Kur teatri bëhej nga intelektualët e Kasabasë

Speciale/ Lindja e Teatrit të Korç ës   KORÇË-   Në fillim gjetëm një kronikë të shkurtër, me pak rreshta e me pak fjalë. E vlerësuam shumë....

Speciale/ Lindja e Teatrit të Korçës

 KORÇË- Në fillim gjetëm një kronikë të shkurtër, me pak rreshta e me pak fjalë. E vlerësuam shumë. Fliste për lëvizjen teatrore të qytetit të Korçës këtu e 100 vjet më parë. Tregonte si kishte lindur kjo lëvizje dhe hidhte dritë mbi emrat e iniciatorëve. Patëm përshtypjen se kishim gjetur një shkëndijzë hyjnore që përpiqej të na tregonte ca të vërteta që deri më tani nuk ishin thënë e për rrjedhojë kishin mbetur të mbuluara nga terri. Të zbulosh gjëra të tilla është vërtet kënaqësi. Këtë lloj ndjesie përjetuam në ato çaste kur u njohëm me përmbajtjen e kronikës në fjalë. Ishte një drithërimë e vërtetë, sepse kur një ngjarje lihet në harresë, bashkë me të mbeten në errësirë të përjetshme dhe një varg njerëzish. Emrat e tyre nuk përmenden kurrë. Kjo ishte arsyeja pse u drithëruam. Zbulimi i të vërtetave të tilla është njësoj sikur të shkosh në varreza e t’u heqësh të vdekurve rrasat e arkivolit e pastaj të shoshësh se si ata ringjallen njëri pas tjetrit, duke thënë: “Po, ne ishim ata që hodhëm themelet e teatrit të Korçës. Faleminderit që na nxorët nga varret”!

NË KËRKIM TË SË VËRTETËS
Që nga ky çast ne u vumë në kërkim të fakteve, të kronikave dhe dokumenteve që mund flisnin për lindjen e teatrit të Korçës. Shpresonim shumë që përgjatë rrugëtimit që kishte bërë teatri i këtij qyteti të gjenim dokumente dhe gjurmë. Kronika e shkurtër, me pak fjalë e me pak rreshta, që sapo kishim gjetur, na nxiste pa reshtur t’i shkonim të vërtetës deri në fund. Megjithatë, më pas do të mësonim se nuk kishim qenë ne të parët dhe të vetmit, që kishim rënë në kontakt me këtë kronikë të vockël, aq të vockël sa duket edhe ylli lart në qiell. Të tjerë para nesh e kishin lexuar atë, madje e kishin përmendur edhe në ndonjë shkrim apo studim të tyre, veçse jo për atë që mbante brënda vetës kronika, por për atë çfarë tregonte ajo me pamjen e jashtme të saj. I tregonin hiret, por i fshihnin shpirtin. E thënë më shkoqur, shkruesit e historisë së lindjes së teatrit të Korçës, u ishin shmangur të vërtetave. Pse? Nuk e dimë. Ndoshta nuk dëshironin të shkonin te “lëndina e lotëve” dhe t’u hiqnin të vdekurve rrasat e arkivolëve. Ende historia shkruhet sikur diktatori Hoxha të ishte gjallë. Intelektualët e Kasabasë (Korçës) janë varrosur kolektivisht, ashtu siç ndodh në një varr masiv. Pse ka ndodhur kështu do ta shpjegojmë në vijim të rrëfimit tonë.

THEMELUESIT E TEATRIT
Kronika e përmendur më sipër, edhe pse tërthorazi, arrinte të jepte të dhëna për themeluesit e teatrit të Korçës. Ajo fliste shqip dhe qartë: themelet e teatrit të këtij qyteti ishin hedhur nga klubi shqiptar “Dituria” e Orhan bej Pojanit. Madje kishin qenë intelektualët e Kasabasë ata që me pjesëmarrjen e tyre i kishin dhënë jetë lëvizjes teatrore. (Faktet do t’i rendisim më poshtë). Kur themi “Kasabaja” kemi parasysh qytetin e Korçës (kështu thirrej në atë kohë), ndërsa fshati Varosh, ose Peskëpi siç quhej ndryshe, (shumë pranë me qytetin), ku jetonin ortodoksët, mbahej i mbërthyer nga kleri ortodoks grek dhe ishin të pakët ata që dilnin nga kjo vathë. (Edhe për këtë gjë do të sjellim fakte). Dhe ndërsa ishim vënë në kërkim të së vërtetës, gjithnjë e më shumë po bindeshim se intelektualët e Kasabasë (Korçës), meritonin nderim dhe respekt, pasi krejt padrejtësisht, kishin mbetur të përjashtuar nga faqet e historisë, e të varrosur që prej një shekulli, vetëm e vetëm se ata u përkisnin familjeve të mëdha. Gjithsesi, me kronikën që sapo kishim gjetur, ishte hedhur hapi i parë i rrugëtimit tonë. Por çfarë thuhej në këtë kronikë?

KRONIKA 
Kronika e përmendur që në fillim të këtij shkrimi, fliste për vënien në skenën e qytetit të Korçës të dramës “Besa”, të shkruar nga Sami bej Frashëri. Njerëzit që kishin shkuar për ta parë shfaqjen kishin qenë të shumtë. Suksesi kishte qenë i padiskutueshëm. Lajmi për habinë e përjetuar nga loja e amatorëve kishte shkuar shumë larg, madje kishte mbërritur deri në Manastir. Te shqiptarët e këtij qyteti, kureshtja po mundonte gjithkënd. Dëshironin të shihnin dhe të dëgjonin nga afër gjithçka që thuhej për dramën “Besa” dhe për ngjarjen e përshkruar me aq mjeshtëri nga Sami bej Frashëri. Ndaj vendosën të ftonin grupin e amatorëve që ta luanin edhe në qytetin e tyre. Pikërisht këtë gjë përshkruante kronika e vockël me pak fjalë e me pak rreshta, ku thuhej: “Një tejshkrim nga “klubi shqiptar i Manastirit për klubin e këtushëm “Dituria” dhe “Bandën e Lirisë” thotë të venë prej këtej amatorët që lojtën “Besën” edhe “Bandën e Lirisë” për të lojtur atje theatron “Besa”. Pleqësia e Klubit dhe e Bandës u mblodhë dhe u vendos të venë”. (Gazeta “Korça”, 31 dhjetor 1909).

SHPJEGIMI
Pra, kronika e mësipërme na tregonte qartë se lëvizja teatrore kishte qenë nën kujdesin e  klubit “Dituria Shqip”, të  Orhan bej Pojanit, ndryshe s’kishte pse letra të dërgohej në adresë të kësaj shoqërie. Veç kësaj, siç thuhet edhe në kronikë, “pleqësia e klubit u mblodh dhe u vendos të venë”, tregonte më së miri se ishte kjo shoqëri që përgjigjej dhe kujdesej për aktivitetet e saj, madje kuptohet po kaq qartë se klubi “Dituria Shqip” përkujdesej edhe për anën financiare të këtij grupi, ashtu siç kujdesej edhe për “Bandën e Lirisë”. Megjithatë, vetëm me këtë kronikë kaq të vogël nuk do të mundnim dot të hidhnim dritë mbi 100 vjet të shkuara. Dhe nëse nuk do të gjenim dot fakte të tjera, atëherë ngjarja që ishte varrosur prej kohësh do të qëndronte sërish e varrosur. Të pajetë do të mbeteshin edhe ata që kishin bërë të gjitha përpjekjet që qyteti i Korçës të kishte një lëvizje teatrore dhe një jetë të gjallë kulturore. Për intelektualët e Kasabasë (Korçës) harrimi do të vijonte ashtu si edhe më parë. Gjithçka do të vazhdonte kështu derisa dikush tjetër të merrte përsipër gjetjen e të vërtetave të pathëna dhe ringjalljen e të harruarve, por… gjithsesi, ne dëshironim që të ishim na ata që do ngrinim të vdekurit nga varret, duke u dhënë shpirt përmes mirënjohjes, nderimit dhe respektit.

ZANAFILLA
Natyrisht, për t’i shkuar të vërtetave deri në fund, duheshin edhe fakte të tjera. Vetëm përmes tyre do të krijonim një ide më të qartë se çfarë kishte ndodhur këtu e 100 vjet më parë me jetën kulturore të qytetit dhe veçanërisht me teatrin e tij. Kërkohej zanafilla e kësaj historie, por e vetmja gjë që ne dinim me siguri të plotë, kishte të bënte me faktin se shoqëria muzikore “Banda e Lirisë” ishte themeluar nga klubi “Dituria Shqip” e Orhan bej Pojanit, (për bandën kemi shkruar kohë më parë), ndërsa mendonim se edhe teatri duhej të ishte vepër e kësaj shoqërie, por vetëm kaq nuk mjaftonte. Gjatë kërkimeve tona, përsëri gjetëm një informacion të ri që vinte në formën e kujtimeve, por edhe ky material fliste për “Bandën e Lirisë”. E lexuam me kujdes për të mësuar diçka më shumë, e për të parë, nëse tërthorazi, flitej edhe për lëvizjen teatrore. Ja çfarë thuhej: “Nën udhëheqjen e klubit të “Diturisë Shqip” patriotët korçarë formuan një shoqëri të re, shoqërinë muzikore “Banda e Lirisë”. Kjo shoqëri me përhapjen e këngëve të bukura shqiptare zhvillonte një propagandë të mirë në favor të çështjes kombëtare”.  Pra, edhe në këto pak rreshta, gjithçka shprehej qartë: patriotët e Korçës kishin mundur që edhe këngën ta shndërronin në një armë të vërtetë për çështjen kombëtare. A nuk kishte qenë ky qëllimi edhe kur ishte hedhur ideja e lëvizjes teatrore? Atëherë, a nuk mund të ishte “Dituria Shqip”, krijuesja e kësaj lëvizjeje? Pse jo? Informacioni që vinte në formën e kujtimeve rrëfente se si shfrytëzohej kënga për t’i bërë bashkë gjithë shqiptarët e të ndihmonin me aq sa mundnin, dhe a nuk kishte qenë ky qëllimi i klubit “Dituria Shqip”. “…Banda e Lirisë” mori pjesë në çdo manifestim kombëtar, vijonin më tej kujtimet. Patriotët e kurbetit duke shikuar me simpati punën e saj nuk u kursyen t’i dërgojnë ndihmat e nevojshme”. (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 1908. 09. 15 – Thanas Viso Mborja).

BIJT E ÇERÇIZ BEJ POJANIT
Kishim kërkuar mjaft, por ende nuk kishim ndonjë rezultat të dukshëm. Megjithatë, sa më shumë njiheshim me kronikat e shtypit të kohës, aq më pranë familjes së Çerçiz bej Pojanit e gjenim veten. Të gjitha rrugët na çonin te kjo familje e madhe. Aty gjendej çelësi i historisë patriotike të Korçës. Fal kërkimeve të shumta do të vinim re se mes vëllezërve Pojani kishte patur vetiu një ndarje detyrash, ashtu siç ekzistonte dhe pandarshmëria mes tyre. Orhan bej Pojani do t’i përkushtohej hapjes së shkollave shqipe në Korçë e kudo në Shqipëri, madje, sipas AQSH, F. 170, V. 1937, D. 50, fl. 65: Orhan Pojani njihet si “një nga themelonjësit e shkollës shqipe në Korçë, mbrojtës i kësaj shkolle, kurdoherë edhe dhuronjës i madh me të holla për për mbajtjen e tyre dhe të mësuesve”. Sami bej Pojani dhe Mahmud bej Pojani do të bënin gjithçka për ringjalljen e vlerave kulturore shqiptare dhe shtypin shqiptar. I pari u bë botues i gazetës së parë shqip në Shqipëri, i gazetës “Korça” , ndërsa i dyti drejtor i shtypshkronjës “Korça”. Ata kishin qenë këshilluesit dhe  kujdestarët e mirëfilltë edhe të “Bandës së Lirisë”. Skënder Pojani rezulton të jetë regjisori i parë i teatrit të Korçës te drama “Besa”. Babai i tyre, Çerçiz bej Pojani, ishte njeriu që ndiqte me vëmendje gjithë përpjekjet e bijve të tij dhe jepte vlerësime për punën e tyre, gjë që shihet edhe nga pjesëmarrja e tij në komisionet e provimeve të nxënësëve, ashtu sikurse i nxiste ata që të mos ndaleshin në rrugën që kishin filluar. Nisur nga të gjitha këto, dukej e pamundur që “Dituria Shqip”, të mos kishte qenë iniciatore edhe për lëvizjes teatrore të Korçës. Megjithatë, gjetja e dokumenteve nuk ishte dhe aq e lehtë, por pikërisht në këtë moment na erdhi në ndihmë një nga pinjollët e familjes së madhe të Pojanit, Sokol Pojani, banues në Tiranë, i cili kishte kohë që gjurmonte nëpër arkiva gjithçka që ishte shkruar për paraardhësit e tij. Atë çast kuptuam se ringjallja e njerëzve të harruar të Kasabasë (Korçës) sapo kishte filluar… Pasardhësit e familjeve të mëdha, kishin nisur t’i shkruanin e dokumentonin vetë historitë e paraardhësve të tyre. Boll kishin pritur nga historianet e Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

JA E VËRTETA E TEATRIT!
 Më në fund kishim mbërritur te e vërteta e madhe. Themelet e teatrit shqip, (theksojmë të teatrit shqip) të Korçës, ishin hedhur nga klubi “Dituria shqip” e Orhan bej Pojanit. Gjetja e këtij fakti nuk kishte qenë e pamundur. Ai ekzistonte edhe te kujtimet e Thanas Mborjes. Nuk ka asnjë dyshim që edhe këto kujtime kanë qenë të lexuara edhe nga studiuesit dhe historianët, por çuditërisht ata vetëm kanë heshtur, ashtu siç hesht guri i varrit. Madje janë hequr sikur të gjitha këto nuk i kanë ditur asnjëherë. Mbi të gjitha, të bie në sy fakti se kjo kategori njerëzish nuk ka patur asnjë lloj brerje ndërgjegjeje, as për ata njerëz që u lanë në varreza pa i përmendur kurrë edhe pse kishin kontribuar me aq sa kishin mundur. Dita e themelimit të klubit “Dituria shqip”, pra  15 shtatori i vitit 1908, mund te merret edhe si dita e lindjes së lëvizjes teatrore në Korçë. Vënia në skenë e shfaqjeve teatrale kishte patur vetëm një qëllim: çështjen kombëtare. Edhe në këtë rast, ishin kujtimet e Thanas Mborjes ato që na çuan te e vërteta e pamohueshme, të cilat na u ofruan përsëri nga Sokol Pojani. Ja disa rreshta për të kuptuar krejtësisht të vërteten e madhe: “… Një propagandë të mirë në favor të çështjes kombëtare klubi “Dituria shqip” zhvilloi edhe me anë të çfaqjeve teatrale që dha herë pas herë në popull. Kështu grupi teatral i klubit (vini re, grupi teatral i klubit), dha tri-katër herë dramën e Sami Frashërit “Besa”. (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 1908. 09. 15 -Thanas Viso Mborja). Gjithsesi, të tjera fakte do të plotësojnë krejtësisht panoramën e plotë të atyre viteve, përsa i përket teatrit shqip të Korçës, të cilit i duhej të përballej edhe me grupin teatral grek të Mitropolisë.


 Kujtimet/Flet Sokol Pojani, pasardhës i familjes së Orhan bej Pojanit Rrëfimi nga teatri në “komitetin e fshehtë” për lirinë e Shqipërisë Për të mbërritur deri te lindja e teatrit të Korçës, na duhej të njihnim më mirë veprimtarinë e klubit “Dituria Shqip” dhe të familjes Pojani.  Ndihma na u ofrua nga Sokol Pojani. Sipas tij, veprimtaria e Orhan Pojanit kishte nisur me mbledhjen e Frashërit, e cila i parapriu “Lidhjes së Prizrenit”. Ja çfarë shkruhet në Arkivin Qëndror të Republikës së Shqipërisë: Fondi 270. Dosja 49. faqe 118-119, shpjegon ai: “Baba Alushi, bir i Dalib Bej Frashërit, nismëtar i mbledhjes së Frashërit, pati si shokë që e ndihmuan në atë vepër, Sami, Abdyl, Naim Frashëri, Orhan Bej Pojanin, Pandeli Calen, Nasuf  Novoselën, Ismail Bej Zharkonji, Hysni Bej Leskovikun, Mehmet Ali Pashë Beratin (Vrionin), Ismail Pashë Dibrën, Konstandin Kristoforidhin, Jani Vreton, Hoxhë Tahsimin, si dhe shumë pari të viseve të ndryshme të Shqipërisë…”. Dhe pasi këtij dokumenti, Sokol Pojani na njohu me një portret të Orhan bej Pojanit të përshkruar nga nga historiani, prof.dr. Bardhosh Gace. Ja vlerësimet që jepte ai: “Orhan bej Pojani mbetet një figurë brilante, madhështore. Të bën përshtypje kultura e gjerë e tij. Ai i përket asaj aristokracie dhe elite kulturore shqiptare, e cila u bë shpirti i Rilindjes Kombëtare. Vlerat e mëdha të kësaj familje qëndrojnë si një gjerdan i artë në historinë tonë mbarëkombëtare, sepse ata janë në qendër të të gjitha lëvizjeve të shekullit 19 dhe 20, jo vetëm në Korçë, sepse ata janë pjesë përbërëse e lëvizjes sonë kombëtare që solli pavarësinë e atdheut”. Deri këtu historiani flet për familjen e madhe të Pojanit, por sigurisht Gace është ndalur posaçërisht edhe për patriotin e palodhur Orhan Pojani, pohon  pasardhësi i kësaj familjeje, Sokol Pojani

VAZHDIM I PORTRETIT
“Orhani e nis me lidhjen e Prizrenit dhe komitetin e Stambollit me Kristoforidhin, Pashko Vason, Sami Frasherin, Jani Vreton, vijon më tej përshkrimin e tij historiani Gace. Në Stamboll ai ka një veprimtari të gjerë, jo thjesht si iluminist për gjuhën dhe kulturën shqipe, por për çlirimin kombëtar nga prangat e robërisë. Kishte një marrëdhënie të gjerë edhe me patriotë të tjerë vendas edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Orhani ishte përkrahës i flaktë dhe mik i ngushtë i Ismail Qemalit dhe i shumë të tjerëve. Xhelal Koprenska konfirmon se “…Orhan bej Pojani në rrethinat e Korçës u bë një mbeshtetje e fuqishme për lëvizjen kundër xhonturqve” Ai pati bashkëpunim me krerët e Shkupit, në prag të pavarësisë në kryengritjet që u organizuan, Orhan bej Pojani ashtu siç kishte ndihmuar shkollat shqipe, ashtu siç kishte ndihmuar kongresin e Manastirit, ndihmoi edhe këtë kryengritje të madhe për çlirimin kombëtar. Ardhja në Vlorë me shpalljen e pavarësisë nuk ishte thjesht si një ardhje personale e Orhan bej Pojanit dhe e delegacionit korcar, por së bashku me delegacionin kolonjar, ata erdhën për të kërkuar ndihmë për luftimet e grekut që po zhvilloheshin në viset jugore të Shqipërisë. Ishte fjala për zbatimin e vendimeve të Konferencës së Londrës dhe një sërë vendimesh që fuqitë e mëdha kishin ndërmarrë. Ai ishte i ftuar personalisht nga Ismail Qemali për manifestimin e 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Vdiq pas përfundimit të ceremonies. Populli i Vlorës, duke ditur vlerat e mëdha të kësaj figure e varrosi në kopështin e varrezave, ku morën pjesë jo vetëm vlonjatët, por edhe një pjesë e madhe e muhaxhireve që ndodheshin në Vlorë nga krahina e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Tepelenës dhe nga Çamëria dhe Kosova”, përfundon historiani Gace.
 
KOMITETI I FSHEHTË
Ndërkaq do të mësonim se Orhan Pojani kishte ndihmuar edhe  për krijimin e komitetit të fshehtë të Manastirit “Për lirinë e Shqipërisë”, ndërsa vëllai i tij, Sami bej Pojani, do të kryesonte komitetin e fshehtë të Korçës. Edhe këto të vërteta na u servirën nga Sokol Pojani, i cili, si gjithnjë, u referohej botimeve të kohës dhe dokumenteve që kishte gjetur nëpër arkiva. Ja çfarë shkruhej në një nga botimet e atyre viteve: “Aty nga fundi i 1905-s, Bajo Topulli, Halit Bërzeshta, Gjergj Qiriazi… formuan në Manastir komitetin e fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”… Degë të komitetit u ngritën shpejt në disa qytete si në Korçë, në Ohër, në Elbasan, në Strugë, në Dibër etj… Për arsye të konspiracionit të thellë të mbajtur në atë kohë e më pas, sot pothuajse nuk dihet asgjë e sigurtë mbi përbërjen e degës së Korçës. Thuhet se këtë e ngritën Bajo Topulli e Telemak Gërmenji me përkrahjen e mbështetjen e atdhetarëve Thimi Marko, Orhan Pojani dhe Jovan Cico Kosturi. (Koço Grameno “Kujtime nga lëvizja…” f. 14). Veç fakteve të renditura më sipër, Sokol Pojani na tregon edhe diçka tjetër: “Kryetar i komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” për degën e Korçës, u zgjodh atdhetari i njohur Sami Pojani ( “Shqiptari”, 1911, libër i përvjetshëm (shkruar nga Hil Mosi) e botuar në Stamboll më 1912, f. 23). E pra, nëse deri më tani nuk ishte thënë asgjë për këto figura kaq të mëdha, tashmë po thuhej gjithçka nga pasardhësit e tyre

ZANAFILLA E TEATRIT
Sokol Pojani do të ndalej edhe te lëvizjet kulturore të qytetit të Korçës. Gjithçka kishte qenë e lidhur ngushtësisht me klubin “Dituria Shqip”. Sokoli, duke iu referuar fakteve të shkruara, na ofroi këtë përshkrim: “Pas shpalljes së kushtetutës në verën e 1908-ës, si në të gjithë vendin tonë, ashtu edhe në Korçë, u ndje nevoja për formimin e një klubi shqiptar ku të përqëndrohej veprimtaria politike e kulturale e patriotëve shqiptarë, dhe patriotët e këtij qarku, muhamedanë e të krishterë, u mblodhën një ditë në shtëpi të Sami Pojanit ku formuan klubin kombëtar me emrin klubi i “Diturisë Shqipe”. Kjo vatër kombëtare u bë qendra, e cila drejtonte çdo aktivitet që kërkonte lëvizja kombëtare. Si parim kish vënë zhvillimin e vendit me anë të kulturës, por në të vërtetë, ish qendër patriotike që drejtonte veprime politike kundër zgjedhës; ishte vatra propagandistike nga e cila dilnin shkëndijat për liri me anë të shkrimit ose të pushkës”. “… Klubi i “Diturisë Shqipe”, shton Sokol Pojani (duke iu referuar materialit përkatës), nuk vepronte fshehurazi. Në mbledhjen që u bë te shtëpia e Sami Pojanit, oratorët folën hapur, pa frikë e me guxim për një Shqipëri të lirë. Me një zë u zgjodhën anëtarët e udhëheqjes me vota të hapura ndënë kujdesin e Orhan bej Pojanit…”. “…Ky klub, vazhdon më tej Sokoli, mbahej me ndihmat që jipnin vullnetarisht patriotët ose nga kuotizacionet e anëtarëvet. Fushata e ndihmës filloi që në mbledhjen e parë…”.(Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar – Goni Katundi, 15 shtator 1908)


“DITURIA SHQIP”
“Pas klubit të Manastirit, më 5 të vjeshtës së parë të vitit 1908, vijon më tej Sokol Pojani, duke iu referuar të njëjtave burime, u çel në Korçë një nga klubet më të rëndësishëm patriotik “Klubi i Diturisë Shqip”. Dita e çeljes së klubit u festua nga patriotët me këngë e valle. Disa ditë më vonë, në 15 të vjeshtës së parë të vitit 1908 u zgjodh me vota të hapura kryepleqësia e klubit. Kryepleqësia përbëhej prej Ymer Zavalanit (kryetar nderi), Orhan Pojani (kryetar) e të tjerë, ndërsa pleqësia prej: Thoma Eqimit, Qani Dishnicës, Hafëz Ali (Korçës), Thimi Çikozit, Ismail bej (Leskoviku) Tefik Panaritit dhe Thanas Viso Mborja. Klubi nxori edhe një kanunore ku shënoheshin qëllimi që i vinte vetes, detyrat e pleqësisë, mënyrat e pranimit si anëtar i klubit dhe pagimi i kuotave. Në kanunore thuhej sa për formë se klubi nuk duhej të përzihej në politikë, megjithëse veprimtaria e tij për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare kishte në të vërtetë një karakter politik dhe drejtohej kundër pushtonjësve turq. Anëtarët e klubit pranoheshin prej moshës 18 vjeç e lartë dhe çdo njeri prej tyre duhej të paguante si kuotë sipas gjendjes ekonomike prej ¼ deri në 1 lirë turke flori. Numri i tyre arrinte mbi 260 vetë (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 15 shtator 1908 – Thanas Viso Mborja).
Sokol Pojani na flet edhe për një fakt tjetër mjaft interesant. Klubi “Dituria Shqip” kishte patur  edhe një bibliotekë mjaft të pasur me libra dhe me gazeta në gjuhën amtare  Drejtuesit e klubit e shryëzonin atë për të afruar pranë kësaj shoqërie sa më shumë qytetarë që të ishte e mundur. Mundësisht gjithë Korça të vinte aty, por sigurisht edhe realizimi i kësaj ëndre nuk ishte e lehtë, veçanërisht për fshatin Varosh, ku jetonin ortodoksët, të cilët nëse i bashkoheshin klubit shqiptar “Dituria Shqip”, pas asnjë dyshim do të mallkoheshin dhe shkishëroheshin nga klerikët ortodoks të Greqisë. Për bibliotekën në fjalë, na tregon sërish Sokol Pojani, i cili na vë përpara kujtimet e Thanas Mborjes, i cili shkruante: “Klubi i Diturisë Shqip kishte një bibliotekë mjaft të pasur me libra dhe me gazeta në gjuhën amtare. Shtypin kombëtar e dërgonin kolonitë e Sofjes dhe të Bukureshtit. Një pjesë e buxhetit të klubit që ishte destinuar për qëllime kulturale, përdorej për blerjen e librave të cilat shtypeshin në tipografinë e Manastirit dhe në atë të Korçës. Shumë libra, bibliotekës së klubit ia kishin falur patriotët.”  “… Bibliotekën e vizitonin shumë lexonjës, anëtarë të klubit dhe jo anëtarë. Të gjithë ata që vinin aty, ne i prisnim me gëzim se sa më shumë të lexoheshin librat shqipe aqë më tepër përhapeshin idetë kombëtare në popull. Klubi përveç bibliotekës kishte dhe një sallë të madhe ku zhvilloheshin bisedat me karakter kultural. Oratorët që flisnin aty, me anë të temave me karakter kultural zhvillonin një propagandë kombëtare. Këto biseda kishin qëllim gjithashtu të bënin për vehte shqiptarët që merrnin pjesë në bisedat që zhvilloheshin nga grekomanët dhe turkomanët nëpër klubet e tyre dhe t’i tërhqnin në klubin e “Diturisë”.
 (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 15 shtator 1908 – Thanas Viso Mborja)/standard

Related

Teatri 650367398534035594

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item