Njeriu i detyrës – njeriu që i duhet Shqipërisë

Nga Veli HAKLAJ * Në dossierin e sotëm për lexuesin e gazetës “Standard”, vlerësuam të publikojmë pjesë nga një libër i vogël, por me mesazh...

Nga Veli HAKLAJ*

Në dossierin e sotëm për lexuesin e gazetës “Standard”, vlerësuam të publikojmë pjesë nga një libër i vogël, por me mesazhe të mëdha, të autorit Elbert Hubbard, Një mandatë për Gjeneral Garcia-n ose “Njeriu i detyrës”, i përkthyer nga anglishtja nga Beqir H. Haçi, shtypur në Tiranë, në vitin 1929, nga shtypshkronja “Teknike”.
Beqir Haçi (1907-1990), veprimtar i arsimit, mësues i Popullit, lindi në fshatin Borsh të Sarandës. Pasi kreu Shkollën Teknike (1921-1926) u emërue po aty mësues i degës Normale, ku punoi deri më 1933, kur shkolla u mbyll. Vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Firencës (1933-1935) dhe u kthye në Atdhe, ku shërbeu si mësues e inspektor arsimi në Përmet, Gjirokastër, Dibrën e madhe e në Tiranë (1935-1946). Për shkak të pikëpamjeve të tij demokratike u burgos (1946-1952) dhe nuk u lejua të punonte në arsim (Fjalori enciklopedik shqiptar, 2, Tiranë, 2008, f. 873).
Botimin e librit të Hubbard, Beqir Haçi ua dedikon të rinjve të Kryqit të Kuq Amerikan, të cilëve u detyrohej për arsimin që kishte kryer.
Mesazhet e përcjella në këtë libër kanë shërbyer si model, krahas modeleve të tjera pozitive, për edukimin e brezit të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila udhëheq sot botën e civilizuar në rrugën e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Beqir Haçi, i formuar në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë, duke identifikuar nevojat e administratës shtetërore, në fundvitet ’20 të shekullit të kaluar, për nëpunës të identifikuar me “Njeriun e detyrës”,  përkthyeu dhe publikoi këtë libër për shqiptarët.
Megjithëse kanë kaluar shumë dekada, një pjesë e mesazheve që jepen në këtë libër janë aktuale edhe sot e kësaj dite, sidomos në këto momente kur administrata shtetërore në Shqipëri po përballet më spastrime masive politike, duke larguar nga puna qindra – mijëra nëpunës të arsimuar, trajnuar dhe kualifikuar me kontributet e taksapaguesve shqiptarë, por dhe atyre të BE dhe SHBA, dhe duke punësuar militantë politikë që çdo gjë tjetër mund të të kujtojnë, por jo “Njeriun e detyrës”, njeriun që i çon mandatën “Gjeneral Garcias”.
Në vijim do të gjeni pjesë nga ky libër i E. Hubbard.

Një mandatë për Garcian
Në gjithë këtë çështjen e Kubës (republikë në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Veriore, në mes të detit të Meksikos dhe të detit të Karaibeve) asht një njeri që qëndron në horizontin e kujtimit tim si ylli Mars kur ashtë në vendin e tij ma afër Diellit. Kur plasi lufta (1898) midis Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte nevojë e madhe që kjo e fundit të merrrej vesh shpejt me kryetarin e kryengritësve të Kubës. Garcia (kryetari i kryengritësve të Kubës) ishte diku në malet e larta të Kubës – askush se dinte vendin ku ishte. As postë e as telegraf s’e gjente dot. Por presidenti lypset të sigurojë ndihmën e tij dhe sa ma shpejt.

Ç’lypset të bahet?
Dikush i tha Presidentit, “Asht një njeri me emrin Rowan që do e gjej Garcian për juve, n’asht se ka njeri që mund ta gjej”.
Rowani qe thirrun dhe iu dha letra që t’ia dorëzonte Garcias. Si “njeriu me emrin Rowan” e mori letrën, e pështolli në një trastë të lëkurtë voji, e lidhi me rryp për mbi zemrën, në të katërtën ditë doli natën në zallin e Kubës me një barkë të hapët, humbi në pyllin e dendur, e në tri javë doli në buzën tjetër të nisis tue pasë kalue një vend të huej në kambë, dhe ia dorëzoi letrën Garcias, janë gjëra që nuk ndjej një andje të posaçme tani që t’i spjegoj hollësisht.
Pika që dua të tregoj asht kjo: McKinley i dha Rouanit letrën për Garcian; Rowani e mori letrën dhe nuk pyeti, “Në ç’vend asht?” Për zotin! Ja ku asht një njeri forma e të cilit lypset të derdhet në bronx të pavdekshëm dhe statuja e tij të vihet në të gjitha kolegjet e vendit. NUK ASHT MËSIMI I LIBRAVE OSE STËRVITJA N’ATË E NË KËTË që ka nevojë djalëria, por asht të forcuarit e shtyllës së shpinës që t’i bajë besnikë te një besim, të veprojnë në kohë, të përqëndrojnë fuqitë e tyne, të KRYEJNË PUNËN – t’i shpien mandatën Gjeneral Garcias!”
Gjeneral Garcia nuk është i gjallë tani, por ka të tjerë Garcia.
Nuk ka asnjë njeri që ka marrë përsipër një punë që kërkon shumë duar (punë të randë, të vështirë) që nuk asht herë herë i frikësuem dhe i turbulluem nga paditunia e njerëzve mesatarë – nga ata që u mungon zotësia dhe vullneti me u përqëndrue mbi një gja dhe me e krye atë.
Ndihmë e paorganizueme, vëmendje qesharake, mospërfillje e shëmtuar dhe punë me gjysmë zemër duken të jenë ba rregulla; dhe asnjë njeri nuk fiton përveç se kur merr me forcë, me dhelpëri, me kërrabë, me dhurata, me frikësime të tjerë njerëz ta ndihmojnë, ose mundet të ngjajë që Zoti, me mirësitë e tij ban një çudi tue i dërgue një Engjëll Drite për ndihmtar.
Ti, lëçitës, vene këtë gjë në provë; je tash tue ndenj në zyrë – gjashtë nëpunës janë në urdhënin tënd. Thirrë cilindo dhe bani këtë kërkesë: “Të lutem, vështro në enciklopedi dhe shkruajmë një shënim të shkurtër mbi jetën e Correggio-s”
A do të thotë nëpunësi me ngadalë “Si urdhënon Zotni”, dhe do shkoj të bajë detyrën?
Për kryet tand! nuk do të veprojë kështu. Ai do të të shikoj me një sy të peshkut (me vështrim të çuditshëm – me sy të hapur së tepërmi) dhe do të pyes një ose ma shumë nga këto pyetje:
Kush qe ky?
Në cilën enciklopedi?
Ku asht enciklopedia?
A jam marrë në këtë detyrë për këtë punë?
A do të thuash për Bismarkun?
Pse të mos e bëj Karli këtë?
A ka vdek?
A të lypset shpejt?
A ta bie librin e ta shikoni vetë?
Përse e doni që ta dini?
Edhe unë vë bast me dhjetë unë e një ju që edhe mbasi t’u jepni përgjegje pyetjeve, dhe të keni spjegue si ta gjejnë informatën, edhe pse e doni, nëpunësi do të shkojë të marrë një tjetër shokë që të gjejnë “Garcian” dhe ma në fund do të vijë t’u thotë se s’ka të tillë njeri. Mundet që ta humbas bastin, por simbas rregullit të njerëzve mesatarë nuk do ta humbas.
Tani, po të jesh i mençëm, nuk do të mundohesh t’i spjegosh ndihmësit që Corregio asht radhit nën Ctdhe jo nën Kt, por do të buzëqeshësh ambëlsisht dhe do të thuesh, “Lene mos e nga”, e do të shkosh ta gjesh vetë …
N’asht se njerzit nuk veprojnë për vehten e tyne, ç’do të bajnë atëherë kur mirësija e veprimit të tyne asht për të gjithë? …
Kërko një stenografist edhe 90 për qind t’atyne që do të vijnë nuk dinë as të shkruajnë fjalët pa gabime e as të pikësojnë fjalitë – edhe as që i quajnë të nevojshme këto cilësina.
A mundet një i tillë të shkruaj një letër për Garcian? …
Tash vonë kemi dëgjue shumë fjalë e shprehje në simpathi të punëtorëve që janë në fabrika ku s’ka mjaft dritë e ajër të pastër, edhe për shëtitësin e pa shtëpi që kërkon punë të ndershme, edhe tok me këto shkojnë dhe shumë fjalë të randa për njerëzit në fuqi.
Asgjë s’thuhet për zotin e punës që plaket pa i ardhun koha nga mundimi që të baj ata “kurrë – s’bajnë – mirë!” të bajnë punët me mend, edhe nga përpjekja e gjatë e plot durim që shkon me “ndihmë” që tallet me të kthyer krahët ay. … Vetëm të zotët mund të rrojnë. Interesi vetjak e shtyn çdo zot të mbajë ma të mirët – ata që mund t’i çojnë letrën Garcias.
Di një njeri me disa cilësina të shkëqyeshme që nuk ka zotësi me rregullue një punë të veten dhe prapë asht krejtësisht i pavleftë dhe për të tjerët, ngaqë ai mba me vete një dyshim të lik sikur kryetari i tij ashtë tue e shtyp ose tue u mundue ta shtypë. Ai s’mundet të japë urdhna, edhe as që merr urdhna. Sikur t’i jepet një letër për t’ia dhënë Garcias, përgjigjja e tij mund të jetë, “Shpjerja vetë”.
Sonte ky njeri po ecën rrugëve tue kërkue punëra tue vëshëllit nëpër pallton e tij që i numërohen penjtë. Asnjë nga ata që e njohën s’guxon ta marrë në punë, sepse ai asht një ur’ e ndezur pakënaqësie. Shkaqet nuk shkojnë tek ay, dhe e vetmja gja që mund t’i bajë përshtypje asht një shqelm i shëndoshë. Medoemos, e di se një i çformuem moralisht kështu lypset të mëshirohet jo ma pak se një fizikisht i metë; por në mëshirimin për këta të lëshojmë edhe një lot për ata njerëz që mundohen me i dal zot një pune të madhe, orët e punëve të të cilëve nuk sosen me të tingëllue zilja, edhe flokët e të cilëve janë tue u zbardhue shpejtësisht nga luftimi për me mbajt me radhë mospërfilljen e shëmtuar, paditurin e çrregullt edhe mosmirënjohjen e jashtëkufishme që po të mos ishte puna që mbanë këta zotërinj, do të ishin të urishme dhe të pa shtëpi.

A e kam shfaq çështjen tepër ashpërsisht?
Mundet që po; por kur gjithë bota të ketë ra n’gjumë unë dëshiroj të flas fjalë simpathie për NJERIUN QË TRIUMFON – për njeriun që kondra shtrembësinave të mëdha ka mund të drejtoj veprimet e të tjerëve, dhe kur ka triumfue, gjen që s’ka asgja nga fitorja – asgja tjetër veç rrobat e tij dhe ushqimin. Kam ngjitun një enë gjellë e kam punue për pagim një ditë, kam qenë edhe zot pune, edhe kështu di që ka diçka që mund të flitet për të dy anët. S’ka asnjë meritë për cilësina të mira ‘për se’ (në vet vedi, në vehten e saj) varfëria; rrobat nuk janë rekomandim, dhe gjithë zotërit e punës nuk janë grabitës dhe shtypës, më sa janë gjithë njerëzit e varfër të virtutshëm.
Zemra ime shkon te njeriu që ban punën e tij njëlloj sikur asht kryepuntori aty dhe kur s’asht ay aty. Edhe te njeriu, i cili, kur i jepet një letër për Garcian, me të shpejtë e merr atë pa ba pyetje të pamendshme edhe pa qëllim të fshihet e ta hedhë poshtë në hendek t’ujnave ose të baj gja tjetër veç se ta dorëzojë; ky kurr nuk “lihet më nj’anë” e as që ka nevojë të marrë pjesë në greva për të pasun ngritje në rrogë. Qytetërimi asht një kërkim i gjatë e i urishëm për të tillë persona.
Çdo gja që të kërkoj ky njeri do t’i jepet, nga lloji i tij ka aq të pakët sa as një zot pune nuk e len të shkojë. Ay lypet në çdo qytet dhe fshat – në çdo zyrë, dugajë (dyqan), magazinë dhe fabrikë. Bota po thërret për të tillë njerëz; ay asht i nevojshëm e i nevojshëm shumë – NJERIU QË MUND T’I ÇOJË MANDATËN GJENERAL GARCIAS.

*Studiues

Related

Speciale 331267557294923578

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item