Baba Arshiu, 108-vjeçari shqiptar që drejton teqenë e vetme bektashiane në SHBA

Për gati 60 vjet, pasardhësit e emigrantëve dhe familjet e tyre kanë gjetur një shtëpi të dytë në manastirin e parë amerikan shqiptar ...


Për gati 60 vjet, pasardhësit e emigrantëve dhe familjet e tyre kanë gjetur një shtëpi të dytë në manastirin e parë amerikan shqiptar të bektashianjve. Ky besohet të jetë i vetmi vend i Amerikës së Veriut ku ushtrohet bektashizmi, një degë mistike e Islamit. Bëhet fjalë për një teqe – qendër e rëndësishme shpirtërore – një strehë për bektashinjtë shqiptarë, ku ata festojnë ditët e tyre të shenjta, flasin gjuhën stërgjyshore dhe kërkojnë udhëzime shpirtërore.
“Kjo shtëpizë mbajti gjallë kulturën tonë,” thotë Marion Toptani, familja e të cilit jeton në zonë prej dekadash të tëra dhe ka ndihmuar që teqeja të ketë edhe një faqe interneti. “Ajo na mësoi nga kemi ardhur.”
Kjo teqe e vogël tërheq mijëra përkrahës nga e gjithë bota dhe në muajin maj do të festojë 60 vjetorin e saj. Bashkë me të Arshi Bazaj, baba i teqesë, ose udhëheqësi shpirtëror, feston një tjetër rekord: ditëlindjen e tij të 108-të.
Drejtuesit e teqesë këtë vit pritet të paraqesin në Bashki një plan për zgjerimin e saj. Po të miratohet, ata shpresojnë të shtojnë një qendër kulturore, një kopsht botanik dhe një kënd lojërash për fëmijë. Kryebashkiaku Rick Sollars, i cili jeton edhe vetë në afërsi të teqesë është vënë në dijeni të këtyre planeve, por tha se priste pak vështirësi për të marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, sepse zona rreth teqesë është Park Natyror me status të veçantë.
“Duket pak si tepër për lagjen tonë, por edhe për qytetin e Taylorit – thotë ai. Por përkrahësit e zgjerimit të teqesë thonë se rritja e saj është me rëndësi, sepse do të ndikojë që komuniteti lokal dhe jo vetëm ai, të kuptojë sa paqësor është realisht bektashizmi: një besim pak i njohur dhe ndonjëherë i keqkuptuar.
“Ky është vërtet një vend i shenjtë”  – thotë Frances Trix, profesor në Universitetin e Indianës , i cili e ka studiuar bektashizmin për më shumë se 20 vjet.
Bektashizmi ndryshon nga degët e tjera të Islamit në mënyrën si i nderon shenjtorët dhe në ritualet që përdor.
Familje bektashiane kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara që në fillim të shekullit të 20. Por asokohe nuk kishte një klerik të përhershëm, të mirë- kualifikuar dhe karizmatik që mund të ishte shtylla rreth të cilit do të mund të ndërtohej një qendër plotësisht funksionale”, – thotë Hysen Abiva që ka studiuar historinë e grupit dhe ideoi faqen e internetit ëëë.bektashiorder.com
Derisa arriti Rexhep Beqiri, i cili u bë një baba dhe figurë e nderuar në mbarë botën. I lindur në Shqipërinë jugore në një familje të devotshme që përfshinte edhe kryepredikues të mëparshëm të bektashizmit ai e la atdheun e tij në vitet ‘40, pas ardhjes në pushtet të komunizmit dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara.
Nensi Topulli është mësuese me origjinë shqiptare nga Plymouth. Babai i saj ishte ndër themeluesit e teqesë. Ajo kujton vitet kur kjo tokë ku u ndërtua teqeja në Taylor u ble nga paraardhësit. Ajo ishte asokohe një fermë e madhe me dru frutorë mollë, dardha, qershi, ku rriteshin pula, lopë dhe dele para se vendi të transformohej në një qendër shpirtërore. Prona përfshin gjithashtu edhe apartamente, të dhëna me qira të ulët dhe emigrantë të sapombërritur që kërkojnë strehim dhe ndihmë në fazën transitive të integrimit të tyre në shoqëri.
“Ajo nuk ndryshon shumë nga teqetë e së kaluarës, të cilat gjatë Perandorisë Osmane ishin edhe si qendra të shërbimeve sociale për njerëzit e varfër e udhëtarët, si dhe objekte arsimore për fëmijë dhe të rinj,” – thotë Alexander Knysh, një profesor i studimeve islamike në Universitetin e Michigan .
Profesori tjetër Frances Trix u takua me Baba Rexhepin kur ishte ende një student i Universitetit të Miçiganit në fund të viteve ’60. Ai është i intriguar nga studimi i arkivave turke për bektashizmin. Historia e pasur, tradita e besimit dhe misticizmi, si dhe mendja e hapur dhe mirësia e babait të teqesë e tërhoqën Trix-in, i cili më vonë shkroi dy libra për përvojat e saj me bektashizmin.
“Nëse doni të kuptoni Islamin, ju nuk duhet të harroni që ekziston edhe kjo pjesë e thellë teë traditës myslimane që është pjesa mistike e saj, – thotë Trix që e përcakton bektashizmin si një pjesë shumë të vyer të Islamit.
Edhe profesor Knysh ka të njëjtin mendim: “Bektashinjtë janë konsideruar si një nga grupet sufiste të lidhura me Islamin; ushtrojnë një disiplinë shpirtërore shumë më të personalizuar dhe pa salltanete. Në SHBA, ekzistojnë dhe grupe të tjera sufi, porbektashinjtë janë tepër të rrallë – thotë ai.
Hysen Abiva shton se rreth 2.000 familje në SHBA dhe Kanada kanë lidhje me bektashizmin. Shumë prej tyre janë në Metro Detroit, me përqëndrime të vogla në Çikago dhe Nju Jork .
Rreth 5.000 njerëz në vit vizitojnë teqenë në Taylor, – thotë Egi Deromemaj, avokate, e cila është aktive në komunitetin bektashi që  prej fëmijërisë. Për shumë njerëz, “ky është në thelb një vend që na ndihmon të qëndrojmë shpirtërisht të lidhur me njëri-tjetrin” – thotë ajo.
Lutjet e babait aktual të teqesë për të ndihmuar në shërimin e saj nga një aksident me makinë dekada më parë, e kanë bërë Nensi Topullin besojë në një mrekulli. Ajo e frekuenton rregullisht teqenë për të puthur dorën e baba Arshiut.
“Duke shkuar atje, unë ndjehen afër me Perëndinë, unë jam një mësuese – dhe unë e njoh dikë që të përçon realisht atë energji që na ndihmon të jemi të mirë dhe të ndershëm- thotë Topulli .
Nake Premtaj është një pensionist nga Allen Park familja e të cilit gjithashtu është përfshirë që nga themelimi i teqesë. Edhe ai vjen shpesh të takohet me babanë e teqesë . Ajo thotë se nderon me këtë veprim kujtimin e prindërve të saj. “Ata ishin thellësisht të përkushtuar në bektashizëm derisa vdiqën. Kur unë eci në atë teqe, e ndjej që edhe ata janë aty” – thotë ajo.
Pavarësisht nëse plani për zgjerim miratohet apo jo nga Bashkia, baba Arshiu ka planifikuar të mbetet aty për sa kohë do ketë jetë. 108-vjeçari mirëpret ndjekësit e tij dhe lutet dy herë në ditë në mauzoleun elegant ku është varrosur paraardhësi i tij, Baba Rexhebi, i cili vdiq në vitin 1995.
Frymëzimi i tij kryesor? Ai na i përmbledh më së miri dhe na i thotë në shqip me anë të një përkthyesi, me një fjalë të vetme: “Zoti”
*Marrë nga gazeta amerikane The Detroit News

Disa të dhëna për Bektashizmin:
■ U themelua në shekullin e 13 nga Haxhi Bektash Veliu, një mistik Sufi. Bazohet në parimet islame, në mësimet e Profetit Muhamed, si dhe 12 imamëve dhe shenjtorëve sufi, por ka interpretime dalluese të Kuranit. Qendra botërore pas dëbimit nga Turqia është në Shqipëri
■ Përveç datave të shenjta të muslimanizmit, bektashinjtë gjithashtu festojnë Sulltan Nevruzin, për nder të lindjes së Aliut, që konsiderohet imami i parë dhe një ikonë në traditën islame mistike; si dhe Ditën e Ashures, e cila përkujton vdekjen e nipit të Profetit Muhamed, Imam Husain.
■ Kleri bektashi është i ndarë në disa kategori. Renditja më e lartë është babai, ose kreu i një teqeje, i cili cili mbikëqyr ritualet dhe konsiderohet udhëzues shpirtëror.

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item