Krime: Rikthimi nën Rusi tmerron tartarët

Popullata e vuajtur tartare e Krimesë beson se Putini, si një diktator, është i paparashikueshëm dhe rrjedhimisht, i rrezikshëm. Por shumë s...

Popullata e vuajtur tartare e Krimesë beson se Putini, si një diktator, është i paparashikueshëm dhe rrjedhimisht, i rrezikshëm. Por shumë shpresojnë se rusët do të ngrihen në protestë kundër Putinit njësoj si ukrainasit kundër Janukoviçit
MIKE COLLETT-WHITE, Reuters

Mes zërave të mbytur nga festimet e fitores nëpër Krime pas votimit të krahinës për t’u larguar nga Ukraina dhe për t’u bashkuar me Rusinë, ishin ata të tartarëve, një grup minorancë për të cilët perspektiva e rikthimit nën sundimin e Moskës sjell vetëm frikë dhe pasiguri.
Myslimanët suni, të cilët kanë origjinë Turkiç, e konsiderojnë Krimenë atdheun e tyre dhe shpërngulja e tyre për në Azinë Qendrore nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe persekutimet e mëhershme nga Jozef Stalin bënë që ata të ndiheshin shumë më të sigurt nën Ukrainë.
Tashmë ata përballen me detyrimin për t’u kapur nga Rusia e ditëve tona kundër vullnetit të tyre, pavarësisht bojkotit që i bënë referendumit të së dielës ku 97 për qind e votuesve në rajonin me mazhorancë ruse vendosi shpalljen e pavarësisë.
Tartarët përbëjnë 12 për qind të popullatës së këtij gadishulli të Detit të Zi me 2 milionë banorë dhe protesta e tyre nuk ishte e mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin e votimit, që solli edhe nivelin më të ulët të marrëdhënieve Lindje-Perëndim që nga Lufta e Ftohtë.
“Pse unë nuk dua të bëhem pjesë e Rusisë?” – pyet Mustafa Asaba, një udhëheqës rajonal i tartarëve të Krimesë.
“Qeveria e Rusisë është e paparashikueshme për shkak se në krye të saj gjendet një diktator”, – tha ai duke iu referuar Presidentit Vladimir Putin, i cili organizoi aneksimin e Krimesë dhe alarmoi Europën dhe Shtetet e Bashkuara.
Asaba, ndërsa mban të veshur një kapele tradicionale me lesh të zi, thotë se ai ka frikë nga agjitatorët prorusë në Krime, të cilët mund të përdorin “provokime” për të zhdukur identitetin e tartarëve përmes ndalimit të gjuhës, kulturës dhe fesë së tyre.
“Ne gjithmonë kemi gëzuar lirinë e shprehjes… dhe unë mendoj se nëse ata na shtypin, ne do të rezistojmë”, – tha ai për “Reuters” në shtëpinë e një shoku të vet në qytezën Belogorsk, 50 kilometra në lindje të kryeqytetit të Krimesë, Simferopol.


“Do të ketë gjyqe dhe burgime. Asgjë e mirë nuk do të vijë”
Njeriu 58-vjeçar që flet ka lindur në Uzbekistan, ku familja e tij u dërgua gjatë shpërnguljes së vitit 1944 – ndëshkim për tartarët që u bashkuan me njësi speciale naziste që luftuan sovjetikët.
Por shumë prej tyre shërbyen edhe në Ushtrinë e Kuqe. Vetëm se kur trupat sovjetike ripushtuan gadishullin e Detit të Zi, Stalini ndëshkoi të gjithë popullatën tartare, duke i ngarkuar ata në vagonë bagëtish për ta kaluar jetën në ekzil.
Shumë vdiqën nga sëmundjet dhe uria dhe tartarët u lejuan të rikthehen në Krime vetëm në vitit 1980 nga Mikhail Gorbaçov.
Kohë të vështira
Tartarët e Krimesë, të cilët nuk qenë të frikësuar të shprehnin mendimet e tyre gjatë krizës, kanë përvojën e së shkuarës për të pasur frikë për të ardhmen dhe kohët e vështira përpara.
“Në rastin më të keq (të bashkimit me Rusinë) – dhe ne sërish shpresojnë se nuk do të ndodhë – mendoj se populli ynë ka kaluar në kohë edhe më të vështira, përfshirë shpërnguljen dhe jetesën nën ndalim qarkullimi në Uzbekistan”, – thotë Asaba.
Ai beson se vetëm një numër i vogël tartarësh mund të largohen nga Krimeja tashmë që ajo duket se është destinuar të bëhet pjesë e Rusisë.
“Mendoj se 95 për qind e tartarëve do të qëndrojnë këtu pavarësisht kushteve, sepse Krimeja është atdheu ynë. Nuk kemi tjetër”.
Fytyra prej trimi nuk mund të fshehë frikën mes tartarëve se sundimi i Rusisë do të sjellë kufizim të lirive. Në një dyqan në fund të një rruge me baltë në Belogorsk, menaxherja Nijara, e cila nuk dëshiron të japë mbiemrin, tha se njerëzit kanë qenë duke grumbulluar ushqime në shtëpi.
“Njerëzit janë me të vërtetë të shqetësuar, – tha ajo. – Unë kam një fëmijë dhe unë vetë jam e frikësuar”.
Nijara ka frikë se rusët e Krimesë mund të përpiqen tani të rimarrin pronat nga tartarët, të cilat besojnë se u përkasin atyre.
“Shumë prej shtëpive tona janë të paregjistruara dhe rregullat e Rusisë në këtë fushë janë shumë, shumë të rrepta”.
Krimeja ka qenë nën kontrollin e trupave ruse për shumë javë, që kur Moska dërgoi mijëra ushtarë nën argumentin e mbrojtjes së rusëve nga ata që i cilësonte “fashistë” në Kiev që rrëzuan presidentin e mbështetur nga Moska, Viktor Janukoviç.
Qeveria e përkohshme e Ukrainës dhe udhëheqësit perëndimorë e hedhin poshtë këtë justifikim si të pakuptimtë. Forcimi i pozitave ushtarake dhe krijimi i grupimeve vullnetare të paarmatosura që kanë marrë detyra të ulëta në lidhje me sigurinë, përkon me një rritje të kërcënimeve fizike dhe verbale kundër tartarëve.
Njësoj si tartarët, edhe nacionalistët rusë kanë kujtesë të fortë dhe rikujtojnë këtë ditë kur Khanati i Krimesë, të cilin tartarët e sunduan nga shekulli 15 deri në shekullin e 18, ishte famëkeq në skllavërimin e sllavëve ortodoksë dhe shitjen e tyre te Perandoria Osmane.
Bashkësia e tartarëve në Belogorsk ka organizuar patrulla të paarmatosura për të kontrolluar për mjete ushtarake të pozicionuara në zonë apo për ndonjë gjë të pazakontë që mund të përbëjë rrezik.
Refat Çubarov, një udhëheqës i tartarëve të Krimesë, i cili bëri fushatë për bojkotimin e referendumit, u tha gazetarëve se fati i disa dhjetëra tartarëve të zhdukur javën e kaluar mbetet i panjohur.
Zhdukjet në Krime gjatë muajit të kaluar janë raportuar edhe për aktivistë të të drejtave të njeriut, individë të lidhur me protestat e Sheshit të Pavarësisë në Kiev dhe gazetarë.
Trupi i pajetë i një tartari në të 30-at, për të cilin Çubarov thotë se i përket Reshat Ametov, u gjet këtë javë pasi ai u zhduk më 3 mars.
Autoritetet zgjasin dorën
Autoritetet proruse të Krimesë kanë thënë se do të garantojnë përfaqësimin e tartarëve në qeverisjen vendore dhe do t’i japin bashkësisë pronësi të vërtetë të tokave si dhe ndihmë financiare.
Si Çubarov ashtu edhe Asaba kanë diskutuar krijimin e një forme autonomie për tartarët në Krime, gjithsesi bisedimet për këtë vetëm sa kanë nisur.
Sergei Aksjanov, udhëheqësi i autoriteteve separatiste të Krimesë, zgjedhjen e të cilit nuk e pranon Kievi, tha në një intervistë së fundmi se paratë në dispozicion të tartarëve do të dyfishohen këtë vit.
“Nuk ka konflikte etnike apo fetare dhe ne nuk do t’i lejojmë kurrë konflikte të tilla”, – tha Aksjonov për “Reuters”.
Por nuk është çudi që tartarët e shohin Aksjonov me dyshime të thella.
“Aksjonov është i pabesueshëm, ai është një separatist”, – thotë Lenura Asanova, një grua e moshuar tartare në Belogorsk. “Rusia është pas tij”.
Asaba paralajmëroi Putinin se lëvizja e tij agresive mbi Krime mund t’i kthehet mbrapsht.
“Brenda pesë vjetësh, të njëjtat protesta si ato të Sheshit të Pavarësisë në Kiev, do të ndodhin në Rusi, – tha ai. – Kjo është arsyeja se pse ai ka frikë. Një vit më parë askush nuk mendonte se Viktor Janukoviç mund të rrëzohej nga pushteti. Askush”.

Related

Shtypi i huaj 1169761032548531100

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item