Kush do ta administrojë së shpejti internetin?

Në konferencën e ICANN duhet gjetur dikush, që të marrë përsipër mbikëqyrjen e internetit pas vitit 2015. Shtetet e Bashkuara të Amerikës du...

Në konferencën e ICANN duhet gjetur dikush, që të marrë përsipër mbikëqyrjen e internetit pas vitit 2015. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan ta dorëzojnë këtë detyrë, kërkimi i përgjegjësve të rinj duket i vështirë.


Kjo kërkesë është më shumë se 15-vjeçare. Shumë shtete, organizma të Kombeve të Bashkuara dhe grupe të shoqërisë civile kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur nga SHBA-ja që ta dorëzojë më në fund mbikëqyrjen e përgjithshme mbi administrimin e internetit, Internet Corporation for Assigned Names and Numbers (ICANN), sepse vendimi përfundimtar për menaxhimin e domeneve dhe çështje të tjera të lidhura me lidhjen në internet kanë qenë deri tani në duar të Ministrisë amerikane të Tregtisë. Pa miratimin e autoritetit amerikan të telekomunikacionit, NTIA, që varet nga Ministria e Tregtisë, nuk bëhet dot asgjë në internet.
Qysh në samitet botërore të informacionit në vitin 2003 në Gjenevë dhe në vitin 2005 në Tuniz, menaxhimi i internetit duhet të vihej më fort në duar ndërkombëtare. Por përveç disa ndryshimeve kozmetike nuk ndodhi asgjë tjetër. Qeveria amerikane nuk donte të shfuqizohej në administrimin e internetit.
Prandaj komuniteti i internetit u habit shumë, kur qeveria e SHBA-së njoftoi më 15 mars 2014 se do të dorëzojë supremacinë në internet. Kritika për spiunimin në rrjet të shërbimit të fshehtë amerikan NSA qe bërë shumë e fortë. Administrata “Obama” dëshironte të jepte patjetër një shenjë.
Se kush do ta marrë në dorë menaxhimin e adresave të internetit ICANN, nuk e dinë ende as ekspertët. Dhe kështu, Lawrence Strickling, shef i NTIA, bëri të ditur në mes të marsit me fjalë të pakta tërheqjen e qeverisë amerikane nga administrimi i internetit: “Duhet gjetur një tjetër model për menaxhimin e ardhshëm të administrimit të adresave të internetit, Internet Assigned Numbers Authority dhe kjo deri në vjeshtë 2015”.
Menaxhimi i adresave në internet siguron për shembull, që e-mail-et të arrijnë te marrësi me adresën korrekte të protokollit të internetit, që përdoruesit të kërkojnë në faqet e internetit apo të mund të shkëmbehen në platforma sociale, si “Facebook” ose “Twitter”. Menjëherë pas deklaratës së Lawrence Stricklinger filloi lufta se kush do ta marrë përsipër në të ardhmen administrimin e adresave në internet.

Pa menaxhim të adresave interneti nuk funksionon
Kështu, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, shkurt ITU, ka bërë të ditur prej kohësh pretendimet e tij për menaxhimin e rrjetit. “Mbikëqyrja e menaxhimit të adresave dhe në këtë mënyrë e internetit bëhet më së miri nga një organ i Kombeve të Bashkuara ose nga një organizatë e përfshirë në OKB”, – e argumentoi pretendimin sekretari i Përgjithshëm ITU-së, Hamadoun Toure, në takimin e ITU në vjeshtën e vitit 2013.
Por pas takimit të ICANN, që mbahet këtë javë në Singapor, sekretari i Përgjithshëm i ITU, duhet të dëgjojë se shanset që ITU të marrë funksionin e IANA, të ashtuquajturin administrimin e adresave në internet, janë të pakta: “Qeveria amerikane e ka thënë qartë se nuk e pranon që menaxhimi i adresave në internet të merret përsipër nga një organizatë ndërqeveritare”.
Prandaj, në Singapor po mendohet se në çfarë mënyre mund të krijohet një forum ndërkombëtar, që të monitorojë pastaj administrimin e internetit. Kështu, për shembull, Internet Governance Forum, që zhvillohet çdo vit dhe ku diskutohen tashmë shumë çështje administrative dhe rregullative, mund të zhvillohet në një lloj parlamenti ndërkombëtar të rrjetit, që i cakton parametrat ICANN-it dhe e kontrollon atë.

Kërkohet një parlament ndërkombëtar për rrjetin
Për këtë, ky forum duhej të shkëputej nga OKB-ja. Ai, në të vërtetë, është ngritur nga OKB-ja si forum diskutimi në samitin botëror të informacionit në Tuniz në vitin 2005. Nëse do të arrihet kjo shkëputje, janë në mëdyshje shumë ekspertë. Ata kanë frikë se kjo mund të refuzohej nga shtetet e veçanta në samitin botëror të informacionit Internet Governance Forum të planifikuar për vitin 2015. Sidomos Rusia dhe Kina, të ndjekura nga Turqia dhe shumë vende në zhvillim, synojnë një rinacionalizim të internetit. Disa prej tyre duan të lejojnë vetëm rregullimin kombëtar të adresave. Atëherë çdo vend ose edhe një komunitet si Bashkimi Evropian, do të ndërtonin dhe do të operonin me një sistem të vetin të menaxhimit të adresave në internet.
Kështu, çdo shtet me një DNS-root të vetin do të përcaktonte për qytetarët e tij nëse ata mund të hynin në një faqe interneti si për shembull “Twitter.com” dhe nëse po, a do të shfaqej faqja origjinale apo një faqe, në të cilën operohet në shkallë vendi. Ekspertët e rrjetit, si Paul Fehlinger, paralajmërojnë të kihet kujdes nga kjo.

Related

Teknologji 6130390992627597034

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item