PARTI POLITIKE KOMBËTARE APO NDËRMARRJE PRIVATE

Xhelal Zejneli Duke qenë se partitë politike shqiptare janë parti liderike , reformimi, profesionalizimi dhe demokratizimi i tyre është cond...

Xhelal Zejneli


Duke qenë se partitë politike shqiptare janë parti liderike, reformimi, profesionalizimi dhe demokratizimi i tyre është conditio sine qua non që ato, në një moment të caktuar, të mos pësojnë çrregullime tektonike. Shtrohet pyetja: Ç‘do të ndodhte me një parti liderike, kur prijësi i saj, për arsye të caktuara, të mos jetë më në krye të saj?!
Po qe se faktori politik shqiptar, në mandatin e ardhshëm nuk do të jetë në gjendje ta çojë para procesin politik, atëherë ato rrezikojnë të shndërrohen në ndërmarrje private:
- të një individi, ose
- të një grupi individësh.        
Historia e jetës parlamentare e ka dëshmuar se një subjekt politik, i shndërruar në ndërmarrje private të një individi apo të një grupi individësh, pushon të luajë rol politik.
Prijës me aftësi politike të kufizuar kanë qenë temë shtjellimi edhe në art dhe letërsi. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, një të tillë, ndonëse të verbët, kishte dalë në krye të fisittë vet. Të dalë nga terri, bashkëfshatarët nuk e kishin hetuar se i pari i fisit është pa dritë në sy. Sipas legjendës, prijësi vërtet kishte qenë i verbët, por në oratori, asnjë i fisit s’ka mundur t’ia kalojë. Një pasdite, i pari i fisit e kishte marrë botën në sy. Këtë ishull të harruar do ta nxjerri në dritë – kishte thënë ai. Pothuajse i tërë fisi e kishte ndjekur pas. Pas një rrugëtimi të mundimshëm nëpër shtigjet gjarpërore të Makondos, njëri nga ndjekësit e prijësit kishte bërtitur: ‘Ku na shpie ore! Jemi buzë greminës’! Vetëm kur e ktheu kokën i pari i fisit, makondasit arritën ta shohin se prijësi i tyre kishte qenë i verbët.

Partitë politike përkufizohen si grupe interesi. Si të tilla, ato kanë një synim: të hyjnë në qeveri, të marrin pushtet, të bëhen të pushtetshëm, të kenë ndikim në shoqëri, të kenë kontroll mbi lëmenj të caktuar të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore.
Në shtetet dyetnike siç është Maqedonia, partitë politike shqiptare nuk duhet të jenë grupe interesi. Ato duhet të jenë parti kombëtare, me ideologji politike nacionaliste. Ato duhet të bashkëpunojnë ndër vete, të bashkëveprojnë mbi një platformë demokratike dhe t’i bashkërendisin veprimet e tyre.
Rendja e individëve të caktuar për të zënë me çdo kusht poste të larta dhe funksione fitimprurëse në organet ekzekutive dhe ligjvënëse të këtij vendi, dëshmon se në radhët e partive politike shqiptare kanë lëshuar rrënjë individë, grupe dhe klane të zhveshur nga çdo ideologji kombëtare. Rendin të bëhen ministra, zëvendësministra, deputetë, ambasadorë, drejtorë të përgjithshëm, shefa kabineti - edhe diletantëtsi shoku Zylo. Faktori politik shqiptar duhet ta parandalojë shndërrimin e vet në grup interesi.
*   *   *
Historia e jetës parlamentare e dëshmon se një parti që ri një kohë të gjatë në opozitë, nuk arrin të ketë shtrirje të gjerë në shoqëri. Po qe se të qëndruarit në opozitë vazhdon edhe më tutje, një parti e tillë mund të ballafaqohet me sërë vështirësish. Roli politik i saj mund të zvogëlohet. Ndikimi i saj në shoqëri, mund të reduktohet. Pesha politike e saj mund të relativizohet. Në gjirin e saj mund të lindin pakënaqësi. Pakënaqësitë e brendshme mund të shtohen. Një parti që qëndron një kohë të gjatë në opozitë,  mund të margjinalizohet në skenën politike. Kjo mund të shkaktojë atrofinë e saj. Margjinalizimi politik mund të ketë për pasojë edhe fragmentarizmin e saj. Veprimet jodemokratike të kreut partiak për t’i parandaluar apo për t’i frenuar pakënaqësitë e brendshme të një partie që rrezikohet nga margjinalizimi politik, kanë efekt të përkohshëm. Një parti e tillë, e ka vështirë t’i shpëtojë edhe fragmentarizmit të vet.
Edhe në vendet perëndimore ka raste kur një parti politike qëndron në opozitë një kohë të gjatë. Dihet mirëfilli se midis proceseve politike në vendet perëndimore dhe proceseve politike në vendet me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik, ka dallime thelbësore. Në vendet me demokraci të zhvilluar, një parti politike mund të qëndrojë shumë gjatë në opozitë, pa pësuar ndonjë çrregullim tektonik. Partitë politike në Perëndim nuk janë ente punësimi. Të rinjtë në Perëndim punësohen kryesisht në sektorin privat. Shoqëritë perëndimore nuk janë, as të politizuara, as të partizuara.
Në Ballkanin e pazhvilluar ndërkaq, është e politizuar dhe e partizuar – madje skajshmërisht – çdo pore e jetës shoqërore.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet politikbërjes në vendet e zhvilluara të Perëndimit dhe politikbërjes në Ballkanin e stërngarkuar me histori. Në rajonin që çdo 50 vjet prodhon luftëra, politika shërben si strehimore për shtresën vulnerabël  të shoqërisë, synim i vetëm i së cilës është mbijetesa. Në këtë  gadishull, dikur të cilësuar edhe si fuçi baruti, politika njëherazi është edhe mjet i uzurpuesve partiakë për t’u pasuruar brenda natës.    
Arsye të bazueshme për reformim, për profesionalizim dhe për demokratizim ka edhe partia politike që ka shtrirje të gjerë dhe ndikim më të madh në shoqëri. Partitë e tilla kanë karakteristika të caktuara të lëvizjeve masive. Duke qenë të tilla, ato janë njëfarë konglomerati segmenteshtë ndryshme të shoqërisë, të dominuar nga individë influentë, nga grupe dhe klane partiakë. Individët influentë, grupet dhe klanet brenda një partie, në një moment të caktuar mund të dalin jashtë kontrollit të kreut partiak. Në rrethana të tilla, nuk përjashtohet mundësia që kreu partiak të shndërrohet në peng të klaneve partiake. Në vendet me shkallë të ulët të zhvillimit demokratik, partitë politike janë kryesisht parti liderike. Problemet e partive politike që u ngjajnë lëvizjeve masive, lindin në momentin kur lideri i partisë, për arsye të caktuara, pushon të jetë në atë detyrë. Si rrjedhojë e mungesës së prijësit partiak, në gjirin e kësaj partie-lëvizje masive, mund të lindin fraksione. Pikërisht për këtë arsye, reformimi, profesionalizimi dhe demokratizimi i një partie të këtillë është një prej mundësive që do ta parandalonte fragmentarizmin dhe shpërbërjen e saj.
Kreu i faktorit politik duhet të parandalojë uzurpimin e subjektit politik nga individë influentë, nga grupet dhe nga klanet që veprojnë në të. Ndryshe, një parti e tillë rrezikon të shndërrohet në pronë private, në firmë private apo në ndërmarrje private të individëve të pushtetshëm, të grupeve të paskrupullta dhe të klaneve të pangopura – të privuar nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe nga çdo ideal kombëtar.
Po qe se kreu i partisë politike nuk i frenon uzurpatorët partiakë të privilegjuar, atëherë në një subjekt politik të tillë, në rrethe të caktuara, mund të lindin fraksione.
Duhet dalluar fraksionet e subjekteve politike të vendeve me demokraci të zhvilluar, si dhe fraksionet në shoqëritë me shkallë të ulët të zhvillimit demokratik. Fraksionet në partitë politike të vendeve perëndimore janë rezultantë e frymës demokratike që mbizotëron në to. Fraksionet e tyre, synojnë marrjen e pushtetit, por njëherazi janë edhe mbartës të ideve alternative në funksion të zhvillimit më dinamik dhe më efektiv të proceseve.
Ndërkaq fraksionet në partitë liderike shqiptare, nuk janë veçse luftë e individëve të forcuar, e grupeve dhe e klaneve për të uzurpuar pushtet, për interesa meskinë.   
Uzurpimi i një partie politike nga individë influentë, nga grupe dhe klane, e shndërron atë në organizëm të mbyllur. E gjithë struktura horizontale e partisë, në kushte të krizës së thellë ekonomike, manipulohet dhe vihet në shërbim të këtyre individëve, grupeve dhe klaneve. Këto grupe dhe klane identifikohen me partinë dhe sa nuk thonë: Partia, jemi ne! Mbreti i Francës – Luigji XIV kishte thënë dikur L’Etat c’est moi! Qëllimi i tyre është që në çdo mandat qeverisës të jenë pjesë e nomenklaturës së partisë në pushtet. Të jenë pra, ministra, deputetë, zëvendësministra, ambasadorë, drejtorë të përgjithshëm, drejtorë rajonalë, e deri te eshalonet më të ulëta të hierarkisë së shtetit.
Në një parti të tillë, të ngulfatur nga grupe dhe klane, lëshon rrënjë nepotizmi dhe shpërdorimet ekonomike në dëm të interesit të gjerë shoqëror dhe kombëtar. Vite me radhë, persona të njëjtë rrotullohen në funksionet më të larta të shtetit. Individët e pushtetshëm, grupet dhe klanet që veprojnë brenda subjektit politik, bashkë me eprorët e tyre, përbëjnë konjukturën partiake. Duhet ditur se konjuktura partiake nuk e përbën partinë. Partia politike në të cilën gravitojnë individë të pushtetshëm, grupe dhe klane partiake, rrezikon të shndërrohet në grup interesi - parapolitik. Partia është një organizëm shumë më kompleks se konjuktura që krijohet në të. Me konjuktura të tilla, partitë politike shqiptare, edhe pas çerek shekulli të veprimit politik, vazhdojnë të merren me çështjen e gjuhës, VMRO-ja ndërkaq, në lindje të Maqedonisë, është duke ndërtuar tri autostrada. Për klinikën gjinekologjike që do të ndërtohet në Shkup, do të investohen 57 milionë euro. Një shumë të tillë mjetesh, në pjesën shqiptare, ka kohë që nuk është investuar.
Po qe se një parti politike, fitoren të arritur në një garë politike të pabarabartë, e konsideron triumf, e ka gabim. Një parti e tillë mund të bëjë shumëçka, por jo edhe politikë kombëtare.   
*   *   *
Në vendet me shkallë të ulët të zhvillimit demokratik mbizotëron pikëpamja se partitë politike janë organizma specifikë që funksionojnë me një hierarki të përcaktuar. Si të tilla, ato mund të funksionojnë vetëm me qeverisje autokratike dhe autoritare. Ndryshe, në to mund të lindin grupe, klane dhe fraksione. Në gjirin e tyre, ndaj kreut partiak mund të përgatiten edhe komplote. Ndërkohë, sindroma e komplotit ndaj kreut të partisë, shndërrohet në paranojë të prijësit partiak.
Partia politike është organizëm i përbërë prej strukturave vertikale dhe që ka një shtrirje horizontale. Ajo përkufizon, formulon dhe artikulon një ideologji politike kombëtare apo një interes të caktuar shoqëror. Partia politike nuk është pronë private, firmë private apo ndërmarrje private e një individi. Po qe se një parti politike shndërrohet në pronë private të një individi, ajo atëherë pushon të jetë politike. Një parti e tillë mund të bëjë tregti politike, por jo edhe politikë kombëtare.          
*   *   *
Fitoret e njëpasnjëshme të partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni në zgjedhjet parlamentare dhe në ato vendore, midis tjerash janë edhe rezultat apo rrjedhojë e mosreformimit, e moskonsolidimit dhe e mosriorganizimit të opozitës shqiptare. Po qe se kjo opozitë nuk reformohet, nuk konsolidohet dhe nuk riorganizohet sa më parë, mund të pasojë atrofia e saj, reduktimi i ndikimit të saj si dhe fragmentarizimi i pashmangshëm i saj. Në rrethana të tilla, partia më e madhe shqiptare do të vazhdonte të dominojë në skenën politike, gjë që nuk do të ishte në interes, as të zhvillimit të proceseve demokratike, as të artikulimit të interesit shqiptar në Maqedoni.


Related

Opinione 8558152949357164647

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item