LIBER I NJEJTE, KAPITULL I RI / Cfarë na tregon historia e Krimesë për konfliktin sot

Peter Eltsov Klaus Larres Në vitin 1979, shkrimtari rus Vasili Aksionov shkruajti një roman satirik, me titull “Ishulli i Krimesë”, në të ci...

Peter Eltsov
Klaus Larres


Në vitin 1979, shkrimtari rus Vasili Aksionov shkruajti një roman satirik, me titull “Ishulli i Krimesë”, në të cilin ai luante me një histori alternative të Krimesë në shekullin 20: Rajoni u bë neutral dhe i pavarur. Një prej pikëpyetjeve të mëdha politike që ngrinte romani ishte nëse populli rus, përfshirë edhe banorët e gadishullit të Krimesë, do të mund të kishin ndonjëherë një shtet pa carizm, komunizm, imperializëm.
Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë fort në pah rëndësinë gjeopolitike të Krimesë, duke treguar njëkohësisht se romani i Aksionovit do të mbetet një fantazi, të paktën për momentin. Eshtë mundësi reale që një rebelim separatist në Krime, pas rrëzimit të presidentit Janukovic në Kiev, të ndajë një herë e mirë Ukrainën. Nëse ndodh, nuk ka gjasa që Moska ta aneksojë formalisht Krimenë. Por, edhe një Krime e pavarur do të dominohet me shumë gjasa prej Rusisë.
Në 25 maj, kur ukrainasit të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, votuesve në Krime do u kërkohet që të vendosin nëse duan apo jo të clirohen prej autoritetit të Kievit. Krimea u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, dhe rajoni 2 milionë banorësh ka mbetur prorus në shumicë dërrmuese. Nuk ka asnjë dyshim që banorët e tij duan një autonomi më të madhe. Por, pyetja më kritike këtu, është nëse do të ketë lëvizje për ta lidhur Krimenë me Rusinë, formalisht ose joformalisht – ndoshta që përpara muajit maj. A do të vendosë parlamenti rajonal i Simferopolit që të ndajë Krimenë nga Ukraina, dhe të kërkojë të bëhet pjesë e Federatës Ruse? Apo Moska do të vazhdojë me dërgimin e “këshilltarëve” ushtarakë dhe trupave, për të mbrojtur sigurinë e Krimesë dhe popullsinë e saj ruse nga elementët e jashtëm, të ashtuquajtur armiqësorë, si dhe nga qeveria nacionaliste në Kiev?
Për të kuptuar këto pyetje, dhe kontekstin që i rrethon, nevojitet një vështrim pas në kohë, në historinë e gjatë, komplekse dhe shumëkulturore të Krimesë. Ngritur gjatë Epokës së Gurit, ajo u përfshi, gjatë periudhave të ndryshme të historisë, në qytetërimin greko-romak, Perandorinë bizantine, Kievan Rus, Ulus i Jochit, Perandorinë otomane dhe Perandorinë ruse. Prapa humbjes së mongolëve përballë timurëve në 1441, ishte edhe një Khanate, një njësi politike e pavarur e tatarëve të Krimesë. Tatarët janë sot një pakicë në Krime, pasi shumë prej tyre u zhdukën gjatë spastrimit të madh të Stalinit, ose gjatë dëbimit në masë drejt Uzbekistanit në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Dhe sot, nuk është habi që tatarët të jenë në krahin e revolucionit ukrainas.
Sot, Krimea është shumë e shtrenjtë për psikikën nacionaliste ruse. Gadishulli u bë pjesë e Perandorisë ruse në kohën e Katerinës së Madhe, në vitin 1783, duke ofruar akses në Detin e Zi si dhe toka të reja për zhvillim. Në fundin e shekullit 19, Aleksandri III ndërtoi dy pallate madhështorë në qytetin bregdetar të Jaltës, të quajtur Livadia dhe Masandra. Stalini priti Rusveltin dhe Churchillin në Livadia, gjatë Konferencës së Jaltës në shkurt 1945. Presidenti i SHBA madje qëndroi në këtë pallat.
Qyteti i Sevastopolit, i njohur në Rusi si “qyteti i lavdisë ruse”, luan një rol vecanërisht të rëndësishëm në perceptimin që rusët kanë për Krimenë. Aty kanë ndodhur dy beteja të përgjakshme: e para, në vitin 1854 mes Rusisë Imperiale nga njëra anë, dhe otomanëve, francezëve dhe britanikëve nga ana tjetër. E dyta gjatë Luftës së Dytë Botërore, mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste. Të dy betejat janë glorifikuar në artin, letërsinë dhe kulturën popullore. Dhe në Sevastopul ndodhet ende flota ruse e Detit të Zi.
Në vitin 1954, Nikita Hrushovi ia transferoi Krimenë Ukrainës, një veprim që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte shumë e vështirë të zhbëhej. Në zemrat e shumë rusëve mbeti hidhërimi për humbjen e Krimesë, si për njerëzit e zakonshëm, ashtu edhe për politikanët. Nacionalistët pro rusë në këtë rajon kanë kërkuar vazhdimisht pavarësinë (përpjekja më e fundit u bë në 2004, mes zemërimit për rezultatin e Revolucionit Portokalli).
Tani, disa udhëheqës në Moskë duket se janë të gatshëm ta kthejnë Sevastopolin, ose të gjithë Krimenë nën kontrollin e Rusisë. Në fakt, pas revolucionit politik në Kiev, ngjarjet janë duke dalë rrezikshëm nga kontrolli.
… Kriza ukrainase, dhe ndikimi i Rusisë në të, të kujtojnë krizat e Europës Lindore gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Në mënyrë të vecantë, ngjarjet në Hungari në 1956 dhe në Cekosllovaki në 1968. Në të dy rastet u kërkua ndërhyrja ushtarake për të qetësuar trazirat, dhe Moska pranoi pas një periudhe shqyrtimi dhe hezitimi. Edhe më i përshtatshëm, është krahasimi me luftën e Rusisë kundër Gjerorgjisë në 2008. Në fund të atij konflikti, rajonet e Oshetisë Jugore dhe Abkazisë u ndanë nga Gjeorgjia, dhe Rusia nxitoi t’i njohë të dy territoret si shtete të pavarur. Ndonëse shtete të tjerë nuk i shkuan pas, të dy këta territore janë tashmë nën kontrollin de facto të Rusisë, ndërsa Gjeorgjia nuk ka asnjë influencë.
Ky mund të jetë modeli që presidenti Putin ka në mendje në lidhje me Krimenë. Një Krime e pavarur, por nën ndikimin e Moskës do të kënaqte interesat rusë. Ndërkombëtarisht, Moska mund të pretendojë se nuk e ka aneksuar Krimenë, por nacionalizmi rus, ndjenja e fortë që Krimea është pjesë integrale e Rusisë Mëmë, do të kënaqej. Dhe rëndësia gjeopolitike e Krimesë, duke përfshirë rolin e saj si bazë e flotës ruse të Detit të Zi, gjithashtu do të shpërblente Moskën.
A do të ishin të kënaqur SHBA dhe BE nga një rezultat i tillë? Vështirë. A do të munden apo do të kenë vullnet të bëjnë dicka? Nuk ka gjasa. Nuk është e mundur që dikush në perëndim të dojë të shkojë në luftë për Krimenë. Ndoshta Putini e ka kuptuar këtë, dhe prandaj po tregon muskujt në rajon.
Tek Skicat e Sevastopolit, Leon Tolstoi përshkruante tmeret e Luftës së Krimesë (1853-1857), që përfundoi me fitoren e ushtrive të Rusisë si dhe kontrollin e Krimesë nga Cari. E fundit nga tre historitë, “Sevastopoli në gusht 1855” përfundon me një vëzhgim shumë të zymtë mbi gjendjen shpirtërore të ushtarëve rusë, pavarësisht suksesit në betejë: “Sapo shkeli në skajin e fundëm të urës, pothuajse cdo ushtar rus hoqi kapelën dhe bëri kryqin. Por prapa këtij instikti kishte një tjetër, shtypës dhe shumë më i thellë, që ekzistonte bashkë me të. Ishte një ndjenjë që ngjante me pendimin, turpin, urrejtjen”. Me fjalë të tjera, triumfi i pushtimit, u prish prej turpit të imperializmit, duke goditur ironikisht nacionalizmin që kishte nxitur pushtimin që në krye të herës.
Mund të shpresojmë që udhëheqësit në Moskë, përfshirë presidentin Putin, të kenë kohë të rilexojnë Tolstoin përpara se të vendosin të ndërhyjnë më tej në politikën e Krimesë, të ndërmarrin veprime ushtarakë, ose përndryshe të përpiqen të dominojnë një rajon që Rusia dikur e kontrollonte.
Foreign Policy/bota.al

Related

Shtypi i huaj 1614751920964665510

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item