Kriza e Ukrainës: Rusët që janë kundër politikës së Putinit

S hkrimtarë, komentatorë e artistë janë kundër pushtimit të Krimesë. Por këta janë zëra shumë të heshtur për momentin dhe disa men...

Shkrimtarë, komentatorë e artistë janë kundër pushtimit të Krimesë. Por këta janë zëra shumë të heshtur për momentin dhe disa mendojnë se Kremlini mund ta shtyjë disidencën drejt asgjësimit të plotë

Në një fjalim emocional në Kiev të dielën, ish-oligarku i naftës së Rusisë, Mikhail Khodorkovski, – së fundmi i liruar nga dhjetë vjet burg – tha para protestuesve në sheshin “Maidan”: “Ka edhe një Rusi tjetër”, ajo që kundërshton aksionin ushtarak në Ukrainë. Shkrimtari dhe gazetari rus, Andrei Ostalski, është dakord, por shton se kundërshtarët janë një bashkësi e vogël dhe e dobët.
Më 2 mars, një ditë pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë miratoi një mocion për të lejuar Presidentin Putin të përdorë forcat e armatosura kudo në territorin e Rusisë, një banor i Moskës vendosi të bëjë një protestë me vetëm një njeri. Ai e dinte se ishte punë goxha e rrezikshme, për shkak se rrugët qenë përplot me njerëz me mendje “patriotike”, të cilët po i gëzohen dhe festojnë mundësinë e një lufte të shpejtë dhe fitimtare kundër fqinjit të tyre.
Gjithsesi, Aleksei Sokirko gjeti një vend në trotuar në rrugën “Nikolskaja” dhe shpalosi parullën e tij “Ndalo luftën”.
Ligji i Rusisë lejon protestat me një njeri të zhvillohen nga leje paraprake apo njoftim te policia dhe fillimisht policia nuk bëri asgjë. Në fakt, ata nuk kishin nevojë, pasi Aleksei filloi menjëherë të shahet nga kalimtarët. Fillimisht ata e quajtën atë “fashist” dhe “plehrë”. Pastaj një grua kaloi dhe e pështyu. Disa burra filluan ta kërcënonin dhe në fund njëri prej tyre ia kapi pankartën dhe e bëri copash.
Një përleshje pasoi – dhe ky ishte momenti kur policia ndërhyri për të arrestuar Aleksein duke e akuzuar se ka prishur qetësinë publike. Kjo ndoshta shërbeu për mirë, sepse ai mund të kishte përfunduar i rrahur keqas. Një grua pastaj u ofrua për të sajuar akuza më serioze kundër tij. “Unë mund të dëshmoj se ai po rrihte një fëmijë”, sugjeroi ajo me entuziazëm. Policët vendosën të mos e marrin atë seriozisht.
Episodi i përshkruar në faqen e Alekseit në “Facebook” është goxha simbolik. Rusët që kundërshtojnë pushtimin e Krimesë janë një minoritet vetmitarësh, në dukje të pafuqishëm, për të ndikuar turmën që i rrethon.
Sipas një vrojtimi, rreth 70 për qind e popullsisë miraton politikën e Putinit kundër Ukrainës. Veçanërisht popullor është perspektiva që Krimeja të bëhet pjesë e nënës Rusi – dhe të gjitha gjasat janë që shumica e rusëve nuk do të shqetësohen në rast se Putini i dërgon tanket drejtpërsëdrejti në Kiev. Dmitri Peskob, sekretari i shtypit për Presidentin, pretendon se miratimi i popullit për Putinin janë në nivelin më të lartë në të gjitha kohërat.
Po bëhet diçka si e padiskutueshme në Moskë të thuash se rusët janë kaq të lumtur me mënyrën se si udhëheqësi i tyre maço “po i bën ballë Perëndimit” dhe “po mbron bashkëpatriotët jashtë vendit” sa ata janë të gatshëm t’ia “falin të gjitha” – nga varfëria masive te korrupsioni endemik dhe te brutaliteti i policisë.
Shkrimtarja dhe skenaristja popullore ruse Tatiana Sotnikova (emri i artit Ana Bierseneva), bie dakord se shumica e bashkëpatriotëve të saj mbështet aksionet e Kremlinit, së paku tani për tani. Ajo mendon se diçka mund të ndryshojë në rast se sanksionet dhe izolimi i Rusisë sjell rënien e standardeve të jetesës.
Ajo ia atribuon sjelljen e tyre luftarake propagandës së pandërprerë në televizionet kombëtare. “Një valë totale ksenofobie dhe shpëlarje truri ka vijuar pa ndërprerje për 14 vjetët e fundit”, thotë ajo.
Ajo është një nga ata shkrimtarët rusë që firmosën një letër ku shprehej solidariteti me kolegët e tyre ukrainas që protestonin ndaj sjelljes luftënxitëse të Moskës. Shkrimtarët, të gjithë anëtarë të PEN International, nuk janë tërësisht vetëm. Një në çdo dy anëtarë të sindikatës kinematografike ruse u bashkuan në dënimin e Putinit
Por Bashkimi i Shkrimtarëve Rusë njoftoi mbështetjen e vet totale për çdo veprim që Presidenti mund të ndërmarrë në territorin e Ukrainës dhe i bëri jehonë retorikës së Kremlinit, duke i quajtur udhëheqësit e Maidan “një grusht fashistësh”.
Ka pasur edhe të tjerë gjithashtu, të cilët kanë paraqitur variantin e tyre të protestës Sokirko.
Andrei Zubov, një profesor shumë i respektuar i Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, shkroi një artikull në gazetën Vedomosti dhe e krahasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia me Anshlusin e Austrisë nga Gjermania më 1938-n. Atij iu kërkua menjëherë të dorëhiqet ose të përballet me pushim nga puna, por këto kërcënime u tërhoqën, pasi kolegët e tij dolën në mbështetje.
Një nga kundërshtimet më të papritura erdhi nga një udhëheqës i partisë pro Kremlinit, Sparavedlivaja Rosija. Akeksander Çujev shkroi një artikull në një faqe interneti liberale.
Pavarësisht këndvështrimeve politike të një personi, sipas tij, mbështetja e luftës ishte imorale dhe shtoi se ai njihte komunistë dhe nacionalistë që ndanin të njëjtin mendim.
“Si një rus dhe një kristian ortodoks unë nuk mund të mbështes një vendim që jo vetëm kundërshton detyrimet ndërkombëtare të Rusisë, por mund të sjellë edhe luftë vëllavrasëse”, deklaroi ai.
Redaktori i gazetës së rëndësishme “Nezavisimaya Gazeta”, Konstantin Remçukov, foli ndërkohë kundër idesë së zhvillimit të një referendumi “ilegal” në Krime. Në një intervistë radiofonike, ai kritikoi gjithashtu, me terma shumë të qartë, establishmentin e Rusisë dhe gatishmërisë së dukshme të këtij establishmenti për të hyrë në sherr me Perëndimin. Ndërsa tha këto fjalë, dëgjuesit filluan ta shpallin atë “tradhtar”.
Një nga shkrimtarët më popullorë rusë të librave triller, Borsi Akunin, ka bërë thirrje sakaq për bashkëpatriotët e tij të mendohen dy herë. “Unë dua të pyes shumicën që po feston aneksimin e Krimesë: A ia keni idenë se çfarë çmimi do të duhet të paguani për këtë trofe?” – shkroi ai në faqen e vet në “Facebook”, duke parashikuar izolim politik dhe ekonomik.
“Falë aventurës së tij në Krime, Putini i ka garantuar vetes një mandat për të gjithë jetën në zyrë, por unë dyshoj që ky mandat do të jetë veçanërisht i gjatë”, shkroi ai. “Në mungesë të mekanizmave ligjore për ndryshimin e një regjimi të falimentuar, mekanizmi i revolucionit ndizet. Dhe një revolucion në një vend multietnik, i pajisur me armë bërthamore, është me të vërtetë diçka e frikshme.”
Akunin mund të ketë të drejtë në terma afatgjatë, por për momentin ka pak shenja për ndonjë lëvizje të mundshme kundër luftës përtej shtresës së hollë të inteligjencës ruse.
Për disa, kjo është madje tërësisht e padukshme. Komentet e Khodorkovskit mbi “Rusinë tjetër” u kapën nga Matvej Ganapolski, një nga komentatorët politikë më popullorë të Rusisë (i lindur në Ukrainë). “Ai nuk na shpjegoi se pse kjo ‘Rusia tjetër’ është kaq e padukshme dhe e heshtur”, shkroi Ganapolski në blogun e tij.
Javën e kaluar, disa protesta të vogla të improvizuara u zhvilluan në disa qytete të Rusisë. Në Shën Petersburg, 75-vjeçari Igor Andrejev u gjobit me 10 mijë rubla, sepse mbajti një pankartë ku shkruhej: “Paqe në botë”.
Në Moskë, qindra protestues u ndaluan nga policia, shumë prej tyre u gjobitën, ndërsa autoritetet nuk dhanë leje për një marsh paqeje. Pra me të vërtetë ka një Rusi tjetër që mendon, edhe pse banorët e saj nuk janë aq të shumtë. Shqetësimi është se parashikimet për masa të reja shtrënguese nga Kremlini dalin të vërteta, kjo bashkësi e rëndësishme dhe e vogël mund të shkojë shpejt drejt zhdukjes.

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item