Luftë sanksionesh” mes BE-së dhe Rusisë?

Rusia dhe Perëndimi janë të lidhur e të ndërvarur nga njëri-tjetri dhe sanksionet do të kenë pasoja të ndjeshme për të dyja palët. ...

Rusia dhe Perëndimi janë të lidhur e të ndërvarur nga njëri-tjetri dhe sanksionet do të kenë pasoja të ndjeshme për të dyja palët.


 Bashkimi Evropian dhe Rusia janë në prag të një “lufte sanksionesh” që shpejt mund të përshkallëzohet në një “luftë ekonomike” të gjatë dhe të qëndrueshme. Brukseli vendosi më 6 mars 2014 ndërprerjen e punës për një numër marrëveshjesh dypalëshe. Në rast se Moska nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve për krizën në Ukrainë, pritet të ketë kufizime vizash për pushtetarët e lartë rusë si dhe ngrirjen e llogarive të tyre bankare jashtë vendit.
Në rast se Rusia “do të marrë masa të tjera për destabilizimin e gjendjes në Ukrainë, thuhet në vendimin e BE-së, atëherë priten sanksione të gjera ekonomike dhe një ndryshim i fortë i marrëdhënieve me Rusinë.

Rusia synon të kundërpërgjigjet me sanksione
Në një rast të tillë edhe Rusia kërcënon me “ngrirjen e llogarive bankare si dhe me sekuestrimin e kapitalit të sipërmarrjeve nga SHBA-ja apo nga vende të tjera që vendosin sanksione ndaj nesh”, – njoftoi kryetari i Këshillit Federal për Kushtetutën Andrej Klishas. Ai theksoi se po punohet për projektligjin përkatës.
Po ashtu Rusia kërcënon se mund të anulojë disa marrëveshje të mëdha sipërmarrje evropiane, si p.sh. atë për blerjen e helikopterëve francezë të tipit “Mistral”. Dy syresh kushtojnë rreth 1,3 miliardë. Në rast se kjo marrëveshje dështon prej saj do të preken si sipërmarrjet franceze edhe ato evropiane që bashkëpunojnë me to.
Dëm të madh ímazhit të Rusisë do t’i shkaktonte anulimi i Kampionatit Botëror të Futbollit 2018, gjë që e kërkojnë si disa vende evropiane edhe dhoma e ulët e Kongresit Amerikan që i ka kërkuar FIFA-s ta mendojnë edhe një herë vendimin e saj për Botërorin 2018.

Rusia dhe gazi
Por sado të dhimbshme të jenë këto sanksione për firma dhe sipërmarrje apo persona të caktuar në rast të një “lufte sanksionesh” më problematiket do të jenë dy sektorë: energjia dhe financat. Në BE ka zëra që shprehen se Moska mund të mbyllë rubinetat e furnizimit me gaz dhe naftë. Të tjerë, si p.sh. Kryeministri polak, Donald Tusk, mendojnë se sa më tepër të reduktohen importet ruse të gazit dhe të naftës aq më probleme do t’i shkaktohen Moskës, sepse ato janë burimet kryesore të devizave dhe baza e buxhetit rus.
Polonia, Finlanda, Estonia, Letonia dhe Lituania janë, sipas ekspertëve të bankës amerikane “Morgan Stanley”, thuajse krejtësisht të varura prej gazit rus. Nga ana tjetër ekspertët thonë se vendet e tjera të BE-së blejnë pak ose aspak gaz nga Rusia. Me fjalë të tjera, një pjesë e vendeve të BE-së mund ta ndërpresë menjëherë bashkëpunimin me Rusinë.

Varësia financiare
Edhe në botën e financave Rusia dhe Perëndimi janë të lidhur dhe të ndërvarur nga njëri-tjetri. Borxhet e sipërmarrjeve dhe të bankave ruse si “Gazprom”, “Rosneft”, “Sberbank” dhe “VTB” tek kreditorët jashtë vendit shkojnë në 650 miliardë dollarë. Kjo sasi është më e lartë se rezervat e devizave që ka Rusia. Në fund të shkurtit ato ishin 493 miliardë dollarë.
Në rast se sipërmarrjet ruse do ta ndërpresin për arsye politike apo ekonomike pagimin e kredive, kjo do të jetë një goditje e rëndë për bankat amerikane, evropiane dhe japoneze. Nga ana tjetër një gjë e tillë do të përbënte edhe falimentim faktik të sipërmarrjeve ruse dhe ato nuk do të kenë prej vitesh mundësi të marrin më kredi në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Kjo do të thoshte se ato nuk mund t’i realizojnë planet e tyre për investime as në Rusi dhe as jashtë saj dhe kjo do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për ekonominë ruse.

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item