NATO, “ultimatum” Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, paralajmëroi Rusinë se mund të përjashtohet nga G8.  “Vladimir Putin nuk do të shohë të zhv...


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, paralajmëroi Rusinë se mund të përjashtohet nga G8. 
“Vladimir Putin nuk do të shohë të zhvillohet takimi i G8 në Sochi, në muajin Qershor, siç është planifikuar të ndodhë”, tha ai për programin e CBS, “Face the Nation”.
“Ai mund ta gjejë veten me asete të ngrira ndaj bizneseve ruse, ndërsa kompanitë amerikane mund të tërhiqen nga Rusia”.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Ukrainë, kryediplomati amerikan tha se “nuk mund të sillesh në shekullin 21-të, si në shekullin e 19-të
duke pushtuar një vend tjetër me një pretekst të fabrikuar”.
Franca e Britania e Madhe, njësoj si Shtetet e Bashkuara, vendosën të bojkotojnë samitin e G8-s, që do të zhvillohet në Sochi të Rusisë, në muajin Qershor, në kundërpërgjigje ndaj vendimit të Rusisë për të dërguar trupa në Krime.
“Rusia po shkel parimet e kartës së OKB-së, po kërcënon paqen dhe sigurinë në Europë. Rusia duhet të ndalojë të gjithë veprimet ushtarake apo kërcënimet”.
Ky ishte apeli i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rassmussen, pak para mbledhjes së ambasadorëve në Bruksel.
“Aleanca mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ne përkrahim - tha Rassmussen - të drejtën e popullit të Ukrainës për të vendosur mbi të ardhmen e tij, pa ndërhyrje nga jashtë”.
Të shtunën, gjatë një bisede telefonike, që zgjati 90 minuta, presidenti amerikan Barack Obama i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin, “të tërheqë menjëherë ushtarët në bazat e tyre, në Krime”.
Sipas Kremlinit, Putin i është përgjigjur Obamës se “Moska ruan të drejtën për të mbrojtur interesat e saj dhe të popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, bëri thirrje për kthimin e menjëhershëm të qetësisë dhe dialogut në Ukrainë. Për krizën në Ukrainë ka ndërhyrë edhe Papa Francesku, i cili gjatë meshës së të dielës bëri thirrje për dialog. / Top Channel/

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item