Rusia së shpejti në izolim

Ingo Mannteufel* Edhe thjesht duke mbajtur referendumin në Krime, Kremlini e përshkallëzon më tej situatën shpërthyese në Ukrainë. Në këtë m...

Ingo Mannteufel*

Edhe thjesht duke mbajtur referendumin në Krime, Kremlini e përshkallëzon më tej situatën shpërthyese në Ukrainë. Në këtë mes nuk ka rëndësi as rezultati i shpallur. Kjo nuk lidhet vetëm me rezervat kushtetuese dhe ato sipas të drejtës ndërkombëtare ndaj këtij referendumi: Rusia nuk respekton kushtetutën e Ukrainës dhe shkel me referendumin një sërë traktatesh ndërkombëtare themelore. Presidenti Putin po e çon Rusinë në rrugën e izolimit ndërkombëtar, nga i cili vështirë se mund të dalë përsëri, sepse as edhe Kina nuk e mbështet Kremlinin në politikën e tij agresive ndaj Ukrainës. Vetëm regjimi sirian i Assadit dhe Koreja e Veriut nuk janë kundër veprimeve të Kremlinit në lidhje me Krimenë.
I paligjshëm dhe jo i lirë
Politikisht vendimtar është gjithashtu se nuk mund të flitet për një shprehje të lirë të vullnetit të qytetarëve në Krime: referendumi nuk është vetëm i paligjshëm, por nuk është as i pavarur dhe as i lirë. Sepse referendumi i planifikuar për një kohë kaq të shkurtër nuk u parapri nga një proces i mirëfilltë diskutimi politik, u zhvillua nën praninë e trupave të armatosura ruse dhe të “forcave të vetëmbrojtjes” të lidhura me to. I gjithë referendumi ndoqi një skenar të njohur, që e ka përdorur edhe Stalini gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në vendet e pushtuara të Evropës Qendrore dhe Lindore: grupe fanatike të Kremlinit të lidhura me pushtetin ushtarak të Moskës organizojnë shfaqje propagandistike për votime, të cilat duhet t’i japin një lloj legjitimiteti politikës ekspansioniste.
Ndoshta presidenti Putin shpresonte se Perëndimi do t’ia lejonte në kaosin e Ukrainës së post-Janukoviçit politikën agresive dhe kundër së drejtës ndërkombëtare. Ai ndoshta priste një retorikë më pak kritike nga Perëndimi. Ndoshta ai ende beson se indinjata politike do të qetësohet ose Perëndimi do t’i prapësojë sanksionet. Tek e fundit ka vite që në debatin publik rus sundon përfytyrimi i gabuar se Perëndimi është i varur nga furnizimet ruse të energjisë.
Blof i madh
Po Putini i ka bërë llogaritë keq. Edhe më keq krerët e Kremlinit nuk e kanë kuptuar madje deri tani as edhe se kanë shkuar shumë larg me lojën e tyre dhe se po shkojnë drejt një konfrontimi të fortë me Perëndimin, prej të cilit Rusia në një periudhë afatmesme do të dalë e humbur. Ekonomia ruse gjendet tani në një periudhë staniacioni. Zhvlerësimi i rublës po redukton tashmë konsumin aktual dhe në këtë mënyrë edhe mirëqenien e rusëve. Kufizimet e eksporteve të energjisë do të ishin për Rusinë vetëvrasje me këste, po ashtu edhe shitja e rezervave të valutës, për të cilën flitet. Sanksionet ekonomike të Perëndimit do të lënë gjurmë të forta në Rusi. Mbetet të shpresohet se puna nuk do të shkojë deri atje. Por ndaj referendumit do të reagojnë sot me sanksione jo vetëm SHBA por edhe Bashkimi Evropian. Fjala është për ngrirje llogarish bankare dhe kufizime për viza për përfaqësues të lartë të elitës ruse.
Këto sanksione politike do të ishin përpjekja e fundit e Perëndimit, për ta bërë Rusinë të ndryshojë qëndrim dhe për ta detyruar Moskën për një dialog politik dhe diplomatik me udhëheqjen në Kiev. Megjithatë duhet pasur frikë se Kremlini do ta refuzojë këtë dhe do të nisë javën e ardhshme procesin e aneksimit zyrtar të Krimesë në Federatën Ruse. Në mënyrë aneksimi i Krimesë nga perspektiva ruse është i përfunduar. Për Perëndimin kjo do të jetë me të drejtë arsye që të mendojë për sanksione të tjera – politike dhe ekonomike. Spiralja e rrezikshme e sanksioneve do të vazhdojë. Një izolim ndërkombëtar i Rusisë do të jetë atëherë i pashmangshëm.
*Autori është drejtues i departamenti rus të “Deutsche Welle”-s.

Related

Shtypi i huaj 9168036642702800267

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item