Kopjet: 10 skandalet më të mëdha të plagjiaturës

Me vetëdije ose jo, shumë autorë dhe studiues të njohur kanë kryer plagjiaturë duke shkaktuar skandale publike të mëdha. Zbulimi i plagjiatu...

Me vetëdije ose jo, shumë autorë dhe studiues të njohur kanë kryer plagjiaturë duke shkaktuar skandale publike të mëdha. Zbulimi i plagjiaturës është bërë më i lehtë sot falë teknologjisë

Plagjiatura nuk është thjesht një metodë e studentëve apo të rinjve që nuk ia kanë idenë nga t’ia nisin. Politikanë të lartë, shkrimtarë, artistë dhe studiues të njohur kanë rënë pre e plagjiaturës, si me dashje ashtu edhe rastësisht.
Më poshtë do të njiheni me dhjetë skandalet më të mëdha të plagjiaturës që kanë ndikuar në mënyrën sesi e shohim sot të vërtetën nga kopja.
Stefan Ambroz (Stephen Ambrose)
Historiani i respektuar dhe shkrimtari i njohur Stefan Ambroz u vu në qendër të një skandali të madh dhe shumë të reklamuar në vitin 2002. Pasi botoi librin e tij The Wild Blue: The Men and Boys Who Flew the B-24s over Germany (Bluja e egër: Burrat dhe djemtë që fluturuan B-24-at mbi Gjermani), ai u akuzua se kishte kopjuar pjesë nga libri i Tomas Çajldërs (Thomas Childers, një profesor historie në Universitetin e Pensilvanisë. Shumë shpejt u zbuluan fraza të ngjashme në të dy librat, ndonëse Ambroz nuk e kishte cituar në libër burimin e shprehjeve që kishte përdorur. Biografi i dy presidentëve Ajzenhauer dhe Nikson u kritikua ashpër dhe skandali u përhap duke përfshirë edhe katër raste të tjera plagjiature në librat e Ambroz.
Majkëll (Michael) Bolton
Këngëtari Majkëll Bolton u përfshi në një çështje gjyqësore për plagjiaturë, pasi publikoi këngën Love is a wonderful thing (Dashuria është diçka e mrekullueshme) në vitin 1991. U zbulua se kjo këngë ishte “vjedhur” nga një këngë e vitit 1966 e vëllezërve Islej (Isley brothers). Në vitin 2000, Bolton u gjobit me 5.4 milionë dollarë për plagjiaturë, që mendohet të jetë shpërblimi më i madh në historinë e plagjiaturës muzikore.
Melisa Elias
Ish-presidentja e bordit të shkollës Nju Xhersi, Melisa Elias, u akuzua për plagjiaturë në fjalimin që mbajti për fillimin e vitit shkollor në shkollën e mesme Madison në vitin 2005. Teksti i saj hapës ishte i njëjtë me atë të gazetares Ana Kjuindlen (Anna Quindlen) kur fitoi çmimin Pulitzer. Elias dha dorëheqjen si presidente dhe si pjesëtare e rregullt e bordit të shkollës, por vazhdoi të përpiqej t’i bindte njerëzit se nuk kishte bërë asnjë gabim.
Barak (Barack) Obama
Gjatë fushatës presidenciale në shkurt të vitit 2008, Obama u akuzua se kishte kopjuar një fjalim të mbajtur nga guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrik, në tetor të 2006-s. Fjalimi i Obamës përmbante edhe shprehje nga disa fjalime të tjera të Martin Luter King dhe Kenedit. U bë e dukshme se Presidenti Obama kishte përdorur fraza të njëjta me ato të Deval. Më vonë Obama kërkoi falje që nuk i kishte dhënë guvernatorit meritat për fjalimin, të cilin e kishin punuar së bashku. Po ashtu, Deval doli në një deklaratë për shtyp dhe mbështeti Obamën.
Maurin Doud (Maureen Dowd)
Gazetarja e respektuar e New York Times u vu në qendër të kritikave kur dolën ngjashmëri të artikullit të saj me atë të një gazetari tjetër, Josh Marshall. New York Timesdhe Marshall kërkuan të dy falje, ndërsa gazetarja u shfajësua, duke thënë se një mik që mund të kishte lexuar shkrimin e Marshall e kishte ndihmuar të bënte shkrimin. Ironia e fatit qëndron se 22 vjet më parë edhe Doud kishte kritikuar kandidatin e atëhershëm për president, Xho Bajden, për plagjiaturë.
Kavia Visuanatan (Kaavya Viswanathan)
Një studente e Harvardit, e cila doli në gazetën New York Times për librin e saj How Opal Mehta Got Kissed, Got Wild and Got a Life, u akuzua se kishte kryer plagjiaturë nga dy romanë të autores së njohur Megan Mekaferti (McCafferty). Visuanatan kërkoi ndjesë duke thënë se ishte një adhuruese e madhe e autores Mekaferti dhe se nuk e kishte kuptuar sesa shumë kishte përvetësuar nga ajo. Më vonë u zbulua se libri që bëri bujë i Kavias kishte edhe pjesë të tjera plagjiature.
Libri The Catcher in the Rye
Një nga librat ikonë të letërsisë amerikane, The Catcher in the Rye, shkaktoi mosmarrëveshje me një autor anonim të ashtuquajtur J.D. California. Ai u padit për plagjiaturë dhe u kërkua që libri i tij Coming Through the Rye të ndalohet në SHBA. Ndërkohë, kopje të librit janë shitur në Angli, ndërsa autori anonim pretendon se libri i tij është thjesht një version humoristik i librit ikonë.
Nada Behziz
Në vitin 2005, reporterja Nada Behziz u pushua nga puna në The Californian of Bakersfield për plagjiaturë dhe për sajesë të burimeve. Botuesit e saj gjetën edhe raste të tjera plagjiature, madje edhe në punë të mëparshme. Më shumë se një e treta e punës së saj në gazetat që kishte punuar ishin plagjiaturë.
Xhejson Bler (Jayson Blair)
Skandali i plagjiaturës së Xhejson Bler tërhoqi shumë vëmendje, pasi u zbulua se ai kishte bërë akte të shpeshta të mashtrimit gazetaresk, ndërkohë që mbulonte ngjarje të rëndësishme për New York Times. Bler dha dorëheqjen, ndërkohë që botuesit e gazetës kontrolluan 600 artikujt e tij të botuara. U zbulua se ai kishte krijuar histori të pavërteta, kishte sajuar shprehje dhe madje kishte manipuluar edhe fotografi që t’i përshtateshin punës së tij.
Loid Braun (Lloyd Brown)
Në vitin 2004, Unioni i Florida Times i kërkoi një task-force të hetonte për plagjiaturë në editorialet e gazetës dhe zbuloi se kishte raste të tilla që prej vitit 1966. Drejtori i editorialeve, Loid Braun, dha dorëheqjen, ndonëse i qëndroi mendimit se kurrë nuk kishte pasur si qëllim të kryente vjedhje të punës së ndokujt.

Related

Suplement 7118954811044895137

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item