Revizionizmi rus, ose plani për prishjen e rendit europian

Ivan Krastev* Gatishmëria e Rusisë për të shkelur sovranitetin territorial të Ukrainës është sfida më e rëndë që i është bërë rendit europia...

Ivan Krastev*

Gatishmëria e Rusisë për të shkelur sovranitetin territorial të Ukrainës është sfida më e rëndë që i është bërë rendit europian, në më shumë se gjysmë shekulli. Konflikti vë përballë një fuqi të madhe bërthamore kundër një shteti të barabartë në madhësi me Francën, një regjim autokratik kundër një qeverie revolucionare. Ndërhyrja ruse në Ukrainë ngre pikëpyetje mbi garancitë për sigurinë që Perëndimi i ka bërë Ukrainës, pasi ky vend hoqi dorë nga armët bërthamore në vitin 1994, si dhe lëkund fort besimin e shumë europianëve se, në vitet e fundit, një luftë në kontinent është bërë e pamundur. Rezultati përfundimtar mund të jetë shfaqja e një perandorie të tretë ruse, ose një shtet i dështuar ukrainas në qendër të Europës.
Agresioni i Rusisë në Ukrainë nuk duhet kuptuar si një rrëmbim oportunist territori. Eshtë një përpjekje për t’i rezistuar Perëndimit politikisht, kulturalisht dhe ushtarakisht. Rusia përdori forcën ushtarake sepse donte të sinjalizonte një ndryshim loje, jo sepse nuk kishte opsione të tjerë. Në të vërtetë, ajo kish shumë mënyra të tjerë për të ushtruan presion mbi Kievin, edhe përmes Flotës së Detit të Zi që ka në Sevastopul, qyteti ukrainas ku flota është vendosur. Mund të luante me cmimet e gazit. Mund të kërkonte që Ukraina të fillonte borxhin që i ka Rusisë. Dhe mund t’u frynte ndjenjave antiukrainase mes popullsisë së madhe ruse në atë vend. Vec kësaj, shumë personalitete të lartë amerikanë kishin thënë tashmë se kriza ukrainase nuk mund të zgjidhej pa Rusinë, dhe udhëheqësit europianë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, ndaj një ligji të ri që qeveria ukrainase miratoi menjëherë sapo u krijua, që dobësonte statusin e gjuhës ruse. Me fjalë të tjera, përdorimi i forcës ishte i panevojshëm.
Ishte edhe i rrezikshëm: Ukraina është një vend i madh, dhe publiku i tij, ende në një gjendje shpirtërore revolucionare, është i prirur të luftojë për një kauzë patriotike. Ndërhyrja e Moskës ka provokuar ndjenja të forta antiRusi në Ukrainë dhe me shumë gjasa do afrojë atë që mbetet nga ai vend, edhe më shumë me BE dhe NATO-n. Ndërhyrja ushtarake në Ukrainë rrezikon të shkaktojë edhe një krizë humanitare me Rusinë. Sipa sburimeve nga Rusia, afro 700 mijë ukrainas janë larguar në drejtim të Rusisë gjatë muajit të fundit. Afro 143 mijë prej tyre kanë kërkuar strehim. Një luftë në Ukrainë do i trefishonte këto shifra. Së fundi, është e lehtë të parashikosh që përdorimi i forcës nga Moska do të rriste izolimin e Rusisë. Ai ka sjellë tashmë disa sanksione ekonomikë dhe politikë, që do të ishin një grusht nokauti për ekonominë në stanjacion të Rusisë. Sipas disa vlerësimeve, kostoja e drejtpërdrejtë e një lufte të Rusisë në Ukrainë mund të arrinte në 3 përqind të GDP-së ruse (mbi 60 miliardë dollarë).
Megjithatë, Putini vendosi ta hedhë në erë maturinë. Zemërimi është një prej arsyeve përse veproi kështu. Putini u mposht dy herë në Ukrainë: së pari gjatë Revolucionit Portokalli të vitit 2004, që solli në pushtet një koalicion properëndimor të udhëhequr nga Julia Timoshenko, dhe së dyti gjatë protestave të fundit, që rrëzuan presidentin prorus, Viktor Janukovic. Mosta kish vënë bast për Janukovicin dhe ish përpjekur ta mbante peng të interesave të saj. Për shembull, ajo e shtyu të refuzonte firmosjen e një Marrëveshjeje Asociimi me BE (mosfirmosja shkaktoi fillimisht protestat në Kiev) dhe i huazoi Ukrainës afro 15 miliardë dollarë, duke e bërë praktikisht të varur nga Rusia. Por në të vërtetë ishte Putini që u bë peng i Janukovicit jopopullor dhe njerëzve të tij. Kur ish presidenti ukrainas humbi pushtetin, Putini krejt papritur humbi partnerin e tij strategjik. Dhe ky acarim i Putinit është pjesërisht përpjekje e tij për të mbuluar dështimin e politikës së tij ndaj Ukrainës.
Për momentin, Moska dëshiron të rrëzojë regjimin e ri në Kiev, që e sheh të përbërë nga radikalë të cilët nuk do të mbijetojnë më shumë se sa disa javë në pushtet. Duke ushtruar trysni ndaj regjimit me një pushtim dhe duke rritur frikën e rusishtfolësve në Ukrainë, në lindje dhe perëndim, Putini me gjasë do të marë atë që do. Synimi i tij strategjik nuk është të shkëpusë Krimenë, sic mund të tregojnë ngjarjet e fundit, por të shkaktojë një krizë kushtetuese që do ta ribëjë Ukrainën një shtet-konfederatë me një qendër shumë të dobët, pjesa lindore e të cilës do të jetë më e integruar me Rusinë dhe pjesa perëndimore më pranë Polonisë dhe BE-së. Shkurt, pasi ka kuptuar se ka humbur Kievin, Putini dëshiron ta transferojë gjetkë qendrën e pushtetit në Ukrainë. Pjesa më e keqe e gjithë kësaj është se Putini e di që mund t’ia dalë, pa u lagur. “C’të bëjmë?” pyeste në një intervistë të fundit për The Neë York Times Fiona Hill, një studiuese në Institutin Brookings, e cila ka qenë një zyrtare e lartë e shërbimit të fshehtë të SHBA në Rusi gjatë luftës së Gjeorgjisë. “Do flasim për sanksione. Do flasim për vija të kuqe. Do të na rrëmbejë vala. Dhe ai thjeshtë do të rehatohet në kolltukun e tij dhe do të rrijë e vështrojë gjithcka që ndodh. Ai e di që askush prej ne të tjerëve nuk dëshiron të shkojë në luftë”.
Por ndoshta ne të tjerët duhet. Putini i 2014-ës nuk është Putini i 2004-ës, apo as Putini i 2008-ës. Ai nuk është më thjeshtë operatori i pamëshirshëm që është i interesuar vetëm për pushtet dhe para, ai që ëndërron për të rikthyer Rusinë në skenën globale. Ai është i interesuar në idetë. Ai u jep këshilltarëve të tij shkrimet e Ivan Ilyn, filozofi rus dhe ideologu i Unionit Panushtarak rus. Ai personalisht orienton shkrimin e teksteve të historisë për atë vetë. Gjatë viteve të fundit, dhe sidomos pas shpërthimit të protestave në Moskë në dimrin e 2011-12-ës, Putini ka nisur ta shohë veten e tij si bastionin e fundit të rendit dhe vlerave tradicionale. Ai është i bindur se liberalizmi është ngjitës dhe se zakonet e instituionet perëndimorë përbëjnë rrezik për shoqërinë ruse dhe shtetin rus. Ai sigurisht që ëndërron për ditët e para 1914-ës, kur Rusia ishte autokratike por e pranuar, revolucionet nuk toleroheshin, dhe Rusia mund të ishte pjesë e Europës, ndërsa ruante kulturën dhe traditat e saj.
Nga ky këndvështrim, revolucioni ukrainas është simbol i gjithckaje që shkon keq në Europën e sotme. Ajo flirton me pushtetin e popullit dhe relativizmin moral, nxit pasione, dhe shfaq përbuzje të hapur për ambiciet gjeopolitike të Rusisë. Dhe me aventurën e tij përtej kufirit, Putini ka sinjalizuar se nuk do ta durojë këtë. Ai me sa duket është gati të braktisë gjithë mendimet që Rusia është vend i mirë europian – shumë më mirë të jetë një qytetërim më vete – dhe është treguar i gatshëm të sakrifikojë interesat ekonomikë të vendit të tij për të arritur qëllimet që ka.
Me fjalë të tjera, marshimi i Putinit në Krime është shumë i ndryshëm nga lufta e Rusisë në Gjeorgji në 2008-ën. Gjatë asaj situate, Moska përdori forcë për të hequr një vijë të kuqe, të cilën këmbënguli që kryeqytetet europianë nuk duhej ta shkelnin. Në Krime, Moska ka shfaqur një gadishmëri për të shkelur vijat e kuqe që ka hequr Perëndimi – për të vënë në pikëpyetje normat ligjore dhe strukturën e rendit europian të pas Luftës së Ftohtë. Lëvizja e tij është një sfidë: A është SHBA ende gati të garantojë sigurinë e demokracive europiane, apo preferon ekuilibrimin dhe lojën e qendrës në brigjet e Azisë? A është Gjermania e fuqishme sa duhet për të përballur një Rusi të painteresuar për të qenë europiane?
Cilatdo qofshin përgjigjet, do të jetë e vështirë t’i kundërvihemi Putinit. Ai ka refuzuar të luajë sipas rregullave të Perëndimit. Ai duket se nuk ka frikë prej izolimit politik; ai e kërkon madje. Duket se nuk është i shqetësuar për mbylljen e kufijve. Ai e shpreson të ndodhë. Politika e tij e jashtme përmblidhet në një refuzim të vlerave moderne Perëndimore dhe një përpjekje për të hequr një vijë të qartë ndarëse mes botës së Rusisë dhe asaj të Europës. Për Putinin, Krimea është ndoshta vetëm fillimi. (“Foreign affairs”)
Ivan Krastev eshte Kryetar i Qendres per Strategji Liberale ne Sofie. Libri i tij me i fundit eshte: “In Mistrust We Trust: Can Democracy Survive When We Don’t Trust Our Leaders?
Linku i artikullit origjinal: http://www.foreignaffairs.com/articles/140990/ivan-krastev/russian-revisionism/bota.al

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item