PROVOKIMI / Prerogativat e pushtetit, ose kush e “bën” historinë

Noam Chomsky Në fund të vitit 2013, BBC publikoi rezultatet e një sondazhi të “Win/Gallup international”. Pyetja që u ish bërë të intervistu...

Noam Chomsky

Në fund të vitit 2013, BBC publikoi rezultatet e një sondazhi të “Win/Gallup international”. Pyetja që u ish bërë të intervistuarve ishte: “Cili shtet është rreziku kryesor për paqen në botë?” Një “superfitore” e SHBA, që mori trefishin e votave të vendit që u rendit i dyti, Pakistani. Studiuesit dhe mjetet e komunikimit në Amerikë vazhdojnë të pyesin nëse është e mundur të frenohet Irani dhe nëse, për të garantuar sigurinë, është i domosdoshëm sistemi i survejimit që përdor NSA (National Security Agency). Por, duke gjykuar nga sondazhi, një pyetje më me vend do të ishte: a është e mundur të frenohen SHBA dhe të mbrohen shtetet e tjerë nga ky rrezik?
Në disa rajone të planetit, perceptimi që Uashingtoni është rreziku kryesor për paqen në botë është edhe më i përhapur. Për shembull në Lindjen e Mesme. Dhe ndoshta shumë pak amerikano-jugorë kanë dyshime mbi gjykimin e shprehur prej nacionalistit kuban, Jose Marti në vitin 1894: “Sa më shumë të largohen nga Shtetet e Bashkuara, aq më të lirë dhe në prosperitet do të jenë latino-amerikanët”. Kohët e fundit, gjykimi i Martit u konfirmua edhe një herë nga një investigim për varfërinë, i kryer nga Komisioni Ekonomik i OKB për Amerikën Latine dhe Karaibet, i publikuar muajin që kaloi. Ai tregon se një seri reformash epokale kanë reduktuar varfërinë në Brazil, Uruguaj, Venezuelë dhe në shtete të tjerë ku ndikimi i SHBA është minimal, ndërkohë që gjetkë varfëria ka mbetur në nivele të lartë, mbi të gjitha në shtete si Guatemala dhe Hondurasi, prej një kohe të gjatë nën dominimin e Uashingtonit.
Një vend normal duhet të shqetësohet se si duket para pjesës tjetër të botës. Por SHBA nuk janë një vend normal. Prej një shekulli, ekonomia e tyre është më e forta e planetit, dhe që nga kohët e Luftës së Dytë Botërore, askush nuk ka vënë në diskutim hegjemoninë e tyre. I vetëdijshëm për nevojën e ushtrimit të një fuqie “më të butë”, Uashingtoni po nis fushata të mëdha “diplomacie publike” (domethënë propagande) për të projektuar një imazh më të mirë të vetvetes. Por nëse bota vazhdon të mendojë se SHBA janë rreziku kryesor për paqen, shtypi amerikan mendohet shumë para se të flasë. E drejta për të injoruar disa të vërteta të padëshirueshme është një prej prerogativave të pushtetit të pakushtëzuar, me të cilën lidhet pushteti për ta rilexuar historinë në mënyrën që do. Një shembull janë shenjat e shqetësimit të kohëve të fundit, për shkak të konfliktit mes sunitëve dhe shiitëve që po ndodh në Lindjen e Mesme, e sidomos në Irak dhe Siri. Shpjegimi mbizotërues në mjetet amerikanë të komunikimit është që ky konflikt është pasojë e tërheqjes së trupave amerikane nga rajoni, që është në fakt një prej risqeve të “izolacionizmit”. Por në realitet, e kundërta është e vërtetë: arsyet e konfliktit në brendësi të islamit janë të shumta, por nuk mund të mohohet që pushtimi anglo-amerikan i Irakut i përkeqësoi gjërat.
Vdekja e Nelson Mandelës ofroi një tjetër shans për të reflektuar mbi të ashtuquajturën “inxhinieri historike”: tendenca për ta ri-interpretuar historinë sipas nevojave të pushtetit. Kur më në fund u lirua, Mandela deklaroi se Kuba kishte qenë, gjatë viteve të burgimit, një “burim frymëzimi” dhe shtoi: “Fitoret kubane kanë frymëzuar masat që luftonin në Afrikën e Jugut dhe kanë qenë vendimtare për clirimin e Afrikës nga plagët e Aparteidit”. Sot, emrat e kubanëve që gjetën vdekjen për të mbrojtur Angolën nga agresioni i Afrikës së Jugut raciste, të mbështetur nga Uashingtoni, janë të shkruajtur në “Murin e emrave” në Parkun e Lirisë në Pretoria. Por, versioni amerikan i kësaj cështjeje është shumë i ndryshëm. Që në ditët e para pas tërheqjes së Afrikës së Jugut nga Namibia e pushtuar paligjshmërisht në 1988, që i hapi rrugë fundit të Aparteidit, ai episod u quajt nga Wall Street Journal “një prej sukseseve më të rëndësishëm të politikës së jashtme në administratën e Reaganit”.
Arsyen përse Nelson Mandela dhe afrikano jugorët kanë një këndvështrim tërësisht të ndryshëm për faktet e shpjegon Piero Gleijeses, në studimin e tij “Vizione të lirisë: Havana, Uashingtoni, Pretoria dhe lufta për Afrikën e Jugut, 1976-1991”. Sic e demonstron Gleijeses, ajo që i dha fund agresionit dhe terrorizmit afrikano jugor në Angola dhe pushtimit të Namibisë ishte “fuqia ushtarake kubane” e bashkuar me “rezistencën krenare të zezakëve” të Afrikës së Jugut dhe nga kurajo e luftëtarëve namibianë. Ushtria e clirimit të Namibisë fitoi lehtësisht zgjedhjet e para demokratike. Edhe në Angola u afirmua qeveria që mbështetej nga Kuba, ndërkohë që SHBA vazhdonin të mbështesnin terroristët e opozitës, pavarësisht tërheqjes së Afrikës së Jugut. Deri në fund, administrata Reagan mbeti praktikisht e vetme në mbëdhtetje të regjimit të aparteidit dhe akteve të tij të agresionit ndaj vendeve fqinjë.
Por edhe nëse këta episode mund të eleminohen nga historia e brendshme e SHBA, dikush tjetër do i kujtojë fjalët e Mandelës. Në këtë rast, ashtu si në shumë të tjerë, kush ka pushtet të pakushtëzuar mund të provojë të mbrohet nga realiteti, por vetëm deri në një farë pike./bota.al
 * NOAM CHOMSKY është Professor Emeritus i gjuhësisë në Massachusetts Institute of Technology (MIT) në Boston

Related

Shtypi i huaj 7052653395534757890

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item