Një letër për Putinin, nga “Princi” i Makiavelit

JOSEF JOFFE Nikolo Makiaveli, babai i realpolitikës, i ka dërguar një letër nga përtej varrit Presidentit Vladimir Putin, në vijim të dërgim...

JOSEF JOFFE

Nikolo Makiaveli, babai i realpolitikës, i ka dërguar një letër nga përtej varrit Presidentit Vladimir Putin, në vijim të dërgimit prej këtij të fundit, të forcave ruse në Krime.
I dashur Z. President,
Përgjatë 500 viteve të fundit, kam ndjekur me kërshëri politikën e fuqive mbi tokë. Si admirues i Risheljësë, Palmerstonit dhe Kisingerit, dua të të përgëzoj. Ti je një prej studentëve të mi më të mirë, dhe ti i “vure në majë të gishtit” Barak Obamën, Angela Merkelin, dhe këtë francezin me emër holandez. Me Luftën e Dytë të Krimesë, ti ia hodhe edhe Jozef Stalinit dhe Nikita Hrushovit. Stalini ishte në fakt një burrë i ndrojtur, që nuk shkoi përtej asaj cfarë kishin pushtuar ushtritë e tij të Luftës së Dytë Botërore. Hrushovi ishte një aventurier sy-cakërryer, që pothuajse shkaktoi Luftën e Tretë Botërore në Kubë.
Megjithatë ti, zoti President, ke qenë njëkohësisht i pamëshirshëm, dhe i matur – tamam sic kam sugjeruar unë tek “Princi”. Ju rusët e keni distiluar urtësinë time, në një frazë shumë të saktë: kto kovo – “kush dominon kë”? Dhe ju e keni zbatuar për bukuri idenë time qendrore. Unë nuk kam predikuar asnjëherë dhunë në maksimum, por “ekonominë e forcës” – si të marrësh më shumë duke dhënë më pak. Kërcimi drejt Krimesë ishte një kryevepër e politikës së mencur të fuqive.
Ti bëre gjithcka sic duhej. Rroke mundësinë, atëherë kur t’u shfaq. Në fillim përllogarite “korrelacionin e forcave” – për të huazuar një term sovjetik – dhe kuptove që ishte në favorin tënd. E kush do të të luftonte ty? Një udhëheqje ukrainase në kaos? Një ushtri ukrainase joserioze? Një BE që nuk mundej as të bombardonte Libinë, pa forcat ajrore të SHBA? Amerika e Barak Obamës?
Më pas, ti e vlerësove me saktësi gjeografinë politike. Rregulli është që asnjëherë të mos sulmosh një armik superior si Perëndimi, në tokën e vet. Ti ia teston temperamentin në periferi. Bashkimi Europian është një fuqi ekonomike e madhe, por i mungojnë vullneti dhe mjetet për të projektuar fuqinë e vet. SHBA ka bollëkun e aseteve, por nuk ka më vullnetin për të vepruar si fuqi botërore. Kështu që, mund t’i injoroje.
Më tej, e vlerësove si duhet faktorin gjeografi. Në nivel global, Perëndimi është superior ndaj Rusisë, por në nivel rajonal, je ti i forti. Ti kishe “linjat e brendshme”, sic thoshte strategu i madh prusian, Karl fon Klausevic. Perëndimi ishte një mijë milje larg. Dhe trupat e tua i kishe tashmë në Krime – tanke, avionë, gjithcka.
Tani kalojmë tek ekuilibri i interesave, një koncept më delikat. BE të ka kundërshtuar për cështjen e Ukrainës, por si kofini pas të vjelave. Vendi yt kishte peshq më të mëdhenj për të skuqur: Ukraina, si një ish tokë ruse plus një shumicë etnike në Krime, një perlë që Hrushovi në mënyrë të pavëmendshme ia kish dhënë Ukrainës 60 vjet më parë.
Kështu që, ti kishe edhe avantazhin psikologjik që vjen kur ke më shumë në lojë. Hrushovi e injoroi ekuilibrin e interesave në Karaibe. Përndryshe nuk do i kish dërguar raketat e tij në Kubë në vitin 1962, vetëm 90 milje larg nga brigjet amerikanë. Më lejo të them që, edhe 60 përqind rusë etnikë në Krime, i dhanë dhe më shumë legjitimitet levizjes tende. A nuk predikon edhe Perëndimi “përgjegjësinë për të mbrojtur”? A nuk shkoi në luftë për kosovarët?
Por më shumë nga të gjitha, ti je një makiavelist i vërtetë kur flitet për ekonominë e dhunës. Aq sa duhet, kurrë me tepri, dhe me risqe minimalë. Kështu, ti nuk e zaptove Ukrainën lindore, gjë që do të kishte zemëruar perëndimin dhe do të të ishte kthyer kundër. Ti vetëm vole frutin e Krimesë, që kish kohë që qëndronte varur në pemë.
Në Kiev, impakti “edukues” do të jetë shumë i madh. Kushdo që merr pushtetin atje do të këndojë këngën e “demokracisë”, dhe “lidhjen me BE-në” si zë të dytë. Këtu, i dashur nxënësi im, vjen dhe fitimi yt më i madh. Nuk duhet të trembesh për valën demokratike që, prej sheshit Maidan mund të vijë drejt vendit tënd. Të paktën jo për një kohë të gjatë.
Cfarë rritje ka pësuar “kredoja jote e rrugës”, në rivalitetin mes kombeve! Me një investim të vogël, ti ke siguruar atë që Presidenti Obama nuk e ka më – dhe që europianët e kanë humbur shumë kohë më parë: reputacionin si i pamëshirshëm, që buron nga gatishmëria për të përdorur forcën.
Të kesh pushtet do të thotë të mos kesh nevojë ta “tundësh” – domethënë nuk ke nevojë të kërcënosh, e jo më të ekzekutosh, për të arritur atë që do. Shiko si rritet respekti për Rusinë në Poloni dhe vendet e Balltikut. Dhe mos u shqetëso për pasojat. Ti shkëpute Abkhazinë dhe Oshetinë e Jugut me një blic të shpejtë në 2008-ën. Sot, askush nuk flet më për Gjeorgjinë.
Përse “ekonomia e dhunës” sjell më shumë dobi sot, se sa në ditët e mia fiorentine? Jetojmë në një botë të ndarë. Në Azi dhe në Afrikë, trazirat janë të pranishme, ose më të mundshme se kurrë. Quaje “Rripi i Damask-Fenianit”. Ndërkohë që, në Rripin “Berlin-Berkeley”, forca si një mjet i artit të qeverisjes është zhdukur.
Duke parë përvojën e dëshpëruar të perëndimit në Afganistan dhe në Irak, edhe ajo “superfuqia e fundit që ka mbetur” – pra SHBA – tani nguron që të shkojë tek “ultima ratio”. Dhe kjo gjë ofron shanse të mëdhenj për ty. Kur oferta e forcës pëson tkurrje, edhe pakëz forcë të bën shumë punë, sic e vërtetove në Krime. Kur fuqia amerikane të zbehet, ti mund të bësh përpara me shumë pak risk – sic veprove në Siri.
Në Perëndim, Kancelarja Merkel të ka kritikuar dhe ka thënë se ti “jeton në një tjetër botë”. Po, ti jeton në shekullin 19 – në një botë me lojëra me shumën zero, ku humbja e rivalëve është fitorja jote, ku fuqia është zotërim, dhe ku kto kovo sjell fitime të ndërsjellë. Perëndimi jeton në shekullin 21, ku mirëqenia lë pas luftën dhe ku rregullat lënë në hije arsyet shtetërore.
Prandaj ti fitove me kaq shkathtësi në Krime. Vetëm se, ka një problem Z. President. Madhështia e vërtetë e një kombi vjen prej përgjegjësisë. Ti thjeshtë ke ripohuar një zakon të vjetër rus: Preferon më mirë të jesh ngatërrestari i madh, dhe te rrish jashte. Eshtë vetëizolim, por nuk ka aspak shkëlqim. Pac fat, Vladimir.
Sinqerisht,
Nikolo Makiaveli
Joffe është Kryeredaktor i Die Zeit në Hamburg, si dhe studiues në Freeman-Spogli Institute si dhe Hoover Institution, në Stanford University./bota.al

Related

Shtypi i huaj 8313486553436914546

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item