PERGJIMET ELEKTRONIKE / Detajet, si “futet” NSA-ja në celularët tanë

Duke shfrytëzuar celularët inteligjentë, agjencia e zbulimit shfrytëzon qasjen e shkujdesur që shumë përdorues kanë ndaj pajisjes që zotëroj...


Duke shfrytëzuar celularët inteligjentë, agjencia e zbulimit shfrytëzon qasjen e shkujdesur që shumë përdorues kanë ndaj pajisjes që zotërojnë. Sipas një prezantimi të NSA, përdoruesit e smartphone-ve demonstrojnë “Nomofobinë”, ose “no mobile phobia”. I vetmi shqetësim që kanë shumë përdorues është se mos humbasin sinjalin. Një prezantim i detajuar i NSA me titull “A ka objektivi yt një smartphone?” tregon se sa shtrirje të gjerë kanë metodat e survejimit të celularëve iPhone të prodhuara nga kompania Apple
Shërbimi amerikan i zbulimit, NSA ka shfrytëzuar në maksimum bumin e shitjes së celularëve smartphone. Ai ka zhvilluar kështu aftësinë të hyjë në iPhone, pajisje me sistemin android dhe madje edhe ato BlackBerry, që më parë mendohej se kanë qenë vecanërisht të sigurta.
Michael Hayden ka një histori shumë interesante për të treguar në lidhje me iPhone. Ai dhe bashkëshortja ndodheshin në një dyqan Apple në Virginia, tregonte kohët e fundit në një konferencë shtypi vetë Hayden, që ka qenë kreu u Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA). Një shitës iu afrua dhe nisi të mburret për iPhone, duke i thënë se që tani ekzistojnë “400 mijë aplikacione” për këtë pajisje. Hayden, duke buzëqeshur, u kthye nga e shoqja dhe e pyeti me zë të ulët: “Ky djalë nuk e di se kush jam unë, apo jo? 400 mijë aplikacione do të thotë 400 mijë mundësira për ta sulmuar”.
Me sa duket Haydeni po e ekzagjeronte, por vetëm pak. Sipas dokumentave të brendshëm të NSA që janë pjesë e arkivit të Eduard Snouden, shërbimi i fshehtë amerikan nuk vendos vetëm përgjues në ambasada dhe akseson të dhëna nga kabllot nënujorë për të mbledhur informacione. NSA është gjithashtu tejet e interesuar në atë formë të re të komunikimit që ka patur një sukses të jashtëzakonshëm vitet e fundit: smartphone – ose, telefoni inteligjent.
Në Gjermani për shembull, më shumë se 50 përqind e të gjithë përdoruesve të telefonëve celularë zotërojnë një smartphone. Në Mbretërinë e Bashkuar, dy të tretat. Rreth 130 milionë vetë në SHBA e kanë një pajisje të tillë. Mini-kompjuterët janë shndërruar në qendra personale të komunikimit, asistentë dixhitalë dhe shpesh herë ata dinë shumë më tepër në lidhje me përdoruesit e tyre, nga sa janë të vetëdijshëm këta të fundit.
Për një agjenci si NSA, njësitë e depozitimit të të dhënave janë një minierë ari, pasi përmbledhin në një pajisje të vetme pothuajse të gjithë informacionet që do i interesonin një agjencie zbulimi: kontakte socialë, detaje mbi sjelljen e përdoruesit dhe vendndodhjet e tij, interesat, fotografitë dhe ndonjëherë edhe numrat e kartave të kreditit dhe fjalëkalimet.

Kanale të rinj

Smartphone-t, shkurt, janë një risi teknologjike e mrekullueshme, por edhe një mundësi shumë e mirë për të spiunuar njerëzit, duke hapur dyer, prapa të cilave edhe një agjenci shumë e fuqishme si NSA, deri tani nuk ka patur mundësi të shohë.
Nga këndvështrimi i ekspertëve të kompjuterëve në zyrat qendrore të NSA në Fort Meade, Maryland, suksesi kolosal i celularëve inteligjentë përbënte një sfidë shumë të madhe në fillim. Ata hapnin shumë kanale të rinj, saqë dukej se agjentët e NASA nuk do të mund të shihnin panoramën e përgjithshme.
Sipas një raporti të brendshëm të NSA të vitit 2010, me titull “Eksplorim i tendencave aktuale, objektivave dhe teknikave”, përhapja e smartphone-ve po ndodhte në mënyrë shumë të shpejtë – zhvillime këta që “sigurisht ndërlikojnë analizat tradicionale të objektivave”. NSA u mor me këtë problem me po të nëjtën shpejtësi që pajisjet ndryshuan sjelljet e përdoruesve. Sipas dokumentave, ajo ngriti task forca për prodhuesit kryesorë të celularëve inteligjentë dhe të sistemeve të tyre të operimit. Ekipe të specializuar nisën të studiojnë intensivisht iPhone-n e Apple dhe sistemin e tij të operimit, iOS, si dhe sistemin operativ të Google, Android. Një tjetër ekip studioi mënyrat për të atakuar BlackBerryn, që deri atëherë ishte konsideruar një fortesë e padepërtueshme.
Materiali nuk përmban tregues për spiunazh në shkallë të gjerë tek përdoruesit e smartphoneve, e megjithatë dokumentat nuk lënë asnjë dyshim që, nëse shërbimi i fshehtë përcakton një smartphone si një objektiv të mundshëm, do ta gjejë një mënyrë për të siguruar hyrjen në të gjithë informacionin që ai përmban. Megjithatë, është jo pak e sikletshme që NSA shënjestron pajisje të prodhuara nga kompani amerikane si Apple dhe Google. Rasti i BlackBerry nuk është më pak delikat, përderisa kompania e ka qendrën në Kanada, një prej shteteve të aleancës “Me Pesë Yje” të NSA-së. Pjesëtarët e këtij grupi të përzgjedhur kanë rënë dakord të mos angazhohen në veprimtari spiunazhi kundër njëri-tjetrit.

Shfrytëzimi i “Nomofobisë”

Në këtë rast, politika e mos-spiunimit nuk duket se gjen zbatim. Në dokumentat që lidhen me smartphone-t, nuk ka tregues që kompanitë bashkëpunuar me vullnet me NSA-në. Kur u kontaktuan, zyrtarët e BlackBerry thanë se nuk është punë e kompanisë të komentojë aludimet për përgjime nga ana e qeverive. “Deklaratat tona publike dhe parimet tanë kanë theksuar me kohë që nuk ka “shtigje të fshehtë” për platformën tonë, bëri të ditur kompania në një deklaratë. Google nxorri një deklaratë ku pohonte: “Nuk kemi dijeni për grupe pune të këtillë dhe ne nuk i ofrojmë asnjë qeverie akses në sistemin tonë”. NSA vetë nuk iu përgjigj pyetjeve të gjermanes Der Spiegel.
Duke shfrytëzuar celularët inteligjentë, agjencia e zbulimit shfrytëzon qasjen e shkujdesur që shumë përdorues kanë ndaj pajisjes që zotërojnë. Sipas një prezantimi të NSA, përdoruesit e smartphone-ve demonstrojnë “Nomofobinë”, ose “no mobile phobia”. I vetmi shqetësim që kanë shumë përdorues është se mos humbasin sinjalin. Një prezantim i detajuar i NSA me titull “A ka objektivi yt një smartphone?” tregon se sa shtrirje të gjerë kanë metodat e survejimit të celularëve iPhone të prodhuara nga kompania Apple.
Në tre raste të ndryshëm, autorët e prezantimit bëjnë një krahasim me “1984″, romanin e Xhorxh Oruell që flet për një shtet të survejimit, duke zbuluar kështu këndvështrimin që agjencia ka sot për celularët inteligjentë dhe përdoruesit e tyre. “Kush e dinte në 1984 se ky do të ishte Big Brother…” pyesin autorët duke iu referuar një fotografie të themeluesit të Apple, Steve Jobs. Dhe duke komentuar mbi fotografitë e klientëve entuziastë të Apple dhe përdoruesve të iPhone, NSA shkruan: “… dhe zombie-t do të bëheshin klientë që paguajnë?”
Në fakt, duke parë objektivat që përcakton, NSA mund të përzgjedhë një spektër të gjerë të dhënash të përdoruesve nga produkti më joshës i Apple, të paktën nëse i beson rrëfimit të vetë agjencisë. Rezultatet e dokumentave të agjencisë, të bazuar në shembuj të ndryshëm janë mbresëlënës. Ata përfshijnë fotografinë e djalit të një ish Sekretari të Mbrojtjes që i ka hedhur dorën në qafë një gruaje, një foto kjo që ai e kish shkrepur me iPhone-n e tij. Një seri fotografish tregojnë të rinj dhe të reja në zona krize, duke përfshirë një burrë të armatosur në malet e Afganistanit, një afgan me miqtë e tij si dhe një të dyshuar në Tailandë.
Të gjithë këto fotografi ishin shkrepur me iPhone. Një fotografi e bërë në janar 2012 është vecanërisht domethënëse: Në të shfaqet një ish zyrtar i lartë i një vendi tjetër, i cili sipas NSA, po relaksohet në kolltukun e tij dhe po i bën fotografi vetvetes – me iPhone. Për të mbrojtur privatësinë e tij, Spiegel ka vendosur të mos ia bëjë të ditur emrin.
Mundësia e hyrjes në materiale të tillë është e ndryshme, por pjesa më e madhe kalon nga një departament i NSA, përgjegjës për operacionet e survejimit ndaj shënjestrave që kanë interes të lartë. Një prej mjeteve që përdorin agjentët amerikanë janë të ashtuquajturit “back up” që krijojnë vetë celularët. Sipas një dokumenti të NSA, pikërisht këto dosje në back up përmbajnë atë lloj informacioni që u intereson analistëve, si lista e kontakteve, rregjistrat e telefonatave si dhe draftet e mesazheve. Për të dhëna të tilla, analistëve nuk u duhet as hyrja në iPhone, thotë dokumenti. Departamenti thjeshtë duhet të infiltrojë kompjuterin e objektivit, me të cilin sinkronizohet celulari inteligjent. Nën titullin “aftësia e iPhone”, specialistët e NSA rendisin llojin e të dhënave që mund të analizojnë në kësi rastesh. Dokumenti thotë se ka programe të vegjël të NSA, të njohur si “script”-e, që mund të kryejnë mbikëqyrje në 38 tipare të ndryshëm të iPhone 3 dhe 4. Ata përfshijnë hartën, mesazhet zanorë dhe fotografitë, si dhe aplikacionet Google Earth, Facebook dhe Yahoo Messenger.
Analistët e NSA janë vecanërisht entuziastë për të dhënat e vendndodhjes gjeografike që epozitohen në smartphone dhe shumë prej aplikacioneve të tyre, të dhëna që u mundësojnë të gjejnë vendndodhjen e një përdoruesi në një kohë të caktuar. Sipas një prezantimi, ishte e mundur madje të gendej vendndodhja e një personi për një periudhë të gjatë kohe, deri kur Apple e “eleminoi” këtë “gabim” me versionin 4.3.3 të sistemit të vet të operimit dhe e kufizoi memorien në shtatë ditë.
Sërish, “shërbimet e vendndodhjes” që përdoren nga shumë aplikacione të iPhone, që variojnë nga kamera, tek hartat dhe tek Facebook, janë të dobishme për NSA. Në dokumentat e shërbimit të fshehtë amerikan, analistët shkruajnë se “volia” e përdoruesve garanton miratimin e tyre të menjëhershëm kur aplikacionet i pyesin nëse mund të përdorin vendndodhjen e tyre atuale.

“Thyerja” e Blackberry

NSA dhe agjencia e vet partnere, britanikia GCHQ, u fokusuan me të njëjtin intensitet edhe tek një tjetër lodër elektronike: BlackBerry. Kjo është vecanërisht interesante po të kemi parasysh që produkti i kompanisë kanadeze tregtohet tek një grup i caktuar: kompani që i blejnë pajisjet për punonjësit e tyre. Në fakt, pajisja, me tastierën e saj të vogël, shihet më shumë si një mjet menaxherësh, se sa si dicka që terroristë të dyshuar do të përdornin për të diskutuar mbi sulme potencialë.
Edhe NSA ka po këtë vlerësim, duke vërejtur që pajisjet Nokia kanë qenë të favorizuara në forumet e ekstremistëve, me Apple në vendin e tretë dhe BlackBerry vetëm në vendin e nëntë. Sipas disa dokumentave, NSA kaloi disa vite në përpjekje për të përgjuar komunikimet në BlackBerry, që gëzojnë një shkallë të madhe mbrojtjeje, dhe ruan një “Grup Pune BlackBerry” pikërisht për këtë qëllim. Por ciklet e shpejtë të zhvillimit të industrisë kanë lënë disi prapa specialistët, sic thuhet në dokumentin e GCHQ që mban shenjën “top secret”.
Sipas dokumentit, problemet me përpunimin e të dhënave të BlackBerry u hasën papritur në maj dhe qershor 2009, probleme për të cilët agjentët “fajësuan” një metode të re të kompresimit të të dhënave që prodhuesi sapo e kish futur.
Në korrik dhe në gusht, ekipi i GCHQ i ngarkuar me këtë rast zbuloi se BlackBerry kish blerë më herët një kompani më të vogël. Në të njëjtën kohë, agjencia e shërbimit të fshehtë kish nisur studimin e kodit të ri të BlackBerry. Në mars 2010, problemi më në fund u zgjidh, sipas rrëfimit të burimeve të brendshëm. “Champagne!”, thirrën analistët, duke i rrahur shpatullat njëri-tjetrit.

Shqetësime për sigurinë

Dokumentat e brendshëm tregojnë se ky nuk ishte suksesi i vetëm kundër BlackBerry, një kompani që u bën marketing pajisjeve të saj duke thënë që janë rezistente ndaj përgjimeve dhe mbikëqyrjes – dhe që kohët e fundit ka humbur një pjesë të madhe të tregut për shkak të gabimeve strategjikë, sic e vëren edhe NSA jo pa interes. Sipas njërit prej dokumentave të brendshëm, në një kapitull të quajtur “Tendencat” përqindja e punonjësve të qeverisë amerikane që përdornin telefona BlackBerry ra nga 77 në më pak se 50% mes gushtit 2009 dhe majit 2012.
NSA konkludon se pajisjet e zakonshme të konsumatorit janë duke zëvendësuar gjithnjë e më shumë të vetmin smartphone të certifikuar nga qeveria, duke i shtyrë analistët të shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me sigurinë. Ata me sa duket supozojnë që janë të vetmit agjentë në të gjithë botën që janë në gjendje të “thyejnë” kodet e BlackBerry-së.
Që në vitin 2009, specialistët e NSA vërejtën se mundeshin të “shihnin dhe lexonin” mesazhe teksti të dërguar nga telefona BlackBerry, dhe mund të “mblidhnin dhe procesonin emaile BIS”. BIS do të thotë BlackBerry Internet Service, që vepron jashtë rrjeteve të korporatave, dhe që ndryshe nga të dhënat që kalojnë prej shërbimeve të brendshëm të BlackBerry, vetëm i kompreson por nuk i enkripton të dhënat.
Por edhe ky nivel më i lartë i sigurisë nuk ishte imun ndaj aksesit prej NSA, të paktën sipas një prezantimi me titull: “Objektivi yt po përdor BlackBerry? Po tani?” Prezantimi thekson që komunikimet BES kërkojnë një operacion të mbështetur prej departamentit të posacëm të NSA me qëllim që të “ndiqet tërësisht objektivi”. Një email nga një institucion qeveritar meksikan, që shfaqet në prezantim nën titullin “BES collection”, zbulon se kjo është zbatuar me sukses edhe në praktikë.
Në qershor 2012, dokumentat tregojnë se NSA ishte në gjendje të zgjeronte arsenalin e vet kundër BlackBerry. Ata po rendisnin tashmë edhe “telefoninë me zë” mes “aftësive të tyre aktuale” domethënë dy standartet tradicionalë të telefonisë së lëvizsshme në Europë dhe në SHBA, “GSM” dhe “CDMA”.
Por grupi i brendshëm i ekspertëve që ishte mbledhur për një “tryezë të rreumbullakët për BlackBerry-në” ishte sërish i pakënaqur. Sipas dokumentave, pyetja se cfarë “gjërash të reja do të doje të shihje në lidhje me BlackBerry” u hodh gjithashtu në diskutim.
Edhe pse cdo gjë në materialet e NSA tregon për shfrytëzimin e këtyre opsioneve, kompanitë e përfshira nuk ka gjasa të habiten. BlackBerry është në telashe dhe për momentin është e hapur për oferta për t’u shitur. Siguria mbetet një prej pikave të forta të kompanisë edhe tek modelet e fundit, si Q10. Nëse tani bëhet e njohur që NSA është në gjendje të spiunojë njësoj edhe iPhone, edhe Blackberry, atëherë pasojat mund të jenë të mëdha.
Pasoja që shtrihet deri tek qeveria gjermane. Jo shumë kohë më parë, qeveria në Berlin dha një kontratë të madhe për komunikimin e sigurtë në celular brenda agjencive federale. Fituesi ishte BlackBerry.
spiegel/bota.al

Related

Teknologji 7528602298094073985

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item