Kullat malësore edhe si vlera turistike

Një pikë e veçantë e turizmit shqiptarë që duhet vlerësuar, janë dhe kullat malësore, një banesë tipike e malësive të Veriut.Është një resur...


Një pikë e veçantë e turizmit shqiptarë që duhet vlerësuar, janë dhe kullat malësore, një banesë tipike e malësive të Veriut.Është një resurs turistik i veçantë dhe unik, por ende “i paftuar” në strategjitë e zhvillimit të turizmit shqiptar.
Në fakt, në platformën turistike të vitit 2008, MTKRS shpalli si projekt risi “turizmin e 40 haneve” duke e shpallur si çelësin e suksesit të turizmit shqiptar. Gjithsesi, sot e asaj dite, nuk ka një statistikë të saktë sa joshës u bë ky lloj turizmi, por dihet se në disa rajone si në Theth a Valbonë, morën formën e tyre disa bujtina të ngritura nga vetë banorët e atjeshëm. Ndërkohë, u la në harresë bujtina tipike, kulla e Veriut, që gjendet fshat më fshat në trevat veriore. Shumë të huaj kanë bërë vlerësime për këto ndërtime dhe kanë analizuar jetesën e veçantë të banorëve të kësaj zone.
Studiuesi korçar, Stavri Frashëri, së bashku me dy amerikanët antropologë burrë e grua, kanë shëtitur fshat më fshat në Mirditë e treva të tjera në malësi, që nga Zadrima e deri në malësitë e Pukes. Kanë shkel nga maja e Velës, në Ungrej, Frekën, kanë ndjekur ujin e Dibrrit, dhe janë strehuar nëpër hane. Bëhet fjalë për dimrin e vitit 1930. Ai përshkruan itinerarin ku kaloj si dhe doket,zakonet,etnosin natyrën,psikologjinë e malësorit të zonës ku shkeli. Diku Ai përshkruan”Kur bje miku në kullë,i zoti I kullës fton miq e farefis, vetëm burra dhe nis zakoni mikpritjes.
Në odën e burrave mblidhet thuajse tërë fshati që sheh me kureshtje të madhe mysafirët, të huajin dhe sidomos gruan e tij. Rast i rrallë që gruaja të ulet në odën e burrave, por ata dinë t’i respektojnë gratë sipas mënyrës së tyre. Për darkë, nusja e re e shtëpisë sjell koritën dhe ibrikun të lanin duart, i zoti i shtëpisë solli rakinë, ushqimin e pasur deri tek petullat me mjaltë etj. Pastaj biseda sillet rreth besës dhe mikëpritjes”-le shënimet e tija studiusi korçar. Ai përshkruan dhe strukturën e këtyre ngrehinave që quhen “Kulla”. Ajo është e fortë prej guri, dritaret i ka të vogla, përmbi portë përgjithësisht është “çikmaja” me një dritare të vogël dhe me disa frëngji për të luftuar. Nëpër qoshe të shtëpisë vërehen vrima të tjera, të cilat e mbrojnë shtëpinë nga të gjitha anët. Shtëpisë me më shumë se dy kate i thonë kullë.

Odat e kullës

Kulla mund të ketë tre, katër ose më shumë oda. Një shkallë e ngushtë posa hyn tek dera të shpie në odën e burrave ku priten miqtë dhe ku qëndron oxhaku. Mbi zjarr është varur poçja prej balte me zinxhir. Pishtari, një lloj rrjete prej teli, varet nga tavani dhe shërben për të vënë pishën e ndezur që ndrit odën. Oda nuk ka shumë mobilie, nëpër kënde është shtrirë ndonjë mutaf ose ndonjë lëkurë deleje. Andej-këndej, nëpër odë ndonjë stol me tri këmbë që vendasit e quajnë shkëmb, ndonjë fron të moçëm, ndonjë sënduk të vjetër të skalitur. Në të dyja anët e oxhakut dhe në mur mbi dy këndet janë kamaret të mbyllura e  të skalitura, kanë pamje të bukur dhe i zoti i shtëpisë vë takëmet e kafesë. Dritaret janë të vogla dhe pa xhama, mbyllen me kanate dërrase të trashë, muret e lyer me gëlqere dhe pa dekorim, diku shikon ndonjë pushkë dekorative të varur, ndonjë çifteli, ndonjë kryq a ndonjë korë ose fotografi të të zotit të shtëpisë.Tavani mund të jetë i ndërtuar me dërrasë ose trinë. Përmbi vatër varet pastërmaja, e cila qëndron mbi një lloj rrjete prej trene. Jo shumë larg kësaj rrjete është dhe një dru horizontal dhe mbi atë thajnë rrobat e lagura. Për të larë duart kanë ibrikun dhe koritën ose mund të vesh te sqolli që është në një anë të odës në mur, ku uji derdhet nga një vrimë përjashta. Dallim nga këto bën shtëpia e “Kapedanit” në Orosh, e ndërtuar në majën e një kodre me një pamje piktoreske. Në një dhomë të pastër dhe të mbajtur, qëndrojmë në frone dhe jo këmbëkryq si tjetërkund. Një djal i ri sjell kafe dhe pastaj miqt rehatohen në një dhomë tjetër ku hanë së bashku darkën e të zotit të shtëpisë. Pasi darkojmë, falënderojnë mikpritësin sipas zakonit.

Karakteristikë për disa prej këtyre banesave të vjetra shqiptare është edhe vula që shënon datën e ndërtimit të kullës, apo emrin e të zotit të saj. Humanistja austriake Marianne Graf, nismëtare e disa projekteve ambicioze për ruajtjen e kësaj trashëgimie, përshkruan gjithë rajonet e viseve të Veriut dhe Verilindjes, duke vëzhguar imtësisht kullat e moçme dhe sidomos ato të fshatit Shul-Batërr të Matit. “Më krijohet një ndjenjë sikur në çdo hap që bëj përpara, shkoj dy hapa prapa, tek e kaluara” – shkruan Graf. Atë e tërheq kultura e popullit në të ndërtuar dhe gjithçka të ruajtur me kujdes, por e shqetëson deri në trishtim bjerrja edhe humbja e saj. “Jemi në një vend krejt të izoluar, i cili ruan të kaluarën e largët. Asnjë frymë njeriu nuk duket. Mos vallë janë mure të magjepsur, që ngrihen para nesh, si të kenë hedhur shtat nga format e rrumbullakosura të një guri vullkanik!”. Megjithëse ndërtesat, në ndonjë rast, mbajnë rëndë vulën e vjetërsisë, ato të gjitha transmetojnë një shkallë të lartë artizanale dhe saktësie. Gurë të përpunuar me mjeshtëri të lartë, bashkohen artistikisht në shtylla, mbajtëse, harqe dhe mërtek, dhe e detyrojnë vizitorin për një vrojtim më të saktë të portaleve, të punuara me dashurinë më të madhe.

Kulla “Limpreht”në Lurë


Po ç’lidhje ka kulla Limpreht me malësorët, kur në fakt atje njihen shumë emra kullash të përmendura si toponim fisesh; si kullat e Marisenëve, kulla e Vladit, e Bucajve, Bruçajve a të tjerë. Por kjo lidhje fillon kur Limpreht, ish-ambasadori amerikan, i njohur si diplomati më sportiv, ndër preferencat e tij kishte malësitë e vendit tonë. “Medet, hej mik” – të thonë banorët lurianë – “iku shpejt ai burrë zotni, se do na e kishte ba Lurën!”. Ata thonë se amerikani qe ulur “gju më gju” me malësorët në kullat e tyre para se të ngjitej tek mrekullitë e Nezhtës së Kurorës së Lurës. Në një prej krojeve të freskëta, kishte mbaruar tragjikisht jeta e ambasadorit sportiv. Megjithatë Lura e ka përftuar një simbol në trajtën e monumentit, “Kullën Limpreht”. Për të shkuar tek ajo, kalojmë një rruge kalldrëmi. Nuk ka njeri brenda dhe si shumë kulla të tjera, edhe ajo përjeton heshtjen e madhe. Pyetja përse pikërisht këtë kullë e ka zgjedhur diplomati amerikan, për ta shënuar si “kullën e tij”, e merr përgjigjen që në pamje të saj. Ka qenë një sy i pagabuar në përzgjedhjen e saj pasi është vërtetë kullë tipike. Këtu kanë banuar prej shekujsh fisi Tollaj, ndërsa nuk i dihet mosha e ndërtimit, edhe pse pyesim dhe më të vjetrin e fshatit.Kjo është kulla e parë e braktisur në Lurë, pasi ka më se 25 vite që këtu nuk banon njeri, por dhe pronësia e saj është e zorshme për t’u përcaktuar.
Kullat e Lurës kanë shërbyer si fortifikata, por dhe vende ku gjallon jeta malësore në tërë hapësirën e vet sociale dhe ekonomike. Luriani e ka shtruar odën e miqve bukur dhe e ka hijeshuar. Shtrohej në të dy anët me hasra thekre dhe mbi to mutafi karakteristik nga leshi i dhisë që blihej në Prizren. Sipër mutafit, në shtëpitë pak më të kamura, vihej dhe sixhade, lëkurë delesh e qilima. Dyshekë e jorganë herët nuk kishte ndaj miqtë e ardhur mbuloheshin me postahe që i punonin në vegjë. Dyshekët e parë në Lurë erdhën në kohën e Zogut, ndërsa masivisht u futën pas Çlirimit. Oxhaku karakteristik është i punuar në gur dhe i futur rreth 25 cm. Kati i tretë apo i katërti quhej “kullë”. Këtu rrinin burrat për verë. Kishte dhe dollapë qorr me dy tri frëngji. Në një qoshe ishte çakmani, një dollap rreth një metër dhe i mbyllur me oxhak, aty mbaheshin vegla armësh. Kullat e Lurës kanë shërbyer edhe si fortifikata për luftë.

Nënshejt, fshati i kullave alpine


Nënshejt! E quajnë të tillë sepse gjendet pak metra poshtë Malit të Shenjtit në bjeshkët më të larta të Mirditës verilindore. Fshati i vogël me fare pak shtëpi ndodhet nën “sqetullën” e  malit me emër shenjtori. Mali i Shenjtë në bjeshkët e Oroshit shënohet si kryetempulli i Krishtërimit në Mirditë. Ndue Dedaj, studiues i njohur, thotë se ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shenjtorët shqiptarë, që u sakrifikua aty. Nënshejti dallohet për kullën tipike dykatëshe. Numërohen tetë kulla të mëdha, të tjerat janë shtëpi alpine përdhese, ndërsa thuajse tërë kullat mbulohen me fruxha, me përjashtim të njërës që ka përdorur tjegullën. Kullat e këtij fshati, veç ndërtimit me gurë të bardhë dhe tavanet karakteristike, të veçantën e kanë patur tek dyert. Ustallarë të përmendur e kanë latuar e gdhendur mjeshtërisht gurin e fortë të këtyre viseve.

Në vendin tonë ka shumë objekte arkitektonike,të herëshmë e të reja, objekte kulti,arkeologjike,që vlerësohen si të veçanta në lloin e vet dhe që përbëjnë një kuriozitet të madh për vizitorin,kryesisht për atë të huajin,por që infrastruktura rrugore dhe guidat e mirëfillta turistike, e vështirësojnë udhëtimin drejt tyre. Jemi në pragfillimin e stinës së  ngrohtë, ku dhe lëvizjet e vizitorëve bëhen më të shpeshta dhe kurioziteti i tyre për të parë nga afër  këto objekte të rralla,duhet justifikuar nëpërmjet vëmëndjes së institucioneve përgjegjëse që kan nën juridiksion këto vlera të pa përsëritëshme.Turizëm do të thot biznes, fitim dhe zhvillim. /ATSH

Related

Reportazhe 7809006515093956691

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item