Oqeania(Australia, Fixhi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Zelanda e Re, Vanuatu)
Dështimi i strategjisë së SHBA për njohjen ndërkombëtare të Kosovës duket edhe nga fakti se nga katër vendet e tjera joanëtare të NATO-s që deklaruan njohjen e Kosovës në të njëtën ditë me SHBA, vetëm Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën në të njëjtën ditë. Afghanistani vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën pesë vite e katër muaj më vonë, në 17 qershor 2013. Kosta Rika e bëri këtë gjë vetëm në 23 shtator 2013. Senegali e bëri madje edhe më vonë, në 15 shkurt 2014. SHBA nuk arriti madje që edhe të gjithë vendet të cilët iu bashkuan Ëashingtonit duke deklaruar njohjen e Kosovës që në 18 shkurt 2008, të vendosnin njëkohësisht edhe marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Kjo gjë nuk mund të mos ketë pasur një ndikim të madh në qëndrimin e vendeve të tjera të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Vendet e tjerë anëtarë të NATO-s, nga të cilët pritej që të ishin në rrethin e parë të vendeve që duhej t’ i bashkoheshin SHBA për të deklaruar njohjen e Kosovës dhe vendosur marrëdhënie diplomatike me të, u sollën kështu sa i përket vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën:
-Gjermania, i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, në 27 shkurt 2008, një javë pasi kishte deklaruar njohjen e saj. E gjithë kjo u bë vetëm me synimin e distancimit nga qëndrimi amerikan.
-Danimarka, i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën dy javë pas deklarimit të njohjes së saj, në 6 mars 2008.
-Belgjika i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën një muaj e gjysëm pas deklarimit të njohjes, në 10 prill 2008.
-Estonia, i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën dy muaj pas deklarimit të njohjes, në 24 prill 2008.
-Italia, i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën rreth tre muaj pas deklarimit të njohjes, në 15 maj 2008.
-Sllovenia i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën në 15 maj 2008, 70 ditë pas deklarimit të njohjes.
-Bullgaria i vendosi marrëdhëniet diplomatike në 27 maj 2008, dy muaj e një javë pas deklarimit të njohjes.
-Latvia (Letonia) i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën rreth katër muaj pas deklarimit të njohjes, në 11 qershor 2008.
-Republika Çeke i vendosi marrëdhëniet diplomatike në 16 qershor 2008, njëzetegjashtë ditë pas deklarimit të njohjes.
-Lithuania i vendosi marrëdhëniet diplomatike në 1 shtator 2008, tre muaj e 25 ditë pas deklarimit të njohjes.
-Norvegjia i vendosi marrëdhëniet diplomatike në 25 tetor 2008, shtatë muaj, pa tre ditë, pas deklarimit të njohjes.
-Luksemburgu i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën tre vite e katër muaj pas deklarimit të njohjes, në 16 qershor 2011.
-Hollanda (Netherlands) i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën në 27 qershor 2008, tre muaj e 23 ditë pas deklarimit të njohjes.
-Hungaria i vendosi marrëdhëniet diplomatike në 27 qershor 2008, tre muaj e tetë ditë pas deklarimit të njohjes.
-Kanadaja i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën në 7 prill 2009, një vit e njëzet ditë pas deklarimit të njohjes.
-Portugalia i vendosi marrëdhëniet diplomatike në 14 nëntor 2011, tre vite, një muaj dhe një javë pas deklarimit të njohjes.
-Islanda i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën në 15 maj 2012, katër vite e 70 ditë pas deklarimit të njohjes.
-Polonia qeveria e së cilës e ka deklaruar njohjen e Kosovës që në 26 shkurt 2008 nuk ka vendosur ende marrëdhënie diplomatike me Kosovën pas më tepër se gjashtë viteve, çka e zhvlerëson deklaratën e njohjes. Prandaj Polonia duhet llogaritur në vendet që nuk e kanë deklaruar njohjen e Kosovës. Me Poloninë bëhen katër vende të NATO-s të cilët nuk e njohin Kosovën si shtet: Greqia, Rumania, Polonia, Sllovakia, Spanja.
Paaftësia e SHBA për të bindur të gjithë, ose së paku pjesën më të madhe të vendeve të NATO-s, për ta bërë deklarimin e njohjes së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e ri që në 18 shkurt 2008 solli bllokimin e procesit të njohjes, dhe bëri që shumë vende, sidomos të Amerikës Latine dhe të Afrikës, të cilët mund ta kishin njohur Kosovën dhe të kishin vendosur marrëdhënie diplomatike me të, të mos e bëjnë këtë gjë. Këtu duhet kërkuar arsyeja edhe që shumë vende të cilët e kanë deklaruar njohjen e Kosovës, nuk kanë shkuar deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Sa u përket vendeve europiane jo anëtare të NATO-s, qeveritë e të cilëve kanë deklaruar njohjen e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë sipas këtij rendi:
-Qeveria e Zvicrës e ka njohur Kosovën në 27 shkurt 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 28 mars 2008.
-Qeveria e Austrisë e ka njohur Kosovën në 28 shkurt 2008, dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 20 mars 2008.
-Qeveria e Irlandës e ka njohur Kosovën në 29 shkurt 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 11 nëntor 2008.
-Qeveria e Suedisë e ka njohur Kosovën në 4 mars 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 28 mars 2008.
-Qeveria e Finlandës e ka njohur Kosovën në 7 mars 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 2 shkurt 2009.
-Monakoja e ka njohur Kosovën në 19 mars 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur po në 19 mars 2008.
-Qeveria e Kroacisë (në atë kohë Kroacia nuk ishte anëtare e NATO-s) e ka njohur Kosovën në 19 mars 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 30 qershor 2008
-Qeveria e San Marinos e ka njohur Kosovën në 12 maj 2008, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 3 maj 2012.
-Qeveria e Andorras e ka njohur Kosovën në 8 qershor 2011 dhe në 14 shtator 2011 janë vendosur marrëdhëniet diplomatike.
-Qeveria e Maqedonisë e ka njohur Kosovën në 9 tetor 2008, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 18 tetor 2009.
1)Qeveria e Malit të Zi e ka njohur Kosovën në 9 nëntor 2008 por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 15 janar 2010.
1)Qeveria e Maltës e ka njohur Kosovën në 22 gusht 2008, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 22 shtator 2011.
1)Qeveria e Lihtenshtajnit e ka njohur Kosovën në 25 mars 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 28 qershor 2012
Sa u përket dy kontinenteve amerikane (me përjashtim të dy vendeve anëtare të NATO-s), të cilët kanë deklaruar njohjen e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë sipas këtij rendi:
-Qeveria e Hondurasit e ka njohur Kosovën në 3 shtator 2010 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 2 dhjetor 2010.
-Qeveria e Kosta Rikës ka deklaruar njohjen e Kosovës në 18 shkurt 2008, por marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur në 23 shtator 2013.
-Qeveria e Panamasë e ka njohur Kosovën në 16 janar 2009, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 27 gusht 2013.
-Qeveria e Dominicas e ka njohur Kosovën në 11 dhjetor 2012 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 12 dhjetor 2012.
-Qeveria e Guajanës e ka njohur Kosovën në 16 mars 2013 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 13 qershor 2013.
-Qeveria e Grenadës e ka njohur Kosovën në 25 shtator 2013 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në po këtë ditë.
Sa u përket vendeve të Azisë, qeveritë e të cilëve e kanë deklaruar njohjen e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë sipas këtij rendi:
-Qeveria e Japonisë e ka njohur Kosovën në 18 mars 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 25 shkurt 2009.
-Qeveria e Maldives e ka njohur Kosovën në 19 shkurt 2009 dhe marrëëdhëniet diplomatike janë vendosur në 16 prill 2009.
-Qeveria e Arabisë Saudite e ka njohur Kosovën në 20 prill 2009 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 7 gusht 2009.
-Qeveria e Omanit e ka njohur Kosovën në 4 shkurt 2011 dhe në këtë ditë janë vendosur marrëdhëniet diplomatike.
-Qeveria e Katarit e ka njohur Kosovën në 7 janar 2011 dhe po në këtë ditë janë vendosur edhe marrëdhëniet diplomatike.
-Qeveria e Afganistanit ka deklaruar njohjen e Kosovës në 18 shkurt 2008, por marrëdhëniet diplomatika janë vendosur në 17 qershor 2013 janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
-Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe e ka njohur Kosovën në 14 tetor 2008, dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 27 prill 2010.
-Qeveria e Malajzisë e ka njohur Kosovën në 30 tetor 2008, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 23 mars 2011.
-Qeveria e Kuvaitit e ka njohur Kosovën në 11 tetor 2011 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 16 janar 2013.
-Qeveria e Pakistanit e ka njohur Kosovën në 24 dhjetor 2012 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 27 janar 2013.
-Qeveria e Jordanisë e ka njohur Kosovën në 7 korrik 2009, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 5 qershor 2013.
-Qeveria e Thailandës e ka njohur Kosovën në 24 shtator 2013 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 22 nëntor 2013.
-Qeveria e Bahrainit e ka njohur Kosovën në 19 maj 2009, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 12 mars 2014.
Sa u përket vendeve të Oqeanisë, qeveritë e të cilëve e kanë deklaruar njohjen e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë sipas këtij rendi:
-Qeveria e Nauru e ka njohur Kosovën në 23 prill 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur po në këtë ditë.
-Qeveria e Australisë e ka njohur Kosovën në 19 shkurt 2008 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 21 maj 2008.
-Qeveria e Zelandës së Re e ka njohur Kosovën në 9 nëntor 2009 dhe po në këtë ditë janë vendosur edhe marrëdhëniet diplomatike.
-Qeveria e Vanuatu e ka njohur Kosovën në 28 prill 2010 dhe në 23 shtator 2010 janë vendosur marrëdhëniet diplomatike.
-Qeveria e Fixhit e ka njohur Kosovën në 19 nëntor 2012 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 13 shkurt 2013.
-Qeveria e Mikronezisë e ka njohur Kosovën në 5 dhjetor 2008, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 19 shtator 2013.
-Qeveria e Ishujve Marshall e njohu Kosovën në 17 prill 2008, por marrëdhëniet diplomatike u vendosën në 27 tetor 2013.
Sa u përket vendeve të Afrikës, qeveritë e të cilëve e kanë deklaruar njohjen e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë sipas këtij rendi:
-Qeveria e Ghanës e ka njohur Kosovën në 23 janar 2012 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 4 tetor 2012.
-Qeveria e Burkina Fasos e ka njohur Kosovën në 23 prill 2008, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 6 dhjetor 2012
-Qeveria e Nigerit e ka njohur Kosovën në 15 gusht 2011 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 25 janar 2013.
-Qeveria e Xhibutit e ka njohur Kosovën në 8 maj 2010, por marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 23 mars 2013.
-Qeveria e Senegalit e ka njohur Kosovën në 18 shkurt 2008, por marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur vetëm në 15 shkurt 2014.
-Qeveria e Gabonit e ka njohur Kosovën në 15 shtator 2011 dhe marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 5 mars 2014.
Sa u përket vendeve qeveritë e të cilëve kanë deklaruar njohjen e Kosovës, por nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ato janë, sipas rendit të kohës kur është deklaruar njohja nga ana e qeverive përkatëse:
1)Qeveria e Perusë e ka njohur Kosovën në 22 shkurt 2008.
2)Qeveria e Polonisë e ka njohur Kosovën në 26 shkurt 2008.
3)Qeveria e Koresë së Jugut e ka njohur Kosovën në 28 mars 2008.
4)Qeveria e Liberisë (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 30 maj 2008.
5)Qeveria e Sierra Leones (Afrikë)e ka njohur Kosovën në 11 qershor 2008.
6)Qeveria e Kolumbisë e ka njohur Kosovën në 4 gusht 2008.
7)Qeveria e Belizes (Amerika Qendrore) e ka njohur Kosovën në 7 gusht 2008.
8)Qeveria e Samoas (Oqeania) e ka njohur Kosovën në 15 shtator 2008.
9)Qeveria e Palau (Oqeania) e ka njohur Kosovën në 6 mars 2009.
10)Qeveria e Gambia (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 7 prill 2009.
11)Qeveria e Komorros (Afrikë- vend musliman anëtar i Lidhjes Arabe)e ka njohur Kosovën që në 14 maj 2009.
12)Qeveria e Republikës Dominikane (Amerika Veriore) e ka njohur Kosovën në 10 korrik 2009.
13)Qeveria e Malaui (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 14 dhjetor 2009.
14)Qeveria e Mauritanisë(Afrikë) e ka njohur Kosovën në 12 janar 2010.
15)Qeveria e Suazilandit (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 12 prill 2010.
16)Qeveria e Somalisë e ka njohur Kosovën në 19 maj 2010.
17)Qeveria e Kiribati (Oqeania) e ka njohur Kosovën në 21 tetor 2010.
18)Qeveria e Tuvalu (Oqeania) e ka njohur Kosovën në 18 nëntor 2010.
19)Qeveria e Guinea-Bisau (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 10 janar 2011.
20)Qeveria e Republikës të Afrikës Qendrore e ka njohur Kosovën në 22 korrik 2011.
21)Qeveria e Guinesë (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 12 gusht 2011
22)Qeveria e Benin (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 18 gusht 2011.
23)Qeveria e Saint Lucia (Amerika Veriore) e ka njohur Kosovën në 19 gusht 2011.
24)Qeveria e Bregut të Fildishtë- Ivory Coast (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 16 shtator 2011.
25)Qeveria e Haitit (Amerika Veriore) e ka njohur Kosovën në 10 shkurt 2012
26)Qeveria e Bruneit (Azi) e ka njohur Kosovën në 25 prill 2012.
27)Qeveria e Çadit e ka njohur Kosovën në 1 qershor 2012.
28)Qeveria e Timorit Lindor (Azi) e ka njohur Kosovën në 20 shtator 2012.
29)Qeveria e Papua dhe Guinea e Re (Oqeania) e ka njohur Kosovën në 3 tetor 2012.
30)Qeveria e Burundit (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 16 tetor 2012.
31)Qeveria e Saint Kits dhe Nevis (Amerika Veriore) e ka njohur Kosovën në 28 nëntor 2012.
32)Qeveria e Tanzanisë e ka njohur Kosovën në 29 maj 2013.
33)Qeveria e Jemenit e ka njohur Kosovën në 11 qershor 2013.
34)Qeveria e Egjiptit e ka njohur Kosovën në 26 qershor 2013.
35)Qeveria e El Salvadorit e ka njohur Kosovën në 29 qershor 2013.
36)Qeveria e Libisë e ka njohur Kosovën në 25 shtator 2013.
37)Qeveria e Tongas (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 15 janar 2014.
38)Qeveria e Lesothos (Afrikë) e ka njohur Kosovën në 11 shkurt 2014.
Tre vende që e kanë njohur më parë Kosovën nuk duhet të llogariten në këtë listë, se në dy prej tyre qeveritë e kanë mohuar njohjen: Qeveria e Nigerias (Afrikë), që supozohet ta ketë njohur Kosovën në 12 shtator 2011, e mohoi më pas këtë gjë, dhe Qeveria e Ugandës (Afrikë), që supozohet ta ketë njohur Kosovën në 5 dhjetor 2011, e mohoi më pas këtë gjë. Gjithashtu, Qeveria e Sao Tome dhe Principe (Afrikë) që e pati njohur Kosovën në 13 mars 2012, e anuloi njohjen në 7 janar 2013. Pretendimet e qeverisë së Kosovës se deklaratat e mëparshme nga ana e qeverive të këtyre vendeve për njohjen e Kosovës janë të vlefshme është absurd se Kosova nuk mund të llogarisë votën e këtyre tre vendeve në OKB.
Nga të tridhjetëetetë vendet të cilët kanë deklaruar njohjen e Kosovës, por që nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me të, tetë prej tyre e kanë njohur Kosovën që në vitin 2008, pesë prej tyre e kanë njohur që në vitin 2009, pesë të tjerë e kanë njohur në vitin 2011, megjithatë, ende sot, në vitin 2014 nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Nuk duket se ka ndonjë gjasë që këto vende të vendosin marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Kjo për faktin se ka një prirje të qartë që vendet të cilët e kanë bërë me vonesë deklarimin e njohjes së Kosovës, por që kanë vullnet për ta njohur atë plotësisht, e kanë bërë shpejt pas kësaj vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Të gjithë shtetet e reja që kërkojnë të sigurojnë njohje ndërkombëtare me titull të plotë, janë shumë të kujdesshëm deri në detajet më të imta që kanë të bëjnë me pozitën e tyre ndërkombëtare. Kosova bën përjashtim. Sa për të filluar, hyni në faqen zyrtare online të kryetarit të shtetit të Kosovës, Presidentes Jahjaga (president-ksgov.net), dhe shkoni te vegëza (pjesa): “Shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës”. Sipas listës së shteteve që paraqitet atje del se Kosovën e kanë njohur vetëm 96 shtete, dhe se njohja e fundit ndërkombëtare për Kosovën ka ardhur në 28 nëntor 2012 me Saint Kitts dhe Nevis. Kështu është në të gjitha gjuhët e faqes zyrtare të Presidentes së Kosovës. Por vetë Presidentja Jahjaga ka falenderuar dhjetë shtete të tjerë që e kanë njohur Kosovën pas kësaj date. E megjithatë stafi i saj nuk e ka përditësuar portalin së paku që nga 28 nëntori 2012. Presidentja, merret vesh, as që është interesuar t’ i pyesë se çka bëjnë ata që paguhen për këtë punë. Edhe sipas Portalit shtetëror të Republikës së Kosovës (rks-gov.neti) Kosovën e kanë njohur 96 shtete. Lista është e njëjtë me atë që gjendet në faqen zyrtare të Presidentes Jahjaga.
Në faqen zyrtare online të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (mfa-ks.net) gjendet e njëjta listë me 96 shtete që e kanë njohur, si në faqen zyrtare të Presidentes të Kosovës. Edhe sipas kësaj liste njohja e fundit ndërkombëtare për Kosovën ka ardhur në 28 nëntor 2012. Por a nuk ka qenë pas kësaj date vetë Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, i cili ka deklaruar me mburrje në dhjetë raste për dhjetë njohje të tjera ndërkombëtare të Kosovës? Merret vesh, as faqja zyrtare ed Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk është përditësuar. Në faqen zyrtare të Kryeministrit Thaçi nuk ka një “vegëzë” për shtetet që e kanë njohur Kosovën. Duket se kjo gjë nuk është një nga shqetësimet e Kryeministrit.
Kur flitet për njohje të Kosovës në faqet zyrtare online të Presidentes së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Portalin Shtetëror të Kosovës, bëhet fjalë vetëm për ato vende qeveritë e të cilëve kanë deklaruar njohjen e Kosovës dhe jo për ato vende me të cilët Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Arsyeja kuptohet qartë. Nëse do të jepej dhe kjo informatë atëherë do të zbulohej Rrena e Madhe e Njohjes së Kosovës. Gjithsesi, përfundimisht mund të thuhet se njohja ndërkombëtare e Kosovës dështoi praktikisht që të nesërmen e shpalljes së pavarësisë, në 18 shkurt 2008. Ato që ndodhën pas kësaj dite nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe.

Related

Opinione 7462683792869664233

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item