ROBERT KAPLAN / Krimea: Një hakmarrje e gjeografisë?

Robert Kaplan* Administrata Obama thotë se është e motivuar nga G8-a, ndërvarësia, të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtarë. Presidenti...

Robert Kaplan*

Administrata Obama thotë se është e motivuar nga G8-a, ndërvarësia, të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtarë. Presidenti rus, Vladimir Putin është një aktor historik më tradicional. Ai është i motivuar nga gjeopolitika. Prandaj, për momentin ai ka një avantazh në krizën e Ukrainës dhe Krimesë.
Gjeopolitika, sipas diplomatit amerikan të mesit të shekullit 20, dhe akademikut Robert Strausz-Hupe “është lufta për hapësirë dhe pushtet”, që luhet në një mjedis gjeografik. Gjeopolitika është e përjetshme, qëkurse Persia ishte superfuqia e parë e botës në lashtësi. Në të vërtetë, edhe Testamenti i Vjetër, në një nivel të caktuar, është një leksion në gjeopolitikë. Strausz-Hupe, një imigrant austriak, donte që të edukonte elitën politike të vendit të adoptuar, me qëllim që forcat e të mirës ta përdornin më mirë gjeopolitikën se sa forcat e të keqes në Luftën e Dytë Botërore.
Zbatimi i gjeopolitikës e lejoi gjeografin dhe akademikun liberal britanik Sir Halford J. Mackinder, që në një artikull të vitit 1904 me titull “Boshti gjeografik i historisë”, të parashikonte me saktësi tendencat themelore të shekullit 20: se si vendosja e fuqive e epokës Eduardiane do i hapte rrugë një vendosje të re, që përfshinte të gjithë Eurazinë, me një betejë mes fuqisë detare perëndimore dhe fuqisë tokësore ruse. Gjeopolitika ka qenë në qendër të periudhës së imperializmit të Amerikës në Karaibe në shekullin 19: Duke dominuar detet në afërsi të saj, SHBA arritën që të dominojnë Hemisferën Perëndimore, gjë që i mundësoi ndikimin në ekuilibrin e fuqive në Hemisferën Lindore – praktikisht, historia e shekullit 20. Gjeopolitika ishte në qendër të Luftës së Dytë Botërore, me makinerinë ushtarake gjermane në kërkim të naftës së Kaukazit dhe makinerinë ushtarake të Japonisë në kërkim të naftës dhe lëndëve të para të Azisë Juglindore. Gjeopolitika ishte në qendër të Luftës së Ftohtë, me bazat e amerikanëve dhe aleatëve që ruanin pjesën jugore të Eurazisë, nga Greqia dhe Turqia deri në Korenë e Jugut dhe Japoni, kundër Bashkimit Sovjetik. Në fakt, edhe strategjia e “frenimit” e diplomatit të famshëm George Kennan, ishte në një masë të madhe gjeopolitike.
Nuk është se gjeografia dhe gjeopolitika zëvendësojnë gjithcka tjetër, përfshirë vlerat perëndimore. Aspak! Por, gjeografia është pikënisja për të kuptuar gjithcka tjetër. Vetëm duke respektuar pikësëpari gjeografinë, vlerat dhe mencuria perëndimore mund ta kapërcejnë. Nuk është njëra apo tjetra e rëndësishme, por vijimësia e të kuptuarit të tyre.
Me mencuri, historiani ushtarak, i ndjeri John Keegan shpjegon se Britania e Madhe dhe SHBA mundën ta mbrojnë lirinë vetëm sepse deti i mbrojti nga “armiqtë e lirisë të lidhur me tokën”. Alexander Hamilton thoshte se nëse Britania nuk do të kish qenë ishull, establishmenti i saj ushtarak do të kish qenë po aq imponues sa ata të Europës kontinentale, dhe sipas të gjithë gjasave, Britania do të ishte bërë “viktimë e pushtetit absolut të një njeriu të vetëm”.
Po kështu, Muri i Berlinit mund të jetë shembur në vitin 1989, por Rusia është ende e madhe dhe gjeografikisht fqinjë me Europën Qendrore dhe Lindore. Dhe Rusia mbetet joliberale dhe autokratike sepse, ndryshe nga Amerika dhe Britania, ajo nuk është një shtet ishull, por një kontinent i madh me shumë pak karakteristika gjeografike që ta mbrojnë nga pushtimi. Agresioni i Putinit buron në thelb pikërisht nga kjo pasiguri gjeografike. Ndonëse, kjo nuk e bën atë një reaksionar. Një udhëheqës largpamës do të konkludonte se vetëm shoqëria civile mund ta shpëtojë më në fund Rusinë. Por, vendndodhja gjeografike e Rusisë e vendos Putinin në një kontekst të kuptueshëm.
Faktet gjeografikë janë shpesh herë të thjeshtë, brutalë, të qartë – jo interesantë, frymëzues apo angazhues intelektualisht – por si pasojë, ata nuk janë më pak të vërtetë. Cështja nuk është t’i mohosh, por t’i kapërcesh. George H. Ë. Bush i nuhati këto të vërteta dhe si pasojë ishte shumë i kujdesshëm që të mos fyente ndjeshmëritë e sovjetikëve, edhe pse perandoria sovjetike po shembej në Europë, nga frika se mos i jepte Moskës një pretekst që të godiste më shumë se sa bëri në shtetet balltikë, fqinjë me Kremlinin. Administrata e Bushit ishte e vetëdijshme që, mes gjithë euforisë që rrethonte gjarjet e 1989-ës, gjeografia kishte ende peshë, në mos ishte vendimtare.
Putini është për momentin në një pozicion të fortë në Ukrainë, për arsye se Ukraina thjeshtë është më e rëndëishme për të, se sa për SHBA apo edhe Europën. Dhe ka më shumë rëndësi për Putinin, për shkak të gjeografisë. Ukraina, për të gjithë arsyet që i dimë, është kryesore për fatin e Rusisë Europiane, për historinë dhe identitetin e Rusisë dhe sidomos për shkak të aksesit të Rusisë në ujërat e ngrohtë të Mesdheut, përmes Detit të Zi. Dhe për arsye se Flota e Detit të Zi e Rusisë është e vendosur në gadishullin e Krimesë, Putini mendon që nuk mund të rrijë e vështrojë që flota e tij të bëhet e varur nga një Ukrainë si shtet properëndimor.
Ndërkohë, gjeografia dikton që Ukraina ka një kufi të gjatë me Rusinë dhe nuk është e ndarë prej saj nga karakteristika gjeografike të vështira. Kështu që, ndërsa Putini ka nevojë për Ukrainën dhe Krimenë më shumë se sa Perëndimi, ai gjithashtu ka më shumë hapësirë manovrimi ndaj Ukrainës dhe Krimesë, se sa Perëndimi. Për shkak të gjeografisë, depozitat e gazit natyror ndodhen kryesisht në Rusi dhe jo në Ukrainë. Dhe si pasojë, Ukraina varet nga Rusia jo vetëm për tregtinë, por edhe për energjinë. (Rezervat ukrainase ndodhen kryesisht në pjesën lindore, proruse të vendit).
Për shkak të gjeografisë, shtetet balltikë, Polonia dhe Moldavia janë të rrezikuar: Ata janë puqur me Rusinë dhe Ukrainën, pa pengesa natyrore që t’i mbrojnë. Sidomos në shtetet balltike, ka minoritete rusë që janë të dobishëm për Putinin, pasi gjeografia e sheshtë e Rrafhnaltës Europiano Veriore ka mundësuar prurjen e njerëzve dhe ndryshueshmërinë e kufijve përgjatë shekuje (ndonëse shumica e rusisht-folësve në shtetet balltikë përfunduan aty gjatë periudhës sovjetike).
Këta janë fakte që dihen, e që mësohen në shkollë fillore, por që gjithësesi janë thelbësorë për forcën dhe dobësinë relative të Perëndimit dhe Rusisë në krizën aktuale. Vetëm prej fakteve të tillë mund të dalë një narrativë e dobishme e krizës, si dhe të gjenden mënyra për të përballuar avantazhin gjeografik të Putinit. Shtetet balltike, si dhe Polonia dhe Moldavia janë në rrezik kryesisht për shkak të vendndodhjes së tyre. Ukraina, pavarësisht protestave properëndimore, nuk mundet që në fund të jetë tërësisht e pavarur nga Rusia, për shkak të vendndodhjes së saj.
Dhe Ukraina e Krimeja janë vetëm prologu i një realiteti në të gjithë globin.
Në Azi, krizat në Detin e Jugut të Kinës lidhen të gjitha me gjeografinë – vijat në hartë mbi ujin blu, dhe ku duhen hequr. Kjo është gjeopolitikë tradicionale, krejt e pandikuar prej përparimit të mendimit liberal perëndimor. Në Lindjen e Mesme, Izraeli përballet me tiraninë e distancës në planifikimin që bën për cdo sulm të mundshëm ushtarak kundër Iranit – një fakt ky që qëndron në themel të konfliktit Izrael-Iran. Tunizia dhe Egjipti, ndërkohë që janë në trazirë politikisht, mbeten gjithësesi një grup i bashkuar, i kahershëm i qytetërimit – me fjalë të tjera, produkte të natyrshëm të gjeografisë. Kjo i mban “të shëndetshëm” si shtete, ndryshe nga Libia, Siria dhe Iraku, që janë ilogjikë gjeografikisht brenda kufijve aktualë, dhe si pasojë kanë pësuar kolaps në shkallë të ndryshme pas dobësimit apo rrëzimit të diktaturave të tyre.
Gjeografia nuk është më pak relevante për shekullin 21, nga sa ka qenë përgjatë gjithë historisë. Teknologjia e komunikimit nuk e ka fshirë gjeografinë. Ajo thjeshtë e ka bërë më klaustrofobe, kështu që cdo rajon i tokës ndërvepron me të tjerët si kurrë më parë. Këtë klaustrofobi e intensifikon rritja e qyteteve – një tjetër fenomen gjeografik. Toka është më e vogël se kurrë, falë teknologjisë. Por, si një orë dore e vogël, me të gjithë mekanizmat e saj, duhet të cmontosh të gjithë pjesët përbërëse gjeografike, për të kuptuar se si funksionon.
Pra, cdo strategji në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të zërë fill nga terreni fizik mbi të cilin jetojmë të gjithë ne. Dhe për arsye se gjeopolitika zë fill prej gjeografisë, ajo nuk do të zduket asnjëherë, apo të bëhet e parëndësishme. Strausz-Hupe kish të drejtë. Nëse fuqitë liberale nuk angazhohen në gjeopolitikë, ata thjeshtë do ia lënë terrenin e lojës armiqve. Sepse edhe shtetet e zhvilluar liberalë, si ata në Amerikë dhe Europë, nuk janë të përjashtuar nga beteja për mbijetesë. Gjëra të tilla si G8-a, të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtarë munden dhe duhet të triumfojnë mbi gjeografinë. Por kjo është e mundur vetëm nëse gjeopolitika bëhet pjesë e strategjisë së Perëndimit./bota.al
* Robert D. Kaplan është Kryeanalist Gjeopolitik në “Stratfor”, një kompani inteligjence gjeopolitike

Related

Shtypi i huaj 4430110631355886953

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item