Përfundime të parakohëshme

Nga Majlinda Bushja Premtimet e fushatave elektorale të partive kryesore në vend janë kthyer shpesh në një fushatë akuzash dhe kundërakuzash...

Nga Majlinda Bushja


Premtimet e fushatave elektorale të partive kryesore në vend janë kthyer shpesh në një fushatë akuzash dhe kundërakuzash mes maxhorancës dhe opozitës, ku secila palë akuzon tjetrën për mashtrim të elektoratit dhe mosmbajtje të premtimeve. Qeveria e re e kualicionit të majtë tanimë është në muajin e gjashtë të qeverisjes së saj që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013, ku pas një periudhe tranzitore të ndërrimit të pushteteve, më 7 shtator filloi nga puna për zbatimin e programit të saj qeverisës të shpalosur gjatë fushatës elektorale të këtyre zgjedhjeve. Gjatë gjithë kësaj periudhe koalicionit të majtë i është dashur të përballet me sulmet e parakohshme, të opozitës aktuale për mosmbajtjen e premtimeve, madje qysh në kohën kur qeveria s’ishte krijuar ende. Kjo ndoshta, edhe për faktin se, mosmajtja e premtimeve është bërë diçka e zakonshme në politikën shqiptare.
Me kohë është vënë re se, premtimet e pambajtura të politikës shqiptare janë kthyer në traditë për vite me radhë, aq sa dhe qytetari më i thjeshtë është bindur më në fund për qendrimin teatral të politikës përballë tij. Nëse do t’i ktheheshim së shkuarës elektorale, mbi premtimet, më konkretisht asaj të vitit 2009 do të pohonim me të drejtë se, mbeti vetëm një premtim nga qeveria që shkoi, krijimi i 200 000 mijë vendeve të reja të punës pasi ishte në kufijtë e të pamundurës sipas ekspertëve të ekonomisë, ujë 24 orë në çdo cep të Shqipërisë, rrugë të asfaltuara në çdo lagje të qytetit apo të fshatit, apo përfundim të legalizimeve. Madje mbeti një premtim lufta ndaj korrupsionit me të cilën Partia Demokratike erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005, me sloganin “qeverisje me duar të pastra”. Deklaratat e përsëritura të faktorit ndërkombëtar dëshmojnë se lufta ndaj këtij fenomeni ka mbetur vetëm një luftë fjalësh, apo “ka rënë në vesh të shurdhër”- siç thotë populli, për shkak të thellimit të tij vit pas viti duke mos i dhënë një zgjidhje konkrete këtij fenomeni shkatërrues. Përveç gjendjes që e përjetojmë çdo ditë, këtë fenomen e faktojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe një sërë raportesh të organizmave ndërkombëtar të cilat paraqesin gjendjen e Shqipërisë në raport me shtetet e tjera të botës. Së fundi, ka qenë raporti i përvitshëm i Transparency International i cili ka prezantuar gjendjen jo optimiste në vend, ku Shqipëria për vitin 2013 ra dhe 3 vende, (nga vendi i 116 në vendin 119) sipas këtij raporti, në renditjen e vendeve më të korruptuara të botës. Çuditërisht, sa më shumë flasim për këtë fenomen, më shumë forcohen themelet e tij në vend.
E gjithë kjo situatë premtimesh të pambajtura, premtimet e përsëritura fushatë pas fushate, kanë krijuar në memorien kolektive një fytyrë të zhubrosur të politikës që nuk do mund të ndreqet asnjëherë e si pasojë vet qytetarët janë pajtuar me heshtjen si një pamundësi për të dalë nga kjo situatë komplekse. Është i thjeshtë refreni i këtyre premtimeve në çdo fushtë elektorale, i cili përzihet me pluhurin e rrugëve të pashtruara të fshatrave tanë sa herë politikanët vijnë për të marrë votat, e për të lënë aty si përfundim vetëm pluhurin e premtimeve elektorale, njerëz në mëshirë të fatit, por ama me premtime të kopsitura bukur. Fytyra e vërtetë e politikës shfaqet veçandërisht, kur kemi probleme ne si qytetarë, probleme të cilat nxjerrin në shesh realitetin. Disa javë më parë aksidenti tragjik i ndodhur në rrugën Kukës-Shishtavec ku u mori jetën disa personave, dëshmoi papërgjegjshmërinë e politikës ku një prej të aksidentuar u shpreh hapur se “në atë rrugë nuk kishte venë dorë njeri prej 20 vitesh”. Kjo nuk është e vetmja rrugë, 60 % e rrugëve rurale në Fier dergjen mes pakujdesisë disa vjeçare duke ua vështirësuar ndjeshëm jetën banorëve të atyshëm, e të tillë problem kanë jo pak rrugë në Jug të vendit e në të gjithë Shqipërinë, probleme që është e thjeshtë t’i konstatosh. Vet media e shkruar dhe elektronike jo pak herë ka ngritur zërin për këtë shqetësim qytetar si këmban alarmi për politikën, por që justifikimi ka qenë më i thjeshtë, se marrja me problemin dhe zgjidhja e tij.
Tashmë nuk përbën më lajm për askënd, pasi sapo një forcë politike vjen në pushtet, për çdo mosarritje të saj bën përgjegjëse palën kundërshtare, duke drejtuar gishtin tek ajo ndërkohë që, tensioni midis palëve përcillet në mënyrë të pashmangshme te qytetarët e thjeshtë. Madje është dashur kohë që palët kundërshtare të bien dakort për vendime të rëndësishme, ku kontributi i secilës palë është i domosdoshëm dhe jetik për funksionimin normal të demokracisë në vend. Mungesa e konsesusit mes pozitës dhe opozitës ka vonuar procesin e reformave në vend dhe shkuarjen drejt Bashkimit Evropian për të cilin u bë kohë që Shqipëria aspiron. Palët kundërshtare fajsojnë njëra-tjetrën ku përgjegjësia mbet pa përgjegjës konkretë, e secila palë e quan veten të pafajshëm përballë qytetarëve. Historia përsëritet.
Së fundi, prej disa muajsh qeverisjeje të kualicionit të majtë, vihet re sulmi i opozitës ndaj maxhorancës aktuale për mos mbajtje e premtive të fushatës e elektorale të 23 qershorit 2013. Madje pa nisur nga puna ende më 13 korrik në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Partisë Demokratike L.V. bëri të ditur para opinionit publik se kualicioni i majtë nuk po i mban premtimet e fushatës elektorale në kohën kur qeveria e re ende nuk ishte krijuar. Maratona e deklaratave të tilla ka vijuar në mënyrë të vazhdueshme, duke lënë të kuptohen përfundimet e parakohshme të opozitës së sotme.

Në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë deputetë të opozitës i kujtojnë dhe rikujtojnë Kryeministrit Rama se ai nuk ka mbajtur premtimet e bëra në fushatën elektorale duke e konsideruar atë, “mashtruaes”. Pikërisht, për këtë arsye më 20 shkurt të këtij viti Partia Demokratike organizoi një protestë paqësore para kryeministrisë për t’i rikujtuar Kryeministrit të vendit premtimet e pambajtura dhe pakënaqësinë e një pjese të qytetarëve. Ndërkohë që, kualicioni i majtë ka vetëm 6 muaj nga fillimi i punës së tij, ku nxjerrja e konkluzioneve të tillë është e parakohshme. Megjithatë, opozita nuk harron nga ana e saj në çdo seancë parlamentare t’i rikujtoj Kryeministrit Rama premtimet e fushatës elektorale të 23 qershorit 2013 me të cilat erdhi në pushtet. Madje, opozita ka kohë që fokusohet tek tre premtime kryesore të programit elektoral të Partisë Socialiste -shëndetësia falas, hapja e 300 000 vendeve të reja të punës, legalizimi falas, sipas së cilës, mendohet, që kanë shërbyer për ardhjen e të majtës në pushtet. Ndërkohë që, premtimet e fushatës elektorale të 23 qershorit janë bërë fokusuar në një program që përfshin një periudhë qeverisjeje 4-vjeçare të koalicionit të majtë. Nxitimi për t’i kujtuar dhe rikujtuar Kryeministrit premtimet e pambajtura të fushatës elektorale nuk e dëmtojnë atë përballë elektoratit të vet, për vet kohën që është zgjedhur për ta rrëzuar në sytë e tij. Sjellja e opozitës që në fakt duhet të jetë kritike për vet pozicionin në të cilën ndodhet, për momentin nuk është e duhura. Gjuha negative e përdorur, shkelja e etikës në kuvend, në vend të përdorimit me efikasitetit të kohës nuk tregojnë një opozitë të fortë, e që po i bie maxhrancës në pikat e saj më të dobta të qeverisjes. Konflikti i vazhdueshëm mes tyre dhe mosdarkortësia për çështje kryesore siç është së fundit, ajo, për reformën administrative-territoriale shprehin qartë një qendrim të dobët të saj përballë maxhorancës, me tërheqjen nga “fusha e betejës”. Aq më tepër kur opozita kërkon të tregoj forcën e saj jo duke punuar realisht, por duke sulmuar me të gjitha mënyrat e komunikimit maxhorancën dhe kundërshtarin që ka përballë saj, veçandërisht kryeministrin e vendit Edi Rama. Çdo sjellje e tillë i tregon elektoratit për fuqinë reale të opozitës, e cila përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të tij, dhe pikërisht për këtë arsye, zëri i opozitës nuk duhet të mungojë në çdo seancë të kuvendit apo mbledhje komisioni pavarsisht mosdakortësisë. Sulmet e shpeshta të opozitës, në adresë të maxhorancës në lidhje me premtimet e fushatës elektorale të 23 qershorit, nuk e forcojnë atë në sytë e opinionit publik, pasi përfundimet e parakohshme nuk do bindin dot askënd nga elektorati, përsa kohë puna është në fillimet e saj. 

Related

Opinione 975432325784492893

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item